Një poezi kushtuar dëshmorit Shaban Zenuni në përvjetorin e vrasjes

Nga  Lirim Alija   Dëshmorët nuk vdesin asnjëherë...është kjo një thënie që çdo liridashës kudo nëpër kohë e nëpër botë, jo vetëm e shprehin...


Dëshmorët nuk vdesin asnjëherë...është kjo një thënie që çdo liridashës kudo nëpër kohë e nëpër botë, jo vetëm e shprehin, por edhe kanë krijuar bindjen se kjo është shumë e vërtetë. Kjo është e konfirmuar edhe në Librat e Shpallur, sidomos në Kur'an.
Ndërkaq, shumica, që të jenë më kredibil, kërkojnë ndonjë mrekulli, pra të bëjnë "tokëzimin" e atyre gjërave të shenjta dhe qiellore.
Mirëpo, jam i bindur se shumicës nga ne, na ka ndodhur të humbim ndonjë person të dashur, i cili, sa do kohë e gjatë të kalojë, ai nuk na hiqet nga kujtesa. A nuk kemi thënë shpesh me veten: "assesi nuk më harrohet, e ndjej se është akoma gjallë, në ënderr dhe zgjuar, ai është gjithmonë me mua"...dhe pikërishtë këto janë ato dëshmi për gjallërinë e tyre, në veçanti të dëshmorëve.
Mua kjo më ka ndodhur me të ndjerin, mikun e paharruar Shaban Zenuni.
Më besoni, prej asaj dite që iku nga kjo botë, deri sot që mbushen 4 vjet, nuk ka kaluar ditë dhe orë pa e kujtuar ate, pa "biseduar" me te. Aq forcë të madhe ka ky efekt, sa që edhe fjalët që i kam radhitur në këtë poezi, kam përshtypjen se vërtetë janë të tij që çdo ditë m'i rrëfen.

Lirim Alija dhe dëshmori Shaban Zenuni


MESAZHI I DESHMORIT 
(Poezi, kushtuar Shaban Zenunit)

Edhe pse kaluan shumë vite
Nga dita që s'jam në mesin tuaj
Por do ketë njerëz me virtyte
Që s'do lejojnë të ndjehem i huaj

Për ndonjërin do ketë kohë
Vdekjen time ta quaj sublime
Me krenari, në një ditë si kjo
Të mbetem gjithmonë në kujtime

Ju do thoni, me zemër të plasur
E pamundur për mua të flas
Por atyre, që vërtet më kanë dashur
Në ndjenja prore do ju trokas

Mungesa ime plagë ju ka hapur
Ty nënë e dashur dhe miqëve të mi
Po Zoti do ishte më i kënaqur
Nëse vajin e ktheni në lumturi

E kuptoj nëpërmjet lotit
Se dhimbja juaj është e rëndë
Po s'kish më ëmbël se n'emër të Zotit
Të vdesish për vendin tënd

Jeta mes jush e shkurt qe
Si gjërat që zgjasin një çerek ore
Fakti që rash viktimë për atdhe
Do shkëlqej si ngjyra ylberore

Tani kam tjetër uniformë
Nga plagët aspak nuk vuaj
Gjaku që derdha bëhet aromë
Që shpërndahet në Pranverën tuaj

Gjallërinë time asnjëherë
S'keni mundësi për ta kuptuar
Ndërmjet dëshmorëve të tjerë
I Madhërishmi më ka rreshtuar

Askush prapa s'mund të na kthej
As dëshprimi juaj sa një mal
Idea për hakmarrje mos t'u rrëmbej
Se është më i mirë ai që fal

Gjestet tua aspak të natyrshme
Se dhimbja me heshtje nuk hiqet
Sjallja juaj tepër e çuditshme
Neve na vranë, ndërsa ju vdiqët

Mos e humbni drejtpeshimin
qëndroni me bindje si hekur
Ata që tradhtuan dhe bënë krimin
Më shumë se ne, janë të vdekur

Duhet të përkulen para së vërtetës
Të rrëfehen duke bërë pendime
Nëse nuk i mbyt zëri i ndërgjegjes
Zoti do i bëj copa e thërrime

Gjërat që më lëndojnë më shumë
Dhe më vrasin me të vërtetë
Janë fyerjet që vërshojnë si lumë
Të thëna nga disa kokëshkretë

Ata që flasin gjërat pa i ditur
E në nderin tim ngulin thika
Lëkurën armikut ia kanë shitur
Për pasurimin e tyre apo nga frika

Gjithësecili duhet ta kuptojë
Jeta në tokë është kalimtare
Do vij në ditë, nuk do vonojë
Do peshohen nëpër kandare

Nëse më dëshironi afër jush
E të ndjehem si ju i gjallë
Bëhuni të suksesshëm në çdo fushë
Duajeni të drejtën si sytë ne ballë

Qëllimet e jetës s'kanë tjera shtigje
Të ecni përpara me të vërtetën
Se çdo gjë njerëzore, tërë ato ligje
Para Zotit si shkumë do treten

Vetëm me përpjekje dhe lexim
Horizontet e dijes do ju zgjerohen
Rrugët do t'i keni plotë ndriçim
Armiku dhe tradhtarët do të rrëzohen

Lirim Alija.. dhjetor, 2013 Itali

Shënim:
Të nderuar lexues, kjo poezi modeste u kushtohet të gjithë dëshmorëve tjerë që nuk kursyen jetën e tyre gjatë luftës së 2001-shit dhe pas saj...Mirëpo, ky mesazh, këto fjalë dhe dhimbje të shprehura nëpërmjet kësaj poezie, natyrisht që janë të mikut tim të paharruar, komandantit legjendar Shaban Zenuni, i cili në këtë ditë para 4 vitesh, vritet barbarisht bashkë me Harun Aliun dhe dy shokë tjerë.

Miq të nderuar dëgjova se nesër, në shenjë përkujtimi do të ketë një tubim te vendlindja e tij. Me që nuk kam mundësi të jem prezent, do dëshiroja që në vend të luleve, dikush ta lexojë këtë poezi.



Intervistë e huazuar

Intervistë ekskluzive me tekstshkruesin e këngëve 
të para të Elitës 5 , Lirim Alija (E plotësuar me informacion të ri)



Lirim Alija

Lirim Alija është nga F. Çiflik i Tetovës.Në vitet `90 ndërpreu studimet në Fakultetin Filologjik të Prishtinës, dega Pedagogji, për të emigruar në Itali.Tani iu është rikthyer studimeve dhe ka vazhduar me korrespodencë studimet për italisht në Universitetin Shtetëror të Tetovës .Është tekstshkrues i këngës së famshme të Elitës 5 Al Kapone dhe i disa këngëve të tjera të këtij grupi. Elita 5 sot është në piedestal dhe mbase do duhej që t`i shpreh një mirënjohje të veçantë tekstshkruesit të saj të parë, duke mbajtur një koncert madhështor vetëm për të!

“Tetova Sot”: Kur keni filluar të shkruani dhe si erdhi deri te bashkëpunimi me grupin muzikor Elita 5?

Lirim Alija: Kam filluar të shkruaj që në vitet e gjimnazit dhe në ato vite edhe kam botuar ndonjë shkrim dhe poezi në revistat e atëhershme letrare për fëmijë.U thellova në lexime,në dëgjimin e muzikës që krijohej atëherë nga grupet e njohura shqiptare si Minatori,Telex etj.E gjitha kjo ndikoi që unë të vazhdoj të shkruaj edhe gjëra më cilësore, ishin frymëzime për gjëra të shkurtra, fluturake, po që pëlqeheshin nga çdokush që i lexonte.Pikërisht në këto vite Grupi Elita 5 ishte në formim e sipër dhe kishin nevojë edhe për tekste.Rastisi që të takohem me vokalistin e grupit,Arif Zyberin, të cilit ia dorëzova një dyzinë tekstesh.

“Tetova Sot”: Sa këngë me tekstet e tua janë kënduar nga Elita 5?

Lirim Alija: Në albumin e parë janë përfshirë shtatë tekstet e mia nga të cilat kanë lindur këngët: Donkishotët në korzo, Arkimedi, Zemër e thyer etj.Emri im është vënë në të gjitha tekstet që I kishin bërë këngë.
Në albumin e dytë emrin tim e kanë shkruar vetëm në tekstin e këngës Al Kapone, kurse këngët Nora,Simfonia e detit dhe Të pres janë publikuar me  emra të tjerë edhe pse janë tekstet e mia.
“Tetova Sot”: Çka ndodhi pastaj?

Lirim Alija: Po publikimi i teksteve të mia me emra të tjerë autorësh`që tashmë të dy janë të ndjerë,mua më indinjoi shumë dhe kjo ndikoi që mos ta vazhdoj bashkëpunimin e mëtutjeshëm.

“Tetova Sot”: Po çfarë kontrate kishe me ta? Si ishin të rregulluara këto çështje?

Lirim Alija: Çfarë kontrate! Ishin kohëra të tjera ato. Kishte idealizëm.Premtimet e tyre të para ishin se nëse arrijnë synimet e tyre,nëse bëhen dikush se atëherë ishin askush,pra nëse bëhen të njohur edhe unë do jem pjesë e suksesit të tyre.Po falsifikimet  dhe mashtrimet filluan që në  albumin e dytë .Para dy vitesh, pas ftohjes së gjakrave, pati edhe një përpjekje për bashkëpunim, por pa sukses.

“Tetova Sot”: Në kopertinën e albumit të dytë të tyre,kënga Al Kapone është publikuar me emrin tuaj si tekstshkrues, kurse mua më rastisi të ndjek Shpat Kasapin në një emision të shikuar të një televizioni në Kosovë, ku deklaroi se ka qenë babai i tij si menaxher i parë dhe me theks të veçantë potencon se këngën Al Kapone e ka bërë ai.

Lirim Alija: Këto përralla të Shpat Kasapit  te “Përrallë me tupan” i kam dëgjuar rastësisht vitin e kaluar. Sigurisht jam befasuar dhe prekur.Mirëpo nuk kam reaguar.Kjo që ka bërë Shpati është për t`u qortuar,mirëpo fatkeqësisht jetojmë në një kohë kur duhet të habitemi me gjerat e bukura, ngase me të shëmtuarat jemi mësuar.Falënderoj Ismail Hashimin e Musik Shop Tipi që e ka ruajtur kopertinën e albumit të dytë dhe që i jep përgjigjen më të mirë Shpat Kasapit.

“Tetova Sot”: Bashkëpunimi me Elitën 5 ka ndodhur para 20 vitesh, ndërsa ju a keni vazhduar të shkruani gjatë kësaj periudhe? A keni vënë bashkëpunim me këngëtarë të tjerë?

Lirim Alija: Kam vazhduar të shkruaj, po bashkëpunim me këngëtarë kam vënë vetëm para dy vitesh.Momentalisht jam duke bashkëpunuar me Grupin Objective ,Gentian Ajrulin,Shkumbin Ismailin,  me një stdudio filmi që kishin nevojë për tekste këngësh etj

“Tetova Sot”: Çfarë dallimi ka nga një poezi dhe një tekst kënge, a nuk janë e njëjta gjë? Kur  mund të presim një libër me tekstet e kënduara dhe të pakënduara?

Lirim Alija: Thënë letrarisht teksti i këngës nuk futet në asnjë gjini letrare, mirëpo nuk do të thotë se është jashtë kësaj “familjeje”.Nëse më lejohet, do të kisha thënë kështu: teksti i këngës është një gjysmë bukuri, i cili është në pritje të një gjysmë bukurie tjetër për t`u bërë një bukuri e tërësishme..Jo çdo poezi mund të bëhet këngë.Sa i përket librit, e kam fjalën me tekste këngësh, jam duke e përgatitur dhe së shpejti do ta shoh dritën e botimit.

“Tetova Sot”: Më parë tekstshkruesi e shkruante tekstin dhe ia jepte këngëtarit dhe bëhej aranzhimi muzikor dhe këndohej,kurse tani tekstshkruesi duhet ta shkruaj tekstin që t`i përshtatet demos muzikore që ka bërë aranzhuesi i muzikës.Atëherë apo tani është më mirë për ty si tekstshkrues?

Lirim Alija: Kuptohet, atëherë për mua ka qenë më lehtë, mirëpo prapë më shumë preferoj këtë që bëhet viteve të fundt. E them këtë duke u bazuar në faktin se edhe muzika ka ndryshuar.P.sh. këngët e muzikës rok dhe pop kërkojnë më shumë angazhim, për arsye se ka më shumë lëvizje dhe thyerje në tekst dhe në muzikë.

“Tetova Sot”: Tekstet e cilit këngëtar ose grupi të pëlqejnë dhe do kishe pasur dëshirë të ishe autori i tyre?

Lirim Alija: Pyetje e bukur! Me këtë mu kujtua G.G. Markez, që pasi e kishte lexuar romanin  "Shtëpia e bukurosheve të fjetura" të Kavabatos, thotë se do të doja të isha autori i këtij romani. Muzika më ka tërhequr gjithmonë. Më kanë pëlqyer pothuajse të gjitha grupet që merreshin me këtë muzikë, 20 e ca vjet më parë. Mirëpo për mua këngët e Minatorit janë të pazëvendësueshme. Ata kanë dëshmuar se dashuria dhe patriotizmi nuk shprehen vetëm me çifteli por edhe me telat e kitarës. . Me ëndje do kisha dashur të jem unë autori i atyre teksteve.

“Tetova Sot”: Me cilët këngëtarë ose grupe do bashkëpunoje më me kënaqësi?

Lirim Alija: Me çdonjërin që ka ndërgjegje artistike jam i gatshëm të bashkëpunoj.Ndërsa kështu si e shoh dhe si e ndjej,për nga natyra ime, më shumë do kisha dashur t`i shkruaj Alban Skënderajt, Pirro Çakos, Elita Reçit etj.I gëzohem faktit që jam duke bashkëpunuar me grupin Objective,Shkumbin Ismailin,Gentin dhe disa këngëtarë të rinj nga Tetova.




P.S.

Intervistës i shtohet edhe kopertina e albumit të parë dhe kjo bëhet falë një fansi të jashtzakonshëm të këtij grupi, Ilir Shabani nga Gjilani, i cili ruan me fanatizëm çdo gjë që ka të bëj me këtë grup.
Kopertina është dëshmi e rrallë dhe plotëson intervistën me tekstshkruesin e parë të këngëve të Elitës 5, Lirim Alija!









Related

Speciale 7870664999327814646

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item