“Të evropianizojmë Ballkanin apo të ballkanizojmë Europën”

Nga Luan Rama Të flasësh për nacionalizmin dhe proçesin e evropianizimit, sot është bërë një temë e ditës. Debatet, tryezat e rrumbullakta, ...

Nga Luan Rama

Të flasësh për nacionalizmin dhe proçesin e evropianizimit, sot është bërë një temë e ditës. Debatet, tryezat e rrumbullakta, konferencat e ndryshme, herë pas here i janë rikthyer nacionalizmit duke e parë atë në kënde të ndryshme, por mendoj se aktualisht, kjo temë, e rrahur tashmë jo vetëm nga teoricienët, politologë e sociologë botërorë, por dhe nga sociologët e filozofët tanë të rinj, po bëhet gjithnjë e më e mprehtë, jo vetëm në kuadrin tonë nacional por edhe në kuadrin evropian, pasi është e dukshme që projekti i nisur evropian ka për sfidë pikësëpari globalizmin, krizën ekonomike që përjeton Europa, çka ndikon dhe në trazimin e shpirtrave të kontinentit tonë, çka konstatojmë aktualisht. Një literaturë e mirë është botuar dhe nga përkthimet e librave të teoricienëve të nacionalizmit si Max Weber, Jurgen Habermas, Ernest Gellner e shumë të tjerë. Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të etheve nacionaliste që po përfshijnë Europën, çka sot ndihet dukshëm në kuadrin e zgjedhjeve europiane që zhvillohen së shpejti, më 25 maj, ku partitë nacionaliste, ekstremi i djathtë në tërësi por dhe ekstremi i majtë euroskeptik, po bëjnë një avancim për të ndryshuar kursin e kësaj Evrope të Bashkuar që përjetojmë sot. Këto parti, duan tashmë të jenë në parlamentin evropian që të mund ta asfiksojnë atë nga brenda dhe që një ditë të afërt, Evropa e Bashkuar të paralizohet, të shpërbëhet e të japë shpirt. Kështu po avancon sot në Francë Fronti Nacional, duke tundur flamujt e patriotizmit, të anti-emigracionit, të anti-semitizmit dhe të një racizmi të maskuar apo dhe të hapur; kështu po përparon FPO, (Partia Liberale Austriake) forca e dytë politike në Vjenë, e cila kërkon tolerancë për nazimin; kështu po ngjitet gjithnjë e më shumë “Partia e Lirisë” në Hollandë, “Partia e Pavarësisë” në Britaninë e Madhe, partia separatiste flamande, eurofobët e partisë “Alternativa për Gjermaninë”, populistët e “Ligës së Veriut” në Itali e deri tek partia e re suedeze që çuditërisht quhet “Demokratët suedezë”, por që asgjë nuk ka të përbashkët me demokracinë e vërtetë. Pra eurofobët ngado në Europë kanë ngritur flamujt e tyre, të gatshëm për ta goditur përfundimisht Europën e Bashkuar. Madje dhe sondazhet e fundit flasin me shqetësim për rritjen e euroskeptizmit. Vetëm në Francë, në një sondazh para një legjislature, 67% e njerëzve të pyetur lidhur me Europën e Bashkuar ishin për këtë Europë, ndërsa tashmë në të njëjtin sondazh janë “pro” vetëm 51%. Dhe s’duhet harruar se në fjalimin e tij të fundit në parlamentin europian presidenti Miterand e kishte deklaruar se “nacionalizëm do të thotë luftë”, shprehje që përsëritet edhe sot nga presidenti aktual francez, Holland.
Kësaj tabloje nuk duhet të harrojmë t’i shtojmë dhe një nga rreziqet e mëdha ndaj Europës së Bashkuar, atë të “nacionalizmit rus putinist”, i cili me nostalgjinë e njeriut të KGB-së dhe të fuqisë së dikurshme të Bashkimit Sovjetik, me nostalgjinë e heronjve të vjetër si Ivan Grozni apo Aleksandër Nevski, kërkon ta ribëjë përsëri këtë federate “sovjetike”, të nxisë nacionalizmin ndaj armiqve imagjinarë dhe të ringjallë një tjetër “Luftë të Ftohtë” me pasoja tashmë që njihen në arenën ndërkombëtare. Nga Osetia në Krime, duke hapur frontin drejt Ukrainës lindore dhe me ambicie të tjera nacionaliste për vendet frontaliere, në Odesa, Trinistri, etj, ky lloj nacionalizmi luftënxitës përbën një nga rreziqet e reja me të cilin duhet dhe do të përballet edhe në të ardhmen Evropa e Bashkuar.
Duke kthyer vështrimin në kufijtë e dy dekadave, atëherë kur dhe në Shqipëri ra “Muri i Berlinit”, të habit fakti se Shqipëria nuk përjetonte aspak ethet nacionaliste por në të kundërtën, ajo ishte përfshirë në entuziazmin e një ëndrre dhe projekti të ri kozmopolit: atë të integrimit në Europën e munguar prej aq shumë kohësh. Ishte periudha e fillimit të tranzicionit, koha e “Shqipërisë së hapur”, terminologji e dashur kjo për Paul Ricoeur apo fondacionin e Sorosit në Tiranë; ishte koha e përqafimit total të aventurës evropiane pa paragjykimet për padrejtësitë e vjetra ndaj kombit tonë në të kaluarën, pa paragjykime ndaj fqinjëve tanë të vjetër dhe luftërave të tyre të mëdha të kryera në emër të nacionalizmit, shovinizmit, ortodoksisë apo ekspansionit territorial.
Por duke filluar nga vitet 1995-1996, me periudhën e referendumit, me zgjedhjet farsë presidenciale që hynë në histori, qëndrimi domosdoshmërisht në pushtet i liderit politik të asaj kohe u bë i vështirë, autoritarizmi, dhuna dhe diktati dolën hapur në skenë dhe për hir të pushtetit, lideri krijoi një përzierje të demokracisë dhe të fenomeneve diktatoriale, pra atë që quhet “demo-kraturë”, një aliazh i paqëndrueshëm, pasi ato janë dy përbërje të kundërta, të papajtueshme dhe që nuk mund të bashkëjetojnë. Tronditja e pushtetit të liderit autoritar risolli në skenë ringjalljen e nacionalizmit apo të nacional-populizmit, remineshencë e dukshme me nacional-komunizmin e vendeve totalitare të ish Lindjes evropiane.
Nacionalizmi si nevojë elektorale

Dihet që në kohë fushatash elektorale ligjërimi politik merr ngjyrime pseudo-atdhetare dhe shpesh duke prekur ndjenjat nacionaliste lidhur me padrejtësitë historike, flitet e referohet gjithnjë për kultet historike, etj, risi e shpjeguar mjaftë mirë nga teoricienët e diskursit politik si Hanah Arendt, Patrick Charaudeau, etj. Ashtu si në raste referendumesh, ish kryeministri Berisha e ndërtoi fushatën e tij me tezat nacionaliste duke vendosur gjithnjë në qendër vetveten dhe kombin – “shpëtimin e kombit” nga lideri, duke hedhur parulla jashtë çdo përgjegjësie që duhet të ketë një lider politik para popullit të tij dhe historisë. Si në Shqipëri por akoma më tepër jashtë saj, siç e pamë në Shkup para dy vjetësh, ishte e papërgjegjshme që në një vend të brishtë me problemet etnike si Maqedonia, një shoqëri multietnike, të hedhësh parulla entuziaste të bashkimit më së fundi të kombit shqiptar.
Dhe kuptohet që në nxehjen e gjakrave njerëzit e thjeshtë dhe pa një kulturë të vërtetë dhe të plotë demokratike, kalojnë në ekstazën nacionaliste të “bashkimit apo të parajsës se premtuar”. Para më pak se dy vjetësh, turma në Shkup ushtonte nga thirrjet “kryeministri i gjithë shqiptarëve”- e më pas, si reaksion, ne pamë të digjeshin flamujt maqedonas apo makina e kryeministrit maqedonas të goditej me vezë, rrjedhoja këto të krijimit të atmosferave artificiale, duke parë gjithashtu në rrugët e Tiranës, shpalosjen e hartave etnike dhe duke dëgjuar në ekranet televizive fjalime populiste. Dhe nuk mjaftonte vetëm kjo, por dhe në Konferencën e Sigurisë në Mynih dy vjet më parë, kryeministri shqiptar, i cili gjithnjë ka marrë pozat e “atit të kombit” dhe “mbrojtësit” të kombit, si një “kërkesë hyjnore” kjo, apo mandat divin, në mënyrën më brutale, foli se “Albanofobia është një e re që qarkullon në rajon: fqinjët na shihnin si qytetarë të dorës dytë e të tretë, nuk mund t’i pranojnë shqiptarët si qytetarë të lirë, por sot jemi më të bashkuar se kurrë – çdo pëllëmbë tokë është territor në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Ata që mendojmë se ne do të kemi çështje më të madhe se çështja kombëtare, gabohen rëndë”. Një ligjërim i tillë nacionalist besoj se ka hyrë tashmë në shembujt e shpjegimit të terminologjisë së nacionalizmit ekstrem, pasi nuk kam dëgjuar në ligjërimin politik ballkanik të flitet për “serbo-fobi”, “maqedono-fobi”, “greko-fobi”, pa i mohuar sigurisht problemet që ekzistojnë realisht në marrëdhëniet midis popujve të rajonit, etj. Të duket vetja se je jo në Shqipërinë e dhjetëvjeçarit te dytë të shekullit XXI por në kohën e Lidhjes së Prizrenit: një rikthim gati dy shekullor. Por epokat tashmë kane evoluar, popujt kanë arritur mëvetësinë, emacipimin e tyre nga nocionet e forta të shtetit-komb, drejt atij të federalizmit dhe të strukturave e organizatave mbi-nacionale. Ishte padyshim e habitshme dhe e pakuptueshme në atë takim se ku donte të dilte kryeministri shqiptar me “albanofobinë” dhe klonimin e identiteteve shqiptare të ndarë në pesë shtete dhe se gjoja procesi europian po kërkonte që shqiptarët të shndërrohen në pesë kombe të ndryshëm nga njëri-tjetri. Pra e gjithë kjo ka të bëjë me përgjegjësinë që duhet të ketë lideri politik në ligjërimin e tij si brenda kuadrit nacional ashtu dhe në skenën internacionale.
Pikërisht këto qëndrime u pritën me kritika jo vetëm nga diplomacia euro-amerikane në Tiranë (përfshi këtu dhe qëndrimin e ambasadorit amerikan) por dhe në kryeqytetet ballkanike, apo ne mediat perëndimore, siç ishte dhe një botim në Le Figaro veç të tjerash, ku analisti francez shkruante “Flamuri i Shqiperisë së Madhe i valëvitur nga disa grupe ekstremistësh, tani mori një dimension tjetër. Ai mundi të valëvitej gjatë gjithë vitit në fushatën vendore të liderit të djathtë dhe të shtrijë hijen e tij mbi të gjithë Ballkanin, duke ngjallur frikën e Serbisë dhe të Greqisë”. Pikërisht qëndrime të tilla sjellin veç tensione, qëndrime që pastaj bëhen konfliktuale, konflikte që pengojnë integrimin dhe njëkohësisht marrëdhëniet mes vendeve tona, duke frenuar atë çka është kardinale në integrimin europian: krijimin e një zone të fqinjësisë së mirë, të pajtimit dhe të bashkëpunimit reciprok midis vendeve të Ballkanit jug-perëndimor.
Sot në Perëndim, ai lider që kërkon të identifikohet me popullin apo me kombin, është qesharak, jashtë kohe, madje i rrezikshëm, pasi fati i një kombi nuk mund të jetë në dorën e një njeriu, sado strateg që të jetë: unë dhe kombi bërtisnin Stalini, Musolini, Hitleri, Enver Hoxha, madje dhe ndonjë lider perëndimor, i cili kur fliste për veten e tij, fliste në veten e tretë, por që padyshim, ai ishte një nga heronjtë e vërtetë të një lufte te shkuar dhe publiku, i cili e admironte atë, e shihte këtë lloj ligjërimi të prapambetur për modernitetin e kohës.
Nëse vite me rradhë kemi thirrur për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa duhet ta kuptojmë atë që thotë dhe Habermas në studimin e tij “Pas shtetit-Komb”, se ne jetojmë në kohën e simbiozës së shtetit kombëtar me demokracinë dhe se heqja e kufijve ekonomikë, zhdukja e këtyre kufijve, bëhet gradualisht edhe në sferën sociale, në atë të kulturës, etj. Dhe kur themi kulturë, përfshijmë këtu dhe historinë, ku historia mbetet histori, pa penguar vështrimin nga e ardhmja, pra pa penguar ndërtimin e një historie të re. Askush nuk kërkon t’i largohet të kaluarës historike, të mos e përfillë atë, pasi historia është pjesë e rëndësishme e identitetit tonë.
Të europianizojmë Ballkanin apo të ballkanizojmë Europën
Që në samitin e Zagrebit fill pas Luftës së Kosovës e më pas në atë të Selanikut, etj, lindi ideja e “europianizimit të Ballkanit” shprehje e dashur atëherë e ministrit të jashtëm francez Hubert Vedrine. Kjo ide kishte në vetvete platformën politike të integrimit të Ballkanit duke e europianizuar atë jo vetëm në kuadrin politik e ekonomik, por dhe në fushat e tjera të jetës, në atë të kulturës, shoqërisë civile, teknologjive të komunikacionit, bashkëpunimit të elitave, etj. Dhe në këtë rrugë u ndërtuan programet e çlirimit të gadishullit nga demonët e vjetër, afrimin e popujve në një bashkësi fillimthi ballkanike por me tipare europiane e më pas në integrimin e plotë të tyre në Evropën e Bashkuar. Ja pse me të drejtë, edhe në konferencën e fundit ministeriale në Athinë, komisioneri Fule, duke folur për zgjerimin dhe integrimin me anëtarë të rinj, nënvizoi se “Zgjerimi i Europës së Bashkuar me Ballkanin sjell veçse paqe, stabilitet e prosperitet”. Dhe kjo padyshim është një bindje e liderëve të sotëm të BE-së.
Evropianizimi i Ballkanit synon pikërisht të bëhemi qytetarë të një Europe të përbashkët. Dhe ky princip apo ide nuk është diçka e re, e lindur nga pionerët e Europës së Bashkuar apo më larg, nga utopistët si Campanella, More, Erasmus ose më vonë nga Viktor Hygo me sloganin e tij të famshëm për “Shtetet e Bashkuara të Europës”. Në fakt, është diçka që është krijuar që mugëtirën e kohrave, kur në vitin 212 pas erës sonë, në kohën e perandorit Caracalla, iu dha qytetaria romane gjithë provincave të perandorisë, pra 55 milion banorëve të lirë që jetonin që nga gadishulli iberik, në Britaninë e Madhe në zonat gjermanike, në Azinë e vogël apo në Afrikën e Veriut, e sigurisht dhe në Ballkan, aq pranë qendrës së perandorisë. Kjo kohë na kujton dhe thënien e Shën Palit, para se ta vrisnin, kur ai u kujtoi vrasësve të tij: “Civis romanus sum”, pra “unë jam roman”, duke iu kujtuar kështu inkuizitorëve të drejtat e tij për proces gjyqësor. Atëherë popujt ishin me dy shtetësi dhe kjo qytetari europiane që kërkojmë sot, ka një analogji, dhe pse të largët, me atë kohë kur kërkohej simboli i një bashkësie, pra të një jete të përbashkët. Por ndryshe nga qytetaria europiane, aq e dashur për Erazmin, ne sot përjetojmë në Ballkan një lloj “Përplasje të nacionalizmave”, e cila mund të shfaq në horizonte veç afrimin e konflikteve. Të gjithë jemi dëshmitarë që ka një lloj ethe nacionaliste qe po pushton Ballkanin. Duket sikur demonë të vjetër janë ringjallur dhe secili nacionalizëm i jep të drejtë vetvetes herë në emër të territoreve të vjetra, herë të kulteve fondatore, manastireve dhe varreve të ashtuquajtura “djepi kombëtar”, etj, e herë të miteve të krijuara apo thjesht të ndjesisë së kërcënimit nga populli fqinj. Para disa viteve, rrugët e Zagrebit u mbushën me emrat e heronjve mesjetare dhe termi i republikës u hoq në Kushtetutë, duke shtuar gjithashtu elementin fetar, pra përkatësinë fetare.
Në Ballkanin e trazuar ndodhi ajo që mund të quhet një “repli identitaire”, pra një “tërheqje identitare” drejt të kaluarës historike, si një refleks i brishtësisë së identiteteve të reja etatike në Ballkan: dukej se vetëm përkatësia historike, mitet historike, do t’i bënin ata më vete, të pacënueshëm, të patjetërsueshëm. Lidhur me këtë mendoj gjithashtu se ndoshta nacionalizmi maqedonas është më shumë një reaksion i gjendjes së pasigurisë për të nesërmen me fqinj si grekët, shqiptarët apo bullgarët, dhe kjo gjendje, siç ndodh tek njeriu, krijon veprime të pakontrolluara dhe shpesh fobira…
“Historia si kult kombëtar”

Të gjitha llojet e nacionalizmave kanë patur fillimthi në bazamentin e tyre krijimin e kultit kombëtar, siç e kemi parë atë në Gjermaninë e viteve 30 me simbolet e vjetra gjermanike, ne Italinë musoliniane me simbolet e perandorisë romake, etj. Kjo ka ndodhur me të gjitha nacionalizmat që kanë krijuar kombet. Edhe në nacionalizmin primar shqiptar, nevoja e shprehjes identiare dhe e afirmimit politik e etatik, pati kultet e veta historike – nga Skënderbeu tek Frashërllinjte, nga Barleti tek Frang Bardhi, Budi, De Rada e tek rilindasit e mëvonshëm. Në terrenin shqiptar ne kemi sot “Aleancën kuq e zi” dhe në Ballkan të tjera parti nacionaliste kërkojnë të frenojnë proceset e bashkëpunimit e interimit mes fqinjëve, si në Greqi me “Agimin e artë”, apo në Serbi me partite ultra-nacionaliste, në Maqedoni, etj.
Ndonjë analist shqiptar kërkon me forcë që “t’i përgjigjemi siç duhet nacionalizmit maqedonas», të tjerë shtojnë se nismës së UÇK-së në Maqedoni, duhet t’i shkohet gjer në fund, pra se ajo duhet kryer», duke nënkuptuar këtu se vetëm me pushkë mund të bëhen zgjidhjet nacionale, duke harruar kohën që jetojmë. Sigurisht problemet janë, “Marrëveshja e Ohrit” nuk është zbatuar siç duhet, por në një Evropë të re, për më tepër në një vend si Maqedonia, e angazhuar në procesin e integrimit europian, problemet zgjidhen në tryezat demokratike me pjesëmarrjen e faktorit ndërkombëtar dhe njëkohësisht përmes votës demokratike. Deklaratat e dikurshme të Akademisë së Maqedonisë nuk i shërbyen aspak frymës së fqinjësisë së mirë që po krijohej midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, duke krijuar kështu reaksione analoge. Po kështu të habit fakti që Maqedonia së fundi hoqi dorë nga “Deklarata e Fqinjësisë së Mirë” me Bullgarinë, çka tregon për një atmosferë jo pozitive dhe një klimë nacionaliste, që shkon në kundërshti me atë që kërkon Europa e Bashkuar. Edhe thirrjet e partisë “Grekët e pavarur” në parlamentin grek për dërgimin e ushtrisë në kufirin shqiptar për mbrojtjen e Sigurisë në Epir, shkojnë në të njëjtin drejtim. Por edhe thirrjet së fundi të “Aleancës kuq e Zi” kundër “Rilindjes gay” të kujtojnë thirrjet e lëvizjes së nacionalistëve konservatorë hungarezë, të cilët deklarohen hapur kundër hebrenjve, romëve apo homoseksualëve, duke kërkuar kështu “pastrimin e territorit nacional” nga të huajt. Këto thirrje spastruese i gjen dhe në vende të tjera çka tregon për një fenomen të “tkurrjes nacionale”, ku nacionalizmi kërkon një kulturë homogjene duke iu kundërvënë diversitetit kulturor, aq të domosdoshëm dhe çka kërkohet vazhdimisht nga komuniteti internacional, në OKB, Unesco, në Bruksel apo Strasburg, etj.
Siç e dini, Ernest Gellner na thotë se nacionalizmi është një teori e legjitimitetit politik i cili kërkon që kufijtë etnike të koinçidojnë me kufijtë politikë dhe në veçanti, që kufijtë etnikë në gjirin e një shteti të dhënë të mos shkëputen nga ata që kanë pushtetin e një populli. Kjo është në teori, por ku hedh sytë në hartën e Ballkanit e kupton se popujt e ndryshëm në Ballkan nëpër histori kanë ndërhyrë në territoret e njëri tjetrit, duke krijuar një kompleksitet të vështirë për ta zgjidhur. Baroni francez Paul d’Estournelles de Constant, nobelist i Paqes dhe mik i Shqipërisë, i cili pas Kongresit të Berlinit erdhi për të parë gjëndjen e kufijve midis Shqipërisë, Malit të Zi e Serbisë, më vonë deklaroi borxhin që i detyrohej Shqipërisë, kufijtë e së cilës ranë prehë e nacionalizmit pansllav dhe e politikave hegjemone. Por epokat e kaluara nuk mund t’i risjellim në ditët tona, ashtu siç Gjermania dhe Franca nuk mund të risjellin shekuj luftërash mes tyre per Alsas-Lorenën.
Duke iu rikthyer principit të nacionalizmit, Gellner, thotë se mund të ekzistojë një doktrinë e tillë bujare që kombet të kenë çatinë e tyre politike dhe t’i strehojnë brënda tyre ata që janë të huaj, pra brenda një sistemi politik pluralist, për të ruajtur kështu diversitetin e kulturave dhe duke shuar tensionet e brendshme në gjirin e një shteti. Por historia ka treguar se nacionalizmi ka qenë larg asaj fryme universaliste që të tregojë një ndërgjegje racionale dhe reciprociteti. Duke tundur flamujt e nacionalizmit, çdo nismë e evropianizimit të Ballkanit vonohet apo shuhet. Kështu, nga idetë e europianizimit të Ballkanit, liderët nacionalistë që veç ndezin urrejtjet e vjetra në gadishull, rrezikojnë të ballkanizojnë njëkohësisht dhe vetë Europën, pasi Europa nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj asaj që ndodh në Ballkan dhe ashtu si në rrjedhat e mëparshme historike, një luftë e re në Ballkan do të ishte një tronditje e re për Europën.
Duke iu kthyer korrekteve nacionaliste shqiptare, duhet venë në dukje dhe një lloj nacionalizmi e diasporës. Duke jetuar jashtë, në pikëtakim me emigrantët shqiptarë në Ballkan, Europë apo siç e pashë së fundi dhe përtej Atlantikut, emigracioni është tepër i ndjeshëm nga ajo çka ndodh në Shqipëri, Kosovë apo shqiptarët e Maqedonisë dhe reagimi është shumë më tepër i ashpër sesa ç’ndodh në Shqipëri. Imagjinoni një çast sikur të gjitha vendet ballkanike të kërkonin përmes konfliktesh të hapura ushtarake kërkimin e territoreve historike të “qena dhe të paqena” por të ngulitura në kujtesën nacionale. Kjo do të sillte shpërthimin e Ballkanit dhe ashtu si në Luftën e I-rë Botërore apo në luftën e fundit të Jugosllavisë, Ballkani do ta ballkanizonte edhe Evropën.
Terrorizmi dhe nacionalizmi ekstrem – kërcënim i Sigurisë Kombëtare
Kohët e fundit një draft orientues i strategjisë së Sigurisë sonë Kombëtare iu dorëzua presidentit, kryeministrit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku vihet në dukje se ka një kthim mbrapa në emër të “patriotizmit”, kombit, nacionalizmit, çka padyshim përbëjnë lëvizje regresive, vetizolimi e prapambetje, në raport me vendet e Evropës së Bashkuar. Për më tepër që këtij nacionalizmi ekstrem i jepen ngjyrime fetare, çka nuk ka qenë asnjëherë në natyrën e vet nacionalizmit shqiptar. Xhihadistët që shfaqen aty-këtu për të shkuar në Siri e gjetkë dhe që dalin në emër të mbrojtjes fetaro-identitare janë tregues mjaft shqetësues dhe një rrezik në rritje për një shoqëri që kërkon të identifikohet me vlerat e demokracisë europiane.
Përplasjet nacionaliste në Ballkan jo vetëm i hapin punë BE që të merret me këtë zonë gjeografike, gjithnjë shpërthyese në histori, por dhe të shtojnë rradhën e kundërshtarëve të saj populistë e nacionalistë brënda Europës, ndaj projektit evropian si dhe zgjerimit të BE-së. Ja pse dhe Habermas, në veprën e tij “Pas Shtetit-Komb” (Après l’Etat Nation”) ka lëshuar thirrjen: ”Të nxjerrim mësime nga katastrofa”, duke iu referuar nacionalizmit ekstrem dhe dy luftërave botërore, duke shtuar këtu dhe luftën e regjimeve totalitare. Dhe duke lëshuar këtë thirrje ai shtron pyetjen: çfarë ka pas shtetit-komb? Të gjithë tashmë e dimë, dhe për më tepër ne që jemi të interesuar për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE se në një aleancë të tillë vlerash ndodh transferimi i kompetencave nacionale në struktura mbi nacionale. Dhe pikërisht këtu lind nevoja e veprimit të elitës.
“Elita si nevojë e domosdoshmëri për ripajtimin ballkanik”

Elita që dikur udhëhoqi shoqërinë drejt shtetit-komb – tani duhet të udhëheqë shoqërinë shqiptare drejt federalizmit europian. Po me historinë, çdo të bëjmë? – mund të pyesim. Historia do të jetë gjithnjë histori, ajo as mund të mohohet, as mund të shuhet. Ashtu si gjuha, dhe ajo është në themelet identitare të një kombi dhe të tilla ato do të qëndrojnë gjithnjë, çka nënvizohet dhe në projektin europian. Por ajo që ka rëndësi është që një histori e mbarsur me urrejtje për Tjetrin, Fqinjin, komunitetin minoritar duhet të ç’armatoset: dhe kjo nuk bëhet vetëm nga një anë, vetëm nga një vend i Ballkanit por si një aksion kolektiv. Unesco ka patur një program të titulluar “Të ç’armatoset historia!” Tekstet historike nganjëherë janë diametralisht të kundërta nga një popull në tjetrin, për të njëjtën ngjarje historike, siç janë ato për Betejën e Kosovës midis shqiptarëve dhe serbëve, siç është ajo e historisë midis boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, apo historia e atentatit ndaj arkidukës Ferdinand të Austro-Hungarisë, vrasja e të cilit shërbeu si shkak për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Ndryshe nga serbët, që i ngrenë përmendore në Beograd këtij atentatori, kroatët dhe boshnjakët e trajtojnë atë si autor i një krimi, duke fajësuar organizatat nacionaliste serbe. Pra çfarë do të mësojnë gjeneratat e mijëvjeçarit të ri mbi historinë, e cila politizohet dhe vihet në shërbim të platformave gjeopolitike?
Mendoj që është e rëndësishme që elita shqiptare në kuadrin e europianizimit të Ballkanit dhe shuarjes së nacionalizmave, të marrë nismën që të organizojë një debat të vërtetë në Tiranë (e më pas si rotacion në vendet e tjera ballkanike) me përfaqësues të elitave të tjera të këtyre vendeve pro-europiane. Ne s’mund të qëndrojmë më thjesht në debatet tona të brendshme, nacionale. Ky debat duhet zgjeruar në kuadrin ballkanik, pasi është shqetësues për të gjitha shoqëritë ballkanike dhe elitat duhet të japin shembullin e tyre, në mënyrë që pastaj të udhëheqin, pasi kjo nuk është vetëm detyrë e liderit politik por dhe e elitave. Sigurisht që klima është e vështirë kur mendon që një këngëtar serb i ardhur në Tiranë bëhet problem i një segmenti të caktuar nacionalist, ashtu siç këngëtari Marko Petroviç që këndonte në Zagreb, pritej me thirrjet nacionaliste çetnike Gati për tu ndeshur”! Po kështu në Shqipëri e Kosovë shfaqja e këngëtarit Coliç do të zgjonte demonët e vjetër. Vallë do të mbetemi robër të kësaj historie?
Problemi është që sot ka ardhur koha të veprohet, madje në mënyrë militante për shuarjen e nacionalizmave ekstremiste. Apatia e elitave, në Shqipëri apo Maqedoni, në Serbi apo Kosovë, në Greqi apo Maqedoni, në Mal të Zi e gjetkë, i lë terren keqkuptimeve midis popujve, ndasive, rikthimit të demonëve të vjetër historikë, zhvillimit të armiqësive, të cilat padyshim mund të çojnë edhe drejt përplasjesh e konfliktesh ndër-etnike dhe midis popujve.
Gjithçka duhet bërë që ne të Ballkanit perëndimor, ende të paintegruar në këtë lloj Europe të Bashkuar e humaniste, të nxitojmë që të integrohemi, për të arritur sa më shpejt në të njëjtin stacion të vonuar. Ne e dimë se krahas identitetit shqiptar, një identitet tjetër do të marrë formë, do të zhvillohet në hapësirat e reja pa kufij. Ne nuk do t’i humbim simbolet tona, por ato do t’i bashkangjiten simboleve të përbashkëta të Europës së Bashkuar. Ne nuk duhet të kemi frikë se duke u europianizuar do të humbasim sovranitetin tonë dhe integritetin identitar. Të gjithë kozmopolitët e mëdhenj shqiptarë, nga Vaso Pasha, Sami Frashëri, Konica, Kuteli, Kadare, etj, nuk kanë humbur asgjë nga integriteti i tyre identitar, duke u kthyer njëkohësisht si referenca sa nacionale aq dhe universale. Pra, nëse elitat tona kanë folur deri tani fare pak në këtë kuadër të përbashkët, pra regjional, ballkanik, ato duhet të identifikohen, të afrohen, duke bashkuar zërat e tyre. Interesant është fakti se kur ata pikëtakohen në takime artistike europiane, barrierat nacionale midis tyre shuhen dhe ata rigjejnë tek njëri tjetri vlera të përbashkëta të së njëjtës kulturë, të së njëjtës histori apo përjetim human. Pra ata mund të bashkohen dhe t’i imponohen nëse duhet dhe liderëve të ngjashëm politikë për të shuar frymën e urrejtjeve të vjetra dhe për të luftuar sëbashku nacionalizmat në secilin vend ku ato përpiqen të lulëzojnë.
“E kujt është kjo këngë”

Kohët e fundit pashë në Paris, në një konference mbi vendet e Ballkanit perëndimor dhe një film mjaft interesant të realizuar nga një dokumentariste e njohur Adela Peeva. Bëhej fjalë për një këngë që ne e konsiderojmë shqiptare, që grekët e konsiderojnë greke, serbët, serbe, kroatët, si pjesë të kulturës nacionale, turqit si krijues të parë të saj, bullgarët ai autorë të vetëm të saj, etj. Dhe ajo vihet në kërkim për të gjetur burimin e kësaj kënge, dhe ngado ku shkon, bardët, këngëtarët, i thonë se kjo këngë është e popullit të tyre. Por kur ajo pyet bullgarët, serbët, turqit, etj, se kjo këngë thuhet se është e një populli tjetër, gjakrat nxehen dhe ajo e ka të vështirë të përballojë zemëratën e tyre. Kjo histori tregon dy gjëra, së pari një lloj nacionalizmi që ekziston ende, dhe së dyti atë që kulturat e popujve të Ballkanit janë zhvilluar në një mjedis të përbashkët dhe në marrëdhënie e dialog me njëra tjetrën, ashtu siç ndodh me legjendat e Konstandinit, atë të ndërtimit të urave apo të kështjellës së Rozafës, të epikës legjendare, etj.
Kohët e fundit kam lexuar artikuj të ndonjë sociologu apo analisti politik që shkruan për krizën e Europës dhe pamundësinë e integrimit shqiptar, duke pohuar me pesimizëm të plotë se nuk ka dhe nuk do të ketë integrim, meqë ne shqiptarët jemi të pazotë, e të tjera si këto, duke shtuar se është e kotë të gënjejmë vetveten. Kasandra të tilla do të ketë gjithmonë dhe në çdo evolucion fenomene të tilla janë të njohura, madje gjithë historia e njerëzimit është ndërtuar midis skepticizmit, aventurës, guximit dhe ëndrrës. Pra kështu janë kryer dhe evolucionet e bashkë me të revolucionet. Meqë revolucionet me sa duket kanë përfunduar, le të përjetojmë këtë aventurë integruese që duhet guxuar dhe ëndërruar njëkohësisht, pasi ajo ka brenda farën e ardhmërisë dhe të progresit. Kështu kanë qenë dhe fillimet e projektit europian, kur nacionalizmi dominonte në kulmin e vet, por megjithatë, Adenhaueri shkoi të takonte De Gaulle në Colombey-les–deux Eglises, më vonë Mitterand dhe kancelari Kohl bashkuan duart para varreve të Verdunit, permendores për Luftën e Parë Botërore. Kështu, historia e re do tu jepte të drejtë pionerëve të parë, pinjollëve të Viktor Hygoit, siç ishin Monet, Schumann, De Gasperi, etj. Çdo aventurë humane është përballur me sprova dhe këto sprova kanë qenë të mëdha, pasi duheshin tejkaluar mitet historike! Dhe për këtë të domosdoshme krahas liderëve politikë janë dhe elitat, ato që ndriçojnë mendjet dhe udhëheqin me shpirtin e tyre humanist.
Miku im, filozofi dhe poeti francez Jacques Lacarrière, me të cilin kemi ardhur para disa vitesh në Tirane të ftuar nga Shtëpia e Komunikimit dhe e Librit, por që mjerisht ka vdekur para disa viteve, një nga poezitë e tij të fundit e titulloi “Njëmijë të djeshme dhe një të ardhme”. Një poezi simbolike me dëshirën e tij për të thënë se të gjithë popujt kanë të shkuarën e tyre, madje dhe brenda një populli, ngjarjet historike janë të shumta, të freskëta apo qe vijnë nga mugëtira e kohrave, por ai na thotë në mënyrë proverbiale se kemi vetëm një të ardhme, vetëm një, dhe për të duhet të punojmë sëbashku.
*Fjala e mbajtur në konferencën “Lehtësia e papërballueshme e fjalës”

Related

Top Lajm 4981853006165834442

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item