Të vërteta të dhimbshme (STERJO SPASSE I SHQIPTARËVE DHE I MAQEDONASVE)

DAUT DAUTI Ky është viti i Sterjo Spasses (1914-1989), viti i shkrimtarit të njohur shqiptar, me prejardhje etnike nga Prespa e Vogël. 100 v...

DAUT DAUTI


Ky është viti i Sterjo Spasses (1914-1989), viti i shkrimtarit të njohur shqiptar, me prejardhje etnike nga Prespa e Vogël. 100 vjet nga lindja e tij dhe 25 vjet nga vdekja. Ky është një nga shkrimtarët më të lexuar, veprat e të cilit janë edhe literaturë shkollore.. Është autor i dhjetra veprave kryesore në prozë, romane, vëllime me tregime dhe novela. Për një periudhë të gjatë ka qenë edhe mësues dhe botues i revistave të ndryshme. Nga fundi i jetës gëzoi privilegjin e të qënit shkrimtar në profesion të lirë. I respektuar dhe i lexuar nga një publik i gjerë, me veprat e tij ai u bë një nga themeluesit e letërsisë shqipe. Në kohën e diktaturës, ai e ndau fatin e tij me atë të popullit shqiptar. Me siguri, për shkak të mbijetesës, si shumë të tjerë, ai ka bërë ndonjë kompromis me ndonjë vepër që mund të jetë socrealiste., por, siç e ka evidentuar kritika letrare, ai me qëllim iu kthye trajtimit të temës historike me  një cikël romanesh mbi Rilindjen Kombëtare shqiptare., ku ngjarjet dhe personazhet zhvillohen në kohën e Perandorisë Osmane. Në veprën e tij ai ka kënduar këngë me motive popullore, përralla apo legjenda, për t’u larguar kështu nga temat e realizmit socialist.
Si lexues që kisha lexuar shumicën e veprave të tij, u ndjeva i pikëlluar, që në vizitën e parë që bëra në Shqipëri me një delegacion të shkrimtarëve maqedonas në fillim të vitit 90 (kur filloi rënia e diktaturës), s’pata mundësi të takohesha personalisht me autorin e dashur, i cili kishte një vit që ishte ndarë nga kjo jetë. Por, megjithatë, pata fatin që të isha mik në familjen e djalit të tij, Ilinden Spasses në Tiranë. Disa vjet më vonë, pas kësaj, Ilinden Spasse shkroi librin në kujtim të të atit., me titullin “Ima atë Sterjo”. Por, nuk kam informacion në se ai është botuar edhe në maqedonisht. Në qoftë se jo, në këtë përvjetor të 100 vjetorit, botimi i këtij libri këtu është më se i domosdoshëm, se në të paraqitet një portret i jashtëzakonshëm i shkrimtarit, i cili, edhe pse ka krijuar në gjuhën shqipe,  edhe pse ishte dhe mbeti pjesë e letërsisë shqiptare, ai asnjëherë nuk i fshehu rrënjët e tij etnike. Në Shqipëri ka shumë intelektualë me prejardhje etnike maqedonase, por me siguri, asnjë nga ata nuk është aq i njohur sa Sterjo Spasse.
Për shkak të dy përvjetorëve, në Shqipëri po bëhen disa aktivitete në nderim të shkrimtarit të madh, edhe pse nga ndonjë autor  bëhet vërejtje ndaj shtetit, se këto aktivitet po zhvillohen spontanisht. Një nga ata, Behar Gjoka, me të drejtë nënvizon se Sterjo Spasses i duhet të jemi borxhli në të gjitha kuptimet, se ai ka sjellë frymë të re në letërsi me romanin e tij “Pse?!...”, të cilën e vlerësojnë si romanin e parë modern në Shqipëri (Ndonjeri e vlerëson të ngjashëm me “Vuajtjet e Vertherit të ri” të Gëtes). Por edhe me veprat e tjera, veçanërisht me ato të ciklit të romaneve historikë, me temë nga Rilindja shqiptare, në të cilin “rivitalizohet esenca dhe thelbi i një ëndrre shqiptare për të gjetur veten në këto hapësira”. Por jo vetëm kjo, Sterjo Spasse në një nga romanet e ciklit trajton luftën e dy popujve, shqiptar dhe maqedonas në kohën e rënimit të Perandorisë osmane, për çlirimin nga ky sundim dhe vendosjen e pavarësisë, si gjithë popujt e tjerë.  Dhe jo vetëm për këtë fakt, por edhe për vetë kompleksitetin dhe specifikave të dy identiteteve (përfaqësues i letërsisë shqiptare, me përkatësi etnike maqedonase, ai sot duhet të jetë, paradigma e relatave të reja. Prandaj, Behar Gjoka me të drejtë e ngre problemin për afirmimin e Sterjo Spasse për vlerat që ai ka. “...unë do të thoja se padyshim shkrimi në gjuhën shqipe, i një joshqiptari, që e ndjen veten shqiptar, shkrimi i romanit “Pse?!...”, pasqyrimit që ai i bën Rilindjes kombëtare do të ishin nga ato momente, që do t’i shërbenin çdo  institucioni, atij arsimor dhe atij kulturor. Por mbi të gjithë unë do të thoja se Sterjo Spasse do të ishte një shans për të ndërtuar ura komunikimi mes qytetarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë
Por kjo urë për të cilën flet ky studiues, për veprën e Spasses nuk është shqyrtuar ashtu si duhet në të dyja vendet. Nga shkrimi mund të kuptohet se Universiteti i Korçës, si dhe në Fier, në Shqipëri, në muajin maj do të organizojnë konferenca shkencore dhe veprimtari të tjera në kujtim të shkrimtarit Sterjo Spasse dhe veprës së tij, por nuk ka informacion, në se në to do të marrin pjesë përfaqësues nga Maqedonia.
Është njoftuar edhe për aktivitete të tjera, por, si mund të bëhet ky bashkëpunim që në këtë rast mund t’i lidhë të dy vendet?
E paqartë është se si mund të kontaktohet në aktivitete konkrete, duke mos patur një koordinim midis institucioneve të dy vendeve, sepse Sterjo Spasse nuk është figurë e panjohur, pas tij ai ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme përgjithmonë.
Në kontekstin e shumë problemeve të Ballkanit, nuk duhet të humbasim ato gjëra që i lidhin popujt dhe shtetet.
Ajo, që vepra e tij është e pashkëputur nga letërsia shqipe nuk i zbeh aspak rrënjët e tij etnike dhe rrënjët e tij etnike nuk duhet të bëhen pengesë për lexuesit shqiptar, që atë ta ndjejnë si të tyrin.
Tek e fundit, popullariteti i romaneve të tij, tregimet dhe novelat, janë dëshmi e plotë për to. Vetë shkrimtari asnjëherë nuk e ka fshehur në shënimet biografike përkatësinë e tij etnike. Dyanësinë e tij ai e ka shprehur vetë: “Në damarët e mi rrjedh gjak maqedonas, ndërsa unë i përkas intelektit shqiptar.” Këtë do ta përsëriste edhe i nipi Arian Spasse vitin e kaluar në një përkujtim të veprës të gjyshit të tij në Bibliotekën e Kongresit Amerikan të organizuar bashkërisht nga përfaqësues të komunitetit shqiptar e maqedonas në Amerikë: “Gjyshi  Sterjo shkruante për edukimin dhe emancipimin e brezave, duke mos harruar identitetin e tij.”
Edhe shkrimtari Naum Prifti, i cili merrte pjesë në këtë solemnitet, pasi foli për   veprat e Spasses, në fund tha: “...Me punën dhe talentin e tij, Sterjo Spasse  ka zënë vendin e merituar në letërsinë shqipe, në të njëjtën kohë mbetet pjesë e marrëdhënieve tradicionale shqiptaro-maqedonase”.
Në qoftë se madhështia e një personaliteti i kapërcen kufijtë e  etnitetit e të shteteve dhe lidh bashkë së paku dy popuj, dy shtete, dy kultura, është e pakuptueshme që të mos ketë aktivitete të përbashkëta në një njëqindvjetor të lindjes. Edhe në qoftë se kanë filluar veprimtaritë në Shqipëri (kam informacione që edhe tek ne diçka po përgatitet nga shoqata e shkrimtarëve, por nuk e di në se ato kanë mbështetje nga shteti, mendoj se nga fundi i verës, kur do të bjerë dita e lindjes, veprimtaritë duhet të mbyllen me anën e një aktiviteti të përbashkët, mundësisht në vendin e lindjes së shkrimtarit, deri dhe të lindë e të zhvillohet ndonjë manifestim kulturor tradicional. Për këtë duhet kontributi i institucioneve shtetërore të të dy vendeve, ministritë e kulturës, ambasadat e të dy vendeve, akademitë, universitetet, shkrimtarët. Do të jetë dëm i madh dhe e pafalshme të neglizhohet ky shans. Në këtë kontekst, mendoj, që angazhimi i Maqedonisë duhet të jetë më i madh, me qëllimin që publiku i gjerë i lexuesve të tij ta njohin shumë më mirë këtë shkrimtar...


Marrë nga gaz. DNEVNIK, 27 prill, 2014.

Related

Kultura 7885208914507673381

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item