Skemat e pastrimit të parave në Shqipëri

Nga pensionistët dhe deri tek investimet në kazino dhe ndërmarrje Shteti shqiptar ka një manual mbi mënyrën se si pastrohen paratë e pista n...

Nga pensionistët dhe deri tek investimet në kazino dhe ndërmarrje


Shteti shqiptar ka një manual mbi mënyrën se si pastrohen paratë e pista në vendin tonë në disa variante. Format e pastrimit të parave në Shqipëri janë të llojeve të ndryshme, aq sa ka detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të hartojë një manual të posaçëm, duke dhënë edhe skemat e kryerjes së tyre. Në një vend ku informaliteti është i dukshëm, hapësirat ku kryhet pastrimi i parave kanë të bëjnë me investimet në pasuritë e paluajtshme, në ndërtime banesash, apo dhe qarkullim parash në banka, në format e kreditimit.
Shtëpitë
Shtetasi “X” ka investuar në pasuri të paluajtshme 180 mijë USD, duke deklaruar se burimi i të ardhurave është puna. Nga verifikimet rezultoi se shuma ishte transferuar nga disa persona jashtë vendit. Në vijim të verifikimeve të kryera rezultoi se shumat për personat e përfshirë nuk rezultonin burime ligjore të njohura të ardhurash. Afro gjashtë muaj nga koha e blerjes së pasurisë së mësipërme, nga burime të hapura informacioni, rezultoi se agjencitë e zbatimit të ligjit të një shteti europian kanë arrestuar disa persona të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, mes të cilëve ishte dhe djali i shtetasit “X”.
Pensionistët

Një subjekt i ligjit raporti te NJIF një transaksion në një vlerë prej 200 mijë eurosh, për blerje të një pasurie të paluajtshme nga shtetasi “B” (pensionist), pjesa më e madhe e së cilës ishte likuiduar me para në dorë. Nga analiza financiare dhe kërkimet e kryera në bazë të të dhënave të NJIF për shtetasin “B” dhe familjarët e tij, rezultoi se ai kishte kryer një numër të madh transaksionesh bankare, si derdhje dhe tërheqje të shpeshta me para në dorë dhe në vlera të larta, të cilat nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme të të ardhurave. Ndërsa për të afërmit nuk rezultuan të dhëna ekonomiko-financiare. Burimi i panjohur i fondeve të investuara në pasuri të paluajtshme, transaksionet në vlera të larta dhe likuidimi me para në dorë i pjesës më të madhe të vlerës së pasurisë, përbënin arsye të bazuara për komunikimin e mëtejshëm të rastit në organet e zbatimit të ligjit.
Pastrimi i parave në kazino
Shtetasi “A” ishte aksioner me pjesëmarrje 20 për qind në një shoqëri lojërash fati “F”, e cila ushtronte veprimtarinë prej katër vjetësh. Brenda pak kohësh, shoqëria “F” hapi dhjetëra pika të lojërave të fatit në vend dhe vetëm për pajisjet e tyre me materialet e duhura (mobilim, televizor, PC, etj.) investoi 7.000.000 euro. Nga investigimet e kryera rezultoi se në llogaritë e shtetasit “A”, përveçse kalonte një pagë mujore e konsiderueshme nga shoqëria “F”, rreth 10 mijë euro, kishte dhe kreditime të tjera nga kjo e fundit, të cilat nuk ishin pagesa dividentësh (shoqëria nuk kishte shpërndarë asnjëherë dividentë), por shuma që transferoheshin me përshkrim “shlyerje borxhi”. Shumat e transferuara nga shoqëria e tij arritën 50.000 euro. Kjo vijoi të ndodhë edhe në llogarinë e së ëmës së shtetasit “A”, llogaria bankare e së cilës u kreditua gjithashtu nga shoqëria “F” me 200 mijë euro. Shtetasi “A” dhe e ëma e tij ishin rezidentë në një vend të BE-së dhe të gjitha llogaritë e tyre bankare në Shqipëri i transferuan në vendin e rezidencës. Në total nga këta dy shtetas u transferuan rreth 2.000.000 euro. Transfertat me jashtë justifikoheshin gjithnjë me dy kontrata (përkatësisht huaja dhe shitblerje), ndonëse vlera e dy kontratave përbënte vetëm 25% të vlerës së fondeve të transferuara. Më tej u analizuan edhe të dhënat financiare të shoqërisë “F” dhe rezultoi se shtetasi “A” i kishte dhënë hua shoqërisë në vitet e para të krijimit të saj 500.000 euro, shumë të cilën tashmë shoqëria po ia kthente ortakut.
Sektori i ndërtimit
Shtetasi “A” kishte krijuar një shoqëri “C” në vitin 2002 në emër të tij, tek e cila fillimisht kishte investuar rreth 60 mijë USD. Kjo kompani, pas dy vitesh, u mbyll, pasi ishte jorentabël. Në vitin 2004, shtetasi “V” (vëllai i “A”), krijoi shoqërinë “D” me aktivitet në fushën e ndërtimit në të cilën emëroi si administrator shtetasin “L”. Që prej vitit 2005 e në vijim shoqëria “d” investoi afro 5 milionë euro në ndërtimin e disa godinave banimeve. Gjatë viteve 2008 e 2010, shtetasi “L” krijoi si ortak i vetëm, kompaninë “B” dhe “E”. Emri i kompanisë “B” “rastësisht” përkonte me emrin e fëmijës së shtetasit “A”. Po kështu shtetasi “A” depozitoi në llogarinë bankare të shoqërisë “E” shumën 900.000 USD, e cila shërbeu si garanci për të fituar një kontratë shërbimi prej miliona dollarësh në vitin 2010. Këto fakte tregonin se shtetasi “A” ishte pronari përfitues i tri shoqërive. Lëvizjet dhe balancat në llogaritë bankare personale të shtetasit “L” ishin modeste, madje ai kishte marrë dhe një kredi prej 10.000 USD për blerje shtëpie. Nga ana tjetër, rezultonte se kishte pasuri të paluajtshme prej mijëra hektarësh me një vlerë tregu mbi 3 milionë euro, si dhe bizneset e fuqishme “B” dhe “E”. Gjatë investigimit, NJIF grumbulloi të dhëna se për shtetasin “A” kishte akuza për kryerje të veprave të ndryshme penale, ndër të cilat edhe trafiku i lëndëve narkotike, brenda dhe jashtë vendit. NJIF (Njësi e Inteligjencës Financiare) konkludoi se shtetasi “A” kishte filluar aktivitetin e pastrimit të produkteve të veprës penale minimalisht në vitin 2002, me krijimin e shoqërisë së tij, e më tej duke e sofistikuar këtë aktivitet me përfshirjen e familjarëve, të njohurve dhe kompanive të tyre. Këta të fundit ishin përdorur si fasadë, në mënyrë që ndërmarrjet e tij prej biznesmeni të fuqishëm të mos binin në sy dhe për më tepër të mos krijohej një lidhje direkte mes tij dhe këtyre shoqërive që qarkullonin miliona euro.
Paratë nga Lindja e Mesme
Një ndër rastet e konstatuara është edhe ai i qarkullimit të parave nga vende të rrezikshme që mund të kishte lidhje dhe me terrorizmin. Një shtetas “X” nga Lindja e Mesme në moshë të re, në harkun e një viti, mori disa transferta përmes shoqërive të transfertave, të dërguara nga disa bashkëkombës të tij. Shuma e transferuar në total ishte 20 mijë USD dhe transfertat ishin të fraksionuara. Nga investigimet e mëtejshme për këtë person rezultoi se dispononte dhe një llogari bankare të hapur një vit më parë dhe ku ishin depozituar para fizike 10 mijë euro. Gjithashtu rezultoi se kishte këmbyer në një zyrë të këmbimit valutor shumën prej 5 mijë USD, gjatë kohës që merrte transfertat në mbërritje. Në Shqipëri ky rezident nuk rezultoi të ishte i punësuar dhe nuk kishte biznes të regjistruar në emrin e tij. Elementet që përbënin anomali në këtë rast ishin vendi me risk nga i cili dërgoheshin transfertat, mosha e re e shtetasit të huaj dhe fraksionimi i dërgesave.
Kreditë
Një skemë tjetër e pastrimit të parave është ajo nëpërmjet kredive bankare. Më poshtë po japin rastin konkret: Shtetasi “A”, gjatë një periudhe njëvjeçare, mori katër kredi në shumën totale prej 900.000 eurosh. Arsyeja e deklaruar e marrjes së kredisë ishte investimi në biznes. Përpos kësaj kredie, rezultonte se brenda një viti “A” kishte investuar në zhvillimin e biznesit të tij dhe shumën 60.000.000 lekë në para fizike. Tre vitet e para të regjistrimit të biznesit, rezultati financiar i deklaruar ishte zero, ndërsa në vitin e kaluar, kur kishte marrë kreditë, biznesi kishte rezultuar me humbje në shumën e 26.000.000 lekë. Analiza e informacionit dëshmon në mënyrë të qartë mungesën e burimeve të ligjshme, të cilat mund të justifikohen, shuma të investuara në biznes dhe pamundësinë ekonomike për pagesën e kësteve të larta të kredisë.
Rasti II
Shtetasit shqiptar “A” dhe “D” së bashku me shtetasin e huaj “H” kishin krijuar një shoqëri “E” në Shqipëri. Menjëherë, pak ditë përpara krijimit të saj kanë aplikuar për marrjen e një kredie për blerje toke me sipërfaqe 4500 metër katrorë në vlerën e 450 mijë eurove, me qëllim ndërtimin e një kompleksi rezidencial shumëfunksional. Dy vjet pas aprovimit të kredisë dhe blerjes së tokës, ata e shitën tokën te një shoqëri tjetër “C”, e cila e shleu menjëherë kredinë e marrë nga “A” dhe “D”. Nga investigimi i ndërmarrë rezultoi se: Disa nga ortakët e shoqërisë blerëse “C” ishin të dyshuar për pastrim parash; shtetasi i huaj “H” ishte njëkohësisht ortak i shoqërisë “E” dhe përfaqësues ligjor i shoqërisë “C”; në emër të shoqërisë “E” ishin kryer veprime vetëm në lidhje me kredinë dhe transaksionet për blerjen e shitjen e tokës; Shtetasi “A” dhe familjarët e tij kishin lidhur disa kontrata të zakonta shitblerje apartamentesh me një shoqëri vendase)ortak i saj ishte shtetasi “D”). Përveç kësaj për shitjen e pasurive shtetasi “A” kishte tentuar të përdorte edhe instrumente të falsifikuara pagese, në vlera të konsiderueshme në bashkëpunim me persona të tjerë, të cilët ishin në investigim si të dyshuar për veprën penale të mashtrimit.
Për vitin 2013, 558 raste të dyshimta
Sipas raportit të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Parave të Pista, për vitin 2013 janë konstatuar 558 raste transfertash të dyshimta parash. Ndërsa dyshime për origjinën e parave të përdorura janë konstatuar 228 raste, ku 4 prej tyre lidhen me burimet e terrorizmit. Ndërsa janë konstatuar raste të korrupsionit nga zyrtarët për vitin 2013.


Related

Top Lajm 9054777955191032036

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item