Amik Kasoruho: Do të vini kështu dhe në vdekjen time?

Përkthyesi, shkrimtari dhe publicisti në kujtimet e Visar Zhitit, Meri Lalajt, Arlinda Dudajt, dhe Ndriçim Kullës   Ishim në funeralin e një...


Përkthyesi, shkrimtari dhe publicisti në kujtimet e Visar Zhitit, Meri Lalajt, Arlinda Dudajt, dhe Ndriçim Kullës

 Ishim në funeralin e një poeti tjetër, bashkëvuajtësit tonë, Pano Taçi. Amiku, pas kësaj buzëqeshi trishtueshëm.
 Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që kujton dhe si e kujton për ta treguar atë…Kujtimet janë hije që nuk mund të shiten, sado të mundohet dikush që t’i blejë shtrenjtë. Unë erdha në vendin tim bashkë me to…
Nesër e ke pushim, hë? Ishte zëri i gardianit natën e ndërrimit të vitit 1949, kur hapi dritarëzën dhe i zgjati tasin me çorbë. Nuk e mori vesh ç’deshi të thoshte. Pastaj e pyeti: Pushim? Pse pushim?, dhe ai (gardiani), duke i shprehur njëfarë habie iu gjegj: “Si pse? Nesër fillon Viti i Ri! Nuk punon njeri nesër”.
Ai u kthye dhe u ul në dysheme. Nuk kishte ndjerë heshtje më të thellë e më të plotë. Nuk dëgjoheshin gërvima birucash të hapeshin e të mbylleshin, nuk dëgjoheshin hapa të rëndë këpucësh ushtarake nëpër korridor dhe, çuditërisht, nuk ndjeu shqetësimin e çdo dite: “Tani do të vijnë të më marrin!”. Hetuesia ishte bërë për të njëfarë trokitjeje e orës, sikur t’i rrëfente se kaloi një ditë, erdhi dita tjetër. Ndryshe nga çdo atmosferë feste, qelitë u mbështollën nga një qetësi e mbushur me kujtimet e secilit. Dikush kujtonte fëmijët, gruan, tokën shtëpinë. Secili duhej të mbetej vetëm në botën e tij, së cilës kujtimet i jepnin përmasa të reja. Ndërsa ai që sapo kishte mbushur shtatëmbëdhjetë vjet, kishte shumë pak kujtime. Ëndrrat i ishin vrarë por dhe nëse ndonjëra rrëshqiste nga ndonjë cep i mendjes së tij, dridhej në heshtje prej frikës…Ishte një natë kryeviti në Burrel…
Ky fragment flet më shumë se gjithçka për Amik Kasoruhon, njeriun e “Pa mëri”. Kush e ka njohur përkthyesin, shkrimtarin dhe publicistin Kasoruho e kujton si njeri fisnik, që kurrë nuk diti të urrente. Ai vetëm dashuronte. Megjithatë, Amik Kasoruho iku me një peng në shpirt. Në udhëtimin e tij të fundit ndoshta do të kish dashur të kishte në xhepin e xhaketës edhe letrën e fundit që i ati, Qamil Kasoruho (i pushkatuar bashkë me 21 intelektualë të tjerë më 22 shkurt të vitit 1951, pas incidentit të bombës që u hodh në ish-ambasadën sovjetike në Tiranë) i dërgonte të birit nga burgu. Kurrë nuk foli për atë letër dhe as për përmbajtjen e saj, por gjithmonë shprehej se ishte sendi më i çmuar dhe mes miqsh shprehej se humbja e kësaj letre ishte dhe pengu më i madh. Amik Kasoruho iku në udhëtimin e fundit, duke lënë pas bashkë me dhimbjen edhe kujtimin e miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ai ishte miku i të gjithëve, edhe i atyre që nuk mendonin njësoj si ai. Arlinda Dudaj, e cila ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me përkthyesin, shprehet se e donte shumë Amik Kasoruhon, edhe pse nuk ndanin shpesh të njëjtat mendime. Botuesja sjell ndërmend këtë episod nga takimi i dy viteve më parë, kur Kasoruho festonte mes miqsh, si rrallë ndonjëherë 80-vjetorin e lindjes. “I thashë se kishte qenë fat për mua që e njoha pesëmbëdhjetë vite të shkuara. Ishte fat që punova me të gjithë këto vite, fryt i së cilës kanë mbetur veprat që la pas; Isabel Allende, Emily Bronte, Harold Robbins, Dan Brown dhe shumë shkrimtarë të tjerë, që morën frymë shqip prej tij, me shqipen e mrekullueshme të Shvarcit, të Luarasit e të gjithë kësaj gjenerate të jashtëzakonshme. Ajo që do më mungojë më shumë prej tij do të jetë zëri i qetë dhe i shtruar që dinte të fashiste çdo shqetësim”, – shprehet Dudaj.
Shkrimtari Visar Zhiti, flet për (A)mikun njeri deri në dhembje. Ai dëshiron ta kujtojë pikërisht kështu mikun e tij të vuajtjeve, Amik Kasoruhon. “Fati i vuri mbi supe si kryqin e Golgotas prova të tmerrshme, ai eci nëpër ferrin e një vuajtje çnjerëzore, doli gjallë, jetoi dhe në fund të fundit mbetet sfidant i kohës së vet, që e pranoi fatin, por nuk iu nënshtrua së brendshmi, shpirtërisht. Trillet e perëndive, sipas titullit të një romani të tij, ia përmbysën gjithçka. Kur ishte i ri, iu desh të bëjë jetën e të madhit, me një vuajtje të paparë dhe kur ishte i vjetër, iu desh të bëjë jetën e të riut, me krijimtari e hare. E burgosën 17 vjeç, e lanë pa lumturinë e moshës, sepse shpërndante trakte kundër regjimit dhe diktaturës. Ndërkohë ia pushkatuan të atin, të cilin e futi në listën e atyre që do të asgjësoheshin vetë Enver Hoxha, e shkruajti me dorën e tij: Qemal Kasoruho. Dhe kështu Amikut, rob brenda telave me gjemba iu desh të ishte dhe babai fatkeq i kujtimit të babait të tij. Në burg, ku shpesh të burgosurit dëmtonin njëri-tjetrin, kurrkush nuk mund të thotë se u dëmtua nga Amiku. Ai ishte nga ata që më parë dëmtonte veten…Doli dhe nuk doli nga dënimi, se e çuan internimeve, baltërave, në punërat më të rënda, gjithmonë i dhënë pas librit dhe gjuhëve të huaja, kështu sikur krijonte një jetë tjetër të munguar dhe komunikonte përtej vetes, përtej dënimit me shkrimtarët që s’i kishte parë kurrë e që s’ishin më, përkthente dhe botonte pa emër. Ai ishte i ndaluar”. Visar Zhiti teksa portretizon mikun Amik kujton dhe një episod të dy viteve më parë kur të dy kishin shkruar për t’i dhënë lamtumirën e fundit bashkëvuajtësit poetit Pano Taçi. “E kisha takuar (Amik Kasoruhon) dhe në Itali, i kisha vajtur në shtëpi në Monopoli, ku ai në një farë mënyre ishte bërë dhe ambasador i kulturës shqiptare, megjithëse i pa emëruar. Por ngjante si diplomat i lindur. Donte të vdiste në atdhe. U kthye dhe punonte sikur nuk do të vdiste kurrë. E jetonte dhe vdekjen e vet, pa panik, si filozof, si poet. Kujtoj kur na tha një herë: “Do të vini kështu dhe në vdekjen time?”  Ishim në funeralin e një poeti tjetër, bashkëvuajtësit tonë, Pano Taçi. Dhe buzëqeshi trishtueshëm”. Për Zhitin, Amik Kasoruho dinte të ishte dhe “zotni”, por dhe i përunjur e i përzemërt, krenar dhe fjalëpakë, punëtor i palodhur i kulturës, qytetar dhe familjar. Dinte të donte, i mjaftonte kjo, përtërinte rininë e vet të munguar me më të rinjtë, pa u shqetësuar nëse përreth mund t’ia kishin me dredhi lozonjareje të vonë. “Ambiciet gjithandej i shpërfillte. Dhe u besonte më shumë librave, besoj, shpirtrave të tyre. Që nuk të tradhtojnë. Dhe nuk i tradhtonte. Dhe ai hynte dhe dilte nëpër libra, si përkthyes, autor, madje dhe personazh. Amiku ishte klasik, por kafkian, jo ai jo, s’ishte idhtar i tij, po mjedisi përreth. Dhe nëse veprën e Franc Kafkës e shpëtoi nga hiri i harresës një mik i tij, edhe Amiku shpëtoi poezinë e një miku të tij shqiptaro-hebre, të Robert Shvarcit. Ashtu i urtë dhe i vendosur, i edukuar dhe qortues ndaj së keqes, pa shamatë narcistike, se siç thoshte dhe vetë, nuk donte të bënte heroin, por njeriun. Pra ai bëri më të vështirën.”- thotë Zhiti i cili i ka kushtuar mikut edhe pjesë në librin e tij “Ferri i çarë”.
Ndriçim Kulla, e ka njohur që në vitet ’80 asokohe kur Kasoruhos i ndaloheshin botimet. Ai punoi me të edhe në vitet e tij të fundit, kur Amik Kasoruho iu bashkua stafit të këshilltarëve të Presidentit Bujar Nishani.
“Ka qenë një njeri tipik gjirokastrit- kujton Kulla- ishte racional në mënyrë të tmerrshme. Punonte tetë orë dhe përsëri merrej me përkthime, dhe bisedat i ka pasur të pakta. Pas viteve ’90 ka qenë këshilltari më i përgatitur që ka pasur ndonjëherë Shqipëria për kulturën. Nëpër korridoret e Presidencës reflektonte shumë kulturë. Ai iku si një njeri që tregoi se nuk ka vetëm burokratë, por që ka edhe njerëz të kulturuar. Si natyrë njerëzore nuk ishte qaraman, por ka qenë natyrë shumë romantike. E mbante dhe e kuronte shumë veten nga pamja. Qysh në vitin 1982 vishej me shumë shije, deri në momentin e fundit të jetës së tij, ky njeri jetoi dhe vdiq në këmbë. Sa vëmendje i kushtonte së kaluarës? Ishte një njeri që, edhe pse kishte kaluar shumë vuajtje në jetën e tij, nuk merrej shumë me të kaluarën, por i kushtonte vëmendje asaj që kishte për të bërë për shoqërinë, asaj që mund t’u vlente brezave në të ardhmen. Ishte një njeri shumë i qetë, ky ishte një mësim që ma dha edhe mua. Ishte një njeri spontan, serioz dhe në debatet që mund të bënte.”- thotë Kulla. Për Meri Lalajt do t’i mbetet përgjithmonë peng kafja e fundit me Amik Kasoruhon. “Në mesin e pranverës sërish binte shi, ditët ishin të ngrysura e unë nuk munda dot të pi kafenë e fundit me Amikun. Dhe dielli shkëlqeu sërish kur ai mbylli sytë përgjithnjë”. Në kujtesën e Meri Lalajt, Kasoruho ka mbetur ai i dy vjetëve më parë kur ai festonte 80-vjetorin e lindjes. Edhe atë mbrëmje binte shi. “Atë mbrëmje që festuam 80-vjetorin e mikut tonë të shtrenjtë Amik Kasoruho, binte një shi i zgjatur me bubullima dhe nata ishte shumë e errët. Ne ishim një grup miqsh dhe u mblodhëm në një lokal në Petrelë. Kaluam mrekulli duke pirë ndonjë gotë, duke dëgjuar muzikë të bukur, duke kërcyer, duke uruar që të mblidheshim sërish pas dhjetë viteve e duke bërë fotografi”. Por në atë takim Kasoruho do të mungojë, e megjithatë miqtë do ta ngrenë gjithmonë një gotë verë për të.

Skicë përkthyesit
Pengu: Nuk iu lejua kurrë nga sistemi që të shkonte në universitet.
Momenti më i lumtur: Kur për herë të parë pa emri i tij mbi kopertinën e një libri.
Defekti: Nuk dinte të thoshte “Jo” dhe besonte lehtë.
Kujtimi më i vyer: Dorëshkrimi i vetëm i babait, një letër.
Urrente: Dyfytyrësinë e njeriut, dhunën, mujshinë, mendjemadhësinë, gënjeshtrën.
Qyteti më i dashur: Tirana
Pasioni: Përkthimi letrar.
Tipar i karakterit: Qetësia
Shkrimtarët e preferuar: Dostojevski, Çehovi, Zweig, Pirandello, Lamartine etj.
Motoja që ka ndjekur: Njerëzit janë si engjëjt, por me nga një flatër. Për të fluturuar duhet të rrinë të përqafuar. (Don Tonino Bello)

Foto që flasin:
Gjyshi Kasoruho

Kur nipi im Roy vë kokën në hijen time dhe rri me orë të tëra pa folur, me pamje adhuruese për praninë time, besoj se im bir ka ditur të flasë me djalin e tij përmes figurës së prindit të mirë. Një gjë nuk do doja “t’u lija trashëgim” fëmijëve të mi, mallkimin e përjashtimit apo pamundësinë për t’u shkolluar e marrë një diplomë universitare.

Nënë e bir

Vështroj një fotografi dalëboje të bërë shtatëdhjetë vjet më parë dhe kuptoj rëndësinë që ka dora e shtrënguar e mëmës sime, brenda së cilës qëndron dora ime e vogël. Gjithë jetën nuk jam ngopur me atë shtrëngim dore. Sidomos të babait.

 Miqësinë nuk e ndan dot as trilli i Perëndive

Ishte ai, miku im Shvarci, që në hidhërimet e gëzimet e mia mori vetëm ndjenjën pikëllimtare që shkaktojnë ndarja dhe largimi. Ishte ai, miku im, që më mësoi dhe qe përkrah meje në udhën e vështirë ku jetonim, duke kapërcyer çdo rrëshqanë bollash.

Related

Kultura 3905145653375800615

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item