Reforma e arsimit të lartë/ Koka studentësh përmbi kokë pedagogu për metra katrorë
Prof. dr. Artan Fuga Anëtar i Akademisë të Shkencave Patjetër që një reformim i vazhdueshëm i arsimit të lartë universitar ka vend të pranoh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/reforma-e-arsimit-te-larte-koka.html
Prof. dr. Artan Fuga
Anëtar i Akademisë të Shkencave
Patjetër që një reformim i vazhdueshëm i arsimit të lartë universitar ka vend të pranohet dhe të ndërmerret. E vërteta është se këto dy dekada kanë njohur ndryshime të thella pozitive, por kanë grumbulluar edhe një sërë problemesh, të cilat duan zgjidhje.
Reforma duhet, por amà reforma që duhet.
Nga shtypi mësohet se në një takim që ka bërë me disa pedagogë, një nga pjesëtarët e komisionit që shpallet publikisht se ka hartuar variantin e parë për një reformë të mundshme universitare, ka deklaruar se universitetet do të marrin pa kufizim studentë, do t’i përcaktojnë vetë kuotat e pranimeve dhe i vetmi kufizim do të jetë lidhur me faktin se sa do të kenë mundësi t’u përgjigjet me salla, pra me metra katrorë, me mjedise pune, ndofta me hapësira bibliotekash, me numër kompjuterash, me numër pedagogësh, ndofta, si edhe mbase me grada dhe titujt e tyre etj.
Na paska nderuar. Na paska ngopur me lugë të zbrazët. Paska zbuluar Amerikën.
—
Duket se nuk ka asgjë të keqe në këtë mes. Nuk po e atribuojmë këtë mendim te një emër konkret, sepse ndofta edhe gazetari që e ka relatuar në media, ndofta nuk e ka cituar fjalë për fjalë, aq më tepër nuk e ka vendosur në thonjëza. E drejta e tij. Ndërkaq kam arsye të besoj se kjo ide është deklaruar. Po të duhet edhe emrin e citojmë.
Duket se nuk ka asgjë të keqe në këtë mes.
A nuk duhet që universitetet të kenë kujdes që për studentët që pranojnë të sigurojnë mjedise sallash, aulash, korridoresh, oborresh, bibliotekash, tualetesh, laboratorësh? A nuk duhet që të ruhet edhe një numër i caktuar në raportin pedagogë-studentë dhe një e dhënë pedagogë/studentë për metër katror?
Duhet, duhet, por kur numri i mundshëm i pranimeve të studentëve në universitete thuhet se do të përcaktohet nga marrëdhëniet e sasisë të studentëve për metra katrorë e tregues të tjerë sasiorë, nuk kemi më një reformë sikurse na premtohet, por kemi thjesht një përsëritje të zbatimit të disa mekanizmave që, në të vërtetë, kanë ndikuar jashtëzakonisht keq në cilësinë e arsimit të lartë universitar, pra kemi një vazhdimësi, një stepje para kurajos për të dëgjuar opinionin e shëndoshë universitar lidhur me ato faktorë që e kanë dëmtuar dhe penguar cilësinë e shkollimit dhe e kanë dëmtuar gjithashtu edhe karrierën universitare, dhe më pas, profesionale të brezave të ndryshëm të studentëve.
Stepje dhe vazhdimësi, sepse lobingjet këtë parim nuk duan ta lëvizin. I japin qeverisë një tym reformash dhe brenda tyre i shkasin djallëzisht edhe ca parime që mbushin xhepat me parà, por jo kokat e studentëve me mend.
Do ta shpjegojmë se përse ka ndodhur kështu, pra përse metrat katrorë të sipërfaqeve si edhe numri i pedagogëve për sasi studentësh, ndonëse duket si një kriter i pafajshëm, përsëri ka sjellë dëme të pallogaritshme në cilësinë e arsimit universitar.
Mbi të gjitha, do të shpjegoj se nga vjen ky kriter, pra cilët interesa mbron? Dhe pastaj, nëse nuk vlen si kriter, me çfarë mund të zëvendësohet për të pasur një mekanizëm të vërtetë që kontrollon dhe rregullon hyrjet e studentëve në universitete?
————-
Në kriterin e rregullimit të hyrjeve që na propozohet dhe mbrohet e shpjegohet nga anëtari i komisionit të reformës gjithçka është sasiore. Sikurse thoshte Mishel Fuko, kemi thjesht atë që quhet “ekonomia politike e trupave”. Pra, konsiderohet studenti, njësoj si i burgosuri në burgjet moderne të shekullit 19-të, thjesht si një trup, si një numër, si një qenie materiale e numërueshme, e cila duhet të vendoset në raport me metrat kubikë të ajrit që qarkullon në mjediset e burgut, me dritën që hyn, me hapësirën që trupi i çdo të burgosuri, më falni, studenti, zë në një mjedis të matur me metra katrore. Thjesht “ekonomi e trupave”, një raport sasior.
Për çfarë bëhet fjalë, në fakt? Për salla universitare apo për stalla lopësh? Nuk është e njëjta logjikë. Nuk mund të përdoret e njëjta arsye sikur debatohet për tregun e arsimit universitar, të medias, të industrisë të kulturës, të librit, të industrisë të krijimit, ashtu sikurse debatohet për kushtet e blegtorisë, për administrimin e burgjeve, apo spitaleve psikiatrike, e kështu me radhë. Aq më pak të konsiderohet tregu i kulturës si treg shitjesh produktesh bujqësore dhe blegtorale. Këtu ka vend t’u referohemi jo ekonomistëve në përgjithësi, por mendimit administrativ, menaxherial dhe ekonomik të industrisë të kulturës dhe të krijimit. Nuk ka arsye të mos mendojmë se ka me dhjetëra e dhjetëra autorë të huaj, po deshët edhe anglosaksonë, aq më shumë anglosaksonë, që e trajtojnë këtë çështje, me shumë thellësi dhe mprehtësi intelektuale.
Hapësirat dhe numri i pedagogëve nuk mund të jenë kriteret e vetme as edhe kryesore për të matur treguesit e hyrjeve dhe debiteve studentore në mjediset universitare. Kjo sepse mund të plotësohen këto kritere sasiore dhe përsëri cilësia e arsimit të degradojë nëse nuk kuptohet se “ekonomia e shkallës” e zbatuar në sferën e prodhimit intelektual dhe e e formimit universitar, si edhe në fushën e medias apo informimit (Doyle; 2004), ka prirjen ta degradojë sistemin ku zbatohet. Arsimin universitar e ka dëmtuar pikërisht “ekonomia e shkallës”, për të cilën ndofta do të shkruajmë një herë tjetër.
Si mendon (marrim shembuj hipotetikë, por, nëse duhet, e provojmë edhe konkretisht, me raste të shumtë), një menaxher universitetesh publike apo për më tepër një biznesmen që mendon të nxjerrë fitime në tregun universitar dhe që, në fakt, është diçka që ja lejon sistemi i lirive dhe i të drejtave ekonomike që zbatohet në kushtet e shoqërive demokratike?
Duhen salla për të shtuar numrin e studentëve? Pa problem, sikurse bën edhe për stallat ose për qelitë një blegtor apo edhe një menaxher burgjesh. Nis të bëj ndërtime hapësirash pa fund. Salla, salla, salla… Ku ka më mirë! Edhe disa parà i ngurtësoj në ndërtesa që si pasuri e patundshme nesër mund t’i përdor për të arritur qëllime të tjera. Mund t’i përdor për hotele, motele, magazina, dhe sot, hëpërhë edhe për mjedise universitare. Po duhen edhe kompjutera… Pa problem, e çfarë janë të blesh sot në tregun e shumicës ndoca njëqind, pesëqind, a njëmijë kompjutera. Kompjuteri është bërë një lodër naive tanimë… Po prit se na u dashkan edhe një numër pedagogësh… madje edhe me tituj… Po ku është problemi. Ministria nuk do të na pyesë se çfarë cilësie ka formimi i këtyre pedagogëve, çfarë njohurish japin, si i orientojnë ata dijet studentore në tregun e punës, sa bashkëkohorë janë në dijet që transmetojnë… Aspak, duhet vetëm sasi, sasi, sasi. Hapim një shkollë doktorale me ndoca treqind a treqind mijë kandidatë, mbledhin lekë pa fund, japim diploma doktorësh dhe ja: realizojnë me sasinë që duhet edhe treguesin “pedagogë për sasi studentësh, në metra katrorë”. Një dinamikë e përkryer ekonomie trupash fizikë, një relacion sasior perfekt që përmbushet, jep lekë, nxjerr fitime kolosale, por që shkatërron cilësinë e arsimit të lartë.
Kurse universitetet publike e kanë paksa të vështirë t’i hyjnë kësaj loje forcash, meqë ata nuk kanë lirinë e privatit për të ndërtuar pa fund, meqë për këtë duhet përdorur masivisht një sistem kreditimi, që atyre u privohet arbitrarisht ta kenë në zotërim.
Sasia e ka mbytur cilësinë në arsimin universitar dhe papritur, për çudi, ndonjë reformator që ende nuk është çliruar nga klishetë e imponuara nga lobingje private ose që është ngurtësuar në skema sasiore për shkak të formimit të tij apo nuk e di përse, përsëri na premton skema sasiore, thjesht sasiore…
Cilat janë anët krejt negative të përdorimit të kritereve thjesht sasiore, objektive, hapësinore, numerike, në debitin e hyrjeve studentore në arsimin e lartë shqiptar?
E para, sepse ky kriter bazohet në tregues që, sikurse thamë, nuk kanë lidhje përcaktuese me cilësinë e diplomave dhe të procesit të formimit universitar. Salla, kompjutera, libra, doktorë, plot, por puna është nëse vlejnë apo jo… Dikush në bibliotekë mund të ketë njëqind mijë libra, por ata mund të jenë të gjithë të pavlefshëm për formimin e specialistëve në një fushë të caktuar. Hajde të shohim se sa metra katrorë të pafundmë ka biblioteka e ndonjë universiteti, sa rafte ka dhe çfarë cilësie mizerabël, të mjerueshme, kanë titujt që gjenden aty. Doni më tepër? Hajde të shohim se sa kompjutera ka “për kokë” studenti në ndonjë universitet dhe të analizojmë pak memorien e kompjuterave në fjalë, për të parë se sa përdoren dhe për çfarë përdoren. Salla, çatira, mure, magazina, hotele, motele, pa fund, por aty ndryhen, vuajnë, rropaten, humbin kohën e rinisë, të burgosurit modernë të sotëm, të papunët e ardhshëm, që tregu as i qas e as i pranon. Numri i sallave, kompjuterave, doktorëve është gjëja më e lehtë për ta realizuar, kurse cilësia e studentëve shkon teposhtë, sepse studenti konsiderohet si trup e si numër.
Si thoni? Më mirë një auditor i mbushur plot e përplot, cip mbi cip, ku referon një profesor i vërtetë, nga ata që janë të rrallë, apo një auditor si stallë, se amfiteatër nuk është asfare, ku numri i doktorëve për kokë studenti në metra katrorë është realizuar? Ja përse kriteri hyrës sasior si salla, stalla, motele, hotele, kompjutera, metra katrorë librash, është një kriter fals, shkatërrues, i padenjë për përllogaritjen e debiteve hyrëse në universitete, pra për energjinë e kapitalit njerëzor që kombi harxhon për rininë e vet. Pra, për veten e vet.
Së dyti, ky kriter hapësinor apo material është aq elastik, saqë duket si llastik. Unë kam një sallë që ka aksh metra katrorë, por e shfrytëzoj me tre ose katër turne studentësh, kurse ai tjetri ka një sallë tri herë më të madhe, por e përdor vetëm me një turn. Atëherë kush ka metra katrorë më shumë për “kokë studenti”, ai apo unë? Unë kam një sallë studentësh si stallë lopësh, por ai tjetri në po ata metra katrorë ka një amfiteatër, që jo vetëm nxë më shumë studentë, por edhe krijon kushte shumë më të mira komunikimi. Një i tretë ka më pak kompjutera, por ka një lidhje interneti shumë të fuqishme me debit të lartë, si edhe kompjutera me procesorë të fuqishëm. Kush ka më shumë teknologji kompjuterike, ai apo ne të tjerët, me kompjuterat tanë të lodhur?
Së treti, kjo “ekonomi politike trupash”, sikurse shkruante Mishel Fuko, kërkon nga një “polic” pas çdo salle universitare. Ministria mund ta kontrollojë për njëfarë kohe zbatimin e kritereve sasiore sallash a kompjuterash apo librash, por me marrjen e akreditimeve çdo gjë përfundon. Duhet një auditim i ri? Pa problem. Marrim hapësira me qira për njëfarë kohe, marrim ca kompjutera hua si fustanet e nuseve, sjellim edhe nga shtëpia ca tituj librash, sa për të thënë dhe ja problemi është i zgjidhur.
I zgjidhur. Na duhen numra studentësh, çfarë rëndësie ka cilësia e formimit të tyre shkencor, çfarë rëndësie ka nëse tregu i punës ka nevojë për këta numra. Rëndësi ka vetëm nën këtë optikë që arka universitare e financave të përmbushet përplot. Por, edhe ajo do të vuajë pas një kohe, sepse “ekonomia e shkallës” në mjedisin dhe sferën universitare dhe të kulturës shkatërron në fillim cilësinë pastaj edhe vetë financat.
Duhen parà. Atëherë presioni rritet, që sasia të mbizotërojë cilësinë. Sa më të gjëra sallat, mbushur plot e përplot me të burgosur në mënyrë që rendimenti financiar i çdo leksioni të sigurohet. A nuk përcaktohet çdo gjë nga konkurrenca??? Duhet kursyer në çdo pikë, atëherë o burra, libra me çmime sa më të ulëta, sa më të vjetër, sa më të dalë boje loje, na duhen numra për t’i hedhur hi syve kontrollit të ministrisë… Çfarë rëndësie ka cilësia. Na duhen artikuj shkencorë? Botojmë revista pa fund, vendosim borde pa fund, shkrime dhe shkarravina pa fund, mullinj llogjesh, fjalë pa fund dhe pa kuptim, kopje, plagjiatura gjithfarësh, opinione të palidhura, pa tregues shkencorë. E çfarë rëndësie ka. Paratë hyjnë, rrogat merren, me ca muaj vonesë, por hajde se rregullohemi në shtator, me korrje-shirjet e reja, duhen numra, ja numra. Artikuj për kokë pedagogu për kokë studenti për metër katror.
Kjo logjikë po i shkakton dëme të pallogaritshme kombit, familjeve, rinisë që humbet jetën e vet në salla, stalla, ku kërkohen metra katrorë për kokë pedagogu për koka studentësh. Hajde logjikë hajde.
Do të qeshja pa fund sikurse të mos ishte kaq tragjike.
—-
Dhe që numri të jetë sa më i madh, pra që raporti koka studentësh mbi kokë pedagogu për metra katrorë dhe kujtesa e ngurtë kompjuterike të jetë sa më e mirë, duhen shtuar studentët për çdo orë leksioni. Pra, rendimenti financiar i orës të mësimit kërkon që duhen bërë leksione të përgjithshme, pra formim i përgjithshëm, diplomat klonohen, universitetet bien si kështjella kashte njëri pas tjetrit nën peshën e metaforës të akulloreshitësve që kërkojnë të shesin lëpirëse akulli të gjithë në një pikë të plazhit, bash në mes.
Rendimenti financiar arrihet, por prodhohen të papunë. Kombi humbet pa fund vlera monetare, sepse harxhon pa produkt. Familja kënaqet me lugë të zbrazët, sepse kujton se i ka dhënë diplomë fëmijës, por që nuk vlen asgjë.
Piramida universitare funksionon ekonomikisht mirë, por pa produktin e duhur, nëse i nënvendoset idesë të përcaktuar nga kriteret e kokave të studentëve mbi kokë pedagogu për metër katror.
Dija jonë ka mbetur ideologji pikërisht sepse kërkohet që universitetet të administrohen me kritere hapësinore dhe sasiore hyrëse, kokë pedagogu, kokë kompjuteri, kokë autorësh librash të mykur, kokë kolltukësh dhe kokrra leku në xhep pa vrasje ndërgjegjeje se gjitha kjo shndërrohet në një piramidë false që shkatërron gjithçka.
Këtu nuk është më puna e diplomave false, këtu është fjala për falsitetin e diplomave të rregullta ligjërisht. Ka kohë që disa operatorë që shkatërrojnë çdo gjë që me prekin me dorë a me sy, po e ngatërrojnë çështjen e vërtetë. Nuk i vret ndërgjegjja për asgjë, a nuk janë në rregull me metrat katrorë?
Do qeshja me ditë të tëra, por të mos ishte kaq serioze çështja.
—
Por, me çfarë kriteresh ta rregullojmë hyrjen e studentëve në sistemin e arsimit të lartë?
Në fillim të heqim dorë nga kriteret perverse, që nuk vlejnë veçse për të mbushur xhepat me para mbi kurrizin e jetës dhe intelektit të kombit, që është bjerrë nga mjeshtrit e marrëdhënieve sasiore, sidomos atyre të flukseve financiare, lekë për metra katrorë, dhe të shërbëtorëve të tyre që i shohim si koka xholash nëpër afishe stacione autobusësh.
Pastaj zgjidhjet ekzistojnë dhe kanë natyrë më së pari cilësore, që lidhen me nevojat e kombit, të tregut të punës, të cilësisë së mësimdhënies, të diversiteteit të diplomave, të transparencës financiare universitare, të bashkëpërgjegjësisë së universiteteve dhe studentëve për rezultatet real të diplomimit, koncepte të reja, e kështu me radhë.
Por për këto do të kemi kohë të flasim…