Lufta për diasporën

Të famashëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. SHBA, Evropa dhe Australia parajsa e vërtetë financiare e këngëtarëve shqiptarë. E cila nuk ka të ...



Të famashëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. SHBA, Evropa dhe Australia parajsa e vërtetë financiare e këngëtarëve shqiptarë. E cila nuk ka të krahasuar më famën që mund të të dhurojë Tirana. Në plan të parë janë pagesat dhe këto, për Mira Janjin nuk gjenden këtu

ALIDA CENAJ, GENT SHKULLAKU

Koha e artë janë festat e fundvitit. Sidomos nëpër rrjetet sociale, por edhe faqet e tabloidëve, lajmi kryesor që shoqëron vigjiljen e Krishtlindjeve dhe festën e ndërrimit të viteve janë koncertet jashtë Shqipërisë. Njoftohen me të madhe se aksh këngëtar ose grup këngëtarësh do të jenë në SHBA, Zvicër, Gjermani e deri Australi. Flitet për shuma të majme parash, për konkurencë të fortë, e madje njoftimi për prenotimin e vendeve nis që aty: në Facebook, Twitter ose agjenci lajmesh online. Koha e bereqetit është kjo, sado që përshtypja për ata që njohim këtej kufirit është se më shumë se asnjëherë këngëtarët shqiptarë fitojnë në kohë fushatash elektorale e sezone verore. Nuk janë për t’u qarë as këto të fundit në fakt. Këngëtarët që famën e kanë zënë e rritur këtu, në Shqipëri, me të vërtetë që i presin më me padurim se edhe vetë politkanët vetë fushatat, qofshin për zgjedhje vendore ose parlamentare. Siç diskutohen çdo verë luhatjet e çmimeve për një koncert të breg të detit. Thashethemohen emra të përveçëm e shuma parash që gjithësesi vështirë t’i kalojnë 500 eurot për koncert. Sepse të pasur nuk të bën Shqipëria. Parajsa e këngëtarëve është diaspora, me një gjeografi nga SHBA deri në Australi. Fjala vjen, jo më larg se fundvitin që lamë pas, në top listën e këngëtarëve fatlumë sa i takon koncerteve në SHBA ishin Big Basta, Gjyste Vulaj, Bujar Qamili, Gëzim Nika e Valbona Mema të cilët ishin të ftuar në mbrëmje dhe vende të ndryshme të Amerikës për të argëtuar shqiptarët që jetojnë atje. Siç u përfolën pagesat e tyre arritën deri në 10 mijë dollarë amerikanë. Nga ana tjetër edhe Zvicra është një tokë tjetër e premtuar e si rrjedhojë e lakmuar për këngëtarët. Në dispozicion të tyre vihen klube nate e diskoteka, siç ndodhi gjithashtu vitin e kaluar për Labinot Tahirin, Sinan Vllasaliun e Nora Istrefin të cilët e nisën vitin me të paktën 4 mijë euro më shumë. Po aq të kërkuar mbetet edhe Sinan Hoxha, i cili jo shumë muaj të shkuar ishte në qendër të lajmeve për dorën e shtrirë ndaj ish lojtari të Big Brother, Seldi Qalliu. Ditët më të mira si këngëtar Seldi i pa për aq kohë sa bashkëpunoi me Sinanin dhe jo në Shqipëri, por në vende të Evropës e Australisë ku jetojnë shqiptarë. Një parajsë që nënkupton edhe një konkurencë të egër përderisa flitet për para. Nuk ka kaluar shumë kohë nga lajmi i fundit që u publikua për Genën: Iu ndalua udhëtimi në vendet e Evropës. Në fakt Gena ishte nisur për një koncert në Zvicër, por meqë për raste të ngjashme u duhet edhe të paguajnë taksa, këngëtarët në të shumtën e rasteve nuk e tregojnë arsyen e udhëtimit. Por sipas Genës, pas një kurthi të ngritur nga kolegë ziliqarë, në aeroport e pritën focat e politcë me një poster të tijin në dorë. “Unë mendova se do të kërkonin autograf”, ka thënë këngëtari me shaka, por në fakt ata më kthyen mbrapsht”. I hoqën të drejtën edhe ta provonte në ndonjë vend tjetër kështu që Gena për ca kohë do t’i duhet të kënaqet me Shqipërinë dhe Kosovën ku thonë se është më i njohur dhe i kërkuar se këtu. 

Histori të tilla zënë pothuaj çdo fundjavë faqet e gazetave, për këngëtarë që i njohim e i shohim të shfaqen çdo sekondë në ekranet muzikore televizive. Bëjnë bujë sepse thashethemosen po aq shpesh për look-un, për klipet e bashkëpunimet me të tjerë. Por mund të ndodhë edhe e kundërta. Më shpesh, ata që janë me të vërtetë të zotët e kësaj pune, në Tiranë njihen pak ose aspak. Mira Janji vështirë të pranojë të këndojë në ndonjë klub nate në Tiranë. Mbledh supet kur i përmend emra të famshëm lokalesh që shquhen për fundjava me muzikë live. Një jo e zgjatur me dy supe të ngritur me çudi të lënë të nënkuptosh përgjigjen e pashqiptuar, “këtu nuk bën”. Sepse i takon një tjetër standardi e tjetër publiku. Ka publikuar deri tani tre albume dhe shtatë klipe, megjithatë zor të gjesh ndonjë artikull gazete që të flasë gjatë e gjerë për të. Sepse pothuaj çdo javë e vitit e gjen në Zvicër dhe sidomos në Gjermani, ndërsa Shqipëria ëshë vetëm destinacioni që e sjell pranë familjes dhe miqve. “Ndoshta ka ndodhur kështu sepse edhe rrjedha e karrierës time ishte e tillë. Studioja në Itali kur mu dha mundësia të këndoja në Gjermani dhe që prej asaj kohe nuk jam shkëputur më. Kjo gjë ndodhi shtatë vjet më parë”

Mira mund të ishte fort mirë edhe pjesë e trupës së Teatrit të Operas dhe Baletit ndërkohë. E diplomuar në Akademinë e Arteve i takon një brezi që shkollën e artit e ka ndjekur qysh fëmijë e po aq ka rendur edhe pas festivaleve. Gjatë kohës së Leceut për dy vite me radhë ka fituar çmimin e madh të konkursit për fëmijë “Zërat e rinj”. Pastaj erdhi koha e Akademisë e pas saj studimet në Konservatorin e Kaljarit, gjithashtu për kanto e në të njëjtën kohë jepte mësim në shkollën e muzikës “Non solo musica”. Në dukje e destinuar për t’u bërë një soprano, në mos e famshme, profesioniste në fushën e vet. “Por e kam ruajtur veten nga impostimi i zërit. Vërtetë ndiqja një shkollë muzike dhe fusha ime ishte klasikja, ajo që doja në të vërtetë ishte muzika moderne. Përfitoja nga çdo rast për ta kënduar dhe e dija që destinacioni im ishte një tjetër”. Ndaj nuk u mendua dy herë kur i propozuan një koncert të parë në Gjermani. Asokohe vinte shpesh në Tiranë e mbante edhe lidhjet me kolegë. U nis duke i lënë lamtumirën Italisë, shkollës ku jepte muziksë e ndoshta përgjithmonë edhe arieve dhe operetave. Koncerti i parë premtonte fansë dhe para. “Sidoqoftë nuk kam hequr dorë nga Shqipëria. Edhe këtu kam bashkëpunuar e publikuar këngë të reja, por publiciteti i tyre nuk ka qenë kurrë në plan të parë. E para sepse më duhet të udhëtojë shpesh dhe e dyta sepse Tirana nuk është vendi im i punës”. Koncerti i parë i la vendin një të dyti, pas saj një kontratë e përhershme dhe sidomos Gjermania është parajsa që këngëtarët e këtej kufirit e ëndërrojnë. Ndryshoi rrjedhë edhe repertori i Mirës. U hoq klasikja dhe u shtua muzika popullore. Tanimë i përket asaj kategorie këngëtaresh që mund të mbajë një natë të tërë me këngë të krahinave të ndryshme, sado që të preferuarat janë ato të jugut. “Ndoshta për shkak të origjinës sime nga Saranda ose ndoshta sepse unë mund t’u përshtatem më mirë, por të preferuarat e mia janë këngët popullore të jugut. Kjo nuk do të thotë se në raste të caktuar, ose në varësi të vendit ku jamë të këndoj edhe këngë të veriut, por repertori im është ky”.

E meqë këto janë këngët më të kërkuara në diasporë, muzikën moderne, atë për të cilën ëndërronte në kohën e Liceut dhe Akademisë Mira e ka gjetur mënyrën ta zhvillojë ndryshe. Çdo herë që vjen në Tiranë, ose kur qëndrimi këtu është më i gjatë se një javë hedh urat e një bashkëpunimi të ri. Pas këngës së parë të publikuar, “Nëse s’vjen sonte” erdhi albumi i parë, “Më mjafton”. Ndoshta nuk këndonte aq sa ç’duhej muzike moderne në Gjermani, Zvicër, Austri e Australi, ama në vendin e lindjes do ta njihnin kështu. “Tregu muzikor nuk është i lehtë askund, as jashtë ku punojnë shumë artistë të tjerë shqiptarë. Por e rëndësishme është që emrin e mirë ta bësh me punë të mirë”, thotë këngëtarja. Çka nënkupton se ndoshta nuk njihet shumë këtu, tre albumet (“Rastësisht” dhe “Shqipëri moj tungjatjeta”), që ka realizuar deri tani, për të, mjaftojnë. “Pastaj këtu gjërat janë pak më të ngatërruara se jashtë. Ka shumë tallava, shumë rrëmujë”. Mbi të gjitha ka pak para. Jo më larg se këtë fundjavë që ishte në Tiranë qëlloi në një karaoke në Durrës si shoqëruesen e një mikeshës së vet këngëtare. Këndoi dhe ajo disa këngë e meqë klientët u ngritën në këmbë e kënduan bashkë me të, i zoti i lokalit i ofroi punë. Moda e re e klubeve të natës janë edhe karaoket që çdo fundjavë ftojnë këngëtarë të njohur, të cilët këndojnë këngët e tyre më të mira dhe pjesë nga repertori i njohur shqiptar e botëror. “Nuk mundesha të pranoja sepse nuk më duket e drejtë pagesa që ofrohet në këto raste”, thotë Mira. Pagesë që fillon me 200 e mund të shkojë, në rastin më të mirë, në 500 mijë lekë të vjetra për klube nate që i mbyllin dyert në orët e para të mëngjesit. Shtatë vjet janë shumë për të prishur rutinën. “Atje ka tjetër lloj mënyre të punuari dhe sigurisht të tjera pagesa”. Që fillojnë me 2000 euro dhe në vende të largëta si SHBA dhe Australia, pa frikë, mund të dyfishohen. Këto janë edhe pagesat e Mirës dhe arsyeja se pse Tiranën nuk e ka marrë kurrë seriozisht për ta shndërruar në mundësi. “Ndoshta ka qenë edhe fat, por investimi im është bërë jashtë Shqipërisë dhe nuk jam e penduar për këtë”. Këtej, çdo herë që fitimet i ka të mira, investon për këngë të reja. Sepse në Shqipëri nuk janë të larta pagesat e këngëtarëve, por klipet kushtojnë që çke me të. “Po të llogarisësh balerinët, veshjen, kompozitorin dhe të gjithë bashkëpunëtorët, klipet shkojnë në 4000-5000 euro. Të paktën kaq ka kushtuar klipi im i fundit që realizova me Aleksandrin në Maqedoni”. Por ja vlen gjithësesi sepse është nëj lloj investimi që ndoshta mund të hyjë në punë për më vonë. Mira nuk këndon në klubet e Tiranës, por në një të ardhme të afërt nuk e përjashton mundësinë që të promovohet si këngëtare nga festivalet. “Nuk kam marrë pjesë deri tani nëpër festivale, jo se nuk dua, por sepse këtu bëhen shumë padrejtësi. Ndodh që një këngë të jetë shumë e pëlqyer nga publiku, të votohet, por në fund del një juri që përzgjedh si fituese një tjetër. Kjo është e padrejtë dhe mua më tremb. Më pëlqen të fitoj nëse i hyj një gare”. Por nuk e përjashton si mundësi gjithësesi sado që risku i atyre që ajo i quan “padrejtësi” qëndron. “Po punoj me katër këngë të reja njëkohësisht. Janë të gjitha në fazat e fundit dhe në plan e kam që me njërën prej tyre të konkuroj në një nga festivalet shqiptare. Sepse ky është edhe sekreti tjetër për t’ia dalë mbanë: Nëse merr pjesë në një festival duhet një këngë e mirë, e fuqishme, nga ato që ngjisin në publik. E nëse fiton publikun i ke fituar të gjitha”.

Ama të gjitha këto vijnë vetëm për ditët e “pushimeve” të Mirës, ato që ndajnë një koncert nga tjetri në një gjeografi që përfshin të gjithë Evropën. Pjesën më të madhe të muajit Mira e kalon jashtë dhe atë që mbetet ia dedikon muzikës moderne. Jo pa të drejtë. Parajsa e vërtetë e këngëtarëve është diaspora dhe këngëtarët që njohim dhe që këtu janë të famshëm, luftojnë fort për ta fituar këtë lloj audience. 

Related

Diaspora 2308346770000192098

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item