DHJATE E PERMBYSUR - Poezi nga Bardhyl Londo

Bardhyl Londo 1)RRUGA Sa e gjatë rruga nga trupi tek shpirti, herë zbardh, herë zverdh si vrer veremi. Një rrugë të ndjell për nga apokalips...

Bardhyl Londo


1)RRUGA

Sa e gjatë rruga nga trupi tek shpirti,
herë zbardh, herë zverdh si vrer veremi.
Një rrugë të ndjell për nga apokalipsi,
tjetra për nga Jeruzalemi.

Një kryq gjithkënd e pret. i rëndë, i lehtë,
në agim të rrugës a në të ngrysur.
Jeta mund të jetë Dhjatë e Vërtetë
por mund të jetë dhe dhjatë e përmbysur.

Kryqin nuk mund ta shmangësh. Golgota
jote mund të jetë mal, mund të jetë e vogël sa gishti,
në rrugën tënde gjithmonë hapur Kerkaporta1)

Pret e bardhë a e verdhë vrer veremi.
Brenda teje lind dhe vdes Apokalipsi,
brenda teje Jeruzalemi.

1)Një portë e vogël dhe fare e parëndësishme në Konstantinopojë, e cila u harrua fatalist hapur dhe nëpërmjet saj otomanët hynë dhe pushtuan kryeqytetin e Bizantit.

2)TË DYMBËDHJETËT (ish-profetë)

Ne ishim barinj, peshkatarë, bujq. Mësusi
na shpalli një ditë profetë.
Po nuk ishte tamam siç e di Jezusi:
ne kurrë s’u bëmë dymbëdhjetë.

E donim Mësuesin. Dhe jetën e donim me shpirt,
një trup ishim të gjithë në çetë.
Megjithatë nuk është tamam siç mendon ynzoti Krisht:
ne kurrë s’u bëmë dymbëdhjetë.

Një ikte fshehur tek gruaja. Tjetri
mbi gotën me verë harrohej çdo natë,
njerëz ishim nga Gjoni tek Pjetri
dhe e dinim që kishim vetëm një jetë.
Pavarësisht ç’u shkrua më vonë në Dhjatë,
ne kurrë s’u bëmë dymbëdhjetë.

3)PLAGËT

Pikë-pikë, i nëndheshëm, pa zë
Golgotat lag dhe sot gjak’i Krishtit.
Në një provincë të botës, megjithatë,
kurrë Shën Thomai s’e ul gishtin.

Plagët mahisen, në kyçe, në shpirt,
mbi brinjët- tastierë kratere ngjyrale,
por prapë në një provincë rri ngritur një gisht
-pikëpyetje e hutuar provinciale.

Sa shumë plagë bota ka. Në Dhjatë
nuk mund të heqësh a të shtosh fjalë gjakshpuar,
nuk mund t’i varësh plagët dekoratë,
Plagët e Njeriut janë, Gishti provokues–apokalips.
Mund t’i prekësh vërtet gozhdët në kyçe e duar,
por si mund t’i numërosh gozhdët në shpirt?

4)PJETRI (ish i pabesi) 
Bukën-Mish dhe Verën- Gjak
kishte ngrënë. Po ndaj mëngjesi
I mekuri Pjetër zëpak
tri herë mohoi, i pabesi.
Dhe nata ngjante si një kob,
si kukuvajkë klithte Këndesi,
tri herë përsëriti “jo”
zëdridhur Pjetër i pabesi.

Bariu vdiq. Një nga një Kopesë
Delet iu shpërndanë cak më cak.
Kot thonë Pjetri ishte i pabesë,

kot thonë ishte pavetëdijë…
Jashtë gati rrinte legjioni romak
dhe Pjetri kishte një tufë fëmijë.

5)JUDA KARIOTI (ish tradhtari)

Juda Karioti (ish tradhtari) në Tempull
mund të hynte e të dilte si në shtëpi përjetë.
Po ai nuk donte të ishte thjesht një dishepull,
vetëm njëri ndër të dymbëdhejtë.

Juda Karioti (ish tradhtari) si burrë
mund të puthte gruan, mund të puthte hetera.
Po ai e dinte: në histori nuk mund të mbetesh kurrë
me një puthje të zakonshme si miliarda të tjera.

Netëve të errëta, shkrepëtimë shpëtimtare,
engjëll kobzi, pa skeptër, pa flatra
Judës iu shfaq Puthja tinzare

Puthja që shet Shpirtin, Birin, Atin.
Jo, Juda s’ u shit për tridhjetë aspra,
Juda nuk duronte dot anonimatin.

6)GJON PAGËZORI (ish i pari)

Gjon Pagëzori (ish i pari) me Lëkurë Deveje
botën trondit dymijë e ca vjet. Mbi Pjatë
koka e prerë dergjet. Vetëtima rrufeje
syri i majtë lëshon. Syri i djathtë

ardhjen e Mesisë i pari shpall. Pika-pika
gjaku dymijë e ca vjet rrjedh në Shkretëtirë
drejt lumit Jordan. Gjakpirësi Herod Antipa
mbi gjinj prostitutash zhgryer e shtrirë

krimin makabër feston. As hero, as viktimë
dy mijë e ca vjet flet e s’e le varri,
gojën i mbyll nata shkretani.

Megjithatë ka njerëz në botë që e dinë
Gjon Pagëzori vdiq se ish i pari
një tjetër Kryeprifti donte në vend të tij.

7)MARIA MAGDALENA
(ISH MËKATARE)


Maria Magdalena (ish mëkatare) nën gurë
mund të gdhihej një mëngjez. Myshku i njomë
mund të mbulonte trupin e saj. Por kurrë
gurë mbi të s’u hodhën. Në Gomorrë dhe Sodomë

mure aq të lartë ishin ngritur sa nën tokë thellë
vetëm rëra kishte mbetur përreth. Në cdo shteg
Profetë të Rremë bridhnin. Mbi horizontet kështjellë
Sodoma sundonte dhe Gomorra plot pushtet.

Pushteti hijerendë Tempullin e Vesit
kishte ngritur. Hija e tij zyrtare
mbulonte mësuesit e Ligjit. Vesën e mëngjesit

e pinin Kryepriftërinjtë. . Atëhere Maria Magdalena (ish-mëkatare)
në Tempull u ul plot pushtet si një perëndeshë,
qysh atëhere lule mbi të bien , gurë mbi virgjëreshat.

8)SIMONI NGA CIRENA(ish-njëfarë) 
Mbërthyer Krishtin e zvaritnin. Golgota
e përgjakur hynte në kronika perëndish.
Mbi kryqin e rëndë sa vetë bota
Biri i Njeriut kryqëzuar ish.

Shkumëzonte turma mllef e dhembje plot,
mbi kodër prisnin xhelatët hiena.
Të gjitha njihen. Po askush s’e di gjer më sot
c’kërkoi aty njëfarë Simoni nga Cirena?

Turma qante, plaste me zemër,
“kryqëzoje” një turmë më e madhe tundte gishtin.
Të gjithë në histori me bëma, me emër ,

hynë:të pafajshëm, xhelatë, besnikë , tradhtarë.
Vetëm Simoni që ndau kryqin me Krishtin
mbeti në kronika “ një farë”…

9)CEZARI

Fytyr’ e Cezarit gdhendur në monedhën mermer,
Ave Cezar perandor, Ave Cezar mbret.
Gjithë jetën kemi parë vetëm Cezarin që merr,
kurrë anën tjetër të monedhës:Cezarin që jep.

Gjithë jetën ç’i takon Cezarit ia dhamë,
Ave Cezar shkruam e bërtitëm sa herë.
Të gjitha monedhat kanë dy anë,
ajo me Cezarin vetëm dorën që merr.

Këmbehen shekujt, rrukullisen epoka
nga kopertina monedhash buzëqesh koka,
koka gdhendur me filigranë ari

gdhendur në kronika, skalitur në gravurë:
Jepini Cezarit ç’i takon Cezarit.
Po cfarë na takon neve s’e ditëm kurrë.

10)MJERË TI JERUZALEM

Në krye në sinagogë, në krye në gostira
nën veladonin që tundet si korb në erë
mësuesit e Ligjit ndjellin trazira
mjerë ti Jeruzalem i mjerë.

Një nga një në kurthe cdo ditë, cdo orë
martirët priten tinëzisht nga farisenjtë
pastaj vrasësit viktimave u ngrejnë përmendore,
mjerë ti Jeruzalem i shenjtë

mjerë ti që s’e kuptove kurrë
lotin që lag Murin tënd rrënjëthellë,
mjerë ti që profetët i zë me gurë,

ti që Birin e numëron me kriminelë.
Mjerë ti qytet plot dritë i shenjtë,
mjerë për mësuesit e Ligjit dhe farisenjtë.

11)VDEKJA NË JERUZALEM

Jezusi endej si një shpirt dritëlirë,
gdhihej në Betsaidë, ngrysej në Bet-lehem.
Pas e ndiqnin kurthet. Po ai e dinte mirë
kryqëzimi mund ta gjente vetëm në Jeruzalem.

Hapat i hidhte dhe celte një shekull,
gjurmëve farisenjtë përgatisnin varrin-furrë,
po Jezusi e dinte: ai mund të vdiste vetëm në Tempull,
vetëm në Jeruzalem mund ta zinin me gurë.

Vetëtimat i valvitnin mantelin profetik,
kryepriftërinjtë lëshonin mallkimin-tërmet,
mësuesit e Ligjit si një shpirt i lig

shpallnin Vendlindja s’e çmon profetin e vet.
Po Jezusi nuk mund të pinte tjetër helm:
Dashuri e tij e madhe quhej Jeruzalem …


12)TURMA (ish-delirante) 
Pasi dha urdhër për vrasjen e Krishtit
Ponc Pilati u ul dhe bëri makiazh
pastaj gjkftohtë drejtoi gishtin
në një tjetër tabllo, në një tjetër peizazh

në një peizazh ku turma e ndërkryer
“kryqëzim, kryqëzim” bërtet në kor.
Mbi kryq Krishti dergjet i mbërthyer,
Bar-Aba buzëqesh triumfator.

Dhe ikin vitet. 2000 e ca vjet si më parë
Bar-Aba i lirë, mbi kryq zoti Krisht,
Ponc Pilati i qetë duarlarë

turmën delirante tregon me gisht.
Dhe turma si më parë dymijë e ca vjet
në delir kryqëzimin e vet brohoret.


13)ATA QË ERDHËN DHE DO TË VINË

Flamurtarë Fanatikë Fatalistë Fisnikë
Akademikë Anormalë Asketë Atdhetarë
Lidera Lesbikë Liberalë Lypsarë
Narkotistë Naivë Nihilistë Nevrastenikë

Agresorrë Arrogantë Astrologë Antifetarë
Kronikanë Kryengritës Klerikë Kontrabandistë
Rrogëtarë Robotë Rapsodë Revanshistë
Intelektualë Inkuizitorë Ideologë Idhtarë

Shtetarë Shtegtarë Shegertë Shenjtorë
Timonierë Tiranë Terroristë Tutorë
Ata, ne, të tjerë e të tjerë pas nesh sërish

Mediokër, gjeninj, të zhurmshëm, të heshtur, me bujë, pa bujë
IKËN dhe ERDHËN si ritual trokaik. Po askush, o Krisht
Në kryq-shtratin tënd s’të dha një pikë ujë…



LEDI MAKBETH (E REJA) 
Ledi Makbeth (e reja) e butë, e embël si dele,
lëkurëbrishtë nga sapuni Skaj, si përkëdhelje
vesë buzëqeshjesh shpërndan. Duart delikate
mbi tastjerë vallëzojnë. Dhjetëra imejle

herë vetëtima, herë vringëllima shpate
rrënojave të shpirtrave nisen në eter. Pastaj
mbi letrat nxirë nga të pëgëra shifrash bën kryq. Tenderat- dhjatë
bekon në emër të Birit, të Shpirtit dhe Atit (të Saj)

të cilët rrinë aq lart sa dhe reja
vështirë e ka t’u dërgojë pak shi. Ledi Makbeth (e reja)
e qetë si mjellma, e akullt Antarktidë

mbrëmjeve duart lan. Sapuni erëmirë Skaj
gjak tenderash shkrin nga thonjtë pikë-pikë
në emër të Birit, Shpirtit dhe Atit (të Saj).


OFELIA (ISH-VIRGJËRESHË)
E lodhur, e trishtuar prej rëmetit,
e vyshkur, s’është më burbuqe,
në humbëtirën e humbur të qytetit
në një shtëpi me drita të kuqe

pret Ofelia (ish-virgjëreshë). Një gomone- greminë
skllave e solli në këtë skaj.
Në oborr nuk ka as shelg, as rozmarinë
Qaj, dritë e kuqe pafajsinë e saj

pafajsinë që Hamlet’ i droguar
e bleu lirë tek një skafist.
Ofelia (ish virgjëreshë) trupzbuluar
tre herë në ditë ha turpin e saj.
Bukën ha dhe turpin njëkohësisht.
Për Ofelinë (ish-virgjëreshë), qaj, dritë e kuqe qaj.

MAKBETHI (ISH-TIRAN) 
Makbethi (ish-tiran) dikur gjumëvrarë
pa makthe një ditë u gdhi. Fjeti
dhe u ngrit i pastër pëllumb. Pa kamën gjaklarë,
pa shqytën e lerosur drejt Pushtetit

u nis. U mbyllën kapakët e dosjes së rëndë
të krimit gjakatar. Makbethi (ish- tiran)
Malkolmin shpirtvrarë dhëndër
e shpalli. Dëshmor naivin Dunkan

të cilin në gjumë e kish vrarë. Tej e ndanë, meteor
kosa e harrimit të krimit ra. Lule- metastazë
Makbethi varreve con cdo përvjetor

mbi ata që vetë vrau. Në ekstazë
një turmë delirmbushur hosanon në kor
“Gëzuash Makbeth liberator!”.


KRYQËZIMI

Ai s’ishte Krishti. Megjithatë
të parët e kryqëzuan ata që e kishin lavdëruar më tepër.
Ai s’kishte si të ishte Maria Magdalena. Megjithatë
gurët më të shumtë ia hodhën ata që e kishin lajkatuar më shumë.
Ai s’kishte si të ishte Mësuesi. Megjithatë
ata që ndihmoi më shumë të parët u kthyen në Judë.
Ai s’kishte ndonjë plagë në trup. Megjithatë
ata që i ishin përgjëruar më shumë për besnikëri të parët i vunë gishtin në plagë si Shën Thomai.

Pasi i hoqën skalpin dhe ia valvitën nëpër heshta
u kthyen për të pritur të parët me hosonara Atë që do të vinte në vend të tij. Brenda
qenies së tyre i egër flinte epshi i kryqëzimit të ardhshëm i Atij që erdhi i ri.

Vetëm Bar-Aba ka dymijë vjet që bredh i pakryqëzuar.


VASILIKA
Dimër edhe verë
200 vjet në shkallë
pret Vasilika-psherëtima e bardhë e Ali Pashës.

Pret e pret Penelopa moderne.

Dimrit
si një e-mail vetëtimash Ali Pashaj i dërgon një buzëqeshje.
Mëtonjësit ikin të tmerruar.

Shtëpia në Litharicë mbetet vetëm e Saj dhe e Ali Pashës.

Verës
trupi pa kokë i Vezirit plak
nëpër epos rrokulliset
vargjet dhe kapitujt bën katrahurë.

Eposi mbetet vetëm i Trupit dhe i Vasilikës.

Ditën
qan mbi trupin.
Natën fle me kokën

si ngrica me tokën.

Ngrica dhe Toka janë vetëm të saja dhe të Ali Pashës.

Penelopa moderne as vetë nuk e di se c’pret
ditët duke numëruar me gishta si tespije.

Të lodhur
mëtonjësit janë shpërndarë prej kohësh shtëpive publike të Janinës
pëlhura e endur netëve shitet në tregun e Gabit.

Pret Penelopa moderne.
Me gishtat e bukur numëron ditët si tespijet e bardha të Ali Pashës.

Mëtonjësit u lodhën.
Të pashpresë bredhin shtëpive publike të Janinës
pëlhura e endur netëve të pritjes shitet në tregun e Gabit.

Related

Poezi 8161356939299537764

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item