Pas Fushatës, Kaluan Premtimet – Presim zhvillimet

Abdylmenaf Bexheti BDI-ja projekton 800-1.2 miliardë euro investime të huaja direkte për 4 vitet e ardhshme! Me përfshirjen e biznesmenit ng...

Abdylmenaf Bexheti


BDI-ja projekton 800-1.2 miliardë euro investime të huaja direkte për 4 vitet e ardhshme! Me përfshirjen e biznesmenit nga India, Subrata Roj, edhe unë pajtohem me këtë “matematikë” politike. A e di BDI-ja se për pesë vitet e fundit janë thithur më pak se 200 mil. euro në vit (bile 2012 kaloi me 75 mil. euro investime)? Prej ku do arrijë norma bruto e investimeve 27-31% në vit, kur në 10 vitet e fundit mesatarja ka qenë rreth 20%?
Tashmë dy muaj të këtij viti gjendemi, për të katërtën herë në dekadën e fundit, në fushatë elektorale parlamentare dhe në vazhdimësi kemi dëgjuar lavdërime, premtime dhe “lulëzime” për Maqedoninë si parajsë ekonomike tani dhe në perspektivë! Partitë më të mëdha dhe financiarisht të fuqishme i kanë pasur gjithë motorët e marketingut të ndezur dhe në intensitet maksimal. Që nga rekuizitat politiko-partiake, e deri te shpërndarjet e “beneficioneve” ditore për aktivistët dhe militantët, por edhe për financimin dhe blerjen klasike të votave – një fenomen i njohur në teori si loglloring (tregtim me votat elektorale), ka vazhduar kështu avazi i financimeve elektorale joformale dhe askush për askënd nuk jep llogari. Përderisa vetë kryeministri nuk ndërton standarde të llogaridhënies, nuk mund të pritet se të tjerët do të mund të detyrohen t’i përfillin ligjet që e sanksionojnë këtë sferë. Derisa ky standard nuk arrihet, vlerësimi i zgjedhjeve si të drejta dhe demokratike mbetet vetëm demagogji dhe retorikë boshe! 
Në përgjithësi…
Para dhe përgjatë fushatës elektorale ka pasur edhe kërkesa për angazhime e konsultime që nga ato të përpilimit të programeve, e deri te pjesëmarrjet në debate “të finguara” me asociacione dhe shoqata të (pa)varura (me dhe pa vetëdijen e tyre), por për të mos marrë anë politike dhe për ta ruajtur ekuilibrin e baras-distancës, së paku kur janë në pyetje këto çështje sensitive, nuk kemi publikuar analiza konkrete rreth ofertave politike të subjekteve, në veçanti të atyre shqiptare.
Dy partitë më të mëdha, bartëse të pushtetit tashmë një dekadë, që nga fillimi i “demokracisë” deklarative, përpiluan “programe” politike që peshonin mbi 1 kilogram dhe kontribuuan ekonomikisht në industrinë e letrës dhe grafikës. Më se gjysma e 300-400 faqeve të programeve të VMRO DPMNE-së dhe BDI-së ishin përshkrime dhe lavdërime për përmbushje të objektivave politike të deritanishme. Shumë ngjashmëri në përshkrimin narativ të “përmbushjeve” dhe në grafikën vizuale të statistikave makroekonomike të periudhës 8-vjeçare. Duket qartë se njëra palë ka përshkruar nga tjetra, pa qenë e rëndësishme se kush prej kujt! Bile shumë projekte ishin “copy paste” të prezantuara edhe pse destinoheshin për “konsumatorë politikë” të segmentuar mbi baza etnike – e para “ua shet” maqedonasve, ndërsa e dyta shqiptarëve. Shfrytëzimi i statistikave ekonomike të fabrikuara me dallime dhe diskrepanca marramendëse për funksion të pasqyrimit të trendeve pozitive ka qenë në vazhdimësi “teknik” e DPMNE-së, por tani si duket ky instrument “funksional” është pëlqyer edhe nga BDI-ja. Dhe, pse jo, kur kjo funksionon te votuesit e dezinformuar?! Kush dyshon në këtë konstatim, le ta lexojë Indeksin e prodhimtarisë industriale për muajin janar 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë (u “rrit” 6,4%), ndërkohë që janari i vitit 2014, krahasuar me mesataren e gjithë vitit 2013, ishte në nivel 84,7% (pra 15,3% më pak)! Prandaj shtrohet pyetja: kur gënjeu statistika zyrtare – atëherë, tani apo gjithmonë?
“Margaritarë” të shumtë kemi dëgjuar dhe “konsumuar” në ofertat ekonomike të këtyre subjekteve. Partia e kryeministrit ka ofruar pa limit “mjaltë dhe qumësht” edhe për shtresat më të goditura dhe ato të përjashtuara shoqërore. Në çdo cikël zgjedhor djathtistët dhe konservatorët e DPMNE-së, më shumë se majtistët ekstremë, kujdesen për llogaritë e papaguara të shtresave sociale, bile edhe për ata që kanë marrë hua nga bankat komerciale. Është ky një paradoks i paparë në historinë e ekonomisë së tregut. Është prishje absolute e tregut po nga ata (djathtistët) që duhet të kujdesen për tregun si mekanizëm i shenjtë i ekonomisë konkurrente. Kjo papërgjegjësi e kompensimit të konsumit privat (të parregulluar – no adjusted) me paratë publike është vetëm fenomen i privatizimit të mandatit dhe solidaritetit, bile për efekte elektorale njëpartike. Imagjinoni plus këtë në kushtet e një shoqërie multietnike, multikonfesionale dhe multikulturore! 
Prandaj nuk ia vlen më tej të komentohen përcaktimet programore të DPMNE-së së papërgjegjshme. Një strukturë politike që ia lejon vetes këtë luks, është në gjendje të bëjë çmos. “Prej kujt vjen, bile pak është”, thotë populli!
“Alkimia ekonomike” e BDI-së
Megjithatë, t’i elaborojmë pak projeksionet dhe ofertën ekonomike “shqiptare”, që e ofroi BDI-ja. Fillimisht, për korrektësi, duhet theksuar se kjo përmbledhje paraqet një dizajnim vizual të shkëlqyer, tamam si i ka hije një partie politike mbi 10 vjet në qeverisje (për nga fuqia financiare e saj). Strukturimi po ashtu me një radhitje logjike dhe në formë nuk dallon nga një ofertë programore përcaktimore e Perëndimit. Pra, forma, dizajni, radhitja dhe përpunimi grafik janë për çdo lëvdatë. Por, përmbajtja është krejt tjetër. Kur kësaj i shtohet mungesa e besueshmërisë dhe kredibilitetit (profesional dhe shkencor e jopopullor), për hir të dështimeve në të kaluarën, normalisht që vlera e “programit” mbetet vetëm në modelimin e formës. Që nga viti 2002 ata kanë pasur mbi 10 vjet qeverisje, gati krejt të vazhdueshme, por në fazën e kapitalit më të fuqishëm politik ata nuk ia dolën t’i realizojnë gjërat më bazike. Prandaj si t’i besohet një oferte që duhet ta realizojë një strukturë e “tupitur” dhe me forcë të relativizuar në shumë aspekte. Kur ata nuk e zgjodhën statusin e atyre që i sollën në pushtet, çka mund të presin të tjerët. Në këtë vrojtim narrativ do ndalem vetëm në disa aspekte të përcaktimeve programore ekonomike të BDI-së.
Në kushte kur më se gjysma e strukturave më të larta politike (një nga një) janë kapur nga shteti dhe bile në flagrancë, edhe nga opozita, siç shpesh raporton Revizori Shtetëror, pastaj kur vlon nepotizmi, familjarizmi e jarania fisnore gjatë punësimeve partiake dhe me “tarifa”, e deri te kompensimet financiare të pjesëtarëve të ligjvënësit nga ekzekutivi për “rolin” e tyre këshillëdhënës (konflikt interesi dhe konflikt klasik institucionesh), krejt kjo s’ka si cilësohet ndryshe, përveç si moral i dyfishtë në qeverisje. Kjo më së paku është mirëqeverisje. Qytetarët paguajnë për shërbime me të mira dhe jo me të këqija publike (public goods not public bads)! 
Projeksionet e zhvillimeve ekonomike për 2014-2018 së paku duhej të bazoheshin në “supozimet” e qëndrueshme si çdo parashikim serioz dhe i besueshëm. Të projektoni normë rritje ekonomike 4-7%, pra me një variacion rreth 75%, për ekonomistët është qesharake! Pra, nuk kemi kurrfarë shpjegimi se ku bazohet ky projeksion, cilët janë faktorët bartës, çfarë strukture sektoriale dhe regjionale ka kjo rritje etj. Në anën tjetër bartësi i politikave ekonomike (në këtë rast DPMNE-ja) parasheh normë deri 6%. Prandaj, si mund të dalë “vagoni para lokomotivës”? Mbase këto edhe dalin! Në mesazhin parazgjedhor, ku kemi interesa direkte të politikës ditore, edhe vetë kryeministri manipuloi me fuqinë e tij vendimbërëse dhe me paaftësinë e partnerëve për “të marrë hisen” e merituar. Bile, edhe këtë qe e paskemi “fituar”, na qenka dhuratë prej tij!
A e di BDI-ja sa thellë është futur Maqedonia (në borxh publik)? Mbi 12% e PBB-së për 5 vitet e fundit të qeverisjes tyre (dhe kjo vetëm zyrtarisht!). A e di BDI-ja se deficiti fiskal në vitin 2014 do të tejkalojë 4,5% të PBB-së? Vetëm këto dy indikatorë fiskalë rritës paraqesin mbi 1 miliard euro tanimë të shpenzuara për aventura dhe shpenzime publike joproduktive. Sa hapësirë fiskale ka mbetur që të projektoni deficit 2-3%? Dhe, krejt në fund, a e di BDI-ja se vetëm në vitin e fundit (shkurt 2014 krahasuar me shkurt 2013) shteti ka shpenzuar mbi 300 mil. euro rezerva devizore?
BDI-ja projekton 800-1.2 miliardë euro investime të huaja direkte për 4 vitet e ardhshme! Me përfshirjen e biznesmenit nga India, Subrata Roj, edhe unë pajtohem me këtë “matematikë” politike. A e di BDI-ja se për pesë vitet e fundit janë thithur më pak se 200 mil. euro në vit (bile 2012 kaloi me 75 mil. euro investime)? Prej ku do arrijë norma bruto e investimeve 27-31% në vit, kur në 10 vitet e fundit mesatarja ka qenë rreth 20%?
Punësimet e reja me projeksion 40-60.000 mijë, nëse do përfshihen edhe maqedonasit, mbase edhe mund të arrihen! Nëse u referohemi statistikave historike për realizimet gjatë 10 viteve të qeverisjes, lehtë do mund të projektojmë pritshmërinë për mandatin e radhës!
Margaritari i BDI-së (për të mos thënë nebuloza) qëndron te projeksioni i rrogës mesatare bruto për katër vitet e ardhshme prej 500-600 euro ose prej 30.750 deri 37.000 denarë në muaj (faqja 87 e programit). Me këtë absolutisht pajtohem, edhe pse unë do të isha pak më optimist se ky projektim! Do ishte mirë t’i shfletojnë po ato statistika zyrtare dhe publikimi i fundit (në momentin e shkrimit të kësaj analize) për muajin janar 2014 shkonte në nivel të shtetit rreth 34.000 denarë! Kjo do të thotë se BDI-ja parasheh “perspektivë” regresive në pagat bruto mesatare, me të cilat do t’i bëjë të lumtur “konsumatorët e vet” politikë. Edhe kjo është e realizueshme! 
Për fund do të themi se më i rëndësishëm është modeli i zhvillimit ekonomik në simetri të modelit dhe strategjisë së BE-së për 2020. Modeli ekonomik i BE-së mbështetet në faktorin bazë të rritjes ekonomike (faktori i përgjithshëm i produktivitetit-TPF – Total Productivity Factor), i cili merr pjesë me 40-50% (te vendet me zhvillim të mesëm edhe 35-40%), kurse në Maqedoni vetëm 14%! Vallë me këtë strukturë faktoriale do të bazohemi në simetrinë strategjike të rritjes ekonomike me BE-në? Ekonomistët e dinë saktë çka do të thotë kjo (natyrisht, nëse ekonomistët e kanë shkruar këtë program)! Këtu edhe me Gruevskin nuk janë harmonizuar – mos vallë kanë fuqi të imponojnë model dhe paradigmë autentike të zhvillimit ekonomik. Aq më shumë kur e dimë se ai vazhdon ta mbështet rritjen ekonomike në arsim, teknologji, inovacione,…! 
Me 2-3 faqe vështirë vrojtohen të gjitha “alkimitë ekonomike” të BDI-së, sepse ndoshta ata e kanë dioptrinë e tyre tash e 10 vite në qeverisje me po të njëjtat kuadro, por këto projeksione ia vlen të debatohen me shumë mirëkuptim e pa asnjë relacion interpersonal. Ne nuk mund të heshtim kur nënvlerësohet populli! Intelektuali nuk duhet vetëm ta dijë, por duhet edhe të marrë guxim dhe në formë të argumentuar ta shpreh atë!

Related

Opinione 4977658745903738051

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item