SUPLEMENT/Kurat popullore me fruta për të kuruar sëmundjet e zemrës, tensionit, diabetin, ulcerën

Çaji i frutave stinën e dimrit, si ta përgatisni në kushtet e shtëpisë Të gjithë kemi preferencat tona për frutën më të shijshme. Kjo edhe p...


Çaji i frutave stinën e dimrit, si ta përgatisni në kushtet e shtëpisë


Të gjithë kemi preferencat tona për frutën më të shijshme. Kjo edhe pa e ditur se brenda një kokrre lajthie apo ulliri, gjenden vitamina të shumta, që ndihmojnë organizmin të punojë në mënyrë të shëndetshme. Pa e ditur se me lëngun e degëve të dardhës, mund të ulim temperaturën që i ka kaluar të 40 gradët, edhe pse kemi pirë antibiotikë pa fund. Apo, se me çajin që përftohet nga thana, manat, degët e ullirit mund të kurohen sëmundje të tilla si mëlçia, ulcera në stomak, skleroza, etj. Madje ka fruta të cilat rekomandohen nga Mjekësia Popullore edhe për kurimin e sëmundjeve më të rënda, si ato të zemrës, tensioni, anemia, kanceri. Ajo që është më e rëndësishme, mbi të cilën bien dakord, si Mjekësia Popullore, ashtu edhe ajo moderne e ditëve të sotme, lidhet me faktin se në tryezën tonë nuk duhet të mungojnë në asnjë vakt frutat. Larmia e tyre duhet të jetë e madhe, kjo edhe për faktin se organizmi i njeriut asimilon gjithçka, duke i shndërruar ato në vitaminat dhe karbohidratet bazë për mirëfunksionimin e të gjitha organeve. Pikërisht për këtë arsye, gazeta “Tirana Observer” përmbledh në numrin e sotëm, një suplement të veçantë për të gjitha frutat, që përdoren nga Mjekësia Popullore për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Kush janë frutat bazë, si përgatitet çaji kurues, cilat janë sëmundjet që ato shërojnë dhe sa është kohëzgjatja e zierjes, masa e duhur dhe si duhet pirë çaji. Rastet në të cilat duhet përsëritur kura me çajrat e frutave, si dhe ndarjet sipas kategorisë, në frutat të cilave iu zihen rrënjët dhe kërcelli, dhe ato të cilave iu zihen lëkurat, apo edhe vetë kokrrat.
ULLIRI
Jo më kot, ulliri është cilësuar si një ndër bimët mrekulluese. Gjethet e ullirit dhe lëvoret e degëve përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë. Ato kanë veti direkte dhe pakësojnë sasinë e sheqerit në gjak.
Kuron:
1-Arteriosklerozën
2-Tensionin e lartë
3-Ul temperaturën e lartë
4-Pakëson sasinë e sheqerit në gjak
5-Rregullon metabolizmin
6-Rekomandohet për ekzemat në lëkurë
7-Kuron stomakun
Si përgatitet çaji:
Merren 40-50 copë gjethe dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë së ujit. Nga çaji i përgatitur pihen 1-2 filxhanë çaji në ditë, pasi filtrohet dhe i shtohet sheqer. Kokrrat e ullirit bëjnë mirë kur i konsumojnë ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit. Është e këshillueshme që diabetikët të hanë sidomos kokrra jeshile, të cilat shuajnë etjen që shkakton diabeti. Çaji për tensionin fillimisht përgatitet me 20 gjethe ulliri në një litër ujë. Pastaj shtohen nga 5 gjethe çdo ditë, derisa të arrihen në 120 gjethe. Në të gjitha rastet çaji zihet derisa të mbeten ¾ e ujit. Prej tij pihen dy gota: Një në mëngjes para buke dhe një në darkë para gjumit. Për stomakun merren 100 gjethe ulliri dhe zihen në një litër ujë derisa të përgjysmohet sasia e ujit. Pasi kullohet, pihet nga një filxhan esëll në mëngjes.
MANI I ZI
Manat përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, taninë, kripëra të ndryshme etj. Në ditët e ngrohta të verës ato përdoren për të shuar etjen. Pekmezi (shurupi i manave) përdoret në stomatitet dhe faringitet. Në këto raste lyhet goja dhe gryka me pekmez, sidomos në darkë para fjetjes. Pekmezi përdoret gjithashtu në mjekimin kundër anemisë, duke u dhënë fëmijëve ose të rriturve nga 2-3 lugë gjelle në ditë. Manat e papjekura përdoren për luftimin e krimbave parazitarë të aparatit tretës.
Kuron:
1-Tensionin
2-Mëlçinë
3-Sëmundjet e flokëve
4-Pagjumësinë
Si përgatitet çaji:
Gjethet e manit përdoren për uljen e tensionit të lartë të gjakut. Çaji përgatitet si vijon: merren 5-6 gjethe të pastra dhe zihen në 150 ml. ujë derisa të mbetet një e treta e ujit. Kullohet dhe pihet njëherësh. Mjekimi vazhdon për 5-6 ditë. Për sëmundjen e mëlçisë veprohet në këtë mënyrë: Merren dy grushte filiza të rinj manash, nga ata që nuk kanë filluar të prodhojnë fruta dhe copëtohen. Vihen të zihen në një litër ujë për një orë. Nga lëngu i fituar merret nga një lugë gjelle 3-4 herë në ditë. Kundër sëmundjeve të mëlçisë përdoren edhe gjethet e manit, duke i përgatitur si më lart. Ndërsa për ngjyrosjen e flokëve këshillohet përdorimi si vijon: Merren gjethe të manit të zi dhe zihen me ujë shiu, së bashku me gjethe hardhie dhe gjethe fiku të zi. Me lëngun e fituar bëhet korja e kokës. Edhe mani i bardhë ka pothuajse të njëjtat veti që ka mani i zi.
MANDARINA
Frutat e mandarinës janë tretëse, freskuese dhe lëngu i tyre është i pranueshëm edhe nga stomaku i fëmijëve. Në sajë të përmbajtjes së vitaminave, si dhe të një sasie të konsiderueshme hekuri, mandarinat përbëjnë një ushqim shumë të përshtatshëm për pastrimin e gjakut dhe për luftimin e anemisë.
KURON:
1-Aneminë
2-Pastrojnë Gjakun
3-Stabilizojnë metabolizmin
4-Rregullojnë tensionin e lartë
Si përgatitet çaji:
Zakonisht mjekësia popullore e ka përdorur këtë lloj fryti në formën e vet origjinale. Për këtë arsye kryesisht për ata që kanë probleme me aneminë ose sëmundjet e tjera të gjakut, këshillohet që mjekimi me mandarina duhet të vazhdojë 20-25 ditë, duke konsumuar çdo ditë nga 10-15 kokrra ose edhe më shumë. Lëvozhgat e frutave, gjethet, lulet kanë po ato përdorime si te portokalli.
Filizat e reja dhe të frutit të mandarinës të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulçerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.
THANA
Kokrrat e thanës përmbajnë rreth 9% sheqer, acide organike, vitaminë C etj. Thanat jo vetëm që hahen të freskëta, por ato bëhen komposto, prevede, marmelatë. Gjethet dhe lëvorja e thanës përmbajnë rreth 10-15% taninë. Iu këshillohet kryesisht personave që kanë probleme me diarrenë.
Kuron:
1-Diarrenë
2-Ekzemën
3-Normalizon qarkullimin e gjakut
4-Rregullon metabolizmin
Si përgatitet çaji:
A)Merren 1 kg. thana të pjekura dhe zihen me sheqer. Nga reçeli i përgatitur u jepen fëmijëve dy lugë kafeje në ditë. Për të shuar etjen te të sëmurët me asht (që kanë mbledhur ujë në bark), këshillohet të merren një grusht thana gjysmë të pjekura ose të thata dhe vihen të zihen në një litër ujë për një orë dhe pastaj kullohen. Ky lëng përzihet me lëngun e përfituar nga shtrydhja e shegëve të egra. Nga kjo përzierje lëngjesh të tharta, merret nga një lugë gjelle sa herë që i sëmuri ka etje për ujë.
B)Edhe bërthamat e frutave të thanës kanë veti të mira rrudhëse dhe ndalojnë të hequrit e barkut: merren 300 gramë bërthama të thanës dhe piqen si kafeja, derisa të marrin ngjyrë të zezë, bluhen në mullirin e kafesë. Mielli i përfituar përzihet me 1 kg sheqer. Fëmijëve u jepet tri herë në ditë 1/3 e lugës së kafesë, në formë pluhuri ose e tretur në ujë. Të rriturit marrin nga një lugë gjelle tri herë në ditë.
C)Edhe kërpudha e thanës (eshka) jep rezultate të mira kundër ekzemës së lëkurës: merren 30 gramë eshkë thane dhe zihen në 200 ml. ujë. Lëngu i fituar pihet me nga një filxhan kafeje në mëngjes esëll.
VISHNJA
Frutat e vishnjës janë të shijshme, përdoren për të kuruar mëlçinë, pastrojnë gjakun dhe luftojnë aneminë. Veç të tjerash konsumimi i tyre rekomandohet për të gjithë ata që kanë probleme me tretjen. Ky lloj fruti përmban acide organike me shumicë, vitamina A, C, P, PP, B1, B2 etj. Me bishtat e frutave mjekët popullorë kanë luftuar me sukses gurët dhe rërën e veshkave.
KURON:
1. Mëlçinë
2. Pastrojnë gjakun
3. Luftojnë aneminë
4. Tretet shpejt nga stomaku
Si përgatitet çaji:
Mjekësia popullore e përdor frutën e vishnjës për kurimin e sëmundjeve, vetëm në formën e një çaji. Për këtë duhet të merren 1-15 gramë bishta vishnje dhe zihen në 200 ml ujë derisa të mbeten ¾ e sasisë fillestare të ujit. Çaji pihet i ngrohtë, para buke, duke e përsëritur 2-3 herë gjatë ditës, për 10-15 ditë radhazi. Frutat e vishnjës janë freskuese, shuajnë etjen, pranohen mirë nga stomaku, ndihmojnë tretjen, dhe kur përdoren në mënyrë sistematike, ndikojnë në shërimin e sëmundjeve të mëlçisë, pastrojnë gjakun duke e pasuruar atë me elemente të reja dhe luftojnë aneminë. Në këto raste këshillohet të konsumohen deri në gjysmë kilogramë vishnjë të freskëta në ditë, duke vazhduar mjekimin për 15-20 ditë. Frutat e vishnjës kanë veti direkte, ato këshillohen t’i konsumojnë ata që vuajnë nga veshkat. Vishnja ka të gjitha vlerat ushqimore e dietike dhe vetitë farmaceutike që ka qershia, por ajo i ka më të theksuara vetitë rrudhëse e freskuese.
SHEGA
Lëngu i shegës përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe të zorrëve, është freskues dhe mënjanon toksinat (helmet) e organizmit. Ai (lëngu i portokallit) i jep freski mendimit të njeriut. Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara (shpëlarje të gojës) kundër ënjtjes së bajameve dhe acarimeve të mishrave të dhëmbëve.
KURON:
1-Sëmundjet e stomakut
2-Sëmundjet e zorrëve
3-Dhimbjet e barkut
4-Hemorroidet
5-Ënjtjen e bajameve
6-Acarimin e mishrave të dhëmbëve
Si përgatitet çaji:
Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet. Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarreve, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve. Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.
PORTOKALLI
Portokallet janë një ushqim i pasur me vitamina, me veti freskuese dhe treten lehtë në stomak. Lëngu i portokallit ka veti diuretike (Diuretik: Mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe antiseptike (Antiseptik: Që ndalon kalbëzimin ose pengon zhvillimin e mikroorganizmave), e përdoret me sukses në luftimin e sëmundjeve të veshkave edhe në rastet kur janë formuar gurë në to.
KURON:
1-Gurët në veshka
2-Aneminë
3-Laringun
(kur iu ikën zëri)
4-Nervozizmin
Si përgatitet çaji:
Portokallet përdoren me efekt të mirë në luftimin e anemisë, duke pasuruar gjakun me elemente të rinj. Portokalli ka përmbajtje të lartë të vitaminës C. Në 100 ml. lëng portokalli përmbahen 56 mg. vitaminë C. Kjo vitaminë merr pjesë në shumë procese të shkëmbimit të lëndëve në organizëm. Lëvozhgat janë të pasura me elemente aktive. Lëngu i fituar nga zierja e lëvozhgave përdoret edhe në rastet e çrregullimeve të stomakut dhe të zorrëve. Ndërkohë që për sëmundjet e laringut mjekësia popullore këshillon që të merren 10-15 gramë lëvozhga frutash të vihen të zihen për 15-20 minuta në 250 ml. ujë. Nga lëngu i përfituar pihen 1-2 gota në ditë. Kur ky lëng pihet i ngrohtë, bën mirë në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, kur ka acarime në grykë apo zënie zëri.
MANAFERRA
Frutat e manaferrës përmbajnë
sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës.
Kuron
1-Ul temperaturën
2-Ataket kardiake
3-Diabetin
4-Astmën
5-Tretjen e ushqimeve
Si përgatitet çaji:
Merren 6-10 gramë gjethe dhe zhyten në një gotë me ujë të valuar, duke i lënë aty për 10 minuta. Gjatë ditës pihen 1-2 gota të tilla, në gjendje të vakët. Ky infuz (ose i përgatitur në formë çaji) rekomandohet të pihet në rastet kur personi ndien djegie në stomak e në zorrë, në raste thartirash, diarresh, si dhe në formë gargarash (shpëlarje e gojës dhe e grykës), kur ka djegie në gojë, në fyt, në mishrat e dhëmbëve. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.
PJESHKA
Ky lloj fryti rekomandohet të përdoret kryesisht i freskët ose lëng frutash. Ato kanë vlera të larta ushqyese e kuruese; përmbajnë rreth 10% sheqerna, acide organike, pektinë, vitaminë C dhe R me shumicë, sasi të pakta provitaminë A, vitaminë B1, B2, PP, kripëra minerale, lëndë aromatike etj. Lulet e pjeshkës kanë veti tonike dhe rrudhëse dhe përdoren në formë çaji. Lulet e thara e të kthyera në formë pluhuri, rekomandohen kundër kolitit, dhimbjeve të barkut, rrjedhjes së të bardhave, kundër hemorragjive dhe hemorroideve.
KURON:
1-Kolitin
2-Dhimbjet e barkut
3-Hemorragjitë
4-Hemorroidet
Si përgatitet çaji:
Çaji përgatitet duke marrë 50-70 gramë lëvore degësh, të cilat zihen në 200 ml. ujë, gjersa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Lëngu i frutave dhe vetë frutat e pjeshkës kanë veti të mira tonike, janë freskuese, shuajnë etjen dhe hapin oreksin. Ato bëjnë mirë në mëlçi dhe ndihmojnë në forcimin e elementeve të reja të gjakut. Gjethet e pjeshkës përdoren në ndalimin e rrjedhjes së gjakut nga plagët. Në këtë rast këshillohet të merren një sasi gjethe pjeshke dhe pasi pastrohen, shtypen bashkë me kripë dhe vendosen mbi plagë.
LULESHTRYDHJA
Luleshtrydhja përmban glikozidet e hidhura, insulinën, taninet, vitaminën B, C dhe provitaminën A, shumë minerale, ka përqindje të lartë të kripërave të kaliumit, sidomos në gjethe, karotenoide, proteinë, pektinën, hulinën, etj. Në rast se konsumatorët e kanë të vështirë në periudha të caktuara që të gjejnë luleshtrydhe në treg, atyre u këshillohet edhe përdorimi i lëngjeve të frutave me luleshtrydhe, por që nuk përmbajnë gaz.
KURON:
1-Pastron gjakun
2-U rekomandohet anemikëve
3-Stabilizon nivelin e kolesterolit në gjak
4-Rekomandohet edhe si lëng frutash i shtrydhur
Si përgatitet çaji:
Në gjysmë litri ujë hidhen 100 ml. uthull. Në përzierjen uthull-ujë zihen për gjysmë ore 50-60 gramë rrënjë luleshtrydhe. Me lëngun e fituar bëhen shpëlarje të gojës 2-3 herë në ditë. Filizat e reja dhe majat e luleshtrydhes të mbledhura në fillim të periudhës së lulëzimit të bimës, përdoren në rastet e helmimeve ushqimore, në ulcerën e stomakut dhe të dymbëdhjetëgishtëzës.
MOLLA E EGER
Frutat e mollës së egër përdoren me efekt në rastet e diarresë, si dhe kundër acarimeve të grykës e faringut, me anë gargarash (shpëlarje e gojës). Edhe lëvorja e degëve ka veti rrudhëse dhe përdoret me rezultate të mira kundër etheve. Molla e egër takohet si dru jo i lartë ose si shkurre.
KURON:
1-Ethet
2-Aneminë
3-Erën e rëndë të gojës
4-Diarrenë
Si përgatitet çaji:
Merren 60 gramë lëvore dhe vihen të zihen në 150 ml ujë. Çaji i përgatitur pihet njëherësh dhe përsëritet 2-3 herë në ditë. Përfundime shumë të mira mollët e tharta kanë dhënë kundër sëmundjes së sheqerit. Ky lloj çaji rekomandohet nga mjekësia popullore të përdoret për 10 ditë rresht nga të gjithë ata persona që kanë probleme me diarrenë, erën e rëndë të gojës, me aneminë, si dhe në rastet kur personi i sëmurë është me ethe. Kura përsëritet pas një jave pushim, në rast se nuk ka dhënë efekt të menjëhershëm. Në mjekësinë popullore përdoren frutat e mollës së egër, të cilat mblidhen pasi piqen dhe marrin ngjyrë verdhake. Ato vihen një nga një me dorë, pa i dëmtuar, në mënyrë që të ruhen për një kohë sa më të gjatë. Ruhen në kashtë. Përdoren edhe lëvoret e degëve.
MOLLA
Molla si fryt ka veti freskuese, qetësuese dhe zbutëse. Frutat përmbajnë rreth 15% sheqerna, acide organike e sidomos acid malik, janë të pasura në karotinë (provitaminë A), me vitamina B1, C, E, P, B2, PP, të cilat ndodhen nën lëkurë. Farat e mollës përmbajnë albumina dhe yndyrë.
KURON:
1-Hemorroidet
2-Reumatizmin
3-Kollën
4-Sëmundjet e syve
5-Dhimbjet e veshit
6-Kundër helmimeve
Si përgatitet çaji:
Merren 1-22 kokrra mollë, priten në 2-3 copë secila dhe zihen për 30-40 minuta në 200 ml. ujë. Çaji i mollës ndihmon gjithashtu edhe për funksionimin e mirë të veshkave dhe të fshikëzës urinare; ai përdoret kundër infeksioneve të këtyre organeve. (Ky çaj për kollën dhe reumatizmin). Kurse për hemorroidet vlen këshilla: Merren 1-2 kokrra mollë dhe me anën e rendes kthehen në pure. Pureja e përgatitur, pasi zihet për gjysmë ore, përzihet me 20-30 gramë gjalpë dhe hahet njëherësh, duke qenë esëll. Mjekimi mund të vazhdojnë 20-25 ditë me një ndërprerje prej 2-3 ditësh. Kundër helmimeve merren 20 copë gjethe molle, thërrmohen dhe vihen të zihen në gjysmë litri ujë. Lëngu i fituar pihet në formë çaji. Çaji i përgatitur me mollë të ziera pakëson etjen, zbut acarimin e laringut. Ky çaj përdoret për të zbutur e për të pakësuar të kollurit, kundër zënies së zërit, lehtëson dhimbjet e grykës dhe acarimet e rrugëve të frymëmarrjes dhe të vetë mushkërive.
LIMONI
Nga të gjitha agrumet, frutat e limonit kanë efekt shërues më të theksuar. Ato përdoren kundër sëmundjeve që shoqërohen me ethe, janë freskuese dhe ulin temperaturën. Efekt të dukshëm japin në hipo dhe avitaminozat. Limoni ka veti të mira tretëse në stomak, është freskues i këndshëm dhe nxit oreksin që mund të jetë prerë nga sëmundje të ndryshme. Në këto raste përdoret lëngu i limonit në trajtë limonade ose i shtuar në çaj a në gjellë.
KURON:
1-Mëlçinë
2-Reumatizmin
3-Gurët në veshka
4-Gripin
Si përgatitet çaji:
Merret një kokërr limoni me madhësi mesatare, pritet në mes në drejtim të gjerësisë dhe të dy gjysmat vendosen në një pjatë mbi zjarr derisa të ngrohet lëngu që përmbajnë. Pastaj, nga pjesa e prerë, të dy gjysmat, të ngrohta, vihen në të dy anët e qafës, në vendet mbi bajamet, lidhen me garzë dhe lihen aty derisa të ftohen. Ky veprim përsëritet për 2-3 ditë, në darkë para gjumit. Limoni përdoret edhe për shërimin e sëmundjeve të mëlçisë. Më tepër rezultat ka dhënë kombinimi që vijon: Për 20-30 ditë rresht, çdo ditë në mëngjes, një orë para buke, pihet lëngu i një kokrre limoni së bashku me një lugë gjelle vaj ulliri dhe një lugë gjelle mjaltë. Kjo këshillë përdoret edhe nga organizmat e dobësuar, ata që kanë kaluar ndonjë sëmundje, për rivendosjen e oreksit dhe të shëndetit të tyre. Kundër reumatizmit merren 1-2 kokrra limon dhe pasi lahen mirë, pa hequr lëvozhgën, grihen në rende. Brumi i fituar, pasi i shtohen 1-2 lugë kafeje sheqer, hahet esëll në mëngjes ose në orët e pasdites. Ky veprim përsëritet çdo ditë për 20-30 ditë.
Qitro
Është një frutë me origjinë greke, në pamje të parë ngjan me portokallin, por ka një shije më të athët se agrumi tjetër i ngjashëm. Mjekësia popullore tregon se kjo lloj frute, e cila e ka kohën e vet në vjeshtë, ndihmon veçanërisht në tretjen e ushqimit. Gjithashtu pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishi i dhëmbëve, si dhe shëron ftohjen dhe bën të mundur stabilizimin e kolesterolit.
KURON:
1-Ndihmon në tretjen e ushqimit
2-Pakëson rrjedhjen e gjakut nga mishrat e dhëmbëve
3-Stabilizon kolesterolin
4-U rekomandohet personave që kanë mangësi me sheqerin
Si përgatitet çaji:
Për të gjithë ata persona të cilët kanë vështirësi në tretjen e ushqimit, rekomandohet të përdoret këshilla që vijon:
100 gramë rrënjë qitro zihen në 500 ml ujë derisa të avullohet gjysma e tij. Lëngu i përfituar, pasi filtrohet, përzihet me një sasi të barabartë vere të kuqe të vjetër. Merren 1-2 gota në ditë. Edhe pse në shije jo fort e ëmbël, qitro iu rekomandohet edhe personave që e kanë nivelin e sheqerit të ulët. Pasi në përbërjen e tij, fruta ka shumë glukozë.
KAJSIA
Frutat e kajsisë janë të shijshme, automatike dhe pëlqehen nga të gjithë. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në pastrimin e gjakut. Përdoren me efekt edhe në rastet e zënies së zërit. Kajsitë janë ushqim i çmueshëm për ata që vuajnë nga sëmundjet e mëlçisë.
Bërthamat e kajsisë përdoren kundër dhimbjes së kokës. Për këtë qëllim ato piqen dhe hahen me mjaltë për t’u tretur më lehtë.
KURON:
1-Sëmundjet e mëlçisë
2-Dhimbjet e kokës
3-Pastrojnë gjakun
4-Laringun
Si përgatitet çaji:
Merren 1 kilogramë kajsi dhe zihen përreth 2 orë e gjysmë, më pas ato lihen të kullohen dhe futen në një shishe ose enë qelqi, në mënyrë që çaji të qëndrojë sa më i freskët. Ai duhet pirë dy herë në ditë në mëngjes dhe në darkë, dhe këshillohet kryesisht për të gjithë ata që kanë probleme me mëlçinë dhe sëmundjet e gjakut. Madje për këto dy lloj kategorish, rekomandohet që çaji i kajsisë të përdoret çdo ditë, pasi përveç vlerave ushqyese që ka, rregullon edhe funksionimin e metabolizmit në organizëm. Përveç sëmundjeve të lartpërmendura, çaji i kajsisë kuron edhe dhimbet e kokës, madje mjekësia popullore rekomandon që ky frut në përdoret edhe në gjendjen e vet natyrale në raste të dhimbjeve të kokës apo të laringut.
BANANET
Bananet janë shumë të rëndësishme në përdorimin kundër hemorragjisë cerebrale, po ashtu ato ulin tensionin e lartë, ulin aciditetin e stomakut, si dhe ndihmojnë kundër diarresë. Në qoftë se vuani nga tensioni i lartë, duhet të mendoni gjithmonë për frytin tropikal të bananes. Dielli është ai që ngre tensionin, ndërsa banania bën të kundërtën e tij. Studimet kanë treguar se banania është një frutë shumë e pasur me kalium, dhe si e tillë ajo ndihmon në uljen e rrezikut të hemorragjisë cerebrale. Banania është burim kaliumi, një frutë e tillë ka 396 miligramë ose 11 për qind të mineraleve të nevojshme të një dite. “Dy deri tre banane në ditë janë optimale”, thotë Biofisikanti David Young. Nëpërmjet kësaj frute ndodh ulja e ndjeshme, që shkakton kundër aciditetit të lartë në stomak. Banania mbron stomakun, pasi arrin të bllokojë bakteret që mund të jenë aktive në të.
KURON:
1-Ulin tensionin e lartë
2-Janë kundër diarresë
3-Ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale
4-Banania mbron stomakun
Si përgatitet çaji:
Zakonisht për kurimin e sëmundjeve të ndryshme nuk përdoren gjethet e frutës së bananes apo të pemës, por vetë tuli. Kështu këshillohet që të grihen në një enë 5 banane dhe të përzihen me mjaltë. Konsumimi i kësaj lloj përzierjeje bën të mundur rregullimin e stomakut dhe largon helmet nga trupi i njeriut. Një kurë tjetër është edhe përzierja e 4-5 bananeve me qumësht ose me kos, përdorimi i së cilës ul rrezikun e hemorragjisë cerebrale dhe ul tensionin e lartë.
Gujava
Gujava është një frutë tropikale, pak e njohur në vendin tonë, por që ka filluar të zërë vend në tryezën e shumë vendeve evropiane. Mjekësia popullore rekomandon përdorimin e kësaj frute tropikale, për të gjithë ata që kanë probleme me kaloritë e tepërta. Gujava ka shije të ëmbël, por edhe pak të athët, për vetë sasinë e pakët të acideve trupore që përmban. Gujava përmban sasi të larta likopeni, një antioksidant, i cili lufton kancerin e prostatës. Kjo frutë tropikale si asnjë prodhim tjetër bimor, përfshin në përbërjen e tij edhe përbërësit e domates dhe të limonit.
KURON:
1-Kancerin e prostatës
2-U rekomandohet veçanërisht meshkujve
3-Ekuilibron sasinë e kalorive në organizëm
4-Ul nivelin e yndyrnave në gjak
Si përgatitet çaji:
Në fakt 1 gotë lëng nga fruta gujava përmban 688 mg potasium, një sasi që mund të gjendej te një banane. Të urtët kinezë këshillojnë që të gjithë njerëzit, veçanërisht meshkujt, të konsumojnë këtë frutë të shtrydhur pasi thuhet që meshkujt nuk dinë t’i zgjedhin ushqimet e tyre dhe hanë më shumë yndyrna, duke lënë mënjanë ushqimet vitaminoze.
Lëngjet e përfituara nga zierja (çajrat)
Përgatiten në disa mënyra, por më e zakonshmja është që në enë të hidhet sasia e duhur e ujit dhe e masës së thatë ose të njomë të bimës. Koha e zierjes zgjat deri në 15 minuta për organet mbitokësore të pemëve dhe deri në 30 minuta për rrënjët. Lëngu kullohet dhe pihet në temperaturë të përafërt me atë të trupit të njeriut. Rëndësi ka përdorimi i dozës përkatëse për moshat e caktuara dhe gjendjet patologjike të njerëzve. Dozat që përmenden në tekst janë të përllogaritura kryesisht për njerëzit e rritur dhe me gjendje shëndetësore të mirë. Për të sëmurët, për pleqtë mbi 60 vjeç dhe për të rinjtë nën 20 vjeç, zakonisht përdoren dy të tretat (2/3) e dozës. Për fëmijët e vegjël, nën 7 vjeç, duhet të përdoren vetëm rastet e rekomanduara dhe sipas këshillave të mjekut. Që të bëhen të pijshme nga fëmijët, shtohen një deri në dy lugë sheqer ose mjaltë për çdo gotë. Të rriturit është mirë t’i përdorin pa i ëmbëlsuar. Lëngjet e frutave janë forma të lëngëta, të njohura, të cilat përgatiten në shtëpi, si dhe në repartet e përpunimit të frutave. Më të përmendura janë lëngu i qershisë, i vishnjës, i dredhëzës (luleshtrydhes), i rrushit, i pjeshkës, i kajsisë, i shegës, i kumbullës, i portokallit, i limonit, i mandarinës etj. Për fëmijët e vegjël me më shumë efekt përdoren edhe lëngjet e freskëta të mollës, të ftoit, të dardhës e të disa frutave të tjera që kanë pak lëng. Këto, pasi i kalojmë në rende i kthejmë në pure (qull), i vendosim në copa të pastra pëlhure dhe i shtrydhim deri sa të kullojë lëngu, i cili u jepet fëmijëve me lugë të vogël. Përveç përdorimit të lëngjeve të freskëta, gjatë stinës së pjekjes së frutave, lëngjet mund të mbyllen me kujdes në shishe, për t’u përdorur në një kohë të mëvonshme, kur mungojnë frutat e freskëta. Në praktikë përdoren edhe shurupet, të cilat përgatiten nga lëngjet e frutave, duke e shtuar sasinë e duhur të sheqerit dhe duke i zier deri në përqendrimin e tyre për t’u përfituar një masë mjaft e dendur që nuk thartohet (nuk fermentohet.)
Mjekimet me fruta
Janë mënyra shumë të efektshme të përdorimit sistematik dhe për një kohë relativisht të gjatë të frutave për përforcimin e shëndetit dhe për luftimin e sëmundjeve të ndryshme.
Mjekimet me fruta (frutoterapitë) janë mjaft të njohura nga populli ynë dhe përdoren gjerësisht në praktikë. Mjekimet me fruta bëhen duke konsumuar çdo ditë nga gjysmë deri 2-3 kg fruta dhe duke vazhduar këtë për 10-20 e më shumë ditë. Gjatë zhvillimit të kurës, pastrohet organizmi nga helmet dhe kripërat e panevojshme që grumbullohen nëpër kyçe dhe që shkaktojnë dhimbje. Ulet sasia e dhjamit, i cili e rëndon trupin. Në kohën e frutoterapisë ushqimi tjetër duhet të jetë i lehtë, i çliruar nga mishrat, dhjamërat dhe brumërat, i mjaftueshëm në sasi duke parapëlqyer sallatat dhe supat me barishte të pasura në vitamina dhe kripëra minerale. Praktika tregon se kurat me fruta janë shumë të dobishme edhe për luftimin e sëmundjeve të ndryshme. Të efektshme janë rezultatet e kurimit me arra, me lajthi ose me bajame për përforcimin e organizmit të dobësuar dhe për rivendosjen e shëndetit me gështenjë, me ftonj, me thana ose me vadhëza kundër diarresë (jashtëqitjes) e dizenterisë; me rrush, me limon ose me dredhëza kundër reumatizmit dhe artritit me hurma, me manaferra, me mandarina e me vishnja kundër anemisë. Me kumbullat gjatore, me lajthi e me vaj kundër sëmundjeve të mëlçisë; me mollë kundër sëmundjeve të zemrës; me portokall e qershi kundër sëmundjeve të veshkave.
Kataplazmat
Ndryshe quhen edhe llapa. Kanë përdorim të jashtëm dhe përfaqësojnë masën e njomë të bimës të shtypur në formë brumi. Kjo masë vihet midis dy bezeve të pastra pastaj vendoset mbi vendin e sëmurë ose mbi plagë. Pjesët bimore që përdoren për kataplazmë më parë duhet të pastrohen mirë.
Banjat
Janë lëngje në të cilat futet i gjithë trupi ose vetëm pjesë të tij (këmbët, duart, koka) për qëllime mjekimi. Banjat janë aromatike, zbutëse, nxitëse etj. Gjatë banjës lëndët aktive veprojnë në lëkurë në sistemin e frymëmarrjes ose nëpërmjet tyre veprojnë edhe në brendësi të trupit.
Lëngu që përdoret për banja përgatitet duke zier në ujë gjethe, rrënjë ose pjesë të tjera të bimës për 15-30 minuta. Raportet bimë-ujë që përdoren gjatë banjës janë të përafërta me ato që rekomandohen për pirje, por pa shtuar sheqer.
Infuzet
Përgatiten duke vluar më parë vetëm sasinë e duhur të ujit dhe pastaj duke e hedhur atë mbi masën e njomë ose të thatë të bimës që është vendosur në një enë tjetër. Ena mbulohet me kapak që të mos largohen lëndët që avullojnë lehtë. Infuzi pihet pas 10-15 minutash, në një temperaturë të pranueshme nga trupi, me ose pa sheqer.
Ekstraktet
Fitohen duke shtrydhur masën e njomë, e cila pastaj kullohet që të veçohet nga brumi i mbetur. Përdorimi i këtij ekstrakti mund të jetë i jashtëm ose i brendshëm. Në rastet e tjera ekstraktet fitohen me mënyrën e distilimit ose duke i vendosur frutat në tretës organikë, si alkool, verë, vaj ulliri etj. Shumë të përdorshme në mjekësinë popullore janë vajrat që ekstraktohen nga arra, bajamet, lajthitë , ulliri etj. Përdorime kanë gjetur vera, rakia e uthulla që përgatiten nga mjaft fruta, kryesisht nga rrushi, por edhe nga fruta me përqindje të lartë sheqeri, siç janë, mareja, mani, kumbulla, fiku, manaferra, portokalli, etj.

Related

Shëndet & estetikë 5638548720032560399

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item