“Tradita e maleve të veriut”

Në epokën e teknologjisë dhe të globalizmit, ku kultura po njësohet vazhdimisht, është e rëndësishme të kthejmë vështrimin herë pas here nga...


Në epokën e teknologjisë dhe të globalizmit, ku kultura po njësohet vazhdimisht, është e rëndësishme të kthejmë vështrimin herë pas here nga rrënjët, pasi kultura e sotshme ndërtohet mbi themele të forta të së shkuarës. E nëse kërkon, ka të rinj që ecin përpara duke respektuar dhe ruajtur traditat e vendeve nga vijnë. Ne i kemi takuar. Janë tri vajza, dy nga Tropoja dhe njëra nga Kukësi, që kanë sjellë në Tiranë ekspozitën me titull: “Tradita e maleve të veriut”. Ato nuk vijnë nga Akademia e Arteve, por kjo nuk i ka penguar të bëjnë art me…objektet e shtëpisë.  Suzana Kurtallari, Serafina Milushi dhe Suada Mehmetaj studiojnë Shkenca Politike, ndërsa arti është pasion për to. Është e rrallë të gjesh në qendra të mëdha metropoli të rinj që duan të kujtojnë tradita, zakonet e vjetra të zonave prej nga vijnë. Por ja që këtë “kompleks” nuk e kanë këto malësore që sot janë shumë krenare për punën e tyre.  Shkuam dhe vizituam këto oda malësie, për të kuptuar dhe njohur më shumë objektet brenda një shtëpie veriore.   Folëm aty me Suzanën, Serafinën dhe Suadën…
Një ekspozitë me emrin “Tradita e maleve të veriut”, pse?
Suada: Ekspozita konsiston në sjelljen e objekteve të vjetra dhe risjelljen e traditës etno-kulturore, kryesisht të Kukësit dhe të Tropojës.  Kemi dashur që nëpërmjet saj të kujtojmë dhe të sjellim në vëmendje ato tradita që ne i kemi humbur me kalimin e kohës dhe t’ua bëjmë të ditur të tjerëve që ende ka tradita që duhen kujtuar dhe ruajtur. Me pak fjalë, ekspozita synon promovimin e trashëgimisë etno-kulturore të zonave të veriut, duke sjellë një copëz të jetës së malësorëve që nga mjetet e jetesës, veglat e punës, punimet e ndryshme artizanale, veshjet popullore.

Përgjithësisht, kur dikush vjen nga rrethet, ka një tendencë, ndoshta, për të harruar ato që janë lanë mbrapa, duke futur këtu edhe traditën. Me ju çfarë ka ndodhur?
Suzana: Ne kishim kohë që po planifikonim të bënim diçka dhe menduam që t’ia nisnim nga fillimi, nga rrënjët tona, nga ato çfarë jemi. Për të ngjallur nostalgji jo vetëm për ata që e njohin zonën e veriut, por ta prezantojmë veriun edhe tek ata që  nuk e njohin duke e hequr në këtë formë edhe atë paragjykim që kanë.
E keni vuajtur vetë ju, këtë lloj paragjykimi?
E kemi vuajtur, deri diku, po.
Nga i gjetët të gjitha këto elemente që përbëjnë ekspozitën tuaj?
Serafina: Ekspozita ka pasur mbi 80 elementë, duke përfshirë edhe gjërat më të vogla të përdorimit  të përditshëm. I kemi marrë kryesisht nga shtëpitë tona, apo nga kushërinjtë dhe familjarët, të cilët i kishin ruajtur.  Janë objekte dhjetëra dhe qindra  vjeçare të trashëguara brez pas brezi, i morëm dhe i shkundëm nga pluhuri duke i sjellë në kryeqytet për t’i ekspozuar te “Tirana Ekspres”.

Ju studioni shkenca politike, çfarë ju lidh me artin?
Suzana: Pavarësisht se ne kemi një formim tjetër akademik, arti na ka tërhequr gjithmonë të triave, ndaj  menduam të sjellim diçka ndryshe. Të sjellim gjëra të gjalla, të prekshme, t’i shohim, kjo edhe sepse jemi rritur me pjesën më të madhe të atyre objekteve. Një ditë të bukur, teksa po bisedonim me njëra-tjetrën, ku po kujtonim mënyrën se si jemi rritur, lojërat që kemi luajtur e fëmijërinë që kemi pasur thamë: Pse mos ta rikthejmë!
Cili ishte objekti më i vjetër që keni në ekspozitë?
Serafina:  Besoj që objekti më i vjetër janë rrathët e borës, 90 –vjeçarë, i përkasin familjes sime.  Ato janë të bëra me dru e me tel, aty futet këmba dhe ke mundës që të ecësh sipër borës e të mos zhytesh poshtë.  Është ky objekti që po tërheq shumë vëmendje edhe te vizitorët e ekspozitës.
Vajza, ju keni bërë edhe ciceronet e ekspozitës gjatë kësaj kohe. Sa e vështirë ka qenë apo i njihnit paraprakisht të gjitha objektet?
Suada: Ishte e lehtë deri diku, për vetë faktin që, shumica janë objekte të familjes sonë dhe i dinim, pasi në momentin që i morëm ato nga shtëpia, na ndihmuan shumë edhe familjarët duke na shpjeguar se  kur janë ndërtuar, kush i ka bërë, me çfarë teknikash, ndaj nuk ishte e vështirë. Gjëja që kishte pak më ndryshe dhe në një farë mënyre kishim pak probleme, ishte momenti kur vinin dhe e vizitonin ekspozitën njerëz që nuk ishin nga veriu, e kishim pak të vështirë për të gjetur forma të tjera të shprehjes së emrave dhe funksionit të objekteve.

Për shembull?
Suada: Për shembull, janë çantat që nusja i merrte nga familja e vet e i çonte te familja e burrit . Ne atyre i themi: duçt e kalit, sepse vendoseshin te samari i kalit, ato janë gjërat më të rëndësishme të pajës, ndaj vendoseshin aty.
Do të preferonit që ta lëviznit për në qytetet prej nga ato vijnë, në Tropojë apo në Kukës?
Suzana: Është pak e vështirë të lëvizësh sërish sepse në momentin që i sollëm këto objekte nga Tropoja e Kukësi i sollëm të gjitha me shpenzimet tona dhe duke qenë se jemi ende studente është pak e vështirë që t’i lëvizim sërish.  Dhe nga ana tjetër, meqë jemi me studime, e kemi shumë të vështirë të shkojmë e të qëndrojmë një javë a më shumë në Tropojë, ndërsa këtu e kemi më të thjeshtë.
Cili është ai element apo zakoni që u vjen keq që po humbet, me kalimin e kohës?
Suzana: Fëmijërinë e kemi kaluar andej dhe pjesa më e bukur e jetës sonë, besoj ka qenë pikërisht kjo kohë, me lojërat e ndryshme që  bënim. Kjo është pjesa që na mungon.
Ju vjen keq që disa gjëra harrohen?
Ky është synimi ynë. Të rikthehemi tek ato gjëra që po na ikin nga duart e nga mendja.
Ekspozimi i këtyre objekteve tregon një shtresë të caktuar familjare?
Jo, janë të të gjithëve. Për shembull, djepi që është aty, çdo familje e ka pasur. Objektet që janë në ekspozitë, janë shumë përfaqësuese për të gjitha familjet e zonave.

Related

Kultura 5726388948936197965

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item