Arabia Saudite kërkon armë bërthamore
Mendohet se mund t’i blejë nga Pakistani në çdo kohë për synime gjeostrategjike Arabia Saudite ka investuar në projektet e Pakistanit për ar...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2013/11/arabia-saudite-kerkon-arme-berthamore.html
Mendohet se mund t’i blejë nga Pakistani në çdo kohë për synime gjeostrategjike
Arabia Saudite ka investuar në projektet e Pakistanit për armë bërthamore dhe beson se mund të blejë bomba atomike sapo t’i kërkojë, bëhet e ditur nga disa burime për BBC. Ndërsa deri më sot përgatitja ushtarake e sauditëve besohej se bëhej për t’u përballur me Izraelin, tashmë po diskutohet se plani i Riadit është të posedojë një armë bërthamore para se një gjë të tillë ta realizojë armiku tjetër, Irani.
Më herët këtë vit, një zyrtar i NATO-s tha në kushtet e anonimatit se ka parë të dhëna që tregojnë se ka armë atomike të prodhuara në Pakistan për llogari të Arabisë Saudite dhe që janë të gatshme për t’u transportuar.
Muajin e kaluar, Amos Jadlin, një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete të Izraelit, tha në një konferencë në Suedi se nëse Irani arrin të zotërojë bombën atomike “sauditët nuk do të presin as një muaj. Ata sakaq e kanë paguar bombën dhe do të shkojnë në Pakistan për ta marrë atë”.
Në vitin 2009, Mbreti Abdullah pati paralajmëruar amerikanët se nëse Irani arrin të disponojë bombën atomike, ata do të marrin një të tillë gjithashtu. Që nga ajo kohë, sinjalet e ngjashme kanë qenë të shpeshta.
Geri (Gary) Samorem, ish-këshilltar i presidentit Obama i tha BBC: “Unë mendoj se sauditët besojnë se kanë arritur mirëkuptim me Pakistanin që, në rast ekstrem, ata mund të pretendojnë se e kanë blerë armën bërthamore nga Pakistani”.
Historia e projektit të Arabisë Saudite, – përfshirë blerjen e raketave të gatshme për të hedhur bombat atomike në rreze të gjatë veprimi, është shumë e vjetër.
Në vitet 1980, ata në mënyrë sekrete blenë raketa balistike CSS-2 nga Kina. Këto raketa, që vlerësohen nga shumë ekspertë si tepër të pasakta për përdorim si armë konvencionale, u dërguan në këtë vend rreth 20 vjet më parë.
Këtë verë, ekspertët e një reviste mbrojtjeje raportuan plotësimin e dy shinave të lëshimit të këtyre raketave nga sauditët me drejtim Izraelin dhe Iranin.
Ka qenë gjithashtu e qartë për shumë vite se Arabia Saudite i ka dhënë ndihma bujare ushtrisë së Pakistanit, përfshirë, sipas dyshimeve në Perëndim, edhe laboratorë të raketave dhe të armëve bërthamore.
Në luftën e saj për mbrojtje strategjike kundër Indisë, Pakistani bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me Kinën, e cila i shiti raketa dhe dizenjot për një bombë atomike të transportueshme me raketë. Shkencëtari pakistanez Abdul Kader Khan është akuzuar nga Perëndimi se i ka shitur ekspertizë bërthamore dhe centrifuga për pasurimin e uraniumit Libisë dhe Koresë së Veriut. Dizenjot e tij janë të tilla që përshtaten për raketat CSS-2. Për shkak të këtyre provave, sauditët janë akuzuar se kanë një marrëveshje për bombën me Pakistanin që nga vitet 1990. Por Sauditët e kanë hedhur poshtë akuzën duke thënë se vendi i tyre ka nënshkruar Traktatin e Mospërhapjes së armëve të shkatërrimit të masë.