ALBANA FANI E FLUTUR MUSTAFA: PAK FJALË, PËR DY POETE ULQINAKE…

Nga: Prof. Murat Gecaj publicist e studiues-Tiranë              FLUTUR  MUSTAFA Para disa ditësh, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në kry...


Nga: Prof. Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë      
     
FLUTUR  MUSTAFA
Para disa ditësh, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare në kryeqytet, u organizua një veprimtari  e bukur dhe mbresëlënëse. Botuesit e revistave shqipe, në Malin e Zi, paraqitën para pjesëmarrësve periodikë të tillë, si: “Malësia”, “Lemba”, “Dija”, “Buzuku” etj. Por, me atë rast, u shkëmbyen edhe botime, ndërmjet autorëve të ndryshëm. Njëri nga këta libra, që pata kënaqësinë ta merrja dhuratë, ishte ai me titullin“Botë inverse”(Përmbledhje  me pooezi, nga konkursi i Librarisë “Arti”-Ulqin). E shfletova me kujdes dhe u ndala posaçërisht në emrat e tri krijueseve, të cilat kishin publikuar aty disa poezi të tyre. Ajo janë: Albana Fani-Rrashi, Flutur Mustafa e Flora Suldashi. Më pas, u interesova të lidhesha me këto krijuese, sigurisht përmes Internetit. Dhe ja, nga dy prej tyre, mora disa të dhëna jetësore e për krijimtarinë poetike të tyre, që po e paraqes më poshtë, shkurtimisht.

ALBANA FANI

1.
Në vëllimin poetik, që përmenda më lart, mësova se Albana Fanitani është emigrante dhe jeton në Bloomington Indiana-Amerikë. Aty janë publikuar katër poezi të saj, pra “M’ mungon vedja jeme”, “Ferishtës”, “Lul’kuqes” dhe “Na të dy”. Me ndjeshmëri të natyrshme nëne, ajo i drejtohet me vargje të bukur fëmijës së saj: “Oh, zanafillë e jetës,/kuptim i ditëve të mia!/…Për ty gjithmonë/ gjoksi im ka me qenë cak’ psherëtimash,/ prehni im qoshe ledhatimesh,/ dora ime facoletë loti”. Por edhe në një poezi tjetër, që nuk është në këtë libër, pranë vajzës së vet, përsëri ajo shkruan me dufin e zemrës, për vazhduesit e jetës: “Unë kundroj n’heshtje, tuj vlue gur-gur/ e lutem me shpirt, për të tanë fëmijët:/ Bota e tyre t’jetë si vetë ata,/ e qeshun, e bukur, e fortë me themele bese!”(“Emma, e vogla jeme”, prill 2014). 
Duke vëzhguar e shkruar për njerëz e dukuri, nga të afërtat dhe deri te më të largëtat, Albana ka thurë poezi të bukura edhe për prindërit e saj. Sa me ndjeshmëri e përmallim, ajo i drejtohet nënës, duke e përfytyruar përsëri veten të vogël: “Njikto ditë e njikto orë,/ due me u ba e vogël krejt;/ due me u ngi me erën tande,/ n’krahët tu due me fjetë…”(shkurt, 2014). Ndërsa, duke e uruar në festën e baballarëve, ajo i drejtohet me një poezi të jatit, prej të cilës po shkëpus këto vargje: “Ai floku i bardhë asht “dhuratë” e jemja,/ kur mendimi të vrit’te, se kush do jem unë nji ditë,/ në ato netë, kur gjumin “top”  e bajsha, n’ andrrime pa fund…”(mars, 2014).
Por në krijimtarinë e Albanës kanë zënë vend edhe tema të tjera, ndër të cilat është ajo për  Atdheun, për dashurinë etj. Me mallin zhuritës të emigrantes, ajo shkruan për qytetin e Shkodrës, nga e ka origjinën:”Shelgu sot lodroka me erën/ e vala krela-krela don me i ndjekë mbrapa, vargje ngarkue…/ Jam nisë me ardhë!”(mars, 2014). Te poezia “Unë besoj” shkruan me sinqeritet: “Unë besoj n’ shqiptari e u përulem tana besimeve!/ Respektoj  besimtarët e falënderoj Zotin, që asht nji”.
 Ndërsa, ja disa vargje të frymëzuar, nga poezia “Na të dy”: “Këndueme s’bashku/ do jare t’ vjetra,/ do kangë dashunije,/ me trille malli./ Ti m’fale tingullin,/ unë si kunorë zanin…”. Më tërhoqi vëmendjen edhe një poezi e saj, që këngëtarja e njohur Rita Ndoci e ka vendosur mbi një gërshëtim lulesh të bukura: “N’cilin petal me ta hjedhë lotin,/ o e bukura jeme?/Se loti jem ty t’ jep jetë!/ N’cilën stinë ke me çilë prapë për mue,/ o e mira jeme?/Se prej teje zemra jeme njeh veç nji,/ veç pranverë!”(2012). Po, ndër poezitë më të reja është kjo, që ka publikuar këto ditë në FB. Ja vargjet e saj:”Edhe kur t’ pyes: Si t’ kam…?/Edhe kur t’ them: Gjumë t’ amël…!”/Çdo frazë e jemja ka një mbrapashtesë t’ padukshme:/ Zemër, o shpirt!/ Thjesht të due, pa ra n’ sy,/ thjesht te due pa b’za…/ Puhizë…”(prill, 2014)
Me fjalë lavdëruese, mund të shkruanim edhe për poezi tjera të kësaj autoreje, të cilës i urojmë gjitha të mirat në jetë dhe krijimtari sa më të pasur e cilësore!
Siç shihet  edhe në foton e saj bashkëngjitur, Albana Fani është përherë e lidhur me vendlindjen, Atdheun. Ndër të tjera, këtë gjë ajo e shprehë hapur me pjesëmarrjen në veprimtaritë kulturore e artistike në emigracion  dhe me kostumin e bukur popullor, që mban veshur.
2.
Flutur Mustafa, në fundin e gushtit të sivjetëm, i mbushë 20 vjet, qëkur ka lindur në komunën e Ulqinit. Aty mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin. Aktualisht, është studente në degën e drejtësisë, në Universitetin e Prishtinës. Dy herë është nderuar me çmime, në konkursin e recituesve, që është organizuar në vendlindjen e saj. Gjithashtu, po nga Fondacioni “Studenti”, mori çmimin e parë, në konkursin e esse-ve, me temën “E sotmja, bisedon me të ardhmen”. Ishte protagoniste në dramën “Kalendari”, që u dha me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë e që u shfaq në teatrot e qyteteve Tiranë, Prishtinë e Shkodër. Shpesh herë ka qenë pjesëmarrëse  në veprimtari kulturore e artistike, që janë organizuar në qytetin bregdetar të Ulqinit.
Si krijuese, Flutra mori pjesë për herë të parë në Festivalin “Skena Verore”, më 2012. Ka pasion letërsinë, aktrimin e moderimin dhe çdo gjë, që lidhet ngusht me skenën. Kohët e fundit njihet edhe skenariste. Në shfaqjen teatrore, “Servantes dhe Dulçina”, ka rolin kryesor. Ajo pritet të jepet në  Ulqin, në harkun kohor 20-25 maj 2014.
Por ka kohë që ajo edhe shkruan e boton poezi. Kurorëzim i kësaj pune, është vëllimi i parë poetik, me titullin “Përtej lajthitjes”, që pritet të dalë së shpejti nga shtypi. Ato kanë tematikë dhe ua kushton: shpirtit të vet të lirë, familjes, miqëve dhe gjithë dashamirëve etj. Pa u ndalur në shumë poezi të këtij libri, për të krijuar një mendim sadopak për  talentin e Flutrës, po përmendi pak prej tyre. Titujt e tyre janë: “Vetëmohim”, “Kur flaka takon akullin”, “Mall i acartë” etj. Në një poezi tjetër, ajo shprehet se e deshi me zemër detin, por tani është e penduar dhe lëshon klithmën e saj, bashkuar me zërin e nënave, që valët e pamëshirshme të tij ua mori bijtë e tyre, në thellësitë e veta: “Krejt nanat t’kanë namë, det/ e unë goxova me t’ deshtë;/ me t’ deshtë njimand/ e jo ashtu, siç din (mos) me dashtë ti!?”
Është e kuptueshme se edhe me moshën, që ka Flutra, ka rënë në “kthetrat” e dashurisë. Prandaj, në poezinë “Ti m’frymëzon me jetu”, ajo  këndon me ndjenja të çiltëra për vajzën, që ia ka dhënë zemrën djaloshit: “Emni yt asht fryma jeme/ e zanin kur ta dëgjoj,/ asht melodia ma e amël për veshët e mi,/ kur m’ thu, se veç e jotja jam/ e kam me kenë…/Ti m’ frymëzon  me jetu/ kaq: shkurt e shqip!”(FluMus,  21 janar 2014).
Ashtu si shumë bashkëmoshatare të saj edhe Flutra Mustafa ka një udhëtim të gjatë në jetë, bashkë me poezitë, aktrimin dhe profesionin e juristes etj. Po, rëndësi ka që ajo është e vendosur, këmbëngulëse dhe plot pasione e vrulle rinore, për të arritur në lartësi të reja. Prandaj e urojmë atë me gjithë zemër që t’i plotësohen ëndrrat e dëshirat më të guximshme të saj!
(Kërkoj ndjesë, që nuk shkrova diçka edhe  për poeten tjetër ulqinake, Flora Suldashi, pasi nuk i pata të dhënat e nevojshme).


Tiranë,____prill 2014

Related

Kultura 8149601403727129246

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item