Greta Koçi: Kënga e bukur s'ka nevojë për zhveshje

Greta Koçi, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare është rikthyer fuqishëm në tregun muzikor, me një këngë të pëlqyer shumë që në ditët e pa...


Greta Koçi, këngëtarja e dashur e skenës shqiptare është rikthyer fuqishëm në tregun muzikor, me një këngë të pëlqyer shumë që në ditët e para të publikimit. "What's Up" është titulli i materialit që e kthehu Gretën në arenën e muzikës më të fortë se kurrë. Po çfarë ka ndodhur me Gretën këto kohë dhe çfarë do të ndodhë tani e tutje? E mësojmë bashkë përmes intervistës që do të pasojë. 

Greta të pëlqen më shumë të flasësh për muzikë apo për politikë? E ndjen diferencën midis njërës dhe tjetrës? 

Tashmë të dyja janë pjesë e pandashme e imja. Por sigurisht që muzika ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në plan të parë për mua. Është dashuri më vete, ndaj e kam kënaqësi të flas për muzikën. I thonë 12 vite karrierë e suksesshme, që nuk janë pak. Për fat të mirë kënga dhe klipi "What's up" më kanë sjellë një lloj ringjalljeje në art dhe ka pasur goxha impakt. Jam shumë e kënaqur për këtë. 



Mund ta quajmë publikimin e këngës së re, si rikthimin tënd në muzikë? 

Në fakt, unë kam rreth 1 vit e gjysmë pa lançuar një klip e pa marrë pjesë nëpër evente e festivale, siç ishte mësuar të më shihte publiku. Ka qenë një lloj pauze. Tek-tuk kam qenë e pranishme nëpër koncerte, por jo shumë aktive për shkak të angazhimit tim politik, një angazhim serioz dhe i rëndësishëm për mua. Artisti, por edhe çdo njeri ka strategjinë e vet dhe në momentin e duhur, ndonjëherë të bën edhe mirë të pushosh pak në muzikë. 

Si është pritur kënga e re? 

Kam parë klikimet që orët e para pas lançimit të klipit dhe si rrallëherë kam marrë shumë mesazhe. Ndoshta ka ndikuar edhe fakti që unë kam munguar për një kohë relativisht të gjatë. Pas gjithë asaj lodhjeje për realizimin e këngës, klipit e të tjera, kjo është kënaqësia më e madhe, shpërblimi më i madh. 




Pse zgjodhe pikërisht këtë moment për ta hedhur në treg këtë klip? 

Sepse jemi në prag të sezonit veror dhe ky është një moment shumë i mirë për të gjithë artistët. Pastaj unë kisha kohë që e kisha projektuar këngën. 

Kush e ka realizuar këngën "Whats up"? 

Kënga është kompozuar nga Eni, motra ime. Ia dëgjova një ditë materialin në studio dhe i thashë "këtë këngë ti duhet të ma lësh patjetër mua, se nuk kam kohë të pres më gjatë për ndonjë gjë tjetër kaq të bukur". Ajo sigurisht që ishte dakord dhe unë kontaktova menjëherë me Gentin, GBMC, pasi më pëlqeu tek festivali "Kënga Magjike" dhe i ofrova një bashkëpunim. Për këtë këngë është punuar shumë. Gjithë ajo lodhje e shumë personave që kanë punuar për këtë këngë, si për realizimin audio, ashtu edhe për atë video, doli me sukses. 


Pse duhej një bashkëpunim me një mashkull për këtë këngë? 

Në fakt, kjo ka qenë e rastësishme, sepse mund edhe të dilja vetëm. Thjesht kjo këngë e Enit ishte domosdoshme të realizohej me një reper. E kisha pikasur Gentin, më pëlqente dhe atij ia ofrova. Nuk është se kam pasur ndonjë plan paraprak, por kisha vendosur që do të dilja bukur. 

Stina e verës për ty mbyllet me këtë, apo nuk e themi dot që tani? Do të ketë këngë të tjera? 

Jo, nuk besoj. Unë premtoj vetëm që do të jem jashtëzakonisht e përkushtuar në muzikë. Mund të quhet tamam rikthim. Do të merrem shumë seriozisht me materialet e reja e s'mund ta them që tani nëse do të jetë vetëm kjo për këtë verë. Pavarësisht se me sa shoh, është kthyer në një farë hit-i, megjithëse kanë kaluar shumë pak ditë pas lançimit. 




Të kishte marrë malli të xhiroje një klip? 

Po (qesh). Ne i kemi mbyllur të gjitha skenat brenda një dite. Ka qenë e lodhshme, por kam punuar me një ekip të mirë, që më ka ndihmuar shumë. Unë kam shumë klipe në treg dhe isha mësuar me këtë. Edhe këtë herë sigurisht që mamin tim e kisha nga mbrapa, Eni po ashtu. Domethënë ishim një grup shumë i mirë dhe i kujtoj me shumë nostalgji dhjetëra klipe që kam. Merita për klipin cilësor është e Aleksandrit. Duket sikur është xhiruar jashtë, sepse Genti momentalisht jeton në Londër dhe s'e di kur kthehet. Ai ka xhiruar atje, kurse unë në Tiranë. Pastaj është ndërthurur. Aleksandri ka bërë një punë shumë të mirë me klipin. Ai është një mjeshtër i madh i kësaj pune. 

Pse është zgjedhur titulli "What's up"? 

Është një fjalë që e dëgjojmë kaq shpesh. Sa herë që e dëgjoj këtë fjalë apo zilen e telefonit, qofsha në kafe apo në zyrë, duket sikur fillon kënga ime (qesh). Ne kapëm një temë shumë aktuale, zhvillimi i teknologjisë, këto format e reja të kontakteve si "Viber" apo "Whatsapp" që tashmë janë bërë të domosdoshme. Ideja ishte të përcillnim se si komunikojnë të rinjtë sot edhe kur duhen, sepse aty kanë mundësinë edhe t'i shprehin dashurinë njëri-tjetrit, duke e parë që është diçka e prekshme në jetën e përditshme. Besoj se ky është edhe çelësi i suksesit të këngës. Pra, ne morëm spunto nga teknologjia për të realizuar fabulën dhe tekstin e këngës. 


Për imazhin tënd në videoklip kush është kujdesur? 

Parukierja ime personale Ada, e cila më ka ndenjur mbi kokë gjithë kohës. Këta janë njerëz, që ndoshta publiku nuk i vë re, por janë shumë të rëndësishëm për imazhin e një artisti. Kam marrë komplimente për pamjen time. Jam munduar të tregohem shumë e kujdesshme edhe në mënyrën time të të veshurit, pa dalë nga natyra ime. Është e panevojshme që në një këngë vere të dalësh tërësisht e zhveshur. Një këngë që është e bukur nuk ka nevojë për këtë lloj reklame dhe publiku është shumë inteligjent për ta kuptuar të bukurën. Në çdo dalje publike ka edhe kritika, por është hera e parë që nuk kam dëgjuar as edhe një të tillë. 
Kush kalon më shumë kohë në "Whatsapp", ti apo Eni që ka bërë këngën? 
Të dyja, po mua më lidh shumë edhe puna (qesh). Është më e rehatshme se të dërgosh mesazh pastaj ka edhe 'smiley' për të shprehur emocionet. 

Ka filluar të vihet kënga në ambientet e jetës së natës? 

Po kam dëgjuar, madje më marrin në telefon fansa e më thonë se ku po e dëgjojnë këngën time, në Durrës, në Sarandë... Menjëherë pasi lançova klipin, s'kaluan dy orë dhe nisën ftesat për koncerte. Direkt jam nisur për në Zvicër. Ka qenë një javë shumë impenjative dhe e kam kuptuar që kjo është vetëm falë muzikës, falë artit, falë këngës së re. Jo vetëm njerëzit që janë dashamirës të muzikës sime, por edhe unë vetë kisha nevojë për këtë. 

Kanë filluar prenotimet për koncerte gjatë verës? 

Ka filluar vrullshëm në fakt. Do të jem në Fier, më pas në bregdet që janë mbyllur disa data e më vonë do të udhëtoj sërish jashtë vendit për të kënduar, sepse atje ka shumë shqiptarë. Axhenda do të jetë shumë e ngjeshur. Është punë e bukur që unë e bëj me shumë kënaqësi. 

Por kjo punë të privon nga pushimet, apo jo? 

Problem është në fakt, verë për ne nuk ka. Unë vetëm vjet kam bërë një javë pushime me familjen time, pasi kisha dhjetë vjet pa pasur mundësi të pushoj. Vetëm kur shkoja në ndonjë koncert në bregdet, përfitoja për të dalë pak paradite. Por kur je në koncert dhe një publik aq i madh këndon në kor këngët e tua, kjo është kënaqësia më e madhe dhe ia bën hallall gjithë ato vite punë edhe sakrificë. 

Do të jesh e pranishme edhe në festivale apo evente muzikore? 

Besoj se po. Nuk kam ndonjë material gati, por do të jem shumë aktive në muzikë. 

Fakti që ke një studio muzikore tënden, të penalizon që të kesh bashkëpunime me kompozitorë të tjerë? 

Besoj që s'ka kompozitor në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, me të cilin unë s'kam punuar. Ne kemi krijuar studion tonë për të pasur komoditet, por edhe na duhet shumë sepse sidomos Eni ushtron vokalin, sepse unë kam qenë pak më e zënë. Është një punë e përditshme, sepse ky është profesion dhe duhet ta ushtrosh. Shumicën e këngëve ne i kemi punuar aty, por absolutisht kur ka oferta nga kompozitorë të tjerë, unë shkoj e dëgjoj materialin dhe nëse më pëlqen, nis diçka. Nuk më privon. Mjafton të jetë një material i bukur dhe e marr padiskutim. 

Po në kryeqytet këndon mbrëmjeve? 

Unë asnjëherë nuk kam pasur kontrata stabël për të kënduar, përveçse kur kam shkuar në Shtetet e Bashkuara, ku kam kënduar një muaj dhe kam pasur një kontratë. Nuk kam dashur të kem një kontratë për të kënduar vetëm në Tiranë, sepse kam preferuar të lëviz në vende të mira, në vende ku shkon pak edhe saktë. Artistët e rinj që këndojnë me kontrata, bëjnë shumë mirë. Edhe unë e kam bërë përpara se të merrja famë e të isha Greta Koçi. Por çdo artist ka strategjinë e vet. Ka momente të duhura se kur duhet ta lançosh një këngë, në ç'vend duhet të shkosh në koncert. Unë për fat të mirë kam pasur familjen time që janë marrë shumë me mua dhe një staf që është marrë posaçërisht me këtë punë. Është art më vete dhe kjo pjesë (qesh). 

Jeni dy motra, të dyja këngëtare. Kjo e bën punën më të lehtë apo më të vështirë? 

Patjetër që më të lehtë. Ndoshta publiku e njeh Enin si motra e vogël e Gretës, që sigurisht po ecën mirë në karrierë, por duhet të them që ajo ka një vullnet të jashtëzakonshëm. Ka një talent për të krijuar muzikë, që nuk e di se nga i buron. Unë nuk është se ulem për të krijuar muzikë. Ndoshta po të ulesha e të merresha, do të arrija ta bëja. Më pëlqen, sepse Eni kërkon shumë nga vetja. Përveç materialeve të saj, është shumë e kujdesshme edhe për të zgjedhur diçka për mua. E sheh që jam shumë e ngarkuar dhe kur bën diçka të bukur më thotë "Greta dëgjoje njëherë ti dhe nëse të pëlqen, merre". Është tolerante, kuptohemi (qesh). 

Gjatë kësaj kohe, ti ishe shkëputur totalisht nga muzika apo ke punuar si Eni për të ushtruar vokalin? 

Unë ushtrohem pothuajse përditë. Mund të ndodhë ndonjë dyditësh në javë që kam ngarkesë, por zakonisht sa shkoj në shtëpi, marr kufjet, mikrofonin dhe nuk dal nga studio për dy-tri orë. E kam të nevojshme. Është si ilaç, siç është buka për çdokënd, është muzika për mua. Sado që kam qenë e ngarkuar, në darkë fikja telefonin dhe bllokoja çdo gjë tjetër që të këndoja në studio për kënaqësinë time. 

Cili është për ty komponenti më i rëndësishëm i një kënge? 

E para, sigurisht që është melodia, notat muzikore. Pastaj varet edhe nga shijet e artistit. Unë gjykoj pak më ndryshe, duke qenë në terren dhe aktive nëpër koncerte dhe kuptoj se çfarë duan njerëzit. Në fund të fundit ne jemi ballkanas dhe kemi eksperimentuar shumë edhe me pak folk, që është e pranueshme kur nuk banalizohet. I dyti është pa diskutim teksti. Fabula, morali, ajo çka përçon kënga ka shumë rëndësi në të qenit e suksesshme. Ne themi një shprehje "këngëtari e bën këngën. Pra, ka një rëndësi të madhe edhe artisti, mënyra se si e sjell, klipi, veshja, janë shumë komponentë.

Related

Top Lajm 3528265943464167369

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item