Ndryshimet në formimin e arsimtarëve të rinj, do kërkohet masteri edhe për mësuesit në kopshte

Duke filluar nga viti i ardhshëm marrja e profesionit të mësuesisë do të kalojë në një sërë rregullash të reja, të cilat diferencojnë në mën...


Duke filluar nga viti i ardhshëm marrja e profesionit të mësuesisë do të kalojë në një sërë rregullash të reja, të cilat diferencojnë në mënyrë të dukshme kualifikimet që duhet të kenë mësuesit e rinj që do të punojnë në kopshte, shkollat fillore dhe arsimin e mesëm. Për secilën kategori krahas studimeve “bachelor”, do të kërkohet edhe ndjekja e studimeve “master” sipas profilit përkatës ku dhe synojnë të punësohen. Ndërsa procedura e licencimit nëpërmjet provimit të shtetit do të kërkohet në të dyja rastet. Një tjetër risi e propozuar është edhe vendosja e të drejtës së pagës për të gjithë mësuesit e rinj që do të ndjekin praktikën, sikundër ndodh aktualisht me mjekësinë. Në këto kushte krahas shtimit të kohës së praktikës që duhet të kalojnë praktikantët e rinj, ata do të marrin edhe pagesën, e cila do të jetë sa gjysma e pagës së një mësuesi përgjatë gjithë vitit. Drafti i reformës së arsimit të lartë përmban një sërë ndryshimesh sa i takon formimit që duhet të kenë mësuesit e rinj. Diplomimi i tyre do të bëjë të mundur edhe diferencimin sa i takon punësimit, duke i ndarë mësuesit që do të japin mësim në arsimin e detyruar apo në atë të mesëm. Sipas përcaktimeve të bëra mësuesia do të zhvillohet në dy cikle të ndryshme. “Mësuesia duhet të organizohet në dy cikle, ku në ciklin e parë do të jepet diploma bachelor, me 3 vite dhe 180 kredite të ndjekura nga studimet e ciklit të dytë master, me 1-2 vite që përkojnë me 60 ose 120 kredite.

Profili që kërkohet për mësuesit e kopshteve dhe arsimit fillor
Mësuesit e arsimit parashkollor dhe atij fillor duhet të formohen nga studime “bachelor” 3 vjeçare me 180 kredite me kurrikul të ndërtuar specifikisht vetëm për këtë cikël. Pas këtyre studimeve studentët mund të kalojnë në tregun e punës si mësues ndihmës, pasi kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit (pas provimit të licencimit, sipas rregullave të përcaktuara për të). Një tjetër mundësi për këta studentë është vazhdimi i ciklit të dytë të studimeve “master profesional”, 60 kredite që do të fitohen gjatë studimeve të një viti. Ndjekja e këtij masteri do të ndahet në studime të nivelit të dytë që përgatisin mësuesit për arsimin parashkollor, si dhe master që përgatisin mësuesit për arsimin fillor.
Pas fitimit të diplomës së ciklit të dytë, të diplomuarit sipas titullit përkatës të diplomës mund të kalojnë në tregun e punës si mësues pasi kanë marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit (pas provimit të licencimit).

Profili i që duhet të kenë mësuesit e shkollave të mesme
Mësuesit për arsimin e mesëm duhet të përgatiten duke ndjekur këtë rrugë: “Diplomim në fushën përkatëse të shkencës në ciklin 3 vjeçar “bachelor”. Më pas duhet të ndjekin studime të ciklit të dytë “Master i Shkencave”, 2 vjeçar me 120 kredite, i cili përgatit mësues për arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë. Kurrikulat e programeve të studimit të ciklit master për përgatitjen e mësuesve duhet të ruajnë një ngjashmëri në nivel kombëtar, sipas fushës së shkencës përkatëse në 80 për qind të tyre. Këto kurrikula për formimin e mësuesve duhet të kenë një komponent të rëndësishme të formimit pedagogjik dhe psikologjik, si edhe të formimit praktik pranë shkollave të mesme. Kjo reformë propozon që viti i praktikës në shkollë, pas diplomimit të studentëve me “Diplomën e Ciklit të Dytë”, pranë institucioneve të arsimit të mesëm duhet të bëhet me ½ e rrogës së mësuesit (sikundër edhe ndodh për stazhierët e mjekësisë). Formimi i mësuesve duhet të jetë i vazhduar, e për këto strukturat e arsimit të lartë do të udhëzohen që të krijojnë kushtet për trajnimin dhe formimin e vazhduar të mësuesve në bashkëpunim me Institucionet shtetërore të Arsimit të Mesëm.

Nga 2015 në universitet shkojnë vetëm maturantët me mesatare mbi 6
Nëse nuk e kanë mesataren 6 nuk do të mund të vijojnë studimet e shkollës së lartë. Ky është një ndër kushtet e propozuara në draftin e ri të reformës që prek arsimin e lartë, zbatimi i të cilës do të nisë nga janari i vitit të ardhshëm, kohë në të cilën edhe ligji do të ketë marrë fuqi vepruese. Duke iu referuar problemeve të hasura me cilësinë në universitete, ku të gjithë nxënësit shkojnë në universitet, pavarësisht notave të marra në shkollën e mesme, autoritetet e arsimit kanë propozuar rikthimin e mesatares si një ndër kushtet e hyrjes në universitet. Fillimisht mendohet që ky prag të jetë rreth notës 6, por me kalimin e viteve parashikohet që nota e hyrjes në universitet të pësojë rritje duke vajtur në 7. Zbatimi i këtij rregulli nuk do të përfshijë vetëm arsimin e lartë publik, por edhe atë privat. Edhe këto të fundit do të jenë të detyruara që studentët t’i pranojnë sipas kriterit të mesatares, dhe kritereve të tjera që do të përcaktohen nga vetë universitetet. Ky propozim i komisionit për reformën në arsimin e lartë do të zbatohet pas një viti në të gjitha institucionet e arsimit të lartë që veprojnë në vendin tonë. Ndërsa nxënësit që kanë mesataren më të ulët se sa kjo notë për kualifikime të mëtejshme duhet t’i drejtohen shkollave profesionale, për të cilat raportohet se tregu i punës shfaq kërkesa të larta. Më tej bëhet e ditur se me ndryshime do të shoqërohet edhe procesi i aplikimit për të vijuar studimet e shkollës së lartë. Sipas propozimeve të bëra maturantët duhet që të bëjnë kërkesat për studime në tre degë të ndryshme, 9 muaj para mbylljes së studimeve të shkollës së mesme. Këto kërkesa do të depozitohen në Agjencisë e përcaktuar për aplikimet universitare. Detyra kryesore e kësaj agjencie është organizimi i aplikimit universitar për çdo kandidat dhe çdo institucion, qoftë ky publik apo privat. Çdo kandidat duhet të dërgojë formën e aplikimit, nëntë muaj përpara se të mbarojë shkollën e mesme, ku të ketë përcaktuar tri zgjedhjet e tij. Niveli minimal i pikëve që duhet të fitojë kandidati përcaktohen me Vendim të Këshillit të ministrave dhe do të jetë i ndryshëm në varësi të universitetit.
Agjencia kryen edhe kontrollin e të dhënave të deklaruara, si dhe të procedurave të ndjekura nga aplikantët. Ajo u komunikon universiteteve emrat e kandidatëve fitues sipas programit të studimit. Zëvendësrektori i Universitetit të Tiranës Ervin Demo, lidhur me këto ndryshime sqaron se reforma që do të prekë arsimin e lartë në vend synon që fillimisht të bëjë unifikimin e kritereve të pranimit, si dhe të rregullojë standardet që duhet të ekzistojnë ndërmjet publikut dhe privatit. Kjo në mënyrë që të arrihet cilësia e munguar në universitete, dhe diplomat që lëshohen të jenë të vlefshme për tregun e punës.

 Heqja e detyrimit për mbrojtjen e gjuhës së huaj me testet ndërkombëtare 
Një ndër propozimet e bëra nga Komisioni për reformën në arsimin e lartë është që të hiqet edhe detyrimi ligjor i dhënies së gjuhës angleze sipas testeve ndërkombëtare në mbyllje të çdo cikli studimor. Duke pasur parasysh rëndësinë e kësaj gjuhe, u sugjerohet universiteteve t’a aplikojnë dhënien e saj me teste ndërkombëtare në qoftë se e shohin të nevojshme. Kjo pasi nuk mund të kushtëzohet dhënia e një kualifikimi universitar me një testim jashtë universitar. Ndërkohë që gjuha e huaj duhet të jetë pjesë e programit mësimor, me përmbajtje të orientuar sipas profesionit përkatës. Studentët duhet të jenë të lirë të zgjedhin gjuhën e huaj, që dëshirojnë ose që ofron programi i studimit. Gjithashtu komisioni ka propozuar që të hiqet edhe provimi pasuniversitar i gjuhës së huaj, që mbrohet pranë Fakultetit te Gjuhëve të Huaja të UT-së (sistem, i cili ka lindur në vitet 1990, si kusht i mbrojtjes së doktoratës). Për një kualifikim të tillë të interesuarit t’u drejtohen Qendrave të Specializuara të njohura nga shtetet përkatëse.

Related

Shqipëri 5552336953012968549

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item