Sfidat e kritikës letrare sot

YMER ÇIRAKU Sado e shigjetuar, e qesëndisur, apo e refuzuar nëpër kohë të ndryshme e nga kahe të ndryshme letrare e jashtëletrare, kritika l...

YMER ÇIRAKU



Sado e shigjetuar, e qesëndisur, apo e refuzuar nëpër kohë të ndryshme e nga kahe të ndryshme letrare e jashtëletrare, kritika letrare shqiptare dëshmohet si një realitet prezent dhe me ndikimin e autoritetin e vet. Ajo tashmë ka historinë e vlerave të krijuara dhe lëvruesit e përcjellësit e këtyre vlerave mbeten prej personaliteteve më të shquara të botës shqiptare. Mund të përmendim Faik Konicën që e inauguroi dhe e stabilizoi atë në nivel dijeje – përmes revistës së tij të njohur “Albania”; Eqrem Çabejn i orientuar nga kritika filologjike dhe krahasimtare/komparatiste, i cili e zhvendosi letërsinë dhe kulturën shqiptare nga shqyrtimi si periferi – drejt vlerësimit në kontekste ballkanike dhe europiane; Krist Malokin me prirje të dukshme polemisti, që jo vetëm nisi traditën e kritikës së kritikës, si model i prestigjit të lartë të nivelit të saj, por aplikoi i pari në interpretim metodat më të reja psikoanalitike për kohën; Mitrush Kutelin si ndjekës të kritikës objektive e me perspektivë; Gjergj Fishtën me studimet e tij të rrafshit polifonik (në harmoni me përmasat e profilit të tij shumëdimensional) – ku ndërthureshin: kritika letrare, kritika e artit, kritika estetike; Ernest Koliqin që pati obsesion projektimin e letërsisë shqipe si njësi unitare, brenda larmisë stilistike që ajo shfaqte…
Këtij vargu studiuesish të profilit të lartë, që u morën me mjaft përkushtim e kompetencë me shqyrtimin e aspekteve të ndryshme të letërsisë shqipe, iu bashkuan të tjerë kritikë që erdhën gjatë viteve të Pasluftës së Dytë Botërore. Në Shqipëri, Kosovë e diasporë, shquajnë disa personalitete si A. Pipa, Dh. S. Shuteriqi, R. Qosja, I. Rugova, Xh. Gradilone, M. Mandala, A. Aliu, S. Hamiti, Gj. Zheji, J. Bulo etj. që ndjekin me preferencë në studimet e tyre metoda të pastra apo të kryqëzuara soc.realiste, kontekstualiste, strukturaliste, gjenetike, biografike…
Është fakt i njohur se kritika, ndonëse duke u marrë me studimin e letërsisë, ajo vetë nuk është letërsi, porse mbart kryekreje në vetvete statusin e dijes. Njohja dhe vlerësimi i këtij statusi krijon mundësinë për ta kuptuar drejt misionin e saj, larg çdo keqkuptimi dhe anatemimi, që s’kanë munguar t’i vijnë nga drejtime të ndryshme.

* * *
Para së gjithash, duhet mbajtur parasysh se kur duhet të flitet për nivelin e kritikës letrare, ajo nuk duhet marrë kurrsesi e shkëputur nga niveli dhe stadi i shoqërisë, ku ajo funksionon. Siç shkruante K. Maloki (në kontekstin e viteve ‘30), kritika letrare është pjesë e pandarë prej vetëdijes kritike të një populli, e cila, në mjediset tona shpesh ka shfaqjen e një kulshedre shoqnore, pra, primitive dhe agresive, jotolerante dhe eliminuese mes palëve, që nuk duhej të ishin veçse në pozita konkurruese mes tyre. Këto recidiva duket ta kenë përcjellë ndikimin e tyre edhe te kritika letrare, e cila i mbart ato posi një duhi ngrice – e ardhur për inerci prej mediumeve të politikës, prej raporteve konfliktuale në mjediset tona sociale e familjare. Këtij sindromi vështirësues për funksionimin e kritikës, i shtohet pastaj dhe prania e autoritetit të shkrimtarit (me tërë ndikimet që ai ka), që siç shkruante Kuteli në kohën e vet, shpesh i sulet mediatikisht apo nëpër kulisa kritikut, si në rastet kur ai, me të drejtën e lirisë së shprehjes së opinionit ia kritikon veprën, ashtu edhe kur ia vlerëson atë – por jo aq lart sa desh shkrimtari vetë (!)
Duke njohur këtë situatë delikate e të vështirë nëpër të cilën lëvrohet e funksionon kritika letrare, duhet vlerësuar ndërkaq kontributi i saj, i cili vazhdon të jetë i pranishëm edhe në kohët e sotme. Ajo ka avantazhin dhe njëherazi obligimin kundrejt një tradite të çmuar pararendëse, por ka dhe kualifikimet profesionale të një vargu studiuesish të talentuar.
Edhe në këto dy dekadat e fundit nuk mungon të vërehet një shtim i studimeve letrare. Prej tyre mund të dallojmë ato të formatit akademik apo universitar, që vijnë si produkt prej mediumeve shkencore, prej seminareve e konferencave të organizuara në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, prej botimit të mjaft tezave monografike mbi autorë e dukuri letrare. Përveç studimeve rivlerësuese apo të depërtimeve konceptuale në struktura të fjetura tek vepra të autorëve të shquar si ato të De Radës, L. Poradecit, I. Kadaresë, A. Pashkut, M. Kutelit, A. Podrimes…, ka dhe botime të tjera për autorë dikur të ekskomunikuar arbitrarisht prej receptimit si: Fishta, Konica, M. Camaj, K. Trebeshina, Koliqi, B. Xhaferi, E. Haxhiademi etj. Është evidente rritja e nivelit shkencor në këto studime dhe gërshetimi i kompetencave alternative teorike, që sjellin mundësi për ta interpretuar letërsinë shqipe nëpër shumë regjistra të shenjave të saj artistike. Por, në qoftë se mund të vlerësohet shtimi gradual nga aspekti vëllimor, si dhe rritja e nivelit teorik e këtyre studimeve, mbetet sfidë receptimi i tyre i kufizuar, duke e zbehur kësisoj ndikimin dhe rolin që ato duhej të kishin për në destinacionin e synuar. Po kështu, në këtë profil studimesh po vërehen dhe prirje për vështrime të izoluara të veprave e dukurive letrare, duke mos u vlerësuar inkuadrimi i tyre brenda sistemit, që krijon për pasojë konfuzion nga aspekti i vlerësimeve referenciale. Letërsia është pa mëdyshje reliev vlerash dhe pozicionimi hierarkik i këtyre vlerave mbetet mision i kritikut – për ta hetuar atë letërsi fazë pas faze, në tërë trajektoren ku endet ajo, si një univers në lëvizje të pandërprerë, duke shfaqur para lexuesit forma e lakime nga më të larmishmet e më befasuese. Mund të kujtonim edhe nga ato prirje shkrimesh kritike, që i atomizojnë ekstremisht elementet e studiuara, të cilat duket se më shumë dëshmojnë kompetencën e teknikaliteteve të holla hulumtuese, por sjellin rezultate modeste në kontekstin e shqyrtimit të problematikave bazike letrare.

* * *

Sfidë e mprehtë mbetet sot hartimi dhe botimi i një historie të letërsisë shqipe, e nivelit akademik. Ajo do të zgjidhte një mungesë të ndjeshme, që për nevoja pune nga studentë e studiues, plotësohet në mënyrë të improvizuar prej botimeve të mëparshme, të cilat mbartin doemos kufizimet e kohës, si nga aspekti konceptual – apo i vëllimit dhe interpretimit të informacionit letrar të përcjellë. Jo se kanë munguar disa përpjekje të studiuesve për të realizuar individualisht projekte të tilla, por ato nuk mund ta ezaurojnë apo përjashtojnë formatin e një vepre të pritshme tërësore, të realizuar si kontribut nga ekipe autorësh të profilizuar specifikisht në qarkun e rrjedhave të letërsisë shqipe. Në mesin e këtyre studiuesve sot vërehen dy prirje, përmes të cilave ndiqen modele të ndryshme interpretimi. Janë ithtarët e metodikës epistemologjiste – me afirmimin e tyre të kahershëm dhe që ndjekin traditën e vështrimeve tematike dhe tërësore/integrale të letërsisë, pra e vështruar ajo si megatekst, por me sondime të lehta vertikale në të; si dhe kritikët e rinj, që parapëlqejnë të hulumtojnë në tekste më të përcaktuara/kufizuara, por duke zhbiruar sistematikisht në thellësinë e strukturave të tyre. Mes këtyre prirjeve ndihet të qarkullojnë dhe moskuptime e grindje, që marrin deri trajtat e refuzimeve eliminuese mes njëra- tjetrës, thua si me sjelljen e dy shemrave, ndonëse në fund të fundit varësinë e kanë prej një lidhjeje të vetme: në këtë rast prej letërsisë. Një pol tjetër nga duhet të vijë e të pasurohet mendimi letrar është kritika mediatike, e cila e ka për mision parësor përcjelljen e botimeve korrente letrare, për të çelur kësisoj udhën e komunikimit mes tyre e lexuesve. Për hir të së vërtetës, ky vazhdon të mbetet një kontribut pothuaj i munguar në median e shkruar dhe elektronike. Vendi i saj në to rezulton të jetë fare periferik dhe jo në pak raste formatohet me kritere klanesh e qokash, apo dhe me influenca prej bastioneve të politikës së ditës, që fundosin kriteret letrare. Mungesa e një shtypi periodik letrar e bën edhe më të dukshme pamjen e rënduar të kësaj situate. Vërehet të ndodhë që të ndërtohen më shumë raportet hulumtuese mes kritikut e autorit njeri – sesa mes kritikut e veprës. Dhe atëherë, këto modele tekstesh kritike pak dallojnë me dosjet hetimore apo me fjalimet retorike dekoruese. Dihet qartazi se letërsia fillim e fund është lëndë tekstore, ku atje dhe vetëm atje e ka të limituar sheshin e betejave të veta hulumtuese kritiku. Përtej këtij caku, kryhet kapërcimi i ylberit dhe atëherë, që nga ai çast, kritiku e humbet përfundimisht statusin e vet. Për të kërkuar çdo status tjetër që mund t’ia ketë ënda…

Related

Kultura 8823209707345970816

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item