I MBANI LARG POETËT! (Cikël poetik nga Sokrat Habilaj)

Sokrat Habilaj 1-NË NJË TJETËR KOHË Një ditë do kem ikur nga kjo botë, Bashkë me vargjet që të thura s’gjalli. Pas meje do ketë, ja si unë s...

Sokrat Habilaj

1-NË NJË TJETËR KOHË
Një ditë do kem ikur nga kjo botë,
Bashkë me vargjet që të thura s’gjalli.
Pas meje do ketë, ja si unë sot,
Që do thonë pafund veç fjalë malli.
Edhe kur të kem ikur, si të tjerët,
Njerëzit do duhen ndoshta më bukur.
Po një varg nga unë, shkruar më herët,
Dikush do ja thotë asaj që ka puthur.
Natyrisht ai, s’do më kujtoj mua,
Sepse se pyet kush:-Bëke poezi!?
Ajo që puthet është tjetër grua,
Po as unë s’jam, deri sa nuk je ti.
Mos u bëj xheloze për ata më pas,
Që ua lash në vargje frymën tënde.
Dhe unë shpirt, s’do jem nën një rrasë,
Po duke të puthur në një pllajë hëne.
2-DIKUR…
Unë mund të dashuroj ty, kur të dua,
Sot, nesër, a ndoshta njëherë tjetër.
Po ti mos më thuaj:-Tallesh me mua!?
S’ka pse lotët të të bien mbi mjekër.
Mund të dashuroj ty, vetëm i pari,
Pastaj të shikoj sytë e tu hutaq.
Ti mos më thuaj:-S’ndizet kështu zjarri,
Se ndoshta lëndohem dhe e lë me kaq.
Mund të dashuroj, a të pres edhe ca,
Sa të harkosh vetullat e habitur.
Nuk ndodhin kaq lehtë gjërat e mëdha,
Po ti mos thuaj se nuk më ke pritur!
Kur të kem në duar fytyrën tënde,
Do të pyes:-Të lodhi pritja e gjatë?
Mund të dashuroj si e kam në mendje,
Që ti të më duash, thjesht si një inat!
3-I MBANI LARG POETËT!
Ju që firmosni mbi fate njeriu,
E ndërroni poste si ditari fletët.
Mblidhni përreth çdo lloj delenxhiu,
Po mos harroni! Mbani larg poetët!
Mblidhni rreth vetes, servilë e lakej,
Që bashkë me ju të dehen si prush.
Poetët i lini larg, të bëjnë atje tej,
Atë palo punë që se do askush.
Nëse në tradhti humbisni çdo natë,
Brenga e poetëve është kot së koti.
Po bashkëshortet që harruat në shtrat,
Le të lexojnë vjersha, po s’u doli loti.
Nëse Atdheun e ndani për vete,
Mbani larg poetët, të mos shohin gjë.
Pse duhet me ju të flitet për vdekje,
Nga ca të lajthitur që shuhen me të!?
Kur të mësoni se një nga ata vdiq,
Që të kuptohet se dini dhe nga arti.
Shkoni e pëshpëritni:-Eh, ishim miq,
Sa keq që merrej me vargje i ngrati!
4-KOHË MIDIS
U grindëm si ne, u gërvishtëm në faqe,
Tani flakët e sherrit, kanë ikur tutje.
Le të duhemi pra, në këtë kohë-paqe,
Që të mos vritemi nesër, në kohë lufte.
5-GRA TË BUKURA QË SHKRUANI VJERSHA
Gra të bukura që shkruani vjersha,
Duke rivrarë veten në çdo rimë.
Mund të jepni diçka tjetër nga vetja,
Se sa kaq shumë dhimbje e pikëllim
Mbi krah vargjesh ju ikni në arrati,
Ndërsa lini pas si peng, trupin tuaj.
Që pranë një burri të shtrihet përbri,
Dhe mëkatoni si me një të huaj.
Grua jeni, në çdo pore të shtatit,
Kur burrat shuhen me fjalë të marra.
Pastaj ju lënë tek cepi i krevatit,
Ca gënjeshtra e çorape të palara.
Në vetmi kërkoni, ishuj idiotë,
Ku të jeni frymë, pa post e ofiq.
Aty zhvishni shpirtin, po lodheni kot,
Burrat s’ndjejnë epsh nga shpirti lakuriq.
Prapë të penduara, ktheheni s’largu,
Dhe të tjera gjëra ju jepni nga vetja.
Nuk ju pyes dot:-Pse ju duhet vargu,
Gra të bukura që shkruani vjersha!
6-SHAPLLJA E HUMBJES
Për shpalljen e humbjes, ka plotë mënyra,
Kur je në luftë, a kapesh si rob në pusi.
Mund të ngresh lart një flamur pa ngjyra,
A thjesht të tundësh në shkop një shami.
Mund të ikësh nga beteja, nëpër mjegull,
E ndoshta diku larg, të heshtësh i strukur.
A vetes mund t’i japësh plumb në vetull,
Kur ta shohësh se gjithçka e ke humbur!
Po nëse shpalljen e humbjes se bënë dot,
Me një gote rakie, rri i vetëm në skuta.
E nën duhma alkooli mallëngjeu me lot,
Duke thënë:-Veç mua s’më mundi lufta!
7-TË TALLESH ME BOTËN
Të tallesh me botën, nuk është mëkat,
Sepse ajo shpesh të përbaltë aq keq.
Kjo do të thotë se vërtet s’pate fat,
Po të paktën, shpirti mbeti kryeneç.
Të tallesh me botën, nuk është mëkat,
Sepse edhe ajo cep më cep, të zë pusi.
Kjo do të thotë se me të ke një pakt,
Të mos s’mbrapseni të dy, në ironi
Të tallesh me botën, nuk është mëkat,
Sepse ajo, edhe të mundë ndonjëherë.
Kjo do të thotë, për të ke ende inat,
Ta tërheqësh zvarrë në shtigje të tjerë.
8-DHE KOHA IKËN
U deshën, por tani ai nuk është më,
Pranë saj, një tjetër shuan zjarrin.
Kur ajo në heshtje, puthet me të,
Ai pyet:-Thuaj, më do si të parin?
Po ajo s’flet, e mërmëritë me vete,
Ndërsa në dy sytë një pikë loti rri.
”Ç’shijon në buzët e mia me etje,
Janë veç thërrimet që ka lënë ai…!”
9-LIRIKE
Burri, në fëmijërinë e largët dikur,
Thithë gjoksin e nënës, si një shqerrë.
Sa rritet, kjo i ngjan punë për një burrë,
E s’resht së thithuri në gjokse të tjerë.
Po edhe gruan, larg në fëmijërinë e saj,
E rritë, i jep krah, ai gjoks, ajo thithje.
Po sa rritet, thithja i duket krejt e pa faj,
E fton të tjerët, ta thithin gjer në dhimbje.
10-MEDITIM
Dashuria duhet të ngacmohet shpesh,
Për të parë nëse është e ndezur në gji.
Si trazohet netëve, zjarri në një shesh,
Për të parë, ka ende zjarr, a thjesht hi.
E nëse zjarri rindizet edhe njëherë,
Që për ca çaste, dremitja jote e fiku.
Mes flakëve mund të kthehesh në erë,
Duke marrë hak dhe për kohën që iku.
Po nëse asnjë shkëndijë s’ka mbetur,
A aty në hi është varrosur çdo flakë.
Tek një zjarr tjetër, mund të ikësh fshehur,
A pranë hirit të thinjesh, pak nga pak.
11-QAJ SE TË DUA
Para teje rri, i mbërthyer në faj,
Se askush si unë s’vrau kaq ëndrra.
Pse më sheh ashtu, apo pret të qaj,
A do të tregoj varret që mbaj brenda?
Ëndrra të trishta që s’i ruajta dot,
Plot plagë i lashë, kreshtë më kreshtë.
Ti nuk ke arsye që të derdhësh lot,
Po ke vrarë dhe ti, hesht pra,hesht!
Para teje rri, kthyer në strehë reje,
Për ëndrrat e vrara, të bëhem rrasë.
Ndërsa ti thua:-Unë vija pas teje,
T’i mora me vete, ëndrrat që le pas!
Para teje rri, i mbërthyer në faj,
Ti ëndrrat e mia, ke kthyer në grua!
Ç’duhet më shumë, që të nis të qaj,
E të them pa ndrojtje:-Qaj se të dua!
12-LARG
Portën time se mora dot kur ika,
E mbi të me kohë ka mbirë bari.
Mund t’ju thosha, e rrënoji pritja,
Mund t’ju thosha, e ka djegur malli.
Mund t’ju thosha, mbi barin e thinjur,
Kurrë nuk do gjeni pikëza vese.
Mund t’ju thosha si niset papritur.
Loti që të bjerë gjethe më gjethe.
Mund t’ju thosha se nëna çdo natë,
Zgjatë dorën ta ulë atje hënën.
Mund t’ju thosha, ndodhë që im at,
Varrin e lë, të më presë me nënën.
Mund t’ju thosha se sa del nga varri,
Im at ngutet, ngutet se nuk ka kohë.
Pyet që atje tej:-S’qenka kthyer djali!?
Nëna kafshon buzë, nuk thotë dot-Jo!
Mund t’ju thosha pse rrinë përballë,
E flasin për mua, jeta dhe vdekja.
Pse njëri nga varri, bëhet i gjallë,
A ç’shqetësim ka, që nuk ikin tjetra.
Mund t’ju thosha, ç’lanë të pa thëna,
-Sa të vijë djali do të them:-Ktheu!
-Po nuk kam merak, se e pretë nëna,
-Ah i ziu ti që nuk të tretë dheu!
Mund t’ju thosha, a të rri në heshtje,
Më mirë mos prisni, s’ju tregoj asgjë.
Nëse thash ca gjëra, fola për vete,
Shpirti i vrarë, s’di të qajë me zë.

Related

Poezi 3435418051252907122

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item