HISTORI / Përtej kryqëzatave, jo vetëm luftë

Gjithkush mund ta perceptojë këtë si një epokë “lufte totale” mes Islamit dhe perëndimit, një epokë konfliktesh të ashpër, të nxitur nga urr...


Gjithkush mund ta perceptojë këtë si një epokë “lufte totale” mes Islamit dhe perëndimit, një epokë konfliktesh të ashpër, të nxitur nga urrejtja dhe ciklet e dhunës reciproke. Ky është sigurisht vizioni i kryqëzatave, i përdorur për të nxitur idenë e një përplasje të pashmangshme të qytetërimeve mes Europës dhe botës myslimane. Por a është i vërtet ky koncept për epokën e kryqëzatave, nëse e këqyr me kujdes?
Imazhet më të fuqishëm që lidhen me memorien e kryqëzatave të mesjetës janë të dominuar nga lufta dhe dhuna: të dërguarit e parë të kryqëzatave që ecnin ne gjakun deri në gju të derdhur nga myslimanët në 15 korrik 1099, pas vrasjeve barbare për rimarrjen e Jeruzalemit; ushtria e kryqëzatës 88 vjet më vonë në fushëbetejën e Hatinit, në prag të një humbjeje të tmerrshme në duart e heroit më të madh të Islamit, Saladinit; dhe Baibari, sulltani i pamëshirshëm i Egjiptit të mamlukëve, që mbylli dyert e kryqtarit Antiok në 19 maj 1268, përpara se të therte me mijëra brenda tyre.
Në këtë sfond, gjithkush mund ta perceptojë këtë si një epokë “lufte totale” mes Islamit dhe Perëndimit, një epokë konfliktesh të ashpër, të nxitur nga urrejtja dhe ciklet e dhunës reciproke. Ky është sigurisht vizioni i kryqëzatave, i përdorur për të nxitur idenë e një përplasje të pashmangshme të qytetërimeve mes Europës dhe botës myslimane. Por a është i vërtet ky koncept për epokën e kryqëzatave, nëse e këqyr me kujdes?
Vdekja e Profetit Muhamed në vitin 632 u pasua nga një valë e furishme ekspansioni islamik, teksa fise arabë u derdhën jashtë gadishullit arabik dhe mbushën Palestinën (përfshirë Jeruzalemin), Sirinë, Irakun, Iranin dhe Egjiptin me një shpejtësi të pazakontë. Në shekullin që pasoi, ritmi i këtij ekspansioni u ngadalësua disi, por ai gjithësesi vazhdoi aq sa në mesin e shekullit të tetë bota myslimane shtrihej nga lumi Indus dhe kufijtë e Kinës në lindje, përgjatë Afrikës veriore deri në Spanjë dhe Francën jugore në perëndim.
Tashmë, në vitin 1000 myslimanët jetonin në komunitete në kufijtë e Europës perëndimore, më të njohurit në Iberi dhe Sicili. Ata që kërkojnë të gjejnë prova të kontakteve konstruktivë dhe jo destruktivë gjatë pikëpjekjeve mesjetare të Islamit me perëndimin e krishterë, zakonisht kthehen nga këto dy zona kufitare. Aty zbulojnë prova të bollshme për shkëmbime ndërkulturorë, transmetime intelektualë dhe shkrirje artistike. Në të kundërt, historia e kryqëzatave shpesh herë pranohet si njëdimensionale, si e nxitur vetëm nga lufta e shenjtë e të krishterëve dhe xhihadi i myslimanëve. Në fakt, një këndvështrim i tillë e nënvlerëson së tepërmi kompleksitetin dhe ngjyrat e luftës për Tokën e Shenjtë që nisi me Kryqëzatën e parë në vitin 1095 dhe përfundoi me kolapsin e shteteve të ndërtuar nga kryqëzatat në 1291.
Toka përtej detit
Pas kryqëzatës së parë, u krijuan katër shtete – avanposte të izoluar të krishterë që zgjatën pothuajse dy shekuj dhe që u njohën si Outremer (toka përtej detit). Historia mbresëlënëse e atyre katër vendbanimeve sigurisht që nxjerr zbuluar një betejë të vazhdueshme për mbijetesë kundër myslimanëve të Mesdheut lindor. Por historia e Outremer ofron edhe shembuj të shumtë të marrëdhënieve mes të krishterëve dhe myslimanëve, që në një farë mënyre e hedh në erë idenë që kjo ishte një botë konflikti të përjetshëm. Shtetet e ngritur prej kryqëzatave u asimiluan me shpejtësi prej zakoneve lokalë dhe të gjithë palët nisën të shfaqin një dëshirë pragmatiste për të bërë ujdi, madje edhe aleanca me ata që supozohej të ishin armiqtë e tyre, atëherë kur ishte e nevojshme. Prandaj në vitin 1108, më pak se një dekadë pas marrjes brutale të Jeruzalemit prej kryqëzatave, Latinët e Antiokut luftuan përkrah myslimanëve të qytetit fqinjë të Alepos kundër një armiku të përbashkët: në këtë moment, një koalicion i dytë i pazakontë, i përbërë nga forca të krishtera nga shteti rival i ngritur prej kryqëzatave, i Edesës, dhe irakenëve nga Mosuli.
Disa kontakte ishin në një nivel edhe më personal. Fisniku antioken Robert Fitz Fulku, zhvilloi një miqësi të ngushtë me luftëtarin turk Tughteini i Damaskut në fillim të shekullit 12. Ndoshta kjo ndihmoi për çimentimin e një aleance jetëshkurtër mes dy qyteteve të tyre në vitin 1115. Por deri në vitin 1119, të dy ishin ftohur shumë me njëri tjetrin. Kur Robert u burgos dhe u soll në Damask atë vit, ai mund të ketë shpresuar se do të lihej i lirë. Në fakt, kur ai refuzoi që të heqë dorë nga besimi i tij i krishterë, Tughteinin e mbërtheu zemërimi dhe ia preu kokën Robertit “me një të vërvitur të shpatës”. Më vonë u tha se Tughteini e kishte larë me flori kafkën e mikut të dikurshëm.
Në pjesën e mbetur të shekullit të dymbëdhjetë dhe më tej, myslimanët dhe të krishterët nga perëndimi shpesh herë u shfaqën të gatshëm për të negociuar përkohësisht, marrëveshje që do të ishin të dobishme për të dy palët. Edhe Saladini, i cili e mori pushtetin në Siri në vitin 1174 me premtimin se do të zhvillonte xhihadin dhe që denonconte vazhdimisht myslimanët e tjerë se bënin ujdi me latinët, fshehtas bënte marrëveshje me kontin e Tripolit në vitin 1176. Sulltani vazhdoi të demonstrojë të njëjtën qasje fleksibël ndaj kontakteve diplomatikë edhe për pjesën e mbetur të karrierës së tij.
Kujdes i madh duhet bërë kur vlerëson domethënien e këtyre shembujve të negociatave, ujdive apo edhe aleancave. Ato nuk paraqesin një përpjekje për të bërë paqe të qëndrueshme mes Islamit dhe perëndimit. Ato ishin më shumë ushtrime për të arritur volinë maksimale. Në Mesjetë, diplomacia ishte zakonisht një mjet për konflikt, që përdorej për të arritur avantazhe, ose një pushim të përkohshëm gjatë të cilit duhej rifituar forca për të rifilluar veprimet luftarake. Megjithëkëtë, është mbresëlënëse të konstatosh që, edhe në kontekstin e një lufte të ngarkuar nga pikëpamja fetare për dominimin e Tokës së Shenjtë, vazhdimësia e një “lufte totale” rezultoi e pamundur, ndoshta edhe e padëshirueshme.
Thirrja e tregtisë
Përgjatë gjysmës së parë të shekullit 13, pasardhësit e Saladinit ishin edhe më të gatshëm për të bërë marrëveshje me shtetet e krijuar nga kryqëzatat. Duket se qëllimi i tyre ka qenë që të ruanin një ekuilibër delikat të fuqive në Lindje, me qëllim që marrëveshjet tregtare mes lindjes dhe perëndimit të fuqizoheshin. Në fakt, epoka e kryqëzatave jo vetëm nuk solli një mbytje të tregtisë mes armiqve të betuar, por në të pati madje një rritje pothuajse eksponenciale në madhësinë dhe shtrirjen e kontakteve tregtarë mes Islamit dhe Europës Latine.
Tregtarë italianë nga Venecia, Piza dhe Xhenova luajtën një rol parësor në këtë proces, duke krijuar enklava në portet e mëdhenj të shteteve të kryqëzatave si dhe në qytetet bregdetarë, ndërkohë që krijuan një rrjet kompleks rrugësh tregtare transmesdhetare.
Këto arterie pulsuese të tregtisë, që lidhnin lindjen e afërt me perëndimin, mundësuan që produktet lindorë dhe sendet me vlerë nga Lindja e Mesme dhe Azia të mbërrinin në tregjet e Europës.
Kalimi i mallrave nga bota myslimane në portet e Mesdheut ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për të krishterët. U bë një prej elementëve më kyçë të ekonomisë së lindjes së afërme në tërësi: jetësore për tregtarët myslimanë që krijonin rrugët tregtare për karvanët drejt lindjes; shumë të rëndësishme për të ardhurat e qyteteve të mëdhenj të Islamit, Alepo dhe Damasku. Këta interesa të përbashkët prodhuan ndërvarësi si dhe nxitën kontakte të kuruar me kujdes, edhe në kohëra kur konfliktet politikë dhe ushtarakë ishin në kulmin e tyre. Në fund – edhe në mesin e luftës së shenjtë – tregtia ishte shumë e rëndësishme për t’u ndërprerë.
Udhëtari iberik mysliman dhe pelegrini Ibn Jubayr ishte një prej dëshmitarëve të gjallë të këtij fenomeni. Gjatë një udhëtimi në fillim të viteve 1180 që ndërmori në Afrikën veriore, Arabi, Irak dhe Siri, ai kaloi nëpër mbretërinë latine të Jeruzalemit me një karvan tregtarësh myslimanë nga Damasku, duke vizituar Akrën dhe Tiren përpara se t’i hipte anijes për në Siçili. Ai përshkruante sistemet e strukturuar që siguronin rrjedhjen e lirë të trafikut tregtar; rregullat striktë të sigurisë; doganat shumë efiçiente, duke përfshirë një në Akër ku ishin punësuar punonjës doganorë që flisnin arabisht si mbajtës të rregjistrave; si dhe magazina dykatëshe në Akër për magazinimin e mallrave. Biznesi mes të krishterëve dhe myslimanëve kryhej “me qytetari dhe respekt dhe pa pikë padrejtësie”.
Transportuar drejt perëndimit
Deri në shekullin 13, me nxitjen e Ayybidit, Akër ishte bërë porti më i rëndësishëm i hyrjes në Mesdhe – magazina e Levantit, në të cilin mallrat vinin nga të gjithë shtetet e kryqëzatave, lindja e afërt dhe përtej. Ato magazinoheshin aty përpara se të niseshin me anije për në perëndim. Ndërkohë, nisi edhe trafiku nga perëndimi në lindje. U bë gjithnjë e më e zakontë për tregtarët latinë që të udhëtonin në territore myslimanë, duke tregtuar mallra të leshtë dhe shafran (e vetmja erëz perëndimore që gjeti treg në Lindje) në Damask, përpara se të ktheheshin në Akër me një ngarkesë të re mëndafshi si dhe gurësh të çmuar e gjysmë të çmuar.
Jo të gjithë ishin të impresionuar nga ritmi i vrullshëm i jetës në portin e Mesdheut. Një peshkop latin e quante “një Babiloni e dytë”, duke e quajtur Akër “një qytet të tmerrshëm… i mbushur me akte të pahijshëm dhe bëma djallëzore”, me një popullsi që “ishte e gjitha e kushtuar ndaj kënaqësive trupore” – thuhet se prostitucioni kishte lulëzuar kaq shumë saqë edhe klerikët ua jepnin dhomat e tyre me qera prostitutave. Toni dënues i këtyre komenteve ishte të paktën pjesërisht një përgjigje ndaj statusit të Akër si një “pikëtakimi” kulturor: një pikepjekje mes Islamit dhe perëndimit, ku latinët mund të ekspozoheshin dhe takoheshin me zakonet e shteteve të lindjes.
Eshtë ende i hapur debati se sa shumë banorët e shteteve të kryqëzatave përqafuan stilin e jetesës dhe praktikat e banorëve në lindje të Mesdheut. Një veteran i Kryqëzatës së Parë sigurisht që sugjeronte se kishte një element përshtatjeje kur ai shkruante në vitin 1120 “se Perëndia e kishte transformuar Perëndimin në Lindje. Sepse ne që kishim qenë perëndimorë, tashmë qemë shndërruar në lindorë”. Megjithatë, prova të besueshme të asimilimit janë shumë të rralla.
Ndoshta burimi më i mrekullueshëm i informacionit në këtë drejtim është Usama ibn Munqidh’ dhe libri i tij “Book of Contemplation”, një koleksion rrëfenjash dhe anektodash. I lindur në 1095 – po atë vit kur nisën kryqëzatat – Usama ishte një fisnik sirian arab që kish gëzuar një karrierë jashtëzakonisht shumë të gjatë e të shumëllojshme si luftëtar, diplomat dhe këshilltar. Si i tillë, ai ishte personi i duhur për të qenë dëshmitar i kryqëzatave.
Argëtimi i myslimanëve
Për çështjen e latinëve të orientalizuar, Usama shkruante: “Ka disa perëndimorë që janë mësuar tashmë dhe që frekuentojnë shoqëri myslimanësh. Këta janë më mirë se sa ata që sapo kanë ardhur nga vendet e tyre, por këta përbëjnë përjashtim dhe nuk mund të konsiderohen si raste tipikë”. Më pas, ai përmend historinë e një kalorësi të moshuar latin në Antiok, i cili tashmë përdorte vetëm kuzhinë lindore, kish punësuar “kuzhiniere egjiptiane” dhe argëtonte me kënaqësi mysafirë myslimanë. Kjo qasje ndaj ushqimit të lindjes së afërme vjen edhe për shkak të përhapjes mes latinëve të ushqimeve të ndryshëm vendas – që nga qitro dhe shegët, deri tek orizi dhe thjerrëzat.
Diku tjetër, Usama ibn Munqidh përshkruan se si kish vizituar një hamam në Tyre, i hapur për latinë dhe myslimanë si dhe për faktin që kish dëgjuar për një hamam të drejtuar nga myslimanë në Marrat. Kjo e dyta drejtohej nga një i quajtur Selim, i cili i kish rrëfyer Usamas një histori (që ai e konsideroi skandaloze) për një kalorës frank që kish vizituar ndërtesën e tij. Kalorësi kish vendosur që, ashtu si Selimi të depilohej i tëri dhe ishte kaq i kënaqur, saqë kish thirrur bashkëshorten e tij: Ajo u shtri, dhe kalorësi tha: “Bëje atë siç më bëre mua!” Kështu që, unë e depilova dhe të shoqen ndërkohë që kalorësi rrinte e më shihte. Më pas, ai më falënderoi dhe më falënderoi papushim për shërbimin”. Usama më pas reflektonte për kontradiktën e madhe që nxirrte kjo anektodë; që perëndimorët “nuk kanë sens pronësie apo nderi, e megjithatë ata kanë një kurajë shumë të madhe”.
Interesi i Usamës ishte pothuajse gjithmonë tek e çuditshmja dhe e pazakonta, kështu që materiali i tij duhet të shihet me kujdes. Megjithatë, vepra e tij ofron shpesh herë pamje mbresëlënëse të jetës së përditshme në shtetet e kryqëzatave dhe tregon se të ardhurit nuk jetonin në një kulturë të hermetizuar, por ata u angazhuan për një masë adaptimi dhe asimilimi. Përgjatë luftës për Tokën e Shenjtë, realiteti pragmatist dhe volia politike, ushtarake dhe tregtare nënkuptonin që të ardhurit e kryqëzatave do të kishin kontakte të shpeshtë me vendasit e shteteve të lindjes, duke përfshirë myslimanët. Kështu që, kryqëzatat krijuan një prej mjediseve kufitarë ku europianët ishin në gjendje të ndërvepronin me lindorët dhe të absorbonin kulturën lindore.
Edhe pse të karakterizuara nga një luftë fetare për territore të shenjtë, kryqëzatat nuk u zhvilluan si “luftëra totale” dhe rezultuan në pika takimi mes të krishterëve dhe myslimanëve, jo shumë të ndryshme nga ato të vërejtura në Siçili dhe Iberi.
Kjo nuk ishte një epokë miqësore marrëveshjesh të kollajta dhe harmonie, por duke parë realitetet mbizotërues të botës në përgjithësi, nuk duhet të jetë surprizë. Vetë perëndimi në mesjetë ishte i mbushur me rivalitete mes të krishterëve dhe luftëra të pafundme; intoleranca sociale dhe fetare ishte gjithashtu kudo në rritje. Sipas këtyre standarteve, përzierja e kontakteve dhe konflikteve të vazhdueshëm në lindjen e Mesdheut gjatë kryqëzatave nuk ishte aq e madhe. Në një analizë të ekuilibrave, historia e kryqëzatave nuk tregon aspak se Islami dhe perëndimi ishin të destinuar që atëherë që të shkonin drejt një “përplasjeje të qytetërimeve”. Focus/bota.al

Related

Histori 4582347715220200806

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item