Trutë e gomarit

EDMOND TUPJA  Një nga personazhet më të neveritshme të fabulave të frëngut La Fonten, të shqipëruara kryesisht nga Çajupi, V. Kokona, N. Fra...

EDMOND TUPJA


 Një nga personazhet më të neveritshme të fabulave të frëngut La Fonten, të shqipëruara kryesisht nga Çajupi, V. Kokona, N. Frashëri e O. Nishani, është gomari! Po, po, i dashur lexuesi im i përjavshëm, gomari me tri rrokje: go-ma-ri! Njëkohësisht, ai është herë i trashë, herë frikacak, çka pasqyrohet gjithashtu në folklorin tonë. Në gjuhën shqipe, përveç një morie fjalësh të urta e shprehjesh që kanë në qendër fjalën “gomar”, kemi një shprehje shumë interesante: “i hedh (i shtie) dikujt trutë e gomarit”, e cila, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe (Tiranë, 2006), karakterizon dikë që “bën si i thonë të tjerët” në kuptimin “është aq i përpunuar mendërisht nga të tjerët, saqë nuk i përket më vetvetes”.

Do të isha shumë kureshtar të mësoja nëse këtë shprehje e kanë edhe popujt e tjerë në gjuhët e tyre. Sidoqoftë, një gjë është krejt e sigurt, gomari, qoftë ai me kombësi shqiptare apo me një tjetër çfarëdo, me shumë gjasë do të ndihej i fyer po ta merrte vesh se si e trajtojnë njerëzit atë duke i veshur vetëm tipare negative, përjashto atë të durimit. Sidomos ne, shqiptarët, që, si mesdhetarë e ballkanas që kemi qenë, jemi e do të mbetemi, nuk kemi fare durim.

Nga ana tjetër, ne, shqiptarët, historikisht e kemi tmerrësisht qejf mishin, por ç’pjesë të tij: kofshën, gjoksin, shpatullën, qafën apo të brendshmet? Të gjitha këto, ma ha mendja e përtyp imagjinata, por veçanërisht kemi qejf trurin si diçka delikate, pavarësisht përqindjes së lartë të kolesterolit. Ndoshta këtu duhet ta ketë zanafillën shprehja e lartpërmendur me trutë e gomarit (që mbase nuk ka kolesterol, ku i dihet?), edhe pse kjo mund t’i çorodiste kafshët e tjera si qengji, viçi, gici, pula e peshku, aq të preferuar nga njeriu shqiptar (homo albanicus), por me kusht që ta kuptonin gjuhën e këtij të fundit.

Diçka më thotë, megjithatë, se ka mundësi që fillimisht ky njeri ta ketë ngrënë edhe mishin e gomarit, pra, edhe trutë e tij: a nuk tregojnë se, andej nga fundi i regjimit komunist në vendin tonë, në kohën e tallonit, d.m.th. të urisë së organizuar me partishmërinë më të pamëshirshme, në një familje me shumë pjesëtarë – gjysh e gjyshe, prindër e plot fëmijë –, një ditë të gjithë nuk kishin asgjë për të ngrënë, kështu që, për të shuar urinë e madhe, vendosën që gjyshi të vriste gomarin plak të shtëpisë, i cili u kishte shërbyer pa bërë zë me vite të tëra dhe që nipërit e mbesat e donin aq shumë; plaku mori çiften dhe shkoi në haur të flijonte veshgjatin; të gjithë zunë veshët që të mos e dëgjonin krismën fatale, aq shumë u dhimbsej kafsha e gjorë, por plaku e qëlloi vetëm pas gjysmë ore. “Gjysh, – i thanë fëmijët e përlotur, kur ai u kthye, – nuk të bënte zemra ta vrisja, prandaj u vonove, apo jo?” Gjyshi nuk u përgjigj, por i nxori ata nga dhoma, iu afrua të birit dhe i pëshpëriti: “U vonova sepse prita sa t’i çohej ai miku që të kishim një copë mish apo kockë më shumë për të ngrënë!”

Morali i kësaj ngjarjeje të vërtetë (siç më është betuar kolegu dhe miku im Françesk Armadhi) në kohën kur Shqipëria e pamposhtur ndërtonte socializmin e saj dështak duke u mbështetur në forcat e veta kockë e lëkurë, është se një pjesë jo e vogël e shqiptarëve preferojnë dhe do të vazhdojnë të preferojnë që t’u fusin trutë e gomarit më mirë sesa atë gjënë e këtij për të cilën u vonua në haur plaku i familjes së uritur të asaj kohe të palavdishme; këtë moral e dëshmon, për shembull, shitblerja e votave në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit: shitësve të tyre u futën trutë e gomarit duke u dhënë një shuk të qelbur me euro dhe kjo qe e keqja më e vogël, sepse, lexuesi im i ndershëm mund ta përfytyrojë fare lehtë se ç’mund t’u kishte ndodhur shitësve në fjalë sikur t’u kishin futur, po e përsëris e ripërsëris, në vend të truve, atë gjënë e gomarit, për të cilën u vonua në haur plaku i familjes në episodin e lartpërmendur.


Së fundi, por jo më së paku, ka plot shprehje të tjera, me fjalën “gomar” për strumbullar, që e karakterizojnë fare mirë realitetin shqiptar, veçanërisht atë politik, si “e di vetë gomari ku e vret samari” , “s’ka ç’i bën gomarit, i bie samarit”, “nuk di nga lidhet gomari”, “sa gomarë buzëbardhë ka”, “prit gomar të mbijë bar”, fjalë të urta e shprehje këto (sidomos kjo e fundit) që duhen mbajtur mirë parasysh nga ata që na qeverisim sot e do të na qeverisin mot, majtas apo djathtas, pak rëndësi ka.

Related

Opinione 5754089909885411955

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item