Përmirësimi i hapësirës publike europiane

Nga  Stephan Russ-Mohl   Stephan Russ-Mohl nxjerr në pah disa nga inisiativat më të rëndësishme që nevojiten për median, në mënyrë që të mbi...

Nga Stephan Russ-Mohl 


Stephan Russ-Mohl nxjerr në pah disa nga inisiativat më të rëndësishme që nevojiten për median, në mënyrë që të mbijetojë “Projekti Europian”, i cili tani për tani është i diskretituar.
A nuk mund të ishte ky një shkrim bosh, i përbërë nga një seri fletësh të bardha?  Sepse duhet ta pranojmë: realisht nuk ka sferë publike europiane dhe nuk ka realisht as gazetari europiane. Në epokën e mediave sociale, të blogosferës dhe të forumeve online, disa prej figurave të njohura të studimit të internetit argumentojnë se një sferë publike europiane mund të ekzistojë edhe pa një gazetari europiane. Disa profetë të dixhitalizimit kanë parashikuar prej vitesh që publikja mund të zhvillohet në demokraci edhe pa rolin e gazetarisë profesioniste në përzgjedhjen, kontrollin dhe investigimin e lajmeve për qytetarët e saj. (si, p.sh. Jarvis 2013).
Megjithatë studimet empirike nuk e mbështesin argumentin e tyre. Edhe pse “gazetaria e qytetarëve” mund të shpërndajë imazhe direkt nga vendi i ngjarjeve apo i katastrofave kudo në botë, përsëri Twitter, Facebook dhe rrjetet e tjera sociale nuk i kanë zëvendësuar mediat kryesore; përkundrazi ato ofrojnë platforma të reja që e rrisin rezonancën e lajmeve të raportuara.
Edhe në kushtet e internetit, sfera publike krijohet në një masë të madhe nga gazetaria, që do të thotë se gazetarët ende vazhdojnë të mbeten rojtarët (gatekeepers) kryesorë të komunikimit publik. Nëse informatorë si Julian Assange apo Edward Snowden dëshirojnë të tërheqin vëmendjen botërisht për rastet e tyre specifike, ata bashkëpunojnë në SHBA me New York Times apo Washington Post dhe në Europë me Guardian, Der Spiegel si dhe me Le Monde apo El Pais.
Kriza e besimit në BE
Kriza e besimit në të cilën ka rrëshqitur Bashkimi Europian gjatë viteve të fundit (Petersen 2013), mund të jetë krijuar ndoshta nga mbulimi mediatik që i kanë bërë asaj mediat kryesore. Ata që ende kanë besim në projektin Europian duhet të përpiqen të shpjegojnë se si dhe pse:
  • qeveritë në vendet e BE nuk i respektojnë ligjet dhe marrëveshjet që ata i kanë miratuar vetë (si p.sh. kriteret e Maastrichtit për menaxhimin e borxhit publik);
  • financat publike në gjysmën e Europës dolën nga kontrolli dhe fondi i mbështetjes në euro, i cili nuk është financuar në mënyrë solide, vazhdon të rrezikojë stabilitetin ekonomik të Europës;
  • BE, po rregullon deri në detajet më të imëta grafikët e bananeve dhe të frutave e perimeve të tjera, por në maninë e vet të rregullimit (‘Regulierungswahn’, shih Enzensberger 2010) në shumë vende po dështon në implementimin e parimeve të demokracisë dhe të sundimit të ligjit në raport me abuzimin e dukshëm me pushtetin;
  • praktikat mafioze korruptive janë përhapur në të gjithë Europën – në vend të “eksportimit të stabilitetit” – po shfaqet apo po zë vend një “import i paqëndrueshmërisë”  (Nonnenmacher 2005);
  • së bashku me gjithë këto, normat profesionale të gazetarisë janë delegjitimuar dhe pushteti i baronëve të medias që abuzojnë me pushtetin e tyre për përfitime politike, po vjen gjithnjë në rritje (Kus et al. 2013).
Siç vë në dukje edhe filozofi gjerman Peter Sloterdijk (2013), e gjitha kjo çon në përceptimin se “Projekti i Europës” është pranë dështimit, për shkak të mungesës së mirëmenaxhimit. “Si një komunitet ekonomik prosperiteti, Europa i ka arritur limitet e saj”. Ka dy mënyra se si mund të kthehet në jetë ky projekt. Përmes sistemit politik dhe përmes fushës së medias dhe të kulturës.
  • Para së gjithash, duhet të reduktohet deficiti demokratik në nivel europian: Fuqia e linjave ekzekutive dhe burokratike po rritet, ndërsa kontrolli parlamentar dhe pjesëmarrja e qytetarëve është jo-efektive.
  • Së dyti, po mungon një pushtet i katërt funksional, një gazetari e pavarur, informuese dhe jo-partizane – një gazetari që ka burimet e duhura për t’u përfshirë në investigime (Marconi 2011) dhe që e shoqëron “Projektin Europian” me dashamirësi, dhe sidomos me sy kritik.
Çështja e parë është gjërësisht e diskutuar (Grimm 1992; Verheugen 2005; Wohlgemuth 2007; Enzensberger 2010; Schmidt 2010; Frey 2012; Neyer 2013); e dyta ka mbetur përgjithësisht jashtë vëmendjes: dhe është pikërisht çështja që adreson ky shkrim.
Një simptomë tjetër e dështimit të gazetarisë
Është e vështirë të gjendet një kryeqytet që të ketë më shumë gazetarë të akredituar se sa Brukseli (Marconi 2011), por, megjithatë numri i reporterëve është tkurrur  shumë gjatë viteve të fundit (Castle 2010). Numri i zyrave të huaja të medias në Bruksel është zvogëluar dhe gazetarët “luftëtarë të vetmuar” të mbetur në Bruksel nuk janë në gjendje të përballojnë supremacinë e e burokracisë së BE si dhe aktivitetet e tyre shumë profesionale të lobimit. Kjo është një simptomë tjetër e dështimit të gazetarisë.
Edhe nëse korrespondentët e Brukselit do t’ia  dilnin që të rrëmonin për një ngjarje të rëndësishme, ekziston rreziku që redaksitë e tkurrura dhe nën presion në vendin e tyre, të mos arrijnë dot të dallojnë rëndësinë e saj. Ja një shembull nga Gjermania: Në vjeshtën e vitit 2009, kur hyri në fuqi Traktati i Lisbonës, revista Der Spiegel i kushtoi këtij eventi,  që lidhet me reformat në BE dhe që ndikon tek të gjithë ne, të njëjtën hapësirë sa i kushtoi politikave ekonomike në Bjellorusi dhe një reforme monetare në Korenë e Veriut, siç del edhe nga një studim i përmbajtjes së kësaj reviste (Petersen 2013).
Kjo situatë mund të ketë ndryshuar pas mësimeve që dolën nga kriza financiare e Eurozonës, por kushtet e raportimit në të gjithë BE janë përkeqësuar në mënyrë drastike. Kulturat gazetareske që u krijuan në nivel të shteteve nacionale europiane, janë të gjitha të rrezikuara nga jo-profesionalizmi dhe nga pasiguaria e punës për gazetarët (Schnedler 2013). Publiku – lexues po migron gjithnjë e më shumë në internet dhe ka prirjen që të mos paguajë për gazetarinë. Edhe financimi i gazetarisë së cilësisë së lartë përmes reklamimit, nuk po funksionon më. Industria e reklamave kërkon që t’i arrijë grupet e veta të targetuara pa shumë shpenzime, dhe sajte si Facebook dhe Google ofrojnë një targetim audience që është i pakonkurueshëm (Russ-Mohl 2009, 2013).
Kur redaksive iu duhet të shkurtojnë buxhetet e tyre, ato kanë tendencën që në fillim të shkurtojnë korrespondentët në vendet e tjera. Madje edhe në raste apo çështje specifike, kur kompanive të lajmeve iu duhet të raportojnë më shumë se zakonisht për BE dhe për vendet fqinje të BE, cilësia e raportimit nuk është përmirësuar. Në fakt, kriza e eurozonës duket se ka pjellë një lloj nacionalizmi të ri në të gjithë Europën, me klishe dhe stereotipe që shpërthejnë përmes mediave, në një mënyrë të tillë që ka qënë konsideruar e pamundur disa vite më parë – si përshembull, paragjykimet rreth grekëve apo italianëve si “dembelë dhe të kriminalizuar” apo krahasimet në median e Europës juglindore të kancelares gjermane Angela Merkel me liderë të nazizmit.
Dështimi i përpjekjeve të pakta për të krjiuar një media europiane të dallueshme
Përpjekjet e pakta për të krijuar një media me një zë të vetëm europian në vend të zërave të shteteve nacionale kanë dështuar. Revista e Robert Maxwell “The European”, publikime të tilla si “Lettre international” dhe “Le monde diplomatique”, programe të TV si  Euronews dhe  Eurosport, etj. nuk shihen si histori suksesi. Disa gazeta apo revista të pakta si GEO, Gala apo Auto-Bild, të cilat janë të përkthyera në disa gjuhë dhe janë  përshtatur me lexuesin nacional, nuk po arrijnë dot të krijojnë një sektor të medias pan-europiane. Tregu i ngushtë i gazetave ndërkombëtare në Europë, me përjashtim të Guardian dhe  Financial Times, është mbizotëruar nga titujt amerikanë si USA Today, Wall Street Journal Europe apo  International Herald Tribune (Russ-Mohl 2003), dhe (me një emër të ri) International New York Times.
Në vend të një gazetarie pan-europiane, ne akoma kemi shumë kultura të ndryshme gazetarie në Europë. Për të kuptuar më mirë diversitetin e këtyre sistemeve mediatike, mjafton të hedhim një sy në renditjen vjetore të lirisë së medias (si p.sh. Reporters without Borders 2014) apo në disa projekte studimore krahasuese të kohëve të fundit (Sievert 1998; Hallin/Mancini 2005; Hanitzsch et al 2010; Anagnostou et al. 2010; Fengler/Eberwein 2014). Në renditjen e lirisë së medias, vendet e Europës veriore dhe qendrore si Finlanda (vendi 1), Hollanda (2) dhe Norvegjia (3) zënë tradicionalisht vendet e para; kurse vendet e Europës Jugore apo Juglindore anëtare të BE si Italia (49), Hungaria (64) Greqia (99) dhe Bullgaria (100) renditen të fundit në BE. Projektet studimore krahasuese tregojnë se shumica e variableve që ndihmojnë për të matur cilësitë e sistemeve mediatike dhe të kulturave gazetareske, ndryshojnë shumë nga njëri vend në tjetrin.
Kësisoj gazetaria në Europë vazhdon të jetë një sipërmarrje qartësisht diverse dhe “lokale”. Ajo zhvillohet zakonisht në zonën ku flitet një gjuhë, por edhe në këtë rast shtetet nacionale krijojnë një diferencë: përshembull, kulturat gazetareske gjermane, austriake dhe svicerane, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Në këtë mënyrë krijimi i një gazetarie europiane dhe më tej i një sfere publike europiane duket të jetë një projekt i kotë dhe kundër-produktiv.
Strategji për një media pan-europiane
Por, gjithsesi, kjo s’do të thotë se gjithçka duhet të rrijë siç është. Përkundrazi, çdo strategji që synon të mbështesë “Projektin Europian”, duhet të nisë me komunikatorët në Europë. Vetëm nëse gazetarët dhe profesionistët e tjerë mëndje-hapur të medias do të ndajnë së bashku një sjellje pro-europiane, atëhere projekti pan-europian do të vazhdojë të japë fruta edhe për 50 vitet e ardhshme. Edhe pse kjo mund të duket jo-realiste, ne në Europë kemi nevojë  urgjente për
  • më shumë gazetarë që kanë vullnetin të shohin përtej kufijve lokalë dhe nacionalë, të cilët flasin të paktën dy ose tre gjuhë europiane, që ndjehen si në shtëpinë e tyre, si në një vend të vetëm europian dhe të cilët japin ndihmesën e tyre për të pakësuar paragjykimet dhe jo për të forcuar stereotipet;
  • më shumë gazetarë që janë përshtatur mirë me punën dhe synimet e Bashkimit Europian, veçanërisht me xhunglën administrative të tij në Bruksel  dhe me aktivitetet lobuese atje;
  • një minimum standartesh profesionale, si p.sh.,  për gazetarë të mirëtrajnuar që i respektojnë këto norma, që luftojnë për lirinë e medias dhe që janë të ndërgjegjshëm se liria e medias ecën krah për krah me përgjegjësinë e medias dhe me sistemet mirë-funksionale të vetë-kontrollit në plan afatgjatë  (Fengler et al. 2014); dhe
  • më shumë mbulim mediatik i vetë medias dhe gazetarisë – i cili do të ndihmojë gjithashtu profesionistët e medias që të mësojnë nga njëri-tjetri, duke tejkaluar barrierat gjuhësore dhe kufijtë kulturorë.
Gjatë trajnimeve në gazetari dhe gjatë programeve për avancim në karrierë, barrierat gjuhësore e bëjnë të vështirë që gazetarët të shohin përtej kufijve nacionalë. Megjithatë, falë programit Erasmus dhe shkëmbimeve të tjera, bashkëpunimi ndërkombëtar mes disa prej shkollave të gazetarisë po vjen duke u rritur. Të menduarit europian dhe standartet e përbashkëta minimale europiane të profesionit të gazetarit, mund të zhvillohen më mirë në mjedise institucionale, ku gazetarët e rinj mund të mblidhen së bashku për të shkëmbyer ide dhe për të reflektuar për profesionin e tyre si dhe për të ardhmen e Europës, si përshembull
  • në programe europiane bursash për gazetarët (Reuters Institute for the Study of Journalism, Oxford University; European Journalism Fellowships, FU Berlin);
  • në qendra europiane të zhvillimit të karrierës (European Journalism Centre in Maastricht) dhe në universitete europiane – edhe pse këto janë vetëm një pikë ujë në oqean. Në mënyrë të veçantë, është e çuditshme se si universitete europiane si Viadrina në Frankfurt/Oder apo  European University Institute në Firence, nuk ofrojnë asnjë program që të targetojë gazetarët e së ardhmes;
  • në studimet krahasuese për gazetarinë, të cilat janë zgjeruar dukshëm gjatë viteve të fundit dhe që duhet të zgjerohen më tej, përshembull, përmes shkollave doktorale multidisiplinore europiane për studimet në media.
Ky program mund të konsiderohet si një program elitist. Megjithatë, projekti europian ka qënë përmirësuar gjithmonë nga elitat. Përgjithësisht gazetaria në Europë është në të tatëpjetë dhe inisiativa të tilla mund të ndihmojnë për të rinisur ngjitjen. Një nga sfidat për politikën europiane është fuqizimi ekonomik dhe përqëndrimi i pushtetit në sektorin e  medias, që vë në rrezik diversitetin dhe konkurencën. Një sfidë tjetër është krijimi i “infrastrukturës”, që do të thotë: inisiativa dhe institucione në të gjithë Europën të cilat do të forconin themelet profesionale të gazetarisë në Europë edhe në kushtet e vështirësive ekonomike në rritje. Për të arritur këtë, BE duhet t’i imponojë vetes rregullin që për çdo euro që shpenzon për reklamimin apo marrëdhëniet publike të BE – përfshi edhe manipulimin e sondazheve (Kühn 2012), të shtojë edhe të paktën dy euro për fondin që do të financonte një infrastrukturë të tillë. Kjo do t’a ndihmonte gazetarinë që të përmirësohej dhe do të reduktonte në një nivel të pranueshëm shpenzimet e taksapaguesve të BE për vetë-promovim.
Gjithsesi, do të ishte naive që të prisje shumë nga institucionet e BE. Pa përfshirjen e shoqërisë civile, pa financimet private, pa idealizëm dhe vullnet vetë-veprues të liderëve të opinionit (siç janë gazetarët dhe studjuesit e gazetarisë), ne nuk do t’ia dalim të ndërtojmë një Europë të re. Dhe në fund, por jo nga rëndësia, ne duhet të krijojmë rrjete që funksionjojnë përtej barrierave gjuhësore dhe kulturore. Ky është edhe roli qëndror i Observatorit Europian të Gazetarisë.
Observatori Europian i Gazetarisë (The European Journalism Observatory -EJO) (drejtor i të cilit unë jam) është shembulli i një projekti të tillë. EJO ndihmon gazetarët, menaxherët e medias, akademikët dhe njerëz të tjerë të interesuar për median që të përditësohen me zhvillimet e shpejta në skenën e dixhitalizimit dhe konvergjencës së medias.  Ajo vëzhgon prirjet në gazetari dhe në studimet për median. EJO ndërton ura mes gazetarëve nga kultura të ndryshme në Europë dhe SHBA dhe mes studjuesve dhe profesionistëve të medias si dhe kontribuon në përmirësimin e cilësisë së medias dhe në një kuptim më të mirë të publikut për median.
Projekti nisi dhjetë vjet më parë në Universitetin e Luganos në Zvicër. EJO është kthyer në një rrjet të institucioneve partnere në 10 gjuhë të Europës dhe nga 13 vende – mes tyre janë edhe Reuters Institute for the Study of Journalism i Universitetit të Oxfordit, Erich Brost Institute for International Journalism i Universitetit të Dortmundit, Turiba University në Riga, University of Wroclaw si dhe Universiteti i Tiranës. Interneti është bërë një vend kyç për shkëmbimet profesionale të informacionit dhe EJO ka lindur që në momentin e parë si një platformë online. Me websajtet e  veta (http://en.ejo.ch/www.ejo-online.eu), dhe llogaritë në Facebook, Google+ dhe Twitter, EJO jo vetëm i shpërndan artikujt e vet në 10 gjuhë, por gjithashtu përhap edhe informacion tjetër relevant si dhe i lidh vizitorët e vet me websajte të tjera interesante. Editorët e secilit websajt vendosin se cili nga tekstet do të përkthehet në gjuhën e tyre.
Vizioni i EJO është që të zgjerojë platformën e vet shumëgjuhëshe dhe të bëjë të aksesueshme për profesionistët e medias gjetjet relevante dhe rezultatet e studimeve në media dhe gazetari. Websajti i çdo vendi fokusohet në kulturën e vet gazetareske, por gjithashtu boton artikuj të përkthyer nga websajtet partnere, duke iu dhënë lexuesve një panoramë të skenës mediatike europiane. Kjo është një nga platformat më të lira që u ofron  gazetarëve akses në informacionin përkatës dhe që inkurajon profesionistët e medias që të reflektojnë rreth profesionit të tyre. Funksioni i arkivës ndihmon që të krijohet një burim i cili qëndron përkrah produkteve të tjera më të shtrenjta që ofrojnë shërbime të ngjashme.
Shumica e fondeve të projektit vijnë nga një vend që nuk është anëtar i BE. Megjithatë, Europa mund të mësojë shumë prej kooperimit konstruktiv përtej barrierave gjuhësore të këtij vendi – të Zvicrës. Fondacioni i Corriere del Ticino, gazeta më e madhe rajonale në pjesën italisht-folëse të Zvicrës, e ka mbështetur EJO-n që në themelimin e saj në 2004. Nga ana tjetër Swiss National Science Foundation ka ofruar financim për 6 websajte të Europës Lindore të EJO nga viti 2011 në 2013 dhe vazhdon të financojë pjesërisht aktivitetin e EJO në Zvicër. Mes mbështetësve të projektit nga Gjermania janë edhe Stiftung Presse-Haus NRZ, Robert Bosch Stiftung dhe FAZIT-Stiftung. Megjithatë, duke parë burimet e financimit, EJO është larg së qeni një projekt i vërtetë europian.
Krijimi i një hapësire të re europiane për gazetarinë
Sido që të jetë, është një hap i parë drejt krijimit të një hapësire publike europiane rreth gazetarisë dhe medias – të paktën për gazetarët, menaxherët e medias, studjuesit e medias dhe ekspertë të tjerë të medias si dhe për brezat e ardhshëm të profesionistëve në këto fusha. Ekziston akoma shpresë se agjensitë e financimit të studimeve do të ndryshojnë politikën e tyre dhe do të krijojnë stimuj më të shumtë për studjuesit që të bashkëpunojnë në projekte të ngjashme. Cilido që merr fonde publike për projekte kërkimore-studimore duhet gjithashtu të ketë detyrimin që t’i lejojë akses publikut në rezultatet e kërkimit dhe studimit. Nëse një studjues aplikon për një projekt të ri, institucionet financuese duhet të pranojnë që, nëse rezultatet e studimit të tij apo të saj botohen në tre kolona të gazetave të respektuara si Guardian apo Frankfurter Allgemeine Zeitung, atëhere kjo është po kaq e rëndësishme sa edhe botimi në një revistë peer-review, e cila mund të lexohet vetëm nga një numër shumë i vogël dhe i specializuar i një target-grupi. Në të kundërt, shumë prej rezultateve të studimeve do të mbeten në raftet e pluhurosura të bibliotekave apo do të zhduken në depozitat e webit, në vend që të ishin publikisht të aksesueshme dhe t’u shërbenin profesionistëve.
Kuptohet, as gazetaria europiane dhe as sfera publike europiane, nuk do të përfitonin nga një aktivitet i vetëm. Gjithsesi, nëse rrjeti i EJO do të vazhdojë të  lulëzojë dhe nëse fonde të mëtejshme do të sigurohen, ai do të ndihmonte në përmirësimin e komunikatorëve në të gjithë Europën. Platforma të tjera të ngjashme mund të ndihmonin që të përfitohej më shumë nga rezultatet e studimeve në fusha të tjera, duke shpërndarë praktikat më të mira dhe duke implementuar standarte profesionale minimale përtej barrierave gjuhësore.
Në mënyrë të veçantë rrjetet sociale ofrojnë mundësi komunikimi të pashfrytëzuara për inisiativat dhe institucionet europiane. Komunikimi mes gazetarëve si dhe mes studjuesve të medias mund të përmirësohet nëse ka më shumë shkëmbim informacioni. Në një plan afatgjatë, ne mund të shpresojmë që të krijojmë një kulturë gazetarie europiane të larmishme, e cila do të mund të rivalizonte edhe gazetarinë më të mirë amerikane.
Beteja te reja janë përpara për gazetarinë në Europë dhe për vetë BE, por rritja e komunikimit shumëgjuhësh, shumëplanësh mes gazetarëve, studjesve dhe liderëve të tjerë të opinionit, mund të na ndihmonte të gjithë ne që të mbijetonim edhe në kohët më të vështira.
Përktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri
Një version më i hershëm i këtij artikulli u botua në revistën gjermane, Gegenworte.
Photo credit: Spyros Papaspyropoulos / Flickr Cc
Referencat
Anagnostou, Dia et al. (2010) Background information report. Media policies and regulatory practices in a selected set of European countries, the EU and the Council of Europe. Available online at http://www.mediadem.eliamep.gr/wp-content/uploads/2010/05/BIR1.pdf, accessed on 3 January 2014
Castle, Stephen (2010) As the EU does more, fewer tell about t, International Herald Tribune, 22 March 22. Available online at http://www.nytimes.com/2010/03/23/business/global/23press.html?_r=0, accessed on 3 January 2014
Dolna, Veronica (2013) Europa ohne Europäer, Die Furche, 27 June p. 3
Enzensberger, Hans Magnus (2010) Wehrt euch gegen die Bananenbürokratie!, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 3 February p. 27
Fengler, Susanne/Eberwein, Tobias (2013) Zahnlos und lahm?, JournalistikJournal, Vol. 16, No. 1/Frühjahr pp 35-38
Frey, Bruno (2012) Weg mit dem Nationalstaat, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 24 November. Available online at http://www.faz.net/aktuell/wirtschaft/europas-schuldenkrise/europas-zukunft-weg-mit-dem-nationalstaat-11970938.html, accessed on 3 january 2014
Grimm, Dieter (1992) Der Mangel an europäischer Demokratie, Der Spiegel, 19 October. Available online at http://www.spiegel.de/spiegel/print/d-13679731.html, accessed on 14 January 2014
Hallin, Daniel C. and Mancini, Paolo (2005) Comparing media systems: Three models of media and politics, Cambridge, Cambridge University Press
Hanitzsch, Thomas et al. (2011) Mapping journalism cultures across nations: A comparative study of 18 countries, Journalism Studies, Vol. 12 pp 273-293
Jarvis, Jeff (2013) There are no journalists, Buzzmachine, 30 June. Available online at http://buzzmachine.com/2013/06/30/there-are-no-journalists-there-is-only-journalism/, accessed on 6 January 2014
Kühn, Oliver (2012) Waren Sie heute schon europafreundlich? Selbstbetrug und Manipulationen: Die EU in ihren eigenen Statistiken, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 7 November p. N4
Kus, Michal et al. (2013) Die Rückkehr der Patrons Neue Zürcher Zeitung, 13 August
Marconi, Cristina (2011) Does the watchdog bark? The European Union, the Greek debt crisis and the press, Reuters Institute for the Study of Journalism. Available online at https://reutersinstitute.politics.ox.ac.uk/about/news/item/article/does-the-watchdog-bark-the-europea.html, accessed on 6 January 2014
Neyer, Jürgen (2013) Europa: Integration und demokratie, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 8 April p. 7
Nonnenmacher, Günther (2005) Das publikum verlässt den saal, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 13 June p. 1
Petersen, Thomas (2013) Das vertrauen in die EU wächst, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 17 July p. 8
Reporters without Borders (2013) Press Freedom Index. Available online at http://en.rsf.org/press-freedom-index-2013,1054.html, accessed on 6 January 2014
Russ-Mohl, Stephan (2003) Towards a European journalism? – Limits, opportunities, challenges, Studies in Communication Sciences/Studi di scienze della comunicazione, Vol. 3, No.2 pp 203-216
Russ-Mohl, Stephan (2009) Kreative zerstörung: Niedergang und neuerfindung des zeitungsjournalismus in den USA, Konstanz
Russ-Mohl, Stephan (2013): Vom qualitätsjournalismus zu zeiten des internet, brochure, Berlin, Daimler und Benz Stiftung, Available online at http://de.ejo-online.eu/9881/ethikqualitatssicherung/vom-qualitatsjournalismus-zu-zeiten-des-internets, accessed on 6 January 2014
Schmidt, Manfred G. (2010) Hat die Europäische Union ein demokratiedefizit? Demokratietheorien: Eine Einführung, Wiesbaden, VS-Verlag, fifth edition pp 399-411
Schnedler, Thomas (2013) San precario an der Weser, Message, No. 3 pp 36-39
Sievert, Holger (1998) Europäischer journalismus: Theorie und empirie aktueller medienkommunikation in der Europäischen Union, Wiesbaden, VS Verlag für Sozialwissenschaften
Sloderdijk, Peter (2013) Anmerkungen eines nicht mehr unpolitischen, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 19 June p. 28
Verheugen, Günter (2005) Europa in der krise: Für eine neubegründung der europäischen idee, Köln, Kiepenheuer und Witsch
Wohlgemuth, Michael (2007) Einheit in vielfalt: 50 Jahre europäische ordnungspolitik, Frankfurter Allgemeine Zeitung, 17 March p. 11

Related

Top Lajm 7866440594130273095

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item