Prind – fëmijë, lidhja misterioze

Lidhja prind – fëmijë është prej atyre lidhjeve të forta, të pashpjegueshme, së cilës shpesh kërkuesit janë munduar t’i gjejnë një tjetër sh...


Lidhja prind – fëmijë është prej atyre lidhjeve të forta, të pashpjegueshme, së cilës shpesh kërkuesit janë munduar t’i gjejnë një tjetër shkak, veç faktit së vazhdimësisë jetësore, për t’i dhënë përgjigje pyetjes së përse është kështu siç është, e fortë, edhe në rastet kur nuk është tërësisht e shëndoshë dhe e konsoliduar. E diskutuar shpesh për praninë apo jo të interesave reciprokë, prindët dhe fëmijët, pra familja në kuptimin e saj të ngushtë, mbetet kësisoj lidhja më e fortë që karakterizon marrëdhëniet njerëzore gjatë gjithë historisë së tyre. kështu, mund të shkëputesh nga një mik, koleg, partner, bashkëpunëtor, por kurrë nga fëmija yt, apo prindi, me të cilët, ndonëse mund të jesh në një distancë të konsiderueshme largësie, apo vitesh pa komunikuar, gjaku “nuk bëhet ujë”. Në përpjekje për t’u thelluar mbi këto marrëdhënie, studiues nga e gjithë bota marrin përsipër të studiojnë aspekte të ndryshme të kësaj marrëdhënieje kaq komplekse. Materiali i mëposhtëm hedh dritë mbi disa prej tyre.

Mirëqenia e një prindi varet nga ajo e fëmijës së tij

Në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një skuadër kërkuesish të Universitetit “Purdue” realizoi një kërkim mbi një kampion prej 633 prindësh dhe 1251 fëmijëve të tyre të moshës nga 15 në 33 vjeç. Të dhënat e grumbulluara treguan, një fakt jo pak të njohur për prindët dhe fëmijët. Ndonëse fëmijët mund të kenë arritur moshën e pjekurisë psikologjike dhe fiziologjike dhe ligjërisht janë të aftë të kujdesen për veten e tyre, prindët e kanë të pamundur të mos ndikohen nga gjendjet shoqërore, ekonomike, shëndetësore të fëmijëve të tyre.
Kështu, ndonëse një fëmijë mund të ketë krijuar familjen e tij, të jetë bërë prind, në momentet kur diçka jo e këndëshme ndodh në jetën e tij, në aspektin personal, profesional apo diçka tjetër, prindi i tij e ka të pamundur të mos ndikohet e të mos e përjetojë këtë. Çdo prind i moshës 40-60 vjeçare, i përfshirë në studim rrëfyen se përjetonin një stres shumë të madh, kur mësonin së fëmija i tyre, ndonëse i rritur dhe i aftë për jetën e tij, përballej një problem. Ndërsa kur fëmijët kishin një jetë të qetë e të lumtur, edhe prindërit jetonin ditët e tyre në këtë mënyrë.
Ky ndikim kaq i pashmangshëm, sipas studiuesve qëndron në sajë të një lidhjeje prej instikti dhe të pazgjidhshme, mes prindërve e fëmijëve, gjendje e cila nuk zhduket as atëherë kur prindërit janë në moshë të thyer e kanë nevojë për kura. Nga ana tjetër,s tudimi identifikoi se ky fenomen nuk ishte apak i ndikueshëm nga largësia e jetesës së prindërve dhe fëmijëve, pra sin ë rastet kur fëmijët jetonin në të njejtën shtëpi, e po ashtu edhe në rastet kur ata ishin larg, shqetësimi i prindërve ishte i njejtë. Lidhja e tyre mbetej gjithnjë e fortë.

Lidhja prind-fëmijë

Vetëm kur fëmijët rriten, kuptojnë se sa e vështirë është të jesh një prind i mirë e të realizosh një prej qëllimeve më të vështira në jetë, të rrisësh e edukosh fëmijët. Është, ndoshta, puna më e vështirë që mund të ekzistojë ndonjehërë, sepse je përgjegjës pjesërisht për atë ç’ka po rrit, mirëpo ta pranosh këtë fakt, është një situatë komplekse. Për fat të keq nuk ka shkolla e as disiplina që të mësojnë sit ë jesh një prind i mirë, por ajo që theksohet është gjithnjë ndjekja e instiktit prindëror. Është pikërisht kjo lidhja e cila nuk shpjegohet dot nga shkenca, por që kurrësesi nuk i mohohet ekzistenca. Nuk ka metodë më të mirë për të rritur një fëmijë, se sa t’i tregosh atij, në çdo hap të jetës dashurinë dhe përkujdesjen prindërore, faktin që ti je aty për atë dhe sëbashku do të dini sit ë përballoni momentet e tij më të vështira.
Njëherë pasi jeni bërë prind, i tillë mbetesh gjithmonë dhe të dhënat e mbledhura nga kërkuesit e Filadelfjës nuk habisin aspak. Psikologia Karen Fingerman thekson se është shumë e rëndësishme për jetën dhe shëndetin psiko-fizik të të dyja palëve, të zgjidhin mosmarrëveshjet mes tyre, sado të vogla të jenë, sepse pasojat në shëndetin e të dyja palëve janë jo pak të vogla. Megjithatë, sipas psikologes, ata të cilët i vuajnë më shumë pasojat e këtyre konflikteve janë gjithnjë prindët e më pak fëmijët, të cilët këtë gjë, e kuptojnë vetëm atëherë kur bëhen prindër vetë.

[toggle_simple title="Studimi:  Prind-fëmijë, lidhja e bazuar në instikt" width="Width of toggle box"]
Rezultatet e këtij studimi amerikan, të prezantuara gjerësisht në Konventën e Shoqatës së Psikologëve Amerikanë, nuk lënë vend për dyshime: në dhjetë prindër të cilët minimalisht kishin nga një fëmijë, i cili ndërkaq kishte pasur një problem të rëndësishëm në jetën e tij, shtatë prindër kishin vuajtur probleme me shëndetin fizik dhe mendor, si pasojë e problemeve të fëmijëve të tyre. prindërit, fëmijët e të cilëve kishin arritur të afirmoheshin në punën e tyre, në fushën ekonomike, sociale e më gjerë, gëzonin një shëndet të mirë. Prindërit, të cilët kishin më shumë se një fëmijë, ku ndërkaq njëri ishte problematic dhe të tjerët jo, paraqesnin probleme të herë pas herëshme dhe në rastet kur fëmijët problematikë ishin dy, gjendja shëndetësore fizike dhe mendore e prindërve rëndohej në përpjestim të drejtë.
Studiuesit pohojnë se ky fenomen, kjo lidhje e pashmangshme mund të shpjegohet në këtë formë: prindërit e kanë të pamundur të heqin dorë nga ndjenja e përgjegjësisë për t’u kujdesur për fëmijët e tyre, për t’ju qëndruar atyre afër në çdo moment, për të zgjidhur me ta problemet dhe vështirësitë e tyre, edhë atëherë kur fëmijët janë të rritur dhe kanë mundësi t’i dalin për zot vetvetes.
Kjo ndjesi e pashmangshme e prindërve përkundrejtë fëmijëve, për t’i mbrojtur, është instiktive dhe përcaktohet nga të ashtuquajturat ligje të natyrës. Mirëpo Studiuesit theksojnë se në një moment të caktuar të jetës, prindërit do të duhet të mposhtin “maninë” e tyre për të qenë aty për fëmijët, duke bërë mënjanë e duke i lëne fëmijët të jenë ata të cilët i zgjidhin vetë çështjet e tyre. Edhe nëse gabojnë, kjo do t’ju shërbejë, ndonëse prindërit mund të ndihen keq. Tek e fundit, ata nuk do të jetojnë përherë krah tyre.
Prindër nuk lind, e megjithatë të tillë nuk të bën as lindja e një fëmije. Është një rrugë shumë e gjatë, e mundimshme dhe jo pa sakrifica. Mbi të gjitha është përgjegjësia e pashpjegueshme e të rriturit një fëmijë dhe edukimit të tij, pa përmendur këtu dashurinë e madhe që lidh të dyja palët. Të kërkosh të vendosësh një raport me përjetimet prej problemeve apo ndodhive në jetën e fëmijës, është ndoshta akoma edhe më e vështirë për një prind. E rëndësishme është që të ruhet shëndeti vetjak, veçanërisht në momentet kur keni arritur një fare moshe dhe në të njejtën kohë edhe fëmijët janë në një moshe madhore. Dashuria dhe mbështetja për një fëmijë është gjëja më e vyer që mund t’i jepni atij, mirëpo nëse e doni vërtetë, do t’ju duhet ta lini edhe të ecë me këmbët e veta dhe të shpresoni që të ketë fat. Vetëm në këtë formë mund të rritet dhe kur ta bëjë diçka të tillë, do të jetë ai i cili do t’ju mbajë. Kini besim në aftësitë e tij, mbi të gjitha në punën tuaj që keni bërë me të./100revista

Related

Sociale 3892675249463569102

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item