Kush po na i edukon fëmijët?

JETA SHKURTI    Shkëputja e fëmijës nga nëna është një ngjarje me ngarkesë të lartë emocionale. Çdo grua që ka sjellë në jetë një foshnjë më...

JETA SHKURTI


  
Shkëputja e fëmijës nga nëna është një ngjarje me ngarkesë të lartë emocionale. Çdo grua që ka sjellë në jetë një foshnjë më kupton shumë mirë në këtë pikë.  Pasi nëna fillon punën, për fëmijën duhet të kujdeset minimalisht 8 orë në ditë dikush tjetër. Prindërit kanë ankth se sa i besueshëm është personi kujdestar, sa siguri dhe dashuri do ti ofrojë fëmijës? Çfarë sjelljesh e qëndrimesh do të ofrojë si model? Rasti ideal në opinionin tim është kur për fëmijën dalin për zot gjyshërit si kujdestarë. Por sot nuk ndodh shpesh ky rast. E më vonë kur fëmija rritet dhe bëhet për shkollë, sërish ka ndarje, sërish ka luftë emocionesh, dyshime, pasiguri. Tani prindërit, detyrimisht duhet t’ia besojnë fëmijën e tyre për minimalisht 6 orë në ditë shkollës dhe mësuesve të saj. Në këtë fazë, nuk ka më persona me siguri dhe besueshmëri të lartë siç janë gjyshërit.
Si psikologe dhe si nënë e dy fëmijëve e kam shqetësim të vazhdueshëm gjendjen mendore të personave që rrethojnë fëmijët e mi dhe gjithë fëmijët e tjerë. Disa ditë me parë lexova lajmin të cilin po e bashkëngjis fjalë për fjalë për të përligjur shqetësimin që po ngre: “I vë flakën vetes në zyrën e drejtorit instruktori i shkollës së mesme profesionale, Gjirokastër. Ngjarja ndodhi kur 60-vjeçari L. H. me detyrë instruktor në përgatitjen e hidraulikëve ka spërkatur veten me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën. Menjëherë ka ndërhyrë drejtori dhe stafi, i ndihmuar nga nxënësit, që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve…”. (http://www.panorama.com.al /)
Sigurisht që ndiej keqardhje për mësuesin e dëshpëruar, por akti i tij, detyrimisht më çon drejt përfundimit se shëndeti mendor i këtij personi ka dhënë sinjale për ekzistencën e problemeve, më parë se ai të ndërmerrte këtë veprim. Nuk dua të analizoj shkaqet e mundshme që çuan mësuesin drejt tentativës për të vrarë veten. Vetëm hamendësime do të kisha bërë. Fokusi im në këtë shkrim janë fëmijët. Më dhimbsen dhe frikësohem për ata fëmijë që kanë qenë me të drejtë në shkollë, por me pa të drejtë të ekspozuar ndaj ngjarjes. Siguria e tyre fizike është kërcënuar, mirëqenia psikologjike është rrezikuar. Dhe kjo ka ndodhur në shkollë…Aty ku prindërit mendojnë se i kanë të sigurt e të kontrolluar. Tashmë prindërve u duhet të luten e të shpresojnë që edukatorët e fëmijëve të tyre të jenë të aftë mendërisht e profesionalisht. Jo rastësisht them të luten e shpresojnë, pasi nuk parashikohet gjëkundi në ligjin për arsimin parauniversitar, në kreun IX, mbi statusin e personelit mësimor, domosdoshmëria e kontrollit psikik të tyre në mënyrë periodike. Edhe nëse burimet njerëzore në drejtoritë arsimore u kanë kërkuar raport mjeko-ligjor si pjesë të dosjes, këto raporte ju siguroj se janë lëshuar formalisht nga shërbimet parësore mjekësore.
Në gjykimin tim është e rëndësishme që sidomos për personat që punojnë me fëmijët të realizohen ekzaminime reale të gjendjes mendore para se ata të vendosin këto marrëdhënie. Dhe kur mendon se ekzaminime të tilla kryhen rëndom kur pajisesh me leje drejtimi për automjet, vërteton shqetësimin se në vendin tonë I kushtohet pak vëmendje mirëqenies së fëmijëve dhe aq më pak çështjeve të shëndetit mendor. Ka njerëz që stepen para togfjalëshit ekzaminim psikiatrik dhe përnjëherë ndihen të etiketuar si “me probleme”. Por nëse informohen lidhur me procedurat standarde te ekzaminimit, besoj se nuk do ngurrojnë më, aq më tepër kur bëhet fjalë për interesin më të lartë të fëmijëve. Në protokollin e vlerësimit specialisti do të përfshijë fusha të caktuara si historiku i zhvillimit të personit, të dhëna të mbledhura nga vëzhgimi i tij në marrëdhëniet me ekzaminuesin dhe mjedisin përreth. Vëzhgimi i aktivitetit motor ku përfshihen qëndrimet trupore, lëvizjet e trupit, shprehjet faciale, gjestet dhe prezenca e tikeve ose dridhjeve. Vëzhgimi i të folurit, i cili ka të bëjë me shkallën, volumin, koherencën. Forma e të folurit është shumë e rëndësishme sesa përmbajtja e të folurit në këtë pjesë të ekzaminimit. Gjendja humoriale ose gjendja subjektive emocionale, duhet të bazohet në vetë raportimet e personit më tepër se në vëzhgimet e psikologut. Afekti ose vëzhgimi objektiv ndaj gjendjeve emocionale të shprehura nga personi. Proceset e të menduarit mund të përdoren për të përshkruar formën e të menduarit të personit dhe për të karakterizuar se si janë shprehur idetë e tij, nëse mendimet janë logjike, tangjentiale, të orientuara, apo të paorganizuara. Përmbajtja e të menduarit përshkruan se çfarë mendon personi dhe ka të bëjë me prezencën ose mungesën e të menduarit obsesiv ose deluziv dhe me idetë për vrasje ose vetëvrasje. Nëse një nga këto mendime janë prezente, duhet të kihen parasysh detajet në lidhje me intensitetin dhe specifikat. Shqetësime të perceptimit që ndodhin në mungesë të stimujve sensorë, halucinacionet, janë gjithashtu për tu vlerësuar gjatë ekzaminimit, siç janë edhe elementet e gjendjes kognitive që përfshijnë vëmendjen, përqendrimin, kujtesën si dhe gjykimi, aftësia për të identifikuar pasojat e veprimeve. Së fundi, vetëdija e personit për të kuptuar sëmundjen e tij dhe nevojën për trajtim, quhet insight. Kur vlerësohet insighti i pacientit, duhet vlerësuar shkalla në të cilën personi kupton se sa ndikon sëmundja në jetën e tij, marrëdhëniet me të tjerët dhe vullnetin për të ndryshuar. Vlerësimi i insightit është thelbësor në diagnostikim si dhe për përcaktimin e trajtimit.
Sfidat kryesore në procesin e vlerësimit të gjendjes mendore lidhen me përcaktimin nëse duhet më shumë ose jo ekzaminim i detajuar. Ekzaminimi i gjendjes mendore mund të jetë i detajuar kur psikologu, i afërmi ose person i tretë ka ndjesinë se diçka nuk shkon me personin. Ligji Nr. 44/2012 për shëndetin mendor neni 10 pika 2 parashikon se “Shërbimet e shëndetit mendor, mund të ofrohen, sipas legjislacionit në fuqi edhe nëpërmjet iniciativash private të grupeve të pacientëve, familjarëve apo palëve të treta”.
Në fakt, është në detyrën e psikologut shkollor që përveç identifikimit të rasteve të nxënësve që shfaqin sjellje të papërshtatshme, të identifikojnë edhe mësues me sjellje të tilla, të cilat mund të rrezikojnë mirëqenien e fëmijëve. Dhe ashtu siç adresojnë apo referojnë rastet e nxënësve, (nëse e bëjnë kaq gjë në shkollë) të referojnë edhe rastet e mësuesve në shërbimet e specializuara për trajtim. Por meqenëse roli i psikologut ka ardhur duke u dobësuar në shkollat shqiptare, për shkak të paaftësisë së tyre, drejtuesve të shkollave dhe të metave të sistemit arsimor, unë sugjeroj që këto ekzaminime të realizohen nga psikolog të punësuar pranë zyrave arsimore ose drejtorive arsimore rajonale, ose në pamundësi të realizohen nga specialistët pranë shërbimeve mjekësore parësore ose qendrave komunitare. Kështu do të shmanget subjektiviteti I ndikuar prej marrëdhënies direkte psikolog–mësues. Dhe kur prindërit të shkojnë në dyert e shkollave për të regjistruar fëmijët, të garantohen se mësuesit kanë kryer kontrollin e shëndetit mendor, sepse fëmijët janë më të rëndësishëm se gjithçka në botë!


*Psikologe

Related

Opinione 3244614857875458629

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item