20 gjëra që duhet të dini, për të kuptuar ç’po ndodh në Ukrainë
Walter G. Moss Me Ukrainën dhe Rusinë kaq shumë nëpër lajme, një përmbledhje e shkurtër historike e marrëdhënieve të tyre duket me vend. Shp...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/20-gjera-qe-duhet-te-dini-per-te.html
Walter G. Moss
Me Ukrainën dhe Rusinë kaq shumë nëpër lajme, një përmbledhje e shkurtër historike e marrëdhënieve të tyre duket me vend. Shpesh ukrainasit dhe rusët i interpretojnë marrëdhëniet e tyre në mënyra të ndryshme, bile dhe shqiptimi i emrave (për shembull, Kiev apo Kyiv) mund të jetë konfliktual. Për hir të thjeshtimit dhe pa mungesë respekti ndaj ukrainasve, unë do të përdor shqiptimet e përdorura tradicionalisht nga historianët e Rusisë. Historia e territorit ukrainas është jashtëzakonisht komplekse dhe përfshin jo vetëm ukrainasit etnikë, por edhe të tjerë si puna e popullit hebre. Megjithatë, fokusi këtu është mbi sfondin e marrëdhënieve ruso-ukrainase.
- Në shekullin e Nëntë, një federatë e re sllavojugore e quajtur Rus formohet, nga e cila do të dalin eventualisht rusët, ukrainasit dhe bjellorusët. Vikingët skandinavë “ofrojnë” për të disa prej princave të hershëm dhe nga viti 900 Kievi është kryeqyteti i saj.
- 1054, ndarja e madhe midis kristianëve lindorë (ortodoksë) dhe kristianëve perëndimorë.
- 1237 – 1241, Mongolët pushtojnë Rusin.
- Nga viti 1380, Lituania dhe Polonia kanë aneksuar shumicën e pjesëve bjelloruse dhe ukrainase të Rusit të lashtë. Shekujt e kontrollit katolik mbi këta dy popuj sllavë do t’i diferencojnë gjithnjë e më shumë nga rusët ortodoksë, të cilët vihen nën kontrollin e Moskës. Gradualisht fillon të çlirohet nga “zgjedha mongole” mbi territoret e vjetra të Rusit.
- 1533 – 1689, Rusia zgjerohet nga perëndimi, duke luftuar për të marrë troje bjelloruse dhe ukrainase, dhe nga lindja në Siberi, duke e rritur me pesëfish madhësinë e Rusisë. Shumë luftëra me Komonuelthin Polako – Ukrainas (PLC, zyrtarisht në vitin 1569).
- 1654, me Traktatin e Pereiaslavlit, kozakët ukrinas dhe ukrainas të tjerë në më shumë se 100 qytete i ofrojnë besnikërinë Carit rus, i cili premton të respektojë të drejtat tradicionale ukrainase. Nis Lufta 13-Vjeçare midis Rusisë dhe Komonuelthit Polako – Ukrainas.
- Me traktatin e vitit 1667, Komonuelthi Polako – Ukrainas humbet disa pjesë të Ukrainës, përfshi Kievin, në favor të Rusisë.
- 1772 – 1795, Rusia, Prusia dhe Austria ndajnë PLC-në (në tri raste të veçanta) dhe ai pushon kështu së ekzistuari. Nën Katerinën e Madhe, Rusia siguroi pjesën më të madhe të tij, pak më shumë se tri të pestat e territoreve të Komonuelthit Polako – Ukrainas. Bjellorusët dhe ukrainasit përbëjnë rreth 40 përqind të popullsisë së territorit të saposhtuar. Megjithatë, shumë ukrainas perëndimorë (për shembull, në Lvov), bëhen pjesë e Perandorisë Austriake. Në të njëjtën periudhë Rusia fiton territore të reja nga Turqia, përfshi Krimenë, e cila eventualisht do të bëhet pjesë e Ukrainës. Kohët e fundit, në një konferencë për shtyp, Vladimir Putini u referohet këtyre pushtimeve nga Turqia si pjesë e Novorossiyas, një zonë, tha ai, që nuk ishte pjesë e Ukrainës në kohërat cariste, por “që i është dhënë Ukrainës në vitet Njëzetë të shekullit të kaluar nga qeveria sovjetike. Pse? Kush e di!”.
- 1847, arrestohet një grup i vogël nacionalistësh ukrainas, përfshi poetin dhe hartuesin e një gjuhe letrare ukrainase, Taras Shevchenko. “Krimi” i tyre: pjesëmarrje në një organizatë që propozonte të punonte për krijimin e një federate sllave, në të cilën kombësi të tilla si ukrainasit do të kishin qeveritë e tyre autonome kombëtare.
- 1863, qeveria ruse ndalon botimet arsimore, shkollore dhe fetare në gjuhën ukrainase.
- 1876, qeveria ruse ndalon gjuhën ukrainase që të flitet nëpër skena, apo nga mësuesit nëpër klasa, në çdo botim të ri apo në bibliotekat shkollore.
- 1914 – 1922, Lufta e Parë Botërore, Revolucioni Komunist, lufta civile ruse dhe lufta ruso – polake e vitit 1920. Këto ngjarje sigurojnë shpresë dhe orvatje nga ana e nacionalistëve ukrainas për të krijuar shtetin e tyre të pavarur, por në vitin 1921 krijohet Republika Socialiste Sovjetike e Ukrainës dhe në 1922 ajo bëhet pjesë e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Pjesë të Ukrainës perëndimore, si për shembull Lvovi, bëhet pjesë e shtetit polak të rikrijuar në vitin 1918.
- 1921 – 1923, zi buke në Rusi dhe në Ukrainë.
- 1931 – 1933, zi buke në Ukrainë dhe pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik. Miliona vdesin në Ukrainë. Shumë historianë ukrainas i referohen kësaj si “terrori i zisë së bukës”, zi buke – genocide apo Holodomor (një term unik që thekson vdekjen nga uria masive ukrainase e atyre viteve) dhe besojnë se ajo rezultoi pothuajse tërësisht nga politikat e kolektivizimit bujqësor të Stalinit dhe armiqësia ndaj ukrainasve.
- 1939 – 1953, Lufta e Dytë Botërore deri në vdekjen e Stalinit. Bashkimi Sovjetik fillimisht siguron territor ukrainas, përfshi Lvovin, si rezultat i paktit nazisto – sovjetik të vitit 1939, por pas sulmit nazist në vitin 1941, Ukraina pushtohet nga trupat gjermane, deri kur janë përzënë nga trupat sovjetike në vitet e fundit të luftës. Rreth 6 milion ukrainas u vranë, përfshi rreth 1.5 milion hebrenj. Si rezultat i marrëveshjeve të pasluftës, Bashkimi Sovjetik siguroi zona shtesë perëndimore ukrainase. Rezistencë guerrile ndaj sundimit sovjetik në Ukrainën perëndimore deri në mesin e viteve Pesëdhjetë.
- 1954, lideri sovjetik Nikita Hrushov e transferon Krimenë në kontrollin ukrainas, por përderisa i gjithë Bashkimi Sovjetik në atë kohë ishte nën drejtimin e fortë të Partisë Komuniste, ky transferim, nuk u duk me ndonjë peshë në atë kohë.
- 1991, kolapsi i Bashkimit Sovjetik. Ukraina dhe Rusia bëhen shtete të pavarura.
- 1995, marrëveshja ruso – ukrainase lidhur me Flotën e Detit të Zi; Rusia lejohet që të vazhdojë të përdorë bazën detare krimease të Sevastopulit.
- 2013 – 2014, Presidenti ukrainias Viktor Janukoviç bën prapaktheu ndaj lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Europian, por protestat në Kiev çojnë në rrëzimin e tij në shkurt të 2014. Prej kohësh i preokupuar me influencën perëndimore në rritje në ish pjesët e Bashkimit Sovjetik, Putin pretendon se Perëndimi ishte prapa rrëzimit nga pushteti të Janukoviçit.
- Mars 2014, pas një votimi krimeas për shkëputje, Krimeja aneksohet nga Rusia, një hap që inkurajon separatistët e tjerë në Ukrainën Lindore.
Walter G. Moss është Professor Emeritus i Historisë në Eastern Michigan University. Ai është autor i librit “A History of Russia, Vol. I and Vol II”.
Përgatiti për bota.al:
ARMIN TIRANA