“Tenxherja” e Agron Tufës/ Dy sisteme që nxjerrin në absurd njëri tjetrin
Ballsor HOXHA Kritika/Liria në tri situata të ndryshme të përjetuara nga i shënjuesi shqiptari për të arritur në shënjimin e absurdit të rom...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/tenxherja-e-agron-tufes-dy-sisteme-qe.html
Ballsor HOXHA
Kritika/Liria në tri situata të ndryshme të përjetuara nga i shënjuesi shqiptari për të arritur në shënjimin e absurdit të romanit “Tenxherja” të Agron Tufës, më tutje për të arritur në fund të këtij interpretimi, efektin dhe arsyen e artit dhe letërsisë, si goditje në vetëdijen aktuale shqiptare. Janë tri gjendje lirie të qeniesimit të njohur brenda shënjuesit shqiptar (natyrisht ka shumë ngjashmëri me vendet e tjera të Evropës Lindore etj)
Shënjimi i lirisë në aktualitet
Agron Tufa |
Së pari do të përshkallëzojmë lirinë në tri situata të ndryshme të përjetuara nga i shënjuesi shqiptari për të arritur në shënjimin e absurdit të romanit “Tenxherja” të Agron Tufës, më tutje për të arritur në fund të këtij interpretimi, efektin dhe arsyen e artit dhe letërsisë, si goditje në vetëdijen aktuale shqiptare. Janë tri gjendje lirie të qeniesimit të njohur brenda shënjuesit shqiptar (natyrisht ka shumë ngjashmëri me vendet e tjera t Evropës Lindore etj).
1. Sot në 2014 në Shqipërinë bashkëkohore, qytetari i saj është i lirë të jetë çka do dhe kush do që e sheh të arsyeshme (përderisa nuk lëndon veten dhe të tjerët): mund të parakaloj relativisht i lirë si – gay -, të mohoj ekzistencën e shtetit të Shqipërisë sipas besimit religjioz fundamental; mund të jepet pas kënaqësive hedoniste të asocuar nga kemikalet e laboratorëve etj. Është liri, dhe për më shumë kotësi lirie pa ndonjë qëllim në horizont, përpos qëllimit të mbijetuarit material.
2. Qëllimi i sistemit komunist – arritja e një shoqërie më të avancuar (sipas teorisë), dhe me këtë të një lirie niveli më të lartë- ishte i kotë/pamundshëm brenda padrejtësisë (kolektive dhe individuale) mbi të cilën ngrihej. Qëllimi shfaqej/përdorej si kusht për ngushtim të mëtutjeshëm të lirisë të cilën, paradoksalisht, e synonte. Ishte paradoks në mes të qëllimit dhe përvojës që linte qytetarin krejtësisht të pandihmë në: vuajtjen, motivin dhe pafundësinë e shtrirjes së tij (në ardhmërinë).
3. Filipi, mbi të cilin bie projeksioni i romanit të Agron Tufës “Tenxherja”, i burgosuri shënjues i formimit të personazhit kryesor dhe narratorit në këtë roman, kur del nga burgu, në kohën në mes të dy gjendjeve, ka ndryshuar, më saktësisht është shuar. Ndryshimi i tij është jetë të kaluari prej një “intervali kohor në tjetrin”, pa pritur dhe pa kërkuar më shumë se përditshmëria e njeriut. Në të vërtetë duke pritur fatkeqësinë e radhës, përmbushjen e fatalitetit të përvijuar/përjetuar tërë jetën paraprake dhe me këtë shndërruar në të vërtetën absolute. Ai është i kufizuar përjetë nga ky fatalitet në përmbushje të vetëm nevojave fizike pas daljes nga burgu, me këtë duke shënjuar lirinë e shënjuesit shqiptar në kohën në mes të dy gjendjeve të lartëcekura.
Duke pasur parasysh këtë përshkallëzim gjendjeje të lirisë, tri strata të ndryshme të qeniesimit shqiptar, do të tentojmë interpretimin e romanit “Tenxherja” të shkrimtarit Agron Tufa:
Paradoksi familje brenda ideologjisë enveriste, sistemi familje si pengesa e fundit të sistemit enverist
Romani “tenxherja” i shkrimtarit Agron Tufa është një narracion realist që thellohet brenda kujtesës për të zbuluar “zakonshmërinë” e të jetuarit nën peshën e absurdit gjithëpërfshirës dhe të gjithpushtetshëm komunist. Arsyeja vetëdija e dhënë pa ndonjë shpjegim fundoset, tërhiqet nga inercioni i absurdit, k rrëfimi kalon nga përshkrimi sipërfaqësor i gjendjes post-burgosje të anëtari të dytë të familjes Blanaj me këtë fat, deri në momentin kur ai burgoset. Është retrospektivë e paramenduar duke shndërruar situatat më të zakonshme në jo vetëm revoltë por mbijetesë, jo të individit por familjes, pasi që e njëjta është shenja e keqe që duhet – zhdukur – nga universi ideologjik i enverizmit. Në një prej momenteve të romanit çështja e të kryerit të nevojave fiziologjike bëhet çështje. Por pak më tutje ajo kalon në revoltë fëmijërore ndaj trupave të sistemit. Në një moment tjetër personazhi kryesor kryen vjedhje tërësisht kriminale, por kjo vjedhje prej perspektivës së sotshme nuk mund të shihet ndryshe përpos si përmbysje e sistemit që peshon mbi tërë atë që është dhe do të jetë personazhi, në pafundësinë e jetës/vuajtjes së tij. Ideologjia duke qenë e panatyrshme, krijesë e farkëtuar në mëshirën e etjes për pushtet përfshinë dhe mbulon çdo shtresë jete dhe këto “zakonshmëri” janë e vetmja thyerje e kolektivizimit (lexo: shuarjes) së qeniesimit të pavarur.
Romani ka një dinamikë në mes të figurës në mungesë të vëllait të madh dhe personazhit kryesor që e sublimon këtë figurë të vëllait të madh nga dhembja dhe absurdi i fatit që shtjellohet në kalimin e kohës nën sistemin enverist të komunizmit. Personazhi kryesor/narratori formësohet duke ndjekur dashurinë për vëllain e madh në mungesë, është njerëzia brenda tij, nevoja për të “vazhduar” dashurinë ndaj atij që e do, në këtë rast vëllait të madh, dhe që e ruan nga shthurja. Dhe kjo shthurje i kishte ndodhur mu vëllait të madh Filipit: ai i pashpresë, sistematizuar në kategorinë e armiqve sipas sistemit, i shënjuar në përhershmëri për të qenë shenjë e të keqes brenda universit të ideologjisë, kur babai i burgosur njëherë për armik të shtetit më vonë edhe sëmuret, sepse jeta vazhdon me të gjitha të paparashikuarat e saj edhe nën peshën e këtij absurdi, Filipi shthuret në një keqpërdorues të sistemit familjar. Narratori, në mungesë të babait që kishte qenë në burg nëfëmijërinë e tij të hershme ka idealizuar, sigurisht nga dhembja, vëllain e madh, megjithë shthurjen e tij, megjithë të metat e tij, ai është i sumblimuar në krijesë të paprekshme, gjë që mund të ngjajë në strehim të dashurisë nga trysnia e sistemit që pëson kjo familje. Figura e Filipit, vëllait të madh të narratorit, është shpërthimi i dashurisë së një qenieje normale në një rreth absurd. Dinamika e personazhit real të Filipit me sumblimimin që e ka pësuar në mendjen e narratorit, irealen e kësaj krijese në kërkimin e një shpërthimi tej fatalitetit të parathënë nga ideologjia i ngjanë një mase uji në një tenxhere që avullon dhe prapë kthehet në ujë, duke qenë se është e mbyllur.
Kjo zbulon dinamikën në mes të familjes si sistem i natyrshëm i njeriut për mbijetesë dhe shtetit enverist si sistem i farkëtuar për nevoja/ardhmëri tej njerëzores. Në fakt tërë sistemi i familjes së Blanajve është një mekanizëm mbrojtës ndaj katrahurës së këtij sistemi që ngushton për çdo moment të zhvillimit të kësaj familjeje lirinë e tyre. Filipi dhe të gjithë fëmijët e kësaj familje duke qenë të shënjuar në përhershmëri, apo thënë më saktësisht të sistematizuar në kategorinë e armiqve, shtrijnë dashurinë dhe njerëzinë e tyre në njëri tjetrin, kështu duke shpërbërë sistemin shtetëror dhe trysninë e fatit të paracaktuar nga ky shtet në mesin e këtij sistemi, pra të familjes. Sa më çnjerëzore trysnia e shtetit aq më njerëzore dashuria ndaj anëtarëve të sistemit të familjes.
Këtu në këtë pikë është tërë tragjedia e këtij romani, e vetmja aftësi e shtetit që të krijoj vartës, dhe të kushtëzuar nga vetë ai: njëherë babai i shënjuar si armik, përgjithmonë tërë familja e tij të shënjuar si armiq të shtetit, në përhershmëri, duke kaluar në përcaktueshmëri biologjike. <të shënjuarit e babait doemos duhet konfirmuar në anëtarët tjerë të familjes: burgoset djali më i madh, pasi që i është mohuar e drejta për shkollim, pasi që i është mohuar e drejta për të mbijetuar, apo thënë më saktësisht për të vuajtur qetë jetën nën këtë sistem. Shteti shkëput nga sistemi i familjes shtyllën më të fuqishme të këtij sistemi njerëzor me qëllim të dezintegrimit të tij dhe me qëllim të ndërhyrjes në të vetmen strehë të mbetur njerëzore.
Në momentet kur në kohën reale të romanit kërkohet Filipi, tanimë si armik i shtetit, realisht shteti ndërhynë në sistemin e familjes së Blanajve duke e shndërruar tërë qeniesimin njerëzor në familje të zbuluar si mjet dhe mekanizëm mbrojtës ndaj vështirësive natyrore, biologjikisht, duke e atakuar me dhunën nën mëngë. Është një thyerje që tenton shteti ndaj të fundmit qeniesim të pavarur nga shteti, është nukleusi i pavarësisë së njeriut nga shteti. Simbolikisht kjo është pengesa e fundit në unisimin e një shpjegimi dhe një paracaktimi në përhershmëri (vetëm përhershmëria motivon veprime të këtij lloji) të jetës. Familja është e paparashikueshmja njerëzore që vuan dhe gëzohet, që pret dhe kërkon dhe sistemi tanimë e ka paracaktuar tërë kërkimin dhe pritjen, që është vartësia e papenguar ndaj tij.
Prandaj këto dy sisteme, familja dhe shteti enverist janë në konflikt me njëra tjetrën duke qenë të panatyrshme për njëra tjetrën, duke e shfaqur inekzistente njëra tjetrën: në këtë sistem të shtetit nuk mund të ketë familje sipas logjikës së ideologjisë (vetëm sa për të provokuar lexuesin e këtij shkrimi, para disa ditëve një prej Hoxhallarëve më me nam të Kosovës kishte porositur se fëmijët e besimtarëve shumë shpejt do të harrojnë familjet e tyre dhe më të rëndësishëm për ata do të jenë hoxhallarët etj) ajo është tepër e pavarur dhe me këtë e “paparashikueshme” për sistemin, dhe në të kundërtën nuk mund të ketë këso lloj shteti apo sistemi për një familje të shëndoshë.
Shtresat që fundosin arsyen, inercioni i absurdit
Romani “Tenxherja” megjithëse në dukje shumë i thjeshtë, ai ka një përvijim shumë të ndërlikuar narracioni. Romani përbëhet nga shtresa të vuajtjes së njeriut për të qenë, dhe secila shtresë ruan dhe omentin kur gjendesh brenda saj ajo thellohet në tjetrën duke zbuluar kështu absurdin e jetës nën sistemin enverist të komunizmit. Sipërfaqja shfaq Flipin të burgosurin që duhet dalë nga burgu, narratori i romanit është në pritje të përfundimit të dënimit të Filipit. Në sipërfaqe përshkruhet sjellja e tij, natyra e tij e ndryshuar, apo më saktë dorëzuar para fatalitetit të jetës, apo vuajtjes së përhershme, është e tëra që njeh ky personazh. Nga kjo sipërfaqe, duke lexuar nëpër këtë katrahurë njeriu ndaj njeriut, duke u thelluar në qeniesimin nën sistemin komunist bartemi/fundosemi thellë e më thellë krejt pahetueshëm nëpër shtresat që thyejnë vetëdijen tonë të paqëllimtë apo të reduktuar në kërkim për një copë bukë më shumë në aktualitet.
Të gjitha këto shtresa/shtjella thellohen nga perspektiva e sotshme, kur dhe mund të shquajmë çnjerëzinë e sistemit që i ka përkufizuarqytetarët e tij, me ftohtësinë dhe distancën e asaj që ofron aktualiteti. Të gjitha këto shtresa janë të krijuara nga pesha, trysnia e shtetit, janë fati i “tradhtarëve” të këtij sistemi që për premtim kishte lirinë më të lartësuar njerëzore. Janë episoda të zgjedhur me kujdes për të shquar revoltën fëmijërore të personazheve të këtij romani, për të shquar njerëzinë e këtyre “tradhtarëve” të shetit. Dhe qëndrojnë në narracionin e plotë të romanit si shtjella në vete të psikës së njeriut të mbrujtur nga kërkimi biologjik dhe i natyrshëm për liri.
Që në momentet e para të romanit na pret premtimi për një padrejtësi, e dijmë se kryesisht të burgosurit e sistemit enverist ishin të pafajshëm, e dijmë se kishin vuajtur çnjerëzitë më të rënda, por në thellimin nëpër këto shtresa, arrijmë të prekim njerëzoren lakuriqe të vuajtjes, theyrjes dhe kalimit nëpër shndërrimin, apo thënë më saktësisht njëtësimin e lirisë, të vërtetës dhe qëllimit.
Zbërthehen absurdet në përditshmërinë e qytetarëve të këtij shteti. Sa më thellë ato lidhen me njëra tjetrën si avujt e ujit në vlim në një tenxhere. Dhe në fund, krejt natyrshëm, arrijmë në kapakun e absurdit: në gjyqin në mbrojtje të shtetit që për të vetmin argument ka një tenxhere.
Tenxherja, shpërthimi i vet gjyqit tej sistemit të vet
Tenxherja e lënë si amanet nga i burgosuri i pushkatuar, lënë babait të narratorit në këtë roman, përdorur në gjyqin që i bëhet Filipit si dëshmi, është ngecja e logjikës brenda unisimit të të vërtetës dhe mbizotërimi, kalimi në çnjerëzoren e këtij sistemi. Është çnjerëzi që nuk njeh asgjë njerëzore për qëllim të mbijetimit të sistemit shtetëror. Ideologjia e këtij sistemi e paarritshme për tu kuptuar nga zbatuesit e saj arrin në një të vërtetë të përhershme që duhet provuar në secilën situatë. Një i shënjuar si tradhtar një herë do të mbetet tradhtar me tërë të afërmit e tij përgjithmonë, pavarësisht fakteve dhe pavarësisht asaj që është e vërteta reale. Kjo dhe mund të ngritë në simbolikë strukturën e Gjyqit si të panevojshëm në një gjendje të këtillë dhe brenda një ideologjie të tillë, i dyshuari është gjithsesi i fajshëm pavarësisht asaj që thotë e vërteta reale, gjyqi është njëlloj ushtrimi i përmbushjes së asaj që ka ngecur, të trupave të shtetit/sistemit. Dhe i dyshuari është i fajshëm sepse ideologjia e ka përjashtuar njëherë e mirë nga sistemi i saj në të cilin mbahet.
Kjo ideologji duke qenë e paarritshme në realitetin njerëzor, arritja e një shkalle më të lartë të zhvillimit të shoqërisë, bëhet mekanizmi i gjithëpushtetshëm i represionit fizik dhe psikologjik ndaj pjesëtarit të vetë kësaj shoqërie, dhe ndaj vet atij që e zbaton.
Dhe ideologjia duhet të jetë mbi çdo gjë, mbi çdo vlerë tjetër, dhe mbi çdo besim tjetër, dhe mbi çdo nevojë tjetër. Dhe tenxherja me inicialet e grekut të pushkatuar si dëshmi armiqësie ndaj shtetit del maja e saj e shpjegimit. Thuhet se ideologjia është mënyrë shpjegimi e universit andaj mendja e trupave të shtetit në ngecjen e tyre të shpjegimit ndërtojnë shtetin me paranojën e vrasësit – çdo mundësi e evidentimit të kriminalitetit të trupave të sistemit/ideologjisë duhet zhdukur, apo edhe më mirë, më efektive për këtë ideologji, duhet asgjësuar, shuar kërkese për të arritur, kërkuar lirinë.
Aq është e thellë tortura ndaj qytetarëve të këtij sistemi sa që arrin të shuaj individin edhe brenda familjes, duke e shpërbërë çfarëdo kërkese të tij, duke e mohuar me një argument aq të fuqishëm sa “tenxherja”. Në fakt tenxherja si argument në gjyqin që i bëhet Filipit, vëllait të madh të narratorit, është argumenti më i fuqishëm (lexo: parevokueshëm) që mund të nxjerr shteti ndaj individit, apo familjes në të vërtetë. Është i fuqishëm sepse është tej të shpjegueshmes dhe tej njerëzores, me një fjalë shteti arrin të gjykoj edhe me imagjinatë, edhe me absurdin të cilin e ka krijuar vet. Kjo është argumenti më i fuqishëm sepse thyen çdo shpresë dhe çdo premtim të familjes, dhe e lë qytetarin e saj më të pashpresë se çfarëdo katastrofe tjetër. Këtu sistemi arrin faktikisht në rolin e asaj që e njohim me nocionin zot, është farkëtues i të vërtetës dhe fatit për fajtorin e paracaktuar.
Tenxherja si simbol në këtë roman do të mund të përmbysej dhe të shihej në anën komike, si farsë, si tallje me fatin e njeriut. Por brenda kësaj farse rrjedhin fjalët e mallkimit të narratorit ndaj prindërve të tij, që ngjajnë me katastrofat natyrore ku krejt çka mund të bëjë njeriu është të dorëzohet. Kjo duke shënjuar shterimin e arsyes në kërkimin e shtetit për të arritur pushtetin absolut të zotit, mundësia e krijuar nga vet sistemi për të farkëtuar jetën e individit dhe familjes të cilës i takon, si mekanizëm mbrojtës ndaj të keqes (që kryesisht vie nga njeriu vet), fillim e mbarim është ndoshta pikënisje për të parë njërën anë, së paku, të kësaj ideologjie,të inicimit të saj: krijimit të një sistemi vetëpërcaktues të njeriut. Dhe këtu nis dhe paradoksi i këtij sistemi: ku fillon përcaktimi?
Kjo është e thëna e shtetit për fatin e narratorit fillim e mbarim, ai është i shënjuar si ana e keqe e sistemit që duhet zhdukur apo edhe më mirë shuar dhe lënë si shënjim i diçka që është tej-kufirit të ideologjisë, e çdo gjë tej kufirit të ideologjisë është edhe tej shpjegimit të “mundshëm”.
Fillimi i jetës pas këtij romani dhe fundi i kësaj ideologjie
PËr t’u kthyer në fillimin e këtij interpretimi, ka një pikëtakim në mes të lirisë bashkëkohore dhe lirisë së ngushtuar çnjerëzisht brenda psikozës enveriste të komunizmit: mungesa e qëllimit.
Sot Shqipëria e ka të shuar, asgjësuar qëllimin, apo thënë me fjalë të diskursit politik qëllimi është i reduktuar në anëtarësim në BE, që me fjalë tjera simbolizon: më shumë bukë, por pa pyetjen si dhe çka. As në romanin “Tenxherja” të Agron Tufës personazhet kryesore nuk kanë një ideal të lartësuar, nuk ka një qëllim, apo një bindje, apo një kërkim, narratori/personazhi kryesor i romanit ka qëllimin të bëhet shkrimtar, që del si qëllimi më i lartësuar në këtë vepër. Por, ka një tragjedi, një qeniesim të brendshëm krejtësisht njerëzor në mes anëtarëve të familjes Blanaj, brenda universit krejtësisht absurd të sistemit komunist, përderisa sot, qeniesimi është absurd brenda dhe jashtë individit. Ka një lidhje tej së keqes që e përjetojnë sikur bartur nga situatat e të keqes kolektive nëpër kohë të shenjës shqiptar që arrihet në gjendjen e lirisë ku janë.
Andaj, ky roman arrin me sukses qëllimin e tij kryesor: goditjen e vetëdijes së shqiptarit me përvojën e përshkallëzimit të çnjerëzisë brenda të njëjtit, eskalimin e të keqes. Kjo përvojë do të duhej ta tmerronte lexuesin deri në ankth të përditshëm për mundësinë që na e jep pakufishmëria e të keqes.