Mbijetesa e çuditshme e Partisë Komuniste Amerikane

Pasi u rrënua nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe vijimi i qëndrimit pro-sovjetik të udhëheqësisë edhe pasi Bashkimi Sovjetik ra, Partia Komuni...

Pasi u rrënua nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe vijimi i qëndrimit pro-sovjetik të udhëheqësisë edhe pasi Bashkimi Sovjetik ra, Partia Komuniste Amerikane vijon të ekzistojë, megjithëse shumë mendojnë se nuk ka më asnjë rëndësi
Manhatan
Aidan Lewis, BBC

Njësoj si lëvizjet e ngjashme nëpër botë, Partia Komuniste e SHBA-së vuajti një goditje dërrmuese me rënien e Bashkimit Sovjetik më 1991. Por një grup i vogël anëtarësh rezistuan.
Jo shumë larg Uoll Stritit, në katin e shtatë të një ndërtese elegante tetëkatëshe në Rrugën Perëndim 23, është selia qendrore e një të mbijetuari të pagjasë të politikës – Partia Komuniste e SHBA-së.
Zyra është e shndritshme dhe moderne. Në një faqe muri janë fotot bardhezi të figurave historike të partisë. Veprat e Marksit, Engelsit dhe Leninit janë të ngjeshura në rafte.
Ndërtesa u ble për zyra të partisë në vitet 1970 para se lagjja Çelsi përreth të bëhej në modë. “Ne e morëm shumë lirë këtë”, – thotë sekretari i Thesarit, Roberta Ud (Wood).
Në lëshim të realitetit socialist, e gjithë ndërtesa me përjashtim të dy kateve është dhënë me qira. Të ardhurat përdoren për financimin e “People’s World”, një publikim në internet që është pasardhëse e drejtpërdrejtë e gazetës së partisë, që ka falimentuar prej kohësh, “Daily Worker”.
Partia thotë se ka 2 mijë deri në 3 mijë anëtarë në të gjithë vendin. Por ka vetëm dy vetë të punësuar me rrogë – kryetarin Sem Ueb (Sam Webb) dhe zëvendësin e tij Xharvis Tiner (Jarvis Tyner), i cili ishte kandidat për zëvendëspresident në vitet 1970.
Objektivi i tyre final, gjithsesi, është ende ambicia e vjetër. “Socializmi do të japë një epokë të re në këtë vend, – deklaron programi i partisë. “Pasuria e madhe e Shteteve të Bashkuara për herë të parë do të jetë në të mirë të të gjithë popullit”.
“Objektivi afatgjatë, – thotë Ueb – është shoqëria komuniste, fundi i të gjitha ndarjeve klasore, një shoqëri barazie dhe vyshkja e shtetit”.
Partia Komuniste kishte dikur një prani të fuqishme në politikën amerikane. Në ditët e veta më të mira në vitet 1930-1940 ajo kishte një rrjet të fuqishëm në të gjithë vendin, dhe arriti shumë suksese elektorale vendore. Tre kongresmenë demokratë ishin në mënyrë sekrete anëtarë të Partisë Komuniste.
Anëtarësia nuk u rrit kurrë në mbi 100 mijë, por ndikimi ishte i madh. “Natyrisht që kishte ndikim në jetën amerikane”, – thotë Harvej (Harvey) Klehr, një profesor i shkencave politike në Universitetin Emory të Atlantës.
Fillimi i Luftës së Ftohtë solli persekutim për komunistët amerikanë dhe aleatët e tyre, gjë që u bë e famshme në Komitetin e Kongresit për Aktivitete Joamerikane, dhe më vonë, nga senatori Xho Mekkarti (Joe McCarthy).
Ajo periudhë ishte “shkatërrimtare” për partinë, edhe pse “shtypja kundër tyre ishte aq e fuqishme dhe e ekzagjeruar sa u dha atyre me të vërtetë ndjesinë e esprit de corps”,thotë Vernon Pederson, profesor i Historisë në Montana.
“Duket se kjo bëri për ta të mendonin se gjërat që po ndodhnin me të vërtetë duhej të ndodhnin – revolucioni po vinte dhe kjo valë e parë e represionit ishte pikërisht ajo që ne e kishim parashikuar prej kohësh”.
Gjatë Luftës së Ftohtë, CPUSA (akronimi anglisht) kishte një strukturë ilegale paralele dhe një numër i njerëzve të tyre spiunuan për Moskën. Deri në vitet 1980, partia po merrte financime të rëndësishme sovjetike, thotë Klehr, para për të cilat FBI kishte informacion dhe që i gjurmonte.
Shumë anëtarë u larguan nga partia pas shtypjes sovjetike në Hungari më 1956 dhe në Çekosllovaki më 1968, ndërsa partia ruajti një qëndrim ortodoks pro Moskës.
Ndarja e fundit erdhi kur Gus Hall, udhëheqës nga 1959 deri më 2000, mbështeti grushtin e shtetit të komunistëve të vijës së ashpër kundër Mikhail Gorbaçovit më 1991.
Pederson thotë se ai është “i mrekulluar” nga fakti që partia arriti të mbijetojë pas rënies së Bashkimit Sovjetik, por i jep më shumë merita anëtarëve kyç, “të cilët thjesht refuzuan të dorëzohen pavarësisht se sa të zymta dukeshin gjërat”.
“Ata kanë besim jashtëzakonisht të fuqishëm dhe kanë investuar një sasi të madhe të identitetit të vet personal te Partia Komuniste”, – thotë ai.
Ueb, udhëheqësi aktual, është një 68-vjeçar pak i shpenguar, me një zë me mirësjellje. Ai duket më rehat kur flet për klimën aktuale politike se sa për ideologji.
Detyra e menjëhershme, thotë ai, është që të mposhtet “ekstremi i djathtë” në Amerikë, duke kontribuar te një koalicion më i gjerë grupimesh të krahut të majtë që bëjnë fushatë kundër pabarazisë ekonomike dhe për të drejtat e minoriteteve.
Partia përballet edhe me një sfidë demografike – ish-kreu i partisë për degën e Nju Jorkut, thotë se ka marrë pjesë në mbi 100 funerale gjatë viteve 2000. Por ai pretendon se ka një rritje të lehtë të pagesës së tarifës së anëtarësisë së fundmi, duke e cilësuar rritjen e interesit si pasojë e krizës financiare të vitit 2008 si dhe – paradoksalisht – sulmeve të krahut të djathtë kundër demokratëve, të cilët akuzohen si “socialistë”. Kjo ka sjellë rritje të interesit për të majtën.
Ueb thekson edhe ngjarje të tjera, përfshirë lëvizjen Occupy “Pushto!” zgjedhjen e socialistit Kshama Sauant (Sawant) në këshillin e qytetit të Siatëllit dhe Bill de Blasios, i cili fitoi një garë për kryetar lagjeje në Nju Jork.
Ai vëren gjithashtu se edhe republikanët po flasin tashmë për varfërinë. “Klima në vend po ndryshon, njerëzit po mendojnë për pabarazinë ekonomike”.
Një shoqëri socialiste është objektivi në “të ardhmen e pritshme”, thotë Ueb, ku komunizmi “ndoshta është edhe më larg se kaq”.
“Nëse ne hyjmë në koalicione me bazë njerëzit që janë dakord me vizionin tonë të socializmit, ne ndoshta mund të përshtatemi me një grup të vogël por në rritje”, – thotë ai.
Kritikët që kanë ndjekur aktivitetin e partisë, gjithsesi nuk mendojnë kështu.
“Pozicionet që ata kanë marrë tashmë janë realisht të padallueshme nga grupimet socialdemokrate të majta”, – thotë Ron Radosh, një historian dhe shkrimtar që la partinë pas shtypjes së kryengritjes hungareze në vitin 1956. “Unë nuk njoh as edhe një njeri që është anëtar”. Klehr e quan partinë “një sekt, pothuajse një kult”, dhe thotë se ai nuk i ka kushtuar vëmendje më partisë që prej dhjetë vjetësh për shkak se ajo është bërë “në thelb e parëndësishme”.
Toni Pecinovski (Tony Pecinovsky), një 36-vjeçar organizator lagjeje për partinë në Kansas, Misuri dhe Tenesi, thotë se mjegullimi i kujtimeve nga Lufta e Ftohtë dhe aktivizmi në bazë pragmatik i CPUSA e ka lehtësuar stigmën rreth komunizmit – por paragjykimi vijon në terren.
“Mua më kanë quajtur një terrorist produkt vendës. Kam marrë telefonata kërcënuese, kam marrë njerëz që vijnë në shtëpinë time të cilët nuk janë të mirëpritur”, – thotë ai. “Antikomunizmi dhe e gjitha ajo është ende shumë e vërtetë në kuptimin që krahu i ekstremit të djathtë dhe elementet e partisë së çajit vijojnë”.
“Ne lëmë që puna jonë të flasë për ne, dhe jo të bëjmë shumë gjëra për fjalën ‘k’”.
Ueb thotë se ai nuk merr reagime të ashpra kur u thotë njerëzve se ai është një komunist. Disa njerëz më të rinj – ndoshta vetëm me një të kuptuar të mjegullt të kuptimit të kësaj fjale – madje mendojnë se është “gallatë”. Por ai sugjeron se partia, në fund, mund të lëshojë diçka nga e shkuara historike e vet, ndërsa ndërton aleanca me grupime të tjera të së majtës amerikane.
Duke menduar për Konventën e Partisë në qershor, ai thotë se dëshiron të krijojë një atmosferë në të cilën “shokët” ndihen të lirë të ngrenë shqetësimet e tyre, përfshirë edhe problemet që mund të kenë me emrin e partisë.
“Disa ndiejnë se ne duhet të mendojmë ta ndryshojmë atë. Të tjerë ndiejnë se ne nuk duhet. Pra ne nuk kemi rënë dakord dhe unë do të lejoj hapësirë për diskutim në konventë.”

Partia Komuniste e SHBA-së
Themeluar më 1919
Arriti kulmin në vitet 1930-1940
Nxori një kandidat për president për herë të fundit më 1984


1. Wrl Brouder (Earl Browder), djathtas, kandidat për president për komunistët, kryqëzon draprin me çekanin që mbahet nga Çarls (Charles) Krumbein, sekretar Shteti për Partinë Komuniste, ndërsa qëndrojnë para një turme të mbledhur për mitingun final të fushatës në Sheshin Medison në Nju Jork, 2 nëntor 1936

Shtypja e pasluftës
Komiteti i Kongresit për Aktivitetet Joamerikane u krijua më 1938 për të mbrojtur SHBA-në kundër infiltrimit nazist, por shpejt u bë një mjet për shënjestrimin e të dyshuarve se ishin komunistë në sindikatat e punës, Hollivud dhe në qeveri. Komiteti fitoi reputacion për kërkimin e publicitetit, për lojën me histerinë antikomuniste dhe për diskriminim të njerëzve me opinione jokonvencionale. Por ai arriti një sukses të konsiderueshëm kur marrja në pyetje në mënyrë këmbëngulëse nga ana e presidentit të ardhshëm Riçard Nikson (Richard Nixon) solli ekspozimin si spiun të një ish-zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, Alger Hiss.
Pas zbulimit se spiunazhi i kishte lejuar Bashkimit Sovjetik të realizonte prodhimin e bombës atomike me shpejtësi, Kongresi miratoi Ligjin për Sigurinë e Brendshme në vitin 1950, i cili vendosi kufizime të ndryshme mbi komunistët dhe organizatat komuniste. Në të njëjtin vit, senatori Xhozef Mekkarti i Uiskonsinit, filloi një kryqëzatë kundër komunizmit, duke pretenduar se shumë njerëz, ndoshta qindra, qenë komunistë që punonin në Departamentin e Shtetit. Katër vjet gjueti shtrigash sollën humbjen e vendit të punës për mijëra njerëz dhe burgosjen e qindrave të tjerëve.

Related

Shtypi i huaj 5407153832346265465

Follow Us

Hot in weekRecentComments

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item