Të qenit psikopat mund të jetë receta e suksesit

Përshëndetje! Emri im është Andy McNab dhe jam një psikopat. Ky pohim mund t’ju trondisë pak kur e dëgjoni për herë të parë, apo jo? Zbulimi...


Përshëndetje! Emri im është Andy McNab dhe jam një psikopat. Ky pohim mund t’ju trondisë pak kur e dëgjoni për herë të parë, apo jo? Zbulimi se mund të ndodhesha në këtë kategori sigurisht që ishte një surprizë për mua, por kam kuptuar se unë jam, siç mund të quhet “një psikopat i mirë” dhe sigurisht që kjo gjë nuk më ka dëmtuar në jetë. Në fakt, besoj se kjo është arsyeja pse kam qenë kaq i suksesshëm.
Natyrisht, kam bërë një rrugë të gjatë që prej fëmijërisë. I braktisur në një spital në Harrods, brenda një çante, si një foshnjë e sapolindur, unë u birësova dhe u rrita në një rezidencë në jugperëndim të Londrës. Jam përballur me shumë sfida, por të gjitha më janë dukur të ngjashme. Nëse lexoni librat e mi, do të mësoni se kam qenë në Ushtrinë Britanike për 18 vjet. Libri im i parë “Bravo Two Zero” flet për historinë kur kam qenë në forcat Speciale në Irak gjatë Luftës së Gjirit. U dekorova për trimëri, bashkë me tre ushtarë të tjerë dhe në fakt, i gjithë misioni ynë u dekorua.
Prej atëherë, kam shkruar më tepër libra joletrarë, drama dhe regji filmash dhe kam prodhuar filma. Po ashtu, i jam futur biznesit në Britani dhe ShBA. Kam kaluar nga vijat e armikut tek rreshtat e filmave dhe nga planet e betejës tek planet e biznesit dhe kurrë nuk kam rënë pre e mendimeve që mund të më ngatërronin.
Tiparet e "psikopatit të mirë"
Në çfarëdo situate, gjithmonë kam menduar se “mund t’ia dal” dhe gjithmonë ia kam dalë. Kjo është vetëm një cilësi e “psikopatit të mirë” dhe po jua them këtë pasi, me ndihmën e mikut tim psikolog, Dr.Kevin Dutton, dua t’ju tregoj sesi të bëni më të mirën e psikopatit tuaj të brendshëm. Mos u frikësoni. Nuk po përpiqem t’ju kthej në kanibal, thjesht po përpiqem të identifikoj disa strategji të thjeshta psikopatie, që ju të merrni më të mirën nga jeta.
Psikologu im thotë se “kurdoherë që dëgjojmë fjalën ‘psikopat’, na vijnë imazhe vrasësish serialë të famshëm në mendje”. Mirëpo psikologët e përdorin termin për t’iu referuar një grupi shumë më të gjerë individësh, që kanë një tipologji të dallueshme të tipareve të personalitetit. Siç mund të prisni, këta njerëz kanë empati të ulët dhe mungesë vetëdijeje për ata që kanë rreth vetes. Po ashtu, ata nuk njohin frikë, janë impulsivë, besojnë shumë te vetja, kanë përqëndrim dhe janë gjakftohtë nën kushte presioni. Po t’i merrni secilën prej tyre, asnjëra nuk është e keqe në vetvete. Mirëpo është kombinimi i tyre që sjell probleme.
Psikopatët e këqinj nuk mund ta rregullojnë sjelljen e tyre, kurse psikopatët e mirë janë të aftë për të përshtatur, në varësi të kontekstit shoqëror, tiparet e tyre, të cilat mund të bëhen shumë konstruktive dhe t’u sigurojnë punë dhe profesione, që nga natyra kërkojnë aftësi “përtej normales”. Për shembull, një nivel i caktuar psikopatie kërkohet për t’u bërë kirurg i mirë, pasi duhet ta ndash veten emocionalisht nga pacientët e tu.
“Nuk kam mëshirë për ata që operoj”, më ka thënë një neurokirurg.
Po ashtu, emocioni është i dëmshëm për biznesin. Unë e kam ndjekur atë deri në zhdukje gjatë viteve të jetës sime. Edhe ushtria është një profesion tjetër ku duket e arsyeshme të mos ndiesh emocione.
Ekzistenca e dallimeve neurologjike
Kur dikush bombardohet me imazhe të neveritshme aksidentesh rrugore, torturash dhe vdekjesh, në trurin e tij aktivizohet materia gri, por kjo zonë tek një psikopat nuk jep ndonjë reagim në një situatë të ngjashme. Shpjegimi gjendet tek struktura primitive e trurit, e quajtur amigdala, e cila rregullon emocionet e lidhura me mbijetesën, si frika, zemërimi dhe kënaqësia. Tek psikopatët, një sektor i amigdalës, që përgjigjet për frikën, nuk është e zhvilluar.
Një psikopat më ka thënë se “kur isha fëmijë, kurrë nuk kam menduar se diçka ishte e rrezikshme, por e kam parë si gallatë, tamam si nivelet e një loje elektronike”.
Mirëpo psikopatia bie në një spektër. Në anën “e mprehtë”, mund të gjesh vrasësit serialë, por secili prej nesh bie diku në këtë spektër.
Psikopatët nuk i zvarrisin gjërat
Shumë prej nesh përpiqen ta shmangin suksesin në jetë, por shumë pak e mundin zvarritjen e gjërave. Me shpikjen e shpërqëndrimeve teknologjike, Xbox-it, Facebook-ut, Twitter-it dhe të tjera si këto, zvarritja është duke u shtuar. Në fund të viteve 1970, rreth 5% e popullatës e quante veten “zvarritës kronik”, ndërsa sot shifra ka arritur 25%.
Zvarritja kushton miliarda paund në vit humbje, ul efektivitetin personal dhe shkatërron ekipin e punës, duke bërë që përgjegjësia t’u lihet të tjerëve. Po ashtu, ajo ka efekt negativ në shëndet ndërsa studimet sugjerojnë se studentët që janë zvarritës kronikë kanë sistem më të dobët imunitar dhe raportojnë më tepër simptoma gripi, se ata që nuk janë të tillë.Por ka një grup njerëzish që kurrë nuk bie në këtë kategori: piskopatët. Kjo vjen për shkak të fuqisë së amigdalës së tyre. Për të fuqizuar amigdalën tuaj, provoni këto hapa praktike:
1. Vizualizimi
Kërkimet tregojnë se vizualizimi ju ndihmon që ta kryeni punën me sukses, duke shmangur ndërprerjet dhe duke u përqëndruar në atë që po bëni.
2. Fokusohuni në të ardhmen
Herës tjetër që do ta gjeni veten duke bërë diçka me rëndësi, përqëndrojeni veten në kënaqësinë e momentit, sesa në përfitimin afatgjatë.
3. Ndajeni kohën
Zvarritësit presin kohën e përshtatshme që të fillojnë një punë, ndërkohë shmangin periudhat e vogla të kohës që mund të jenë shumë ndihmuese.

Related

Sistemi i suksesit 6450149482372343825

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item