Kurdët e Irakut arrijnë marrëveshje me Turqinë
Gjeopolitika Nafta dhe gazi do të transportohen në Mesdhe larg kontrollit të qeverisë qendrore në Bagdad Kurdët dhe turqit kanë qenë armiq t...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/kurdet-e-irakut-arrijne-marreveshje-me.html
Gjeopolitika
Nafta dhe gazi do të transportohen në Mesdhe larg kontrollit të qeverisë qendrore në Bagdad
Kurdët dhe turqit kanë qenë armiq të betuar prej kohësh, por agjenciaReuters bën të ditur se zyrtarët e krahinës autonome të Kurdistanit në veri në Irakut kanë arritur një paketë marrëveshjesh me Turqinë për të ndërtuar gazsjellës dhe naftësjellës me vlerë prej miliarda dollarësh për të nxjerrë naftën dhe gazin e tyre në Detin Mesdhe.
Marrëveshjet mund të kenë pasoja të rëndësishme gjeopolitike për Lindjen e Mesme dhe mund t’i japin Kurdistanit mundësinë të eksportojë 2 milionë fuçi naftë në ditë dhe së paku 10 miliardë metra kub gaz në vit përmes Turqisë.
Një marrëdhënie e tillë mund të ishte e paimagjinueshme pak vite më parë, kur Ankaraja kishte marrëdhënie të forta me qeverinë qendrore të Irakut në Bagdad, ndërsa gjendej në një konflikt të armatosur prej shumë dekadash me militantët kurdë.
Por Turqia importon pothuajse shumicën e nevojave të saj për energji dhe kjo ka sjellë edhe deficit tregtar në rritje. Rrjedhimisht, burimet energjetike në kufirin e saj jugor janë më të vështira për t’u injoruar.
Gjatë një vizite në Stamboll, kryeministri i qeverisë rajonale të Kurdistanit, Neçirvan Barzani, arriti një marrëveshje fillestare me Turqinë dhe përcaktoi gjurmën për gazsjellës dhe naftësjellës.
“Është zyrtare dhe historike”, tha një burim pranë marrëveshjes për agjencinë Reuters. “Për shumë vite, Turqia qëllimisht nuk është përzier në Irakun e Veriut, ndërsa tashmë po fillon një epokë e re”.
Bagdadi është i zemëruar nga kjo lëvizje, pasi qeveria qendrore e Irakut pretendon se është autoriteti i vetëm që mund të menaxhojë naftën e vendit, ndërsa shton se pavarësia në rrugët e eksportit të naftës së Kurdistanit do të sjellë ndarjen e Irakut. Kjo përbën shqetësim edhe për Uashingtonin.
Sipas Kushtetutës së Irakut, të gjitha të ardhurat nga eksportet e naftës duhet të kalojnë përmes Bagdadit. Rajoni autonom kurd merr 17 për qind të të ardhurave, por këto kanë qenë të bollshme për shkak se Kurdistani është një oaz qetësie dhe sigurie ndërsa pjesa tjetër e Irakut është në kaos.
Kurdët thonë se i gjithë Iraku do të përfitojë nëse ata zhvillojnë burimet e rajonit. Por Bagdadi ka frikë se nëse ata marrin kapacitete të ndara eksportuese, do të kërkojnë pavarësi.