Letra, zoti i lejon njerëzit t`i afrohen
Paramahansa Yogananda. Letër e Yoganandës drejtuar një dishepulles së tij, Motrës Ananda Mata Washington, Qershor 1949 Nuk duhet ta lëshosh ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/letra-zoti-i-lejon-njerezit-ti-afrohen.html
Paramahansa Yogananda. Letër e Yoganandës drejtuar një dishepulles së tij, Motrës Ananda Mata Washington, Qershor 1949
Nuk duhet ta lëshosh veten.
Nëna Hyjnore më ka dërguar për të të udhëhequr jashtë reve të mendjes tënde. Vështirësitë e gjithësecilit janë të ndryshme e, qoftë një ai apo një ajo, të gjithë duhet të fitojnë provën e karmës e të Nënës Hyjnore. Duhet ta kapërcesh tërë këtë duke përmendur Zotin së brendshmi në mënyrë të përsëritur dhe të pandërprerë, me maksimumin e përkushtueshmërisë në fjalët, mendimet, veprimet dhe bindjen ndaj Gurusë. Problemet dhe turbullimet tua nuk më shqetësojnë. Unë nuk do ta ndërpres kurrë veprën time në lidhje me ty që kam filluar. Është më mirë të mposhtim të keqen sesa të bashkëjetojmë me të përgjithmonë. Mos e identifiko kurrë vetveten, as dhe për një çast, me rastet e rrëzimit që mund të kesh. Mos ki frikë as nëse unë zhdukem nga jeta jote. Ti nuk do të jesh kurrë vetëm. Atëherë unë nuk do mund të të qortoj, por do të jem gjithnjë me ty e nëpërmjet Nënës Hyjnore kam për të të mbrojtur nga të gjitha mashtrimet, do të të pëshpëris vazhdimisht për të të udhëhequr drejt Unit tënd të devotshëm.
Prandaj mos e lësho veten, e mos u lodh, por ji gjithnjë plot dëshirë dhe interes për të punuar me Nënën Hyjnore. Mos u shqetëso nëse luftëra dhe sëmundje vallëzojnë rreth teje. Ky është sekreti i vërtetë për të fituar mbi zhgënjimet e mbi të gjitha problemet. Bëhu si Liqeni Hyjnor, gjerb në Burimin e Urtësisë, edhe nëse ndjehesh e dërrmuar; një jetë e thjeshtë dhe pa pengesa, nuk është një jetë fitimtarësh, e unë do të të jap lumenj të karmës sime të mirë, ashtuqë të të ndihmojnë të shkosh përpara nëpërmjet gjithçkaje e pavarësisht gjithçkaje. Nuk do të harroj kurrë, e do të të rimëkëmb gjithmonë, nuk ka rëndësi se sa herë do të rrëzohesh.
Përpiqu pareshtur të fitosh, e unë do të të ndihmoj jo vetëm në mënyrë të padukshme, por shumë herë do jem pranë teje edhe në mënyrë të dukshme. Unë nuk jam duke ndërtuar për ty një kala, e as do të të jap pasuri të vdekshme, por po ndërtoj për ty një strehë të pashkatërrueshme, me të gjitha pasuritë në shtëpinë e Nënës Hyjnore.
Zoti na lejon t’i afrohemi
“Zoti na lejon t’i afrohemi. Duke folur për Të e duke dëgjuar fjalët e Tij nëpër shkrimet, duke menduar për Të, duke ndjerë praninë e tij gjatë meditacionit, do vini re që gradualisht irrealja bëhet reale, dhe kjo botë që ju mendoni se është reale, do ta shihni si irreale”
“Nuk më do?”
“Në një nga pamjet e Tij, një pamje shumë e përunjur, mund të thuhet se Zoti sillet si një lypës. Ai e dëshiron me zjarr vëmendjen tonë. Mjeshtri i universit, nën vështrimin e të cilit të gjithë yjet, diejtë, hënat dhe planetet vezullojnë me drithërimë, e ndjek njeriun duke i thënë: “Nuk do të ma japësh dashurinë tënde? Buk më do? Mua, dhuruesit, që shumicën e gjërave i kam bërë për ty? Nuk do të më kërkosh? Por njeriu thotë: “Unë jam tepër i zënë me punë tashti; jam tepër i zënë. Nuk kam kohë për të të kërkuar.” Dhe Zoti thotë: “Do të pres.”
Në të vërtetë, ne jemi duke kërkuar Zotin
“Nëse jeton në një mënyrë të tillë që shmang Zotin, ti shmang prej vetes sate dashurinë. Cilado qoftë gjëja që po kërkojmë – parà e kënaqësi shqisash – në të vërtetë në to jemi duke kërkuar Zotin. Jemi kërkues diamantesh që në të vërtetë mbledhin copëza të vogla xhami që vezullojnë nën dritën e diellit. Të verbuar për një çast nga hijeshia e tyre, ne harrojmë të vihemi në kërkim të diamanteve të vërtetë, që janë shumë më të vështirë për t’u gjetur. Edhe pse janë më të vështirë për t’u gjetur, përkushtimi yt i mirë janë diamantet të cilat do të të japin kënaqësi të vërteta dhe që rrojnë gjatë. Kurse përkushtimi i keq janë copat e xhamit që duket sikur të japin kënaqësi përsa është e lehtë të gjenden; e gjithsesi, duke qenë iluzore, në fund do të të sjellin zhgënjim. Do ngopesh në një mënyrë të tillë, sa asgjë më nuk do të të japë kënaqësi. Unë nuk duhet të kaloj nëpër këto përvoja; mund ta shoh fundin e kënaqësive njerëzore, dhe kam gjetur tek Zoti të vetmin gëzim të vërtetë dhe jetëgjatë.”
Natyra universale e dashurisë
“Të gjitha shprehjet e dashurisë rrjedhin nga e vetmja Dashuri kozmike që, kur manifestohet në pamje të ndryshme të dashurisë njerëzore, përmban gjithnjë njëfarë papërsosmërie. Nëna nuk e di se pse e do të birin dhe biri nuk e di se pse e do të ëmën. Nuk dijnë se prej nga rrjedh dashunia që ndjejnë njeri për tjetrin. Është dashuria e Zotit që manifestohet në ta, dhe kur dashuria është e pastër dhe e painteres pasqyron cilësi hyjnore. Kështu, duke studiuar me kujdes dashurinë njerëzore, mund të kuptojmë diçka për dashurinë hyjnore, sepse në dashurinë njerëzore shquajmë një vezullimë të dashurisë hyjnore.
Nga: Paramahansa Yogananda, “Hulumtimi i përjetshëm i njeriut”/standard