“Piramida” e Kadaresë në Amerikë

Nga Gjekë Gjonlekaj / New York Veprat letrare të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare janë botuar në Shtetet e Bashkuara më shumë se të asnjë ...

Nga Gjekë Gjonlekaj / New York

Veprat letrare të shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare janë botuar në Shtetet e Bashkuara më shumë se të asnjë autori tjetër ballkanik. Zoti Kadare u bë i njohur në Europë që në vitin 1963, pas botimit të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”. Pavarësisht se veprat e tij ende nuk ishin botuar në Amerikë, disa revista letrare amerikane botonin shkrime për veprimtarinë e tij letrare. Në vitet ‘80 Shtëpia Botuese ”New Amsterdam” në New York botoi “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, ”Kronikën në gurë” dhe “Prillin e thyer”. Të tri këto vepra u pritën mirë nga lexuesit dhe kritika letrare amerikane. Për këto vepra bënë komente autor të njohur amerikanë siç ishte John Updike dhe të tjerë. Ata botuan recensione në gazetat e revistat më të njohura të Amerikës. Për shqiptarët e Amerikës këto vlerësime ishin kënaqësi e jashtëzakonshme. Dashamirët e kulturës shqiptare ishin të lumtur që shkrimtari i tyre po nderohej aq shumë në këtë oqean të madh të kulturës dhe artit botëror. Shqiptarët e Amerikës ishin krenar për Ismail Kadarenë njësoj si për John Belushin dhe Nënën Terezën. Ky emër ishte përmendur shumë herë në shtypin euro-amerikan për Çmimin Nobël dhe kjo i bënte shqiptarët e Amerikës edhe më kurioz.
Në vitet ‘80 vendosëm lidhje me Shtëpinë Botuese ”Amsterdam Press”. Pronarët e kësaj Shtëpie ishin shumë entuziastë për sukseset e Ismail Kadaresë në Shtetet e Bashkuara dhe kërkonin që veprat e tij të shpërndaheshin sa më shumë, sidomos në komunitetin amerikano-shqiptar, duke pohuar se nga veprat e tij ata do të mësonin shumë për kulturën dhe historinë e tyre të origjinës kombëtare.
Interesimi i lexuesit amerikan për veprimtarinë letrare të Ismail Kadaresë po shtohej dita-ditës. Ata kishin mësuar për veprat e tij nga botimet e shumta në gjuhët evropiane. Letërsia shqiptare ishte krejtësisht e panjohur në Shtetet e Bashkuara deri kur u botuan veprat e Ismail Kadaresë. Deri atëherë bibliotekat amerikane nuk kishin asnjë vepër letrare anglisht të ndonjë autori të njohur shqiptar. Botimi i veprave të Isamil Kadaresë në këtë kontinent zgjoi kureshtjen e shumë amerikanëve për Shqipërinë para rënies së diktaturës. Botimi dhe ribotimi i veprave letrare të shkrimtarit tonë të madh u pa si një punë e domosdoshme në Shtetet e Bashkuara dhe këtë mision e mori përsipër Shtëpia Botuese “Arcade Publishing” në New York. Pronari i “Arcade Publishing”, Dick Seaver, ishte shumë i njohur në fushën e botimeve letrare. Ai vepronte në 5 Avenue në Manhattan dhe, pas disa vitesh, kaloi në qendrën e financave amerikane Wall Street. Atje u mbështet nga specialistët e botimeve, siç ishte Andrew Wiley. Ata botuan një mori veprash letrare të Ismail Kadaresë dhe të gjitha u vlerësuan lartë nga kritika letrare amerikane.
Në prill të vitit 1996 “Arcade Publishing” nxori nga botimi në gjuhën angleze veprën e Kadaresë “Piramida”, për të cilën u botuan recensione mbase edhe më shumë se për veprat tjera. Propozimin tim për promovimin e “Piramidës” në New York çifti Seaver e pranoi me shumë dëshirë. Misioni i Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara mori përsipër gjithë organizimin, por asnjë përgjegjësi financiare, bile ramë dakord që të gjitha kontributet për këtë promovim të dërgohen pranë Misionit të Shqipërisë me një shënim të veçantë “për promovimin e Kadaresë”. Në këtë rast, nuk ishte nevoja për ndonjë propagandë të madhe, sepse të gjithë shqiptaro-amerikanët me të cilët biseduam u treguan të gatshëm dhe bujarë për realizimin e kësaj vepre. Ambasadori i Shqipërisë pranë OKB, Pëllumb Kulla, u kishte bërë ftesa shumë diplomatëve pranë kësaj Organizate për pjesëmarrje në këtë promovim, bile, për të zgjuar edhe më shumë interesimin e tyre, ua kishte dhuruar nga një kopje të kësaj vepre, që ishin blerë nga Shtëpia Botuese me fondet e kësaj fushate.
Promovimi i “Piramidës” u bë më 18 shtator të vitit 1996 në aneksin special dhe më të lartë (penthouse) në Rihga Royal Hotel, në West 54 Street. Ismail dhe Helena Kadare kishin ardhur enkas nga Parisi për këtë ngjarje të madhe kulturore. Aty ishin të pranishëm disa personalitete të kulturës amerikane, një numër i dukshëm ambasadorësh nga Kombet e Bashkuara dhe shumë shqiptaro-amerikanë. Ceremoninë e promovimit e hapi Pëllumb Kulla. Pas tij e mori fjalën ambasadori i Francës në Kombet e Bashkuara. Ai tha se ishte shumë i lumtur për pjesëmarrjen në këtë promovim, aq më tepër kur shkrimtari Ismail Kadare ishte qytetar i Parisit dhe anëtar i Akademisë franceze. Folën edhe disa të tjerë dhe në fund e mori fjalën autori i “Piramidës”, i cili përgjigj çdo pyetjeje që ju bë nga të pranishmit.
Pas promovimit, që mori fund në ora 9 të mbrëmjes, shumica shkuan për të kaluar disa orë argëtuese në restorantin e mirënjohur “Bruno”, të pronarit Sh. Selimaj. Amerikanët e pranishëm në këtë lokal luksoz ishin kurioz për respektin që shqiptarët tregonin për autorin e tyre.
Një burrë i moshuar dhe shumë elegant e pyeti zotin Selimaj se kush ishte ky njeri. Ai iu përgjigj se ishte një shkrimtar shqiptar shumë i njohur, sidomos në Evropë. Ai kërkoi të bisedonte me Kadarenë, gjë që ky e pranoi me gjithë dëshirë. Ky zotëri i moshuar i tha Kadaresë se kishte qenë avokati i Ernest Heminguejt. Kur dëgjoi fjalët e tij, zoti Kadare u gëzua shumë. Biseda mori hov edhe më tepër kur Kadare tha se në moshë shumë të re kishte përkthyer në gjuhën shqipe veprën “Plaku dhe Deti” të këtij nobelistit amerikan. Avokati i Heminguejt dhe Kadare biseduan gjatë për jetën dhe veprën e këtij shkrimtari gjenial.
Ishin të shumtë ata që kontribuan për suksesin e këtij promovimi por, në mënyrë të veçantë, ish sekretari i parë i Misionit të Shqipërisë pranë OKB, zoti Sokol Kondi, punoi me një përkushtim të veçantë dhe, sot e kësaj dite, e kujtoj me respekt për angazhimin dhe punën e tij të sinqertë. Gazeta ”The New York Times” botoi me 18 prill 1996 ne revistën letrare “Book Review” këtë recension.
Toka e Faraonit 
Nga Bruce Bawer 
“PIRAMIDA” nga Ismail Kadare.
Përkthyer nga botimi frëngjisht i Jusuf Vrioni prej David Bellos, në konsultim me autorin. 
New York: Shtëpia Botuese Arcade. 
PARA rënies së komunizmit në Europë, Shqipëria ishte kombi më i izoluar dhe i prapambetur i kontinentit, populli i saj i shtypur nga një regjim i ashpër totalitar dhe letërsia e saj, me një përjashtim të shquar, nën prangat e Realizmit Socialist. Ky përjashtim ishte Ismail Kadare, shkrimtar (tani 60 vjeç dhe jeton në Paris) vepra e të cilit, zakonisht e vendosur në vendin e tij të lindjes, përshkruan fuqishëm një botë të zymtë në të cilën jeta është e përcaktuar nga distancimi dhe tmerri. Tipike e romaneve të Z. Kadare është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në të cilin një gjeneral italian shkon në Shqipëri 20 vjet pas Luftës së Dytë Botërore për të zhvarrosur dhe riatdhesuar eshtrat e ushtarëve, bashkëatdhetarë të rënë në luftë. Ai arrin t’i shohë ata si një “ushtri e vdekur” dhe udhëtimin e tij 18-mujor si një “marshim nëpër luginën e hijes së vdekjes.”
Mund të duket e pamundur në pamjen të parë për autorin e atij romani, që të shkruaj një ngjarje në Egjiptin e shekullit të 26-të para Krishtit dhe të përqendrohet në ndërtimin e Piramidës së Madhe të Keopsit. Por, nuk pret gjatë për të njohur vendndodhjen e “Piramidës”, (të përkthyer me aq mjeshtëri nga frëngjishtja prej David Bellos) si territor i njohur i Kadaresë dhe të kuptojmë se vizioni i tij i Egjiptit të lashtë i detyrohet shumë eksperiencave të autorit në Shqipërinë komuniste. Në fund të fundit, kemi disa paralele midis dy kombeve. Ashtu si shqiptarët e kohës së luftës së ftohtë, njerëzit që banonin në brigjet e Nilit katërmijëvjeçarë e gjysëm më parë, kishin relativisht pak marrëdhënie me kombet e tjera. Ashtu si diktatori shqiptar Enver Hoxha edhe Faraonët ishin sundues dhe autoriteti i tyre ishte absolut.
Historianët na thonë se, në një farë mënyre, Faraonët i ndërtuan piramidat për t’i mundësuar vetes një shkallë drejt qiellit. Z. Kadare, i ndikuar qartë nga vëzhgimi personal i metodave të pamëshirshme të qeverisjes së Hoxhës, ofron një skenar të ndryshëm. Në fillim të romanit, Keopsi shpall se ai mund të mos dojë të ndërtojë një piramidë. Të alarmuar nga ky sugjerim, ministrat e tij të lartë shpjegojnë se ndërtimi i piramidës është vendimtar për ruajtjen e autoritetit të tij. Gjenerata më parë, i thonë ata, prosperiteti mbarëkombëtar i bëri njerëzit më të pavarur dhe për këtë arsye “më rezistentë ndaj autoritetit në përgjithësi dhe pushtetit të Faraonit në veçanti.” Kështu lindi ideja e një projekti kolosal që, duke sforcuar burimet e Egjiptit dhe harxhuar energjitë e popullsisë së tij, do t’i mbajte të gjithë në rresht.
Piramidat, me pak fjalë, nuk janë ndërtuar për të garantuar jetën e përtejme të një Faraoni, por për të përforcuar pushtetin e tij tokësor. Duke dëgjuar këtë shpjegim, Keopsit bie dakord të urdhërojë ndërtimin e piramidës së tij, më të madhen e gjithë kohërave. Projekti merr 20 vjet, mundon dhe shtyp të gjithë vendin dhe, me raste, ka zëra për sabotim, gjë që çon në arrestime, tortura dhe ekzekutime të stilit stalinist nga policia sekrete e Faraonit. Së shpejti, gjithkujt i duket se projekti ka ekzistuar dhe do të ekzistojë gjithmonë.
Këtu, si në romanet e tij të mëparshme, z. Kadare përshkruan një pamje hipnotike të një bote mbizotëruar nga vdekja dhe të mbuluar me gurë. (Simbolikë të vdekjes, gurët shfaqen gjithmonë dukshëm në librat e tij; njëri madje edhe quhet “Kronikë në Gur”, Ashtu si “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” tregon një tur shtangës të varrezave, secila e ngjeshur me rrasa guri, kështu edhe “Piramida” përshkruan një periudhë të gjatë, një gjeneratë ku koha nuk matet me javë apo me vite, por në gurë me numër – dhjetëra mijëra prej tyre, secili me peshë disa ton dhe në milionat e vdekjeve të tmerrshme dhe të panevojshme, që janë shkaktuar prej transportit dhe vendosjes së tyre.
Në një ironi të jashtëzakonshme dhe të goditur, megjithatë, viktima kurorëzuese e piramidës përfundon të jetë vetë Keopsi. Sepse piramida, e parë nga subjektet e tij si një simbol përulës ndaj pushtetit të tij të plotë dhe të pakundërshtueshëm, arrin të duket në sytë e tij si një memento mori (kujtesë për vdekjen) personale, një kujtesë e vazhdueshme dhe paralizuese, që jeta e tij e shkurtër do t’i hapë rrugë një varrosje të përjetshme në gur. Në fund, ky libër, i cili nuk ka (ose nuk ka nevojë) për një plot, protagonist, apo konflikt tradicional, mbërrin në një meditim mbizotërues të brutalitetit dhe despotizmit politik në vetvete, ashpërsisë së jetës në mesin e njerëzve të përulur dhe të pafuqishëm dhe përhershmërisë së kudondodhur dhe të gurtë të vdekjes, e cila i trajton të gjithë njerëzit si të barabartë.

Related

Libri 2416089253209590662

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item