Cefalea, apo ashtu sikurse jemi mësuar ta njohim të gjithë me termin e zakonshëm dhimbja e kokës, në variacionin e shfaqjes së saj, është një nga shqetësimet më të zakonshme që mund t’i ndodhë ndokujt. Edhe pse në mënyrë rastësore, të gjithë, të paktën një herë në jetë, kemi vuajtur nga një dhimbje koke. Studimet e ndryshme tregojnë se për thuajse 20 përqind të popullsisë, prej të cilëve 2-4 përqind janë fëmijët, nuk është një shqetësim rastësor, por kronik. Edhe pse shumë përpjekje bëhen për t’i shpëtuar njëherë e përgjithmonë dhimbjeve të tilla, duket se është e pamundur, duke qenë edhe se faktorët që e shkaktojnë janë të ndryshëm. Megjithatë, pavarësisht faktit se nuk përjashtohet thuajse asnjë moshë nga këto dhimbje, sërish mjekët konfirmojnë se fenomeni shfaqet më shumë tek njerëzit me moshë 35-45 vjeçare. Sa i përket gjinisë, femrat janë 3 herë më shumë të prekura se meshkujt. Cefalea vjen nga shkaqe jo vetëm fizike, por kryesisht emotive dhe psikologjike. Mjekësia është përpjekur prej kohësh të kurojë këtë “parehati” përmes medikamenteve të ndryshme, megjithatë mbetet ende vështirë zhdukja njëherë e përgjithmonë. Disa prej shkaqeve fizike të dhimbjeve të kokës, kanë të bëjnë jo vetëm me acarimin e fluksit të gjakut në kafkë, por edhe me pjesë të tjera të trupit, si për shembull keq funksionimi i mëlçisë, i stomakut, problem në aparatin e frymëmarrjes e të tjera si këto. Sa i përket faktorëve emotive, ato janë të lidhur ryesisht me stresin, gjendjen e ngarkuar mendore dhe shpirtërore, karakterin e individit dhe këndvështrimin e tij për jetën dhe fenomenet e saj. Sipas studimeve, dhimbjet më të shpeshta të kokës, rreth 70 përqind e tyre vijnë si pasojë e luhatjeve të tensionit, kurse pjesa tjetër e dhimbjeve të kokës ndahet në migrenë dhe sëmundje të tjera. Dallimi mes migrenës dhe cefalesë, apo dhimbjes së përgjithshme të kokës është fakti se migrena sjell një dhimbje të përqëndruar vetëm në një anë të kokës, kurse dhimbja e përgjithshme prek të gjithë kokën.
Kërcitja e dhëmbëve
Vuani nga dhimbja e kokës në mëngjes? Fajin mund ta kenë dhëmbët tuaj. Nëse gjatë natës jeni prej atyre njerëzve të cilët i shtrëngojnë dhëmbët fort, në mënyrë të pavullnetshme, atëherë jeni trefish të rrezikuar për të vuajtur nga dhimbja e kokës. Përse ndodh kjo? Gjatë shtrëngimit të dhëmbëve, tendosen muskujt e fytyrës dhe qafës duke sjellë dhimbje koke. Nëse e ndjeni që bëni diçka të tillë gjatë natës dhe në mëngjes zgjoheni keq nga dhimbja e kokës, atëherë mjekët këshillojnë një vizitë të shpejtë tek dentist për të parandaluar një fenomen të tillë. Mjeku dentist do të kujdeset që t’ju vendosë një aparat në dhëmbë me qëllim që të mos kenë mundësi të bashkohen pjesa e sipërme dhe ajo e poshtme. Kjo do t’ju ruajë jo vetëm dhëmbët dhe smaltin e tyre, por edhe nga dhimbja e kokës.
Fundjava
Kush punon nga e hëna në të premte apo në të shtunë, të dielën në mëngjes zakonisht e gjen veten me dhimbje koke shqetësuese dhe kjo është vërtetuar nga studime të shumta. Një fenomen i tillë ndodh, sepse sasia e hormoneve, që prodhojnë edhe stresin e përditshëm, në fundjave bie në gjendje qetësie. Në këtë mënyrë, neurotransmetuesit, apo ndryshe ata që quhen edhe mesazherët kimikë të trurit, ndikojnë në enët e gjakut në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i ngushtuar ato. Kjo sjell dhimbjen e kokës. Në këtë mënyrë ndryshimi i stilit të ditëve, ndikon në të gjithë ciklin e organizmit, duke u manifestuar më së shumti në dhimbjet e kokës. Nëse ju ndodh kështu, përpiquni të plotësoni programin e javës suaj edhe me ushtrime të ndryshme për çlodhje, jo vetëm në fundjavë. Në këtë mënyrë e keni përgatitur organizmin tuaj edhe për ditët e pushimit dhe nuk do të ndjeni hendekun e madh mes javës dhe fundjavës. Në të njëjtën kohë, në ditët e fundjavës, evitoni orët e shumta të gjumit, e shumta 8 orë, sepse gjumi i tepërt është një ndër shkaktarët kryesorë të dhimbjeve të kokës.
Kompjuteri
Qëndrimi i keq para kompjuterit, për orë të tëra, apo shumë afër, është shumë i dëmshëm për dhimbjen e kokës. Shtrembërimi që i bëhet në të tilla raste shtyllës kurrizore dhe muskujve të trupit, në mënyrë të pavullnetshme mund të sjellë dhimbje koke, kryesisht migrenë. Evitoni të qëndroni i ulur para kompjuterit në një pozicion të shtrembër, apo me kokën shumë afër. Nëse e shihni për një kohë të gjatë ekranin e kompjuterit, rrezikoni të lodhni dhe mundoni sytë tuaj, e cila nga ana e saj sjell dhimbje koke. Përpiquni që në mënyrë të rregullt, herë pas herë të bëni pushime. Ekranin mos e mbani më pak se 40 centimetra larg, evitoni që dielli të rrezatojë mbi monitorin tuaj dhe nëse flisni në telefon gjatë kohës që jeni duke punuar edhe në kompjutër, mos e mbani telefonin në shpatullën tuaj. Një pozicion i tillë është shumë i dëmshëm.
Parfumet
Parfumet janë projektuar për të stimuluar trurin. Kur ekspozohet në ajër të hapur, parfumi avullon substance kimike të cilat aktivizojnë qelizat nervore të hundës, të cilat nga ana e tyre i dërgojnë mesazhe trurit. Fatkeqësisht, për disa këto sinjale janë aq të forta sa që shkaktojnë dhimbje koke dhe migrenë. Kujdes, pasi me parfume nuk duhet të mendoni vetë ato të cilat i hedhim me raste, por edhe aromat e larëseve të xhamave, dyerve, dyshemeve, etj. për të evituar këtë bëni të mundurën që shtëpia juaj, apo edhe vendi i punës të ajrosen mirë herë pas here. Paralajmërni kolegët tuaj për dëmin që ju sjellin aromat. Nëse do të keni mundësi gjatë momentit që ju lind një dhimbje e tillë koke, hidhni mbi ballin tuaj një pikë vaji menteje.
Medikamentet
Mund të mendonit të kundërtën, që ato janë për kurim, por kudjes, pasi përdorimi i pavend i tyre mund të sjellë efektin e kundërt. Sipas studimeve, një në dhjetë persona është pre e kësaj, pra ka dhimbje koke nga përdorimi i ilaçeve me përmbajtje të tillë si paracetamoli, kodeina, ibobrufeni, të përdorura pa kontroll. Nëse përdorni pa kriter farmaceutikë dhe në mënyrë të shpeshtë, atëherë keni hyrë në një rreth vicioz, prej të cilit do të dilni me vështirësi. Konsultohuni me mjekun tuaj, i cili do të dijë t’ju nxjerrë nga kjo situatë. Evitoni mënyrën e të bërit si dini vetë, pa mjekun dhe mos konsumoni medikamente më shumë se tri herë në javë./100revista