“I çmendur” në Shtëpinë e Bardhë

James Rosen Pasditen e 19 prillit 1972, Presidenti Richard Nixon udhëzonte Henry Kissingerin për mesazhin që donte t’u përcillte homologëve ...

James Rosen

Pasditen e 19 prillit 1972, Presidenti Richard Nixon udhëzonte Henry Kissingerin për mesazhin që donte t’u përcillte homologëve të tij në Bashkimin Sovjetik. Brenda pak orësh, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare do të nisej me urgjencë për në Moskë, ku do të zhvilloheshin negociata të fshehta dhe jo pak të tensionuara, për çështjet e Luftës së Vietnamit dhe çarmatimit bërthamor. As edhe ekuipazhi i fluturimit në bazën ajrore të “Air Force One” në Andrews, nuk e dinte që Kissingerit do i bashkohej edhe një pasagjer shumë i rëndësishëm dhe i pazakontë: Ambasadori sovjetik në SHBA, Anatoly Dobrynin. Niksoni donte që koha e udhëtimit të mos çohej dëm me biseda vogëlsirash.
“Henry, nuk duhet ta humbasim këtë shans”, i tha presidenti, ndërkohë që sistemi i tij i fshehtë e rregjistronte bisedën mes të dyve. “Unë do ta shkatërroj atë dreq vendi (Vietnamin e Veriut), më beso, dua të them e shkatërroj, nëse është e nevojshme. Madje, edhe duke përdorur armë bërthamore, nëse do të duhet. Por nuk është e nevojshme”, shtoi me shpejtësi Nixoni. “Ajo që dua të them është se çfarë jam në gjendje të bëj”.
Nixoni donte që t’u krijonte përshtypjen sovjetikëve se presidenti i SHBA ishte, me një fjalë, “i çmendur”: i paqëndrueshëm, i çoroditur në vendim-marrje, dhe i gatshëm për të bërë gjithçka. Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të SHBA donte që sovjetikët ta dinin, se ishte i gatshëm të përshkallëzonte edhe konflikte të vegjël rajonalë, deri në nivel bërthamor. Kissingeri e kuptoi: “Do ua them sovjetikëve nesër mbrëma”, premtoi ai. Këshilltari për sigurinë Kombëtare bëri dhe prova madje, në dhomën e tij, se si do të përcillte porositë specifike të Presidentit, duke përdorur rutinën e përhershme “polic i mirë/polic i keq”. “Sa më shumë të bëjmë tani”, i tha ai bashkëbiseduesit sovjetik, “aq më mirë është”. Ishte gati t’i thoshte: mbi shpatullat e njerëzve të arsyeshëm, si ti dhe si unë, qëndron tashmë përgjegjësia për të parandaluar një të çmendur, si Nixoni, për t’i çuar gjërat në një rrugë ndoshta pa kthim.
Nuk ishte hera e parë që Kissingeri ishte ekspozuar ndaj potencialit strategjik të “çmendurisë”. Ky koncept e kish patur fillesën, mes anktheve bërthamore të viteve pesëdhjetë, pikërisht në qarqet akademikë ku edhe vetë Kissingeri kish bërë pjesë. Ishte një produkt i teorisë së lojës, një disiplinë matematikore – që shpesh herë gjente zbatim në politikëbërjen kombëtare – që mund të përdoret për të vlerësuar situatat kompetitive dhe për të parashikuar zgjedhjet e aktorëve, bazuar mbi veprimet e mëhershëm të konkurrentëve të tyre. Vetë Kissingeri e kishte përqafuar këtë koncept në shkrimet e tij, si profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Harvard, plot një dekadë përpara se të vinte në Shtëpinë e Bardhë. “Sa më të dalldisur të ngjajmë, aq më mirë është”, i tha ai Nixonit atë pasdite, “sepse në fund të fundit, Z.President, ne po përpiqemi t’i bindim ata se jemi gati të shkojmë deri në fund”.
Në librin e tij me kujtime “Mjetet e pushtetit”, që e shkruajti pas skandalit të “Watergate”, Shefi i Kabinetit i Shtëpisë së Bardhë, H.R.Halderman shkruante se përdorimi i kësaj strategjie nga ana e shefit të tij nuk ishte aspak i pavetëdijshëm. “Unë e quaj Teoria e të Cmendurit”, i pati thënë atij Nixoni. “Dua që vietnamezo-veriorët të besojnë se kam arritur në një pikë ku mund të bëj gjithçka për të ndalur luftën. Thjeshtë, do u dërgojmë atyre fjalë që ‘për hir të Zotit, ju e dini sa e urren Nixoni komunizmin. Ne nuk mund ta ndalim kur është i zemëruar – dhe ai e ka gishtin mbi butonin e bombës atomike’. Dhe mbaje mend, Ho Chi Minhi do të jetë në Paris brenda dy ditësh, duke u lutur për paqe”, kish përfunduar Presidenti.
Në fakt gjërat nuk shkuan dhe aq fjollë: do të duheshin shumë operacione të kushtueshëm dhe shkatërrimtarë, që nga minimi i Portit të Haiphongut në maj 1972, deri tek “bombardimi i Krishtlindjeve” në dhjetor të po atij viti, përpara se vietnamezo-veriorët, shumë të dobësuar dhe me miratimin e padronëve të tyre sovjetikë, të riktheheshin me dëshirë në tryezën e bisedimeve. Por ama, u rikthyen.
Katër dekada më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar që nga epoka e Nixon-Kissingerit: më e rëndësishmja, kolapsi i Bashkimit Sovjetik, shfaqja e aktorëve joshtetërorë në çështjet ndërkombëtare, si dhe përparimi i shpejtë në fushën e teknologjisë kompjuterike, pamjeve satelitore dhe prurjes së informacionit. Por si gjithmonë, janë shumë gjëra që mbeten pak a shumë njësoj. Me Vladimir Putinin, ish kolonelin e KGB-së që një herë e ka quajtur shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik “fatkeqësinë më të madhe gjeopolitike të shekullit”, Perëndimi përballet në fakt me një udhëheqës rus, të cilin përpjekjet e palodhura për të projektuar forcë, e bëjnë të ngjashëm me paraardhësit e tij të Luftës së Ftohtë.
Në akt, ka fituar gjithmonë e më shumë terren ideja që presidenti i Federatës Ruse – me vendosmërinë e tij për të rikthyer statusin e superfuqisë për vendin – është zhytur vendosmërisht në një betejë Lindje-Perëndim, e cila ka ngjashmëri të mëdha me atë betejë disadekadëshe, që shenjoi historinë e pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë një samiti të udhëheqësve amerikano-veriorë në Meksikë muajin që kaloi, Obama i vuri në lojë ata që e shohin krizën e Ukrainës, Sirisë apo edhe kontekste të tjerë ku aktualisht Uashingtoni dhe Moska po përplasin brirët, si “një lojë shahu të Luftës së Ftohtë, ku ne po konkurojmë me Rusinë”. Megjithatë, vetë Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare e presidentit, Susan Rice, do u thoshte pak më vonë gazetarëve, në vijim të aneksimit të Krimesë: “Nuk kemi interes të shohim situatën të përkeqësohet dhe të transformohet në konflikt të nxehtë”. Pavarësisht sarkazmës së Obamës, komentet e Rice në fakt nxorrën zbuluar se SHBA nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të angazhohen në një konflikt “të ftohtë”.
Megjithatë, këtë herë janë rusët, dhe jo amerikanët, që e shohin të vlefshëm përdorimin strategjik të “çmendurisë”. Pas një telefonate me Putinin, kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka deklaruar se nuk është e sigurtë që presidenti rus është në kontakt me realitetin. “Eshtë në një botë tjetër”, tha ajo. Dhe në mesin e “batareve” diplomatike që pasuan aneksimin ushtarak të Krimesë nga Rusia, ishte zëvendës ministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i cili në një intervistë për Radion “Zëri i Rusisë” paralajmëroi se Kremlini mund të reagojë ndaj sanksioneve të SHBA dhe aleatëve të vet me “masa asimetrike’.
Ku e kishte fjalën? Në gjuhën e pas 11 shtatorit, termi “asimetrik” lidhet zakonisht me “luftën”, dhe përgjithësisht u referohet taktikave që regjimet batakçinj dhe aktorët joshtetërorë, si Korea e Veriut dhe al Kaeda, kanë përdorur kundër fuqive që përdorin forcën tradicionale. Domethënë, taktika si lufta kibernetike dhe terrorizmi. Megjithatë, gjasat janë që Ryabkovi, ashtu si Nixoni dhe Kissingeri dikur, po përpiqej të shfrytëzonte frikën nga një terminologji e tillë, dhe donte të sinjalizonte që nëse kriza thellohet, Rusia ka ndërmend të anashkalojë praktikën tradicionale të përgjigjeve “me të njëjtën monedhë”.
Deri tani, pikërisht me këtë qasje është përballuar Moska – një reagim “me të njëjtën monedhë”. Kjo tregon që administrata Obama ka injoruar dy mësime shumë të rëndësishëm nga Lufta e Ftohtë. I pari është vlera që ka projektimi i paparashikueshmërisë, apo si në rastin e Nixonit dhe Kissingerit, edhe i “çmendurisë”. Ndërkohë që Nixoni kishte udhëzuar një herë Këshilltarin e tij për Sigurinë Kombëtare që t’i thoshte ambasadorit sovjetik që “Më vjen keq, Z. Ambasador, por ai (Nixoni) është krejt jashtë kontrolli”, Obama dhe Sekretari i Shtetit, John Kerry, janë përpjekur vazhdimisht që t’i bëjnë përshtypje Kremlinit me faktin që po tregohen shumë të arsyeshëm. “Duam që konflikti të çtensionohet”, deklaroi Kerry gjatë vizitës së tij dramatike në Kiev muajin që kaloi. “Nuk po kërkojmë një konfrontim të madh”. Këshilltarët e presidentit kanë deklaruar zyrtarisht se të gjithë opsionet mbeten mbi tryezë, por Obama e eleminoi më të fuqishmin prej tyre: “Ne nuk do të hyjmë në një angazhim ushtarak në Ukrainë”, tha ai për KNSD-TV të San Diegos.
Për më tepër, administrata Obama ka hyrë në një shteg që SHBA e kanë shkelur edhe gjatë konfrontimeve që kanë patur me Bashkimin Sovjetik gjatë epokës së luftës së Vietnamit: përshkallëzimi gradual i ndëshkimeve, objektivi i të cilëve është të sjellin ndryshime në sjelljen e kundërshtarit. Pas gjashtë orë bisedimesh të kotë me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov në Londër, që synonin të parandalonin aneksimin e Krimesë, Kerry u tha gazetarëve që, nëse Putini do të merrte një vendim “që është negativ”, atëherë edhe reagimi i aleatëve “do të kalibrohet në mënyrën e duhur”. Ky reagim “i kalibruar” nga Uashingtoni vazhdoi edhe pas referendumit, edhe pas aneksimit të Krimesë.
Rreziku i kësaj qasje është i dyfishtë. Së pari, ia lë të gjithë iniciativën Putinit. Ai po kontrollon fushëbetejën, dhe ne vetëm po reagojmë.
Së dyti, nuk arrin të nxjerrë mësimin që Presidenti Lyndon B. Johnson e nxorri, por me një kosto të lartë në Vietnam: rrezikun e gradualizmit. Nëse ideja është të shkaktosh dhimbje – apo “kosto” siç preferon ta quajë administrata Obama – ndaj një kundërshtari, me qëllim që ta detyrosh të bëjë diçka, (ose të ndalojë së bëri diçka), nëse kjo dhimbje është graduale, atëherë shtimi i paktë i dozës i mundëson kundërshtarit që të përshtatet me këto rritje të vogla të dhimbjes, që në çdo rast nuk do të ndihen shumë të ndryshme nga “kostot” e mëparshme që i ke shkaktuar. Nuk është çudi që Putini do të pranojë më kollaj rritjen e vogël të dhimbjes, se sa të rrezikojë një formë reagimi, e cila do të ishte masive dhe dobësuese.
Nëse administrata Obama vlerëson se fati i Ukrainës nuk është aq jetik për interesat e sigurisë kombëtare, sa për t’ia vlejtur një reagim i fuqishëm dhe dobësues ndaj Rusisë, atëherë opsioni më i mirë i administratës do të ishte të mbillte dyshime në mendjen e Putinit dhe këshilltarëve të tij, në lidhje me qëllimet e Amerikës. Edhe nëse Uashingtoni vetë e di që nuk është në gjendje ta përshkallëzojë krizën, projektimi i të kundërtës mund të kishte efekte të prekshëm, si në planin diplomatik, ashtu edhe në terren në Europën Lindore. Fatkeqësisht, presidenti dhe sekretari i tij i shtetit e kanë hedhur poshtë edhe këtë opsion.
Pas gjashtë vitesh në Zyrën Ovale, mendohet që Obama duhej t’i kishte rrokur këta mësime të Teorisë së Lojës, pasi ata gjenë zbatim në negociata, ose konfrontime me kundërshtarë në skenën botërore. Richard Nixon i mësoi gjatë tetë viteve që shërbeu si zëvendëspresident. Ai mbante shënime për stilin e lidershipit të një prej figurave dominuese gjeopolitike të epokës, udhëheqësin sovjetik Nikita Hrushov, me të cilin Nixoni kishte debatuar sy më sy gjatë “debatit të famshëm të kuzhinës” në Moskë, në vitin 1959. Dhe presidenti i ardhshëm, pasi kishte humbur me rezultat të ngushtë zgjedhjet e vitit 1960 vërejti se si udhëheqësi rus iu “vërsul” presidentit të ri dhe pa eksperiencë, John F. Kennedy, kur të dy u takuan në Vienë, në vitin 1961.
Teksa hidhte sytë pas në karrierën e tij në vitin 1985, i zhytur në kolltuk në zyrën në Manhattan, Nixoni e quante Hrushovin “udhëheqësi botëror më brilant që kam takuar ndonjëherë”. I pyetur përse, ai përgjigjej: “Sepse u kallte datën njerëzve”. (Foreign Policy)/bota.al

Related

Shtypi i huaj 4988082866706590218

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item