“Gjuha shqipe në komunikimet publike”,- një libër për problemet e shqipes standarde sot

Nga Rami Memushaj Botimeve në ndihmë të studiuesve të gjuhës, po edhe të një rrethi më të gjerë lexuesish, në radhë të parë mësuesve të gjuh...

Nga Rami Memushaj



Botimeve në ndihmë të studiuesve të gjuhës, po edhe të një rrethi më të gjerë lexuesish, në radhë të parë mësuesve të gjuhës shqipe dhe punonjësve të shtypit, gazetarëve, redaktorëve letrarë e lektorëve, në fund të vitit që shkoi iu shtua edhe libri i prof. dr. Qemal Muratit “Gjuha shqipe në komunikimet publike (Ligjërimi mes zyrtares / jozyrtares dhe sendërgji për përmbysje standardi e kthim dialekti)”.
Prof. dr. Q. Murati, punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, është ndër gjuhëtarët më të njohur në Kosovë e Maqedoni dhe mbrojtës i palëkundur i gjuhës standarde. Ky libër, një prej botimeve të shumta që ky “gardian” i shqipes u ka ofruar lexuesve këta 20 vjetët e fundit, përbën një ndihmesë tjetër të çmuar të tij në fushën e kulturës së gjuhës dhe të planifikimit gjuhësor, në një moment kur, nga njëra anë, kujdesi për gjuhën ka rënë në shkallën më të fundit që mund të mendohet dhe, nga ana tjetër, po bëhen përpjekje të ethshme për institucionalizimin e ndërhyrjeve arbitrare në normat e gjuhës standarde. Pikërisht, ky reagim i autorit ndaj këtyre dukurive shqetësuese e bën këtë botim shumë aktual dhe të mirëpritur nga lexuesit.
Libri është një përmbledhje me studime, artikuj e intervista. Tematika e tij e larmishme shtjellohet në nëntë krerë, ndër të cilët pjesën kryesore e zë kreu III “Sendërgji për përmbysjen e standardit e kthim te dialekti”, në të cilin trajtohen çështje të planifikimit gjuhësor dhe të kulturës së gjuhës në mediet e shkruara e të folura: shkeljet e normës fonetike, leksikore e gramatikore, lajthitjet gjuhësore, çështjet e ndikimit të gjuhëve fqinje në leksikun e në ndërtimet gramatikore të shqipes gramatikore, çështjet e purizmit etj. Një vend të veçantë në këtë libër (kreu II: “Situata në arealin linguistik në Maqedoni shqipja si gjuhë e huaj në plëngun e vet”) e zë trajtimi i problemit të statusit të shqipes në Maqedoni dhe i të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në këtë republikë. Duke mbetur në fushën e sociolinguistikës, një krye tjetër i librit merret me veçori të komunikimit gjuhësor në mjedise të ndryshme sociale.
Tematika e gjerë e rrahur në këtë libër dhe lënda e pasur e nxjerrë nga vëzhgimet e përditshme të ligjërimit zbulon, nga njëra anë, rrethin e gjerë të interesave të autorit, dhe, nga ana tjetër, dëshmon për gjallërinë në punën e këtij punëtori të palodhur e shumë prodhimtar të shqipes. Librin e bën të dashur e të lexueshëm gjuha e zhdërvjellët, të qenët konkret në shtrimin e problemeve, pasqyrimi metikuloz i shtrembërimeve e i lajthitjeve të ligjërimit të përditshëm dhe fryma polemike që e përshkon nga fillimi në fund. Duke e lexuar librin, kupton, edhe pa e njohur jetëshkrimin e autorit, se ke të bësh me një gjuhëtar që fillimet e veprimtarisë së vet duhet ti ketë te gazetaria.
Situatës gjuhësore në Maqedoni dhe statusit të shqipes në këtë shtet autori i kushton disa shkrime, ndër të cilët vendin kryesor e zë punimi “E drejta për gjuhën në demokracitë e sotme linguistike dhe situata gjuhësore në Maqedoni”. Autori tregon se statusi i shqipes në këtë shtet është më keq se në kohën e Jugosllavisë së Titos. Ai sjell fakte të përdorimit shumë të kufizuar të shqipes në të gjitha format dhe llojet e komunikimit të shkruar e të folur: në emërtimet e rrugëve, në tabela, reklama, sinjalet rrugore, receta mjekësore, fatura, bileta; ajo ka një përdorim të përgjysmuar në Kuvendin e Maqedonisë; nuk lejohet në aeroportin e Ohrit, as në ushtrinë maqedonase, as në Gjykatën Kushtetuese. Burimin e kësaj anomalie autori e sheh në orientimin antishqiptar të klasës politike maqedonase, e cila “urrejtjen për gjuhën e tjetrit” e ka injektuar te popullata maqedonase, aq sa nëpërkëmbja e gjuhës shqipe dhe diskriminimi institucional i saj është bërë detyrë kombëtare maqedonase. Këtë autori e konkretizon me konstatimin se 99 për qind e shqiptarëve të Maqedonisë mund të komunikojnë në gjuhën maqedonase, por vetëm 3 për qind e maqedonasve mund të komunikojnë në gjuhën shqipe.
Ky diskriminim i gjuhës shqipe është sanksionuar edhe në legjislacionin themelor të shtetit maqedonas, në kushtetutë e në ligje të tjera. Në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë gjuha shqipe nuk përmendet me emër: aty flitet për gjuhë zyrtare (të shkallës së parë), e cila është maqedonishtja, dhe gjuhë tjetër zyrtare, dmth. të shkallës së dytë, që është shqipja, apo për “gjuhë që e flet 20 për qind e popullsisë”; madje, edhe në Marrëveshjen e Ohrit shqipja përmendet vetëm në dy raste, ndërsa në 6 raste ajo zëvendësohet me shprehjen: “çdo gjuhë që flitet nga të paktën 20% e popullsisë”.
Duke iu referuar statusit që kanë gjuhët e pakicave në Shqipëri dhe në Kosovë, si dhe politikat gjuhësore në shtete shumëgjuhëshe, si Zvicra, Finlanda etj., madje edhe në ish-Jugosllavi, ku gjuha zyrtare shihej si kod i barabarësisë, autori vëren se në Maqedoni gjuha zyrtare shihet si kod për dominim, prej nga buron edhe modeli i centralizmit gjuhësor-politik që zbatohet në praktikë. Këto e bëjnë Maqedoninë vendin me pasurinë më të madhe të gjuhëve në Europë dhe me shkeljen më të madhe të të drejtave të përdorimit zyrtar të gjuhës së tjetrit. Kjo politikë gjuhësore në një shtet me jo më pak se 23 gjuhë shihet prej autorit si anakronike dhe e dëmshme. Në këto rrethana, ai arrin në përfundimin se shqipja zyrtare “është vetëm një eksperimentim dhe simulim dhe se deri në zyrtarizimin e saj nevojitet edhe shumë kohë dhe një politikë më këmbëngulëse shqiptare” dhe se, pas amnistisë politike të vitit 2001, “nevojitet edhe amnistim i gjuhës shqipe”. Po kjo kërkon që klasa politike shqiptare në Maqedoni të luftojë më me këmbëngulje për përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Kushtetuta, Marrëveshja e Ohrit dhe legjislacioni i vendit për gjuhën, duke kërkuar edhe përmirësime e plotësime të këtij legjislacioni. Për ta bërë këtë, ajo duhet të mbështetet në ekspertizën e gjuhëtarëve që merren me çështje të politikave gjuhësore dhe që njohin situatën gjuhësore në Maqedoni, qofshin këta shqiptarë apo të huaj. Nga ana tjetër, popullsia sllavomaqedonase duhet të çlirohet nga mendësitë primitive nacionaliste, nga urrejtja për gjuhën e tjetrit dhe të kuptojë se shumëgjuhësia është një pasuri. Atëherë nuk do të ketë asnjë problem në bashkëjetesën e etnive të Maqedonisë.
Lidhur me debatet për shqipen e sotme standarde, që përbëjnë temën që zë vendin kryesor në këtë libër, autori shprehet se kërkesat për të braktisur standardin e për të ringjallur variantet letrare dialektore dhe thirrjet për një kongres të ri gjuhësor, që gjoja do të vinte në vend padrejtësitë, jo vetëm janë të pambështetura gjuhësisht, po janë edhe përçarëse, dëmsjellëse, kundërhistorike e kundërkombëtare. Për tu prerë rrugën kontestimeve të antistandardistëve, autori mendon se ka ardhur koha që përdorimi i gjuhës standarde shqipe të mbrohet me ligj, duke i kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës ti dalin zot gjuhës, indit të vetëm koheziv kombëtar.
Autori mendon, sikundër edhe opinioni i shëndoshë intelektual në të gjitha hapësirat shqiptare, se diskutimet kundër standardit apo për reformimin e tij e zhvendosin vëmendjen nga problemi themelor. Problemet e vërteta që hasen sot në përdorimin e shqipes, nuk janë probleme të kodeve të standardit, po probleme të ligjërimit, dmth. probleme të performancës në zbatimin e këtyre normave. Pikërisht, duke e parë në mënyrë të shtrembëruar problemin nga padija ose të shtyrë nga mendësi krahinore, këta propozojnë zgjidhje nga më të ndryshmet: disa për një standard vetëm për Kosovën, dmth. për një gjuhë kosovare disa për një gegërishte letrare a për një standard gegë që do ta vendoste një kongres i tretë.
Këtyre autori u përgjigjet: “Gjuha shqipe ska probleme, problemet asaj ia krijojnë artificialisht disa vetje a grupime për protagonizëm e bajraktarizëm, prirje këto që nuk u kanë munguar shqiptarëve.” Në disa prej shkrimeve për këtë temë, ai shpjegon se gjuha standarde është një sistem dinamik dhe i hapur për prurje të reja edhe nga të folmet, por jo të gjitha prurjet dialektore mund të integrohen në gjuhën standarde për “balanca”, pasi gjuha standarde nuk është një përzierje mekanike elementesh dialektore.
Pikëpamjet e tij prof. Q. Murati i ka shprehur edhe në një varg intervistash dhënë organeve të shtypit të Prishtinës dhe të Tiranës, të cilat janë përmbledhur në kreun IV “Jo ndryshimeve arbitrare në gjuhë”. Në këto intervista ka reagime të tij për zhvillime të tre vjetëve të fundit, si disa konferenca me projektime antistandard; për kontestimet ndaj gjuhës standarde apo për korrigjime e rishikime të saj, të atyre që ai i quan jogjuhëtarë; për gjuhën e stilit administrativ dhe për masat që duhen marrë për tu prerë rrugën shkeljeve gjuhësore, për punën që duhen bërë për përvetësimin e normave të gjuhës standarde, pasi ajo “nuk mësohet vetvetiu, qysh me të lindur, siç mësohet ta zëmë të ecurit ose gjuha e nënës…, por diçka që kultivohet, që arrihet me rrugë të tjera të mësimit e të edukimit”.
Ai kapërcimin e mangësive në zbatimin e normave e gjen jo te rishikimi i tyre, sepse në mungesë të kujdesit për kulturën e gjuhës çdo kod, sado i përsosur të ishte, nuk do të zbatohej si duhet. Për të, “formimi i standardit të shqipes është një çështje e mbyllur në mënyrë të kënaqshme, të pranueshme dhe përfundimtare” dhe rrugëdalja është “të krijojmë dhe ne traditën gjuhësore të standardit dhe ta lëmë anësh dialektin e inatishtes. Të respektojmë institucionin e shqipes standarde, ashtu siç duhet ti respektojmë dhe simbolet e tjera kombëtare e shtetërore: himnin, flamurin etj.”
Prandaj përpjekjet për kontestimin e standardit me anë tubimesh me të ftuar të zgjedhur apo me tematika që kundërvënë formën e shkruar dhe formën e folur të standardit, apo standardin me ligjërime krahinore, autori i stigmatizon si të tilla që u fryjnë dasive dialektore, që ngrenë dialektin e vet dhe përçmojnë dialektin e tjetrit.
Vend të dukshëm në libër zë edhe trajtimi i historisë së krijimit të gjuhës standarde, i përpjekjeve të rilindësve për një gjuhë të shkruar të përbashkët, i Kongresi të Manastirit, i Konsultës së Prishtinës e deri të Kongresi i Drejtshkrimit, të cilin e quan ngjarjen më të rëndësishme kulturore të shek. XX. Një vend të posaçëm në këto shkrime zë edhe trajtimi i ndihmesës së intelektualëve kosovarë për krijimin e gjuhës standarde në luftë me përpjekjet e qarqeve politike e kulturore serbe për të nxitur përçarjen gjuhësore të shqiptarëve, me të cilat ngjajnë si dy pika uji edhe përpjekjet e sotme të atyre që duan zhbërjen e standardit.
Por në trajtimin e çështjeve të planifikimit gjuhësor, autori nuk kufizohet vetëm në çështjet e statusit të shqipes, po edhe të zbatimit të normave të gjuhës standarde në praktikën ligjërimore. Këtyre çështjeve ai u kushton pjesën më të madhe të shkrimeve në kreun e tretë, të katërt dhe të pestë. Në to merr në analizë se si zbatohen normat e standardit në shtypin e shkruar dhe televiziv, në shkolla, në universitet, duke bërë punën që duhet ta bënte një sektor i tërë i kulturës së gjuhës. Si rrallëkush, për të mos thënë si askush tjetër, ai sjell shembuj të panumërt shkeljesh në gjuhën e shtypit, në ligjërimin e përditshëm të të gjitha sferave. Këto shkelje ai i sheh si pasojë e mungesës së formimit gjuhësor, e mungesës së disiplinës gjuhësore dhe e snobizmit gjuhësor të njerëzve të sferës së ligjërimit publik. Ato shumëfishohen e nuk kanë të ndalur edhe nga mungesa e kujdesit të shteteve tona ndaj gjuhës, që dëshmohet me mungesën e një ligji për gjuhën, të tillë siç e ka, për shembull, Maqedonia, po dhe e mungesës në institutet e gjuhës shqipe të strukturave të posaçme, si seksioni i kulturës së gjuhës. Shkeljet e normës shihen si në përdorimin e fjalëve të huaja të panevojshme, ashtu dhe në përdorimin e strukturave sintaksore dialektore ose nga gjuhët e huaja. Sidomos këtyre të fundit, ndikimeve të gjuhëve të huaja, ai u jep vendin kryesor, duke i parë si shkak për kreolizimin e gjuhës.
Autori jo vetëm qorton gabimet, po në çdo rast në vend të fjalës a ndërtimit të huaj a të gabuar jep fjalën a ndërtimin e duhur sintaksor. Këto këshillime janë me shumë vlerë sidomos për lexuesit pa kualifikim të posaçëm gjuhësor, sidomos ata që punojnë në fushën e ligjërimit publik të shkruar e të folur. Pikërisht, vënia në pah e gabimeve fonetike, leksikore, semantike, morfologjike e sintaksore dhe këshillimet për mënjanimin e tyre përbëjnë një vlerë tjetër të librit, e cila e dallon këtë botim.
Veç çështjeve që u cekën më sipër, dy krerë të tjerë, përkatësisht të gjashtin dhe të shtatin, autori ua kushton çështjeve të komunikimit në mjedise të ndryshme dhe çështjeve të përgjithshme të gjuhës. Me interes të posaçëm janë sidomos shkrimet me karakter etnolinguistik “Gjuha e plisit” dhe “Gjuha e fluturave”, të cilat dëshmojnë se Q. Murati është një qëmtues i mprehtë edhe i terrenit, duke zbuluar e vënë në pah dukuri interesante që ruhen në treva të shqipes dhe leksikun e pasur e të veçantë që lidhet me to, siç janë shprehjet e shumta që lidhen me plisin. Pjesë e vëzhgimeve të tij në terren janë dhe ato për ndikimet nga kontaktet gjuhësore me bullgarishten në të folmen e Rahovecit, të cilat përshkruhen në shkrimin “Gjuha e fluturave”.
Kreu VIII u kushtohet disa lëvruesve të shqipes, si albanologut dhe ballkanologut amerikan V. Fridman, klerikëve shqiptarë që punuan për gjuhën shqipe, nga Buzuku tek At Gjergj Fishta, Hasan Prishtinës etj. Kurse kreu i fundit përmban shkrime për fjalorë dialektorë dhe të shqipes standarde, në të cilat gjejmë vlerësime e kritika nganjëherë edhe të ashpra për disa botime leksikografike.

Related

Libri 7984280191142203770

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item