Stomaku, si të kujdesemi për 5 çrregullimet më të shpeshta
Problemet me stomakun, si pasojë e kequshqyerjes dhe stilit modern tw jetesws, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Po ashtu edhe ndërlikimet...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/stomaku-si-te-kujdesemi-per-5.html
Problemet me stomakun, si pasojë e kequshqyerjes dhe stilit modern tw jetesws, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Po ashtu edhe ndërlikimet që shfaqen në shëndet si rrjedhojë e neglizhencës në trajtimin e tyre. Ndërlikimet e çrregullimeve të stomakut fillojnë nga stadet më të lehta, deri tek ato të fazave më të rënduara. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili detajon 5 çrregullimet më të shpeshta të stomakut, si dhe këshillat që duhen ndjekur për t’i trajtuar ato në kohë. Stomaku është një organ i rëndësishëm i trupit tonë. Ai luan një rol të rëndësishëm si organ i tretjes që realizohet nëpërmjet përpunimit mekanik dhe atij kimik nëpërmjet çlirimit të enzimave tretëse. Gjithashtu stomaku luan edhe një rol mbrojtës për organizmin nëpërmjet neutralizimit të mikroorganizmave të dëmshëm që mund të hyjnë. Në pjesën e sipërme të tij stomaku lidhet me ezofagun kurse në pjesën e poshtme me zorrët e holla. Stomaku ka lidhje edhe me shpretkën, mëlçinë dhe pankreasin, të cilat edhe këto nga ana e tyre çlirojnë enzimat përkatëse që marrin pjesë në procesin e rëndësishëm të tretjes. Madhësia e stomakut është e ndryshme në varësi të moshës dhe individit, por forma e tij si germa ”J” është konstante. Stomaku është i vendosur në pjesën e sipërme të barkut, poshtë brinjëve dhe me drejtim majtas.
Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të sëmundjeve të stomakut ?
Gastropathy është një term i përgjithshëm që përdoret për sëmundjet e stomakut. Shumë sëmundje të stomakut janë të lidhura me infeksionin. Historikisht është besuar gjerësisht se ambienti shumë acid i stomakut e bën atë rezistent ndaj infeksioneve të ndryshme. Megjithatë një numër i madh studimesh kanë treguar se në shumicën e rasteve me gastrit, ulcera të stomakut apo kancer të tij, janë të shkaktuara nga infeksioni i mikrobit Helicobacter pylori. Ky mikrob arrin të mbijetojë nëpërmjet sekretimit të enzimave (ureaza) që neutralizojnë acidin klorhidrik të stomakut. Ka edhe shumë çrregullime apo sëmundje kronike që ndikojnë në funksionin e stomakut. Por, simptomat tipike që lidhen me çrregullimet e stomakut përfshijnë të përziera, të vjella, dhimbje barku, rrjedhje gjaku (me të vjella ose jashtëqitje) dhe dhimbje.
Cilat janë patologjitë më të shpeshta të stomakut ?
Çrregullimet e stomakut janë shumë të zakonshme tek njerëzit. Rreth 25 për qind e popullsisë vuan prej tyre, kryesisht çrregullime të tretjes dhe dhimbje barku. Këto shqetësime i përjetojnë për periudha të gjata duke pasur vuajtje dhe nervozizëm, mungesa në punë, ulje të cilësisë së jetës. Këta pacientë janë të lodhur nga vizitat nëpër mjekë të shumtë, si edhe nga kostot e medikamenteve. Ndër patologjitë më të shpeshta të stomakut do të përmendim gastritin, gastropareza, diarretë, ulcerat inflamatore, si dhe kanceri i stomakut.
Cilët janë faktorët e riskut në sëmundshmëritë e stomakut dhe ku duhet të ndalemi për parandalimin e tyre ?
Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i çrregullimeve të stomakut. Duhani stimulon prodhimin e aciditetit dhe pengon prodhimin e mukusit mbrojtës të mukozës. Kjo çon në zhvillimin e ulcerave te shumica e duhanpirësve. Problemet kronike të stomakut janë të lidhura gjithashtu me përdorimin e alkoolit. Studimet kanë treguar se pirja e alkoolit mund të shkaktojë ulcera në stomak, gastrit madje dhe kancer të stomakut. Prandaj shmangia e duhanit dhe e konsumit të tepërt të alkoolit mund të ndihmojë në parandalimin e shumicës së çrregullimeve të stomakut. Si shkaktarë të tjerë njihen edhe përdorimi pa kriter i medikamenteve të ndryshme si për shembull aspirina, ibuprofeni, kortizonikët. Këto preparate dëmtojnë mukozën e stomakut duke shkaktuar ulceracione, gjakderdhje, dhimbje të forta, djegie. Përsa i përket trajtimit, shumica e problemeve të stomakut trajtohen me medikamente apo edhe me kirurgji. Ka studime se ndryshimi i stilit të jetesës mund të ndikojë pozitivisht. Edhe pse nuk ka ushqime të veçanta përgjegjëse për shkaktimin e problemeve kronike të stomakut, dietologët rekomandojnë një dietë të shëndetshme me fruta e perime, sa më pak mish të kuq dhe të shtohet në menu peshku e mishi i pulës. E rëndësishme është që njerëzit të mbajnë një ditar për ushqimet që u shkaktojnë probleme dhe t’i shmangin ato. Gjithashtu shëtitjet dhe aktiviteti fizik përmirësojnë ndjeshëm funksionin e tretjes.
1. Gastritis
Çrregullimi më i zakonshëm është gastritis. Kjo ndodh kur prishet balanca (për arsye të ndryshme) midis acidit klorhidrik dhe mukozës që vesh muret e stomakut. Klinikisht manifestohet me dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, të përziera, ulje oreksi, gromësira, të vjella dhe uth (ndjesia e djegies). Kur sëmundja përparon dhimbja bëhet e vazhdueshme dhe kemi jashtëqitje (defekim) me gjak. Prania e gjakut të errët në feçe është shenjë e një problematike të stomakut. Kur gjakrrjedhja është e menjëhershme dhe me sasi mund të kemi hematemesis (të vjella me gjak). Në qoftë se këto vazhdojnë gjatë, pacienti mund të kalojë në anemi. Në asnjë nga rastet kur kemi gjakderdhje nuk duhet të hezitojmë të shkojmë të mjeku. Mund të themi se këto janë raste që përbëjnë urgjenca.
2. Gastropareza ose vonesa në lëvizjen e ushqimit
Një tjetër problem dhe afatgjatë i stomakut është gastropareza. Prek miliona njerëz në botë dhe shumica kanë vonesë në diagnostikim. Në thelb gastropareza është një vonesë në lëvizshmërinë e ushqimit, i cili mbetet i ndenjur në stomak. Shkaktarët më të zakonshëm të kësaj gjendjeje janë diabeti (dëmtohet motorika nervore e stomakut), insultet cerebrale (goditjet në tru), apo bllokimet mekanike (kanceri). Klinikisht kemi dhimbje, të përziera, të vjella pas ngrënies, ndjenja e ngopjes edhe kur hahet në porcione të vogla.
3. Shqetësimet e lidhura me diarretë
Tjetër patologji janë diarretë. Kur shkojnë nga disa ditë deri në një javë quhen akute, ndërsa kur zgjasin disa javë quhen kronike. Në të dyja rastet shkaktarët mund të jenë bakterialë, viralë, mykotikë, por mjaft të shpeshta janë edhe çrregullimet e tretjes si rezultat i çrregullimit të enzimave të tretjes. Në çrregullimet e tretjes ndikojnë sëmundje të ndryshme kronike (kryesisht diabeti, cirroza e mëlçisë, etj). Në shume raste zëvendësimi i lëngjeve të humbura gjate diarresë për të parandaluar dehidrimin është i vetmi trajtim i nevojshëm. Ilaçet për të parandaluar diarrenë mund të jenë ndihmëse në disa raste, por ato nuk janë të rekomanduara në persona që si shkak diarreje kanë infeksionet bakteriale, parazitare. Në këto raste diarreja është një reaksion mbrojtës i organizimit duke stopuar atë e lemë mikroorganizmin shkaktar në zorrë duke zgjatur në kohe problemet. Si alternativë doktori mund të përshkruaj terapi me antibiotik. Diarretë virale, gjithashtu trajtohen me medikamente ose lihen të mbarojnë vet procesin e tyre në varësi të ashpërsisë dhe llojit të virusi. Por, gjithmonë duhet të dini që përdorimi i tyre varet vetëm nga rekomandimet e dhëna prej mjekut.
4. Ulcerat inflamatore
Sëmundja “Chron” është një patologji me natyrë inflamatore që mund të prekë traktin tretës në gjithë gjatësinë e tij, pa përjashtuar edhe stomakun edhe pse më rrallë këtë të fundit. Tipari kryesor i saj janë ulcerat inflamatore (gërryerjet infeksioze të mukozës mbrojtëse) që shoqërohen me rrjedhje gjaku, anemi, rënie në peshë, diarre, ulje oreksi, dhimbje barku.
5. Kanceri i stomakut
Ndër patologjitë e stomakut përmendim edhe kancerin, incidenca e të cilit nuk është shumë e shpeshtë. Këto ndodhin më shpesh si rezultat i çrregullimeve të bilancit të aciditetit apo edhe si rezultat i inflamacionit të shprehur që shkakton Helicobacter pylori. Megjithatë shkaku i vërtetë i kancerit të stomakut nuk është i njohur. Në këtë rast dieta ka një rol të rëndësishëm. Konsumimi i ushqimeve të konservuara, të tymosura , të regjura, i ushqimeve me përmbajtje të nitriteve dhe nitrateve, sidomos në mishrat e përpunuar, përben një faktor risku që nuk duhet neglizhuar. Nga ana tjetër përdorimi i frutave, zarzavateve, sidomos ato me ngjyre të kuqe ose të verdhe si domatja, karrota, patatja e ëmbël, ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit nga kanceri i stomakut.
Cilët janë faktorët e riskut në sëmundshmëritë e stomakut dhe parandalimi ?
Pirja e duhanit është shkaktari kryesor i çrregullimeve të stomakut. Duhani stimulon prodhimin e aciditetit dhe pengon prodhimin e mukusit mbrojtës të mukozës. Kjo çon në zhvillimin e ulcerave te shumica e duhanpirësve. Problemet kronike të stomakut janë të lidhura gjithashtu me përdorimin e alkoolit. Studimet kanë treguar se pirja e alkoolit mund të shkaktojë ulcera në stomak, gastrit madje dhe kancer të stomakut. Prandaj shmangia e duhanit dhe e konsumit të tepërt të alkoolit mund të ndihmojë në parandalimin e shumicës së çrregullimeve të stomakut. Si shkaktarë të tjerë njihen edhe përdorimi pa kriter i medikamenteve të ndryshme si për shembull aspirina, ibuprofeni, kortizonikët. Këto preparate dëmtojnë mukozën e stomakut duke shkaktuar ulceracione, gjakderdhje, dhimbje të forta, djegie. Përsa i përket trajtimit, shumica e problemeve të stomakut trajtohen me medikamente apo edhe me kirurgji. Ka studime se ndryshimi i stilit të jetesës mund të ndikojë pozitivisht. Edhe pse nuk ka ushqime të veçanta përgjegjëse për shkaktimin e problemeve kronike të stomakut, dietologët rekomandojnë një dietë të shëndetshme me fruta e perime, sa më pak mish të kuq dhe të shtohet në menu peshku e mishi i pulës. E rëndësishme është që njerëzit të mbajnë një ditar për ushqimet që u shkaktojnë probleme dhe t’i shmangin ato. Gjithashtu shëtitjet dhe aktiviteti fizik përmirësojnë ndjeshëm funksionin e tretjes.