OLIGARKU / Poroshenko, “mbreti i çokollatës” kërkon Presidencën

Mark Franchetti Korrespondent i “Sunday Times” ne Moske I konsideruar një prej më të pasurve të Ukrainës, dhe një i mbijetuar i politikës së...

Mark Franchetti
Korrespondent i “Sunday Times” ne Moske

I konsideruar një prej më të pasurve të Ukrainës, dhe një i mbijetuar i politikës së pabesë në këtë vend, Petro Poroshenko është mësuar të ketë sukses në një ambient armiqësor. Por “Mbreti i çokollatës”, siç është pagëzuar miliarderi i ëmbëlsirave është shumë pranë marrjes së postit politik më pak për t’u patur zili në botë: president i Ukrainës.
Njeriu që të gjithë e konsiderojnë fitues të sigurtë në zgjedhjet e të dielës së ardhshme, Poroshenko, i cili e ka ndërtuar pasurinë në kaosin e rrezikshëm që vendi i tij përjetoi në vitet e postkomunizmit, nëse do të arrijë të fitojë, do të përballet me një sfidë që bën të dridhen venat dhe kyçet: shpëtimi i Ukrainës. Me një rebelim të dhunshëm separatist në qytetet e Lindjes dhe një krize financiare të paprecedentë, presidenti miliarder do të ketë nevojë për të gjithë mprehtësinë e tij politike dhe financiare, nëse do të dojë që të shmangë zhytjen e vendit në një konflikt civil, apo të shkojë drejt një falimenti.
Sipas sondazheve të fundit, Poroshenko mund të triumfojë me 50% të votave. Julia Timoshenko, ish kryeministrja kontroverse dhe një prej aktoreve kryesore në skenën politike të vendit për më shumë se një dekadë, ka mbetur në nivelin 11%, një rezultat që mund të shënojë fundin e karrierës së saj politike. “Duket se Poroshenko do të jetë presidenti i ardhshëm i Ukrainës”, ka deklaruar një prej ish ortakëve të tij në biznes. “Ky është një rezultat i mirë, edhe duke marrë parasysh faktin që pas më shumë se 15 vitesh në politikë, Poroshenko nuk është një fytyrë e re, por në këtë moment ajo e presidentit të Ukrainës është detyra më e keqe e mundshme”.
Një element kyç për të ardhmen e vendit do të jetë mënyra se si Poroshenko – pasuria e të cilit vlerësohet 1.6 miliardë dollarë – do të rivendosë marrëdhëniet me Rusinë. Pas pushtimit të Krimesë dhe strategjisë së tensionit në Ukrainën lindore, nga fillimi i majit presienti rus Vladimir Putin ka nisur atë që shumë analistë e kanë quajtur një tërheqje taktike. Putini, popullariteti i të cilit është ngjitur në qiell pas blicit në Krime, u ka bërë thirrje separatistëve rusë në Ukrainën lindore që të shtyjnë referendumin për pavarësi nga Kievi.
Zgjedhjet farsë u zhvilluan gjithësesi, por nuk morën mbështetje zyrtare nga Kremlini. Për herë të parë madje, Putini e ka quajtur votimin e të dielës “një hap në drejtimin e duhur”. Deri tani, Kremlini ka dërguar mesazhe kundërthënës për mënyrën si do i presë rezultatet, por burime të brendshëm kanë bërë të ditur se Moska mund të pranojë, ndonëse e rezervuar, një fitore të mundshme të Poroshenkos, duke hapur kështu rrugën për bisedime në të ardhmen, në lidhje me fatin e rajoneve filoruse në lindje të Ukrainës. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov deklaroi javën që kaloi se e pranon që Poroshenko “nuk është një fashist”, një term që zakonisht e ka përdorur për të përshkruar anëtarët e qeverisë së përkohshme në Kiev. “Jemi gati për dialog me këdo”, ka shtuar më tej Lavrovi.
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Related

Ukraina 8450233906920237111

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item