Pritja dhe dëshpërimi

Nuk është më ajo tollovi e mbrëmshme. Njerëzit shkojnë pas punëve të veta. Dikush me duar në xhepa shkon drejt kafenesë, më drejt kah çajtor...


Nuk është më ajo tollovi e mbrëmshme. Njerëzit shkojnë pas punëve të veta. Dikush me duar në xhepa shkon drejt kafenesë, më drejt kah çajtorja, dikush tjetër vrapon pas autobusit, ndërsa fëmijët e vegjël të moshës parashkollore të lagjes bërtasin BDI! BDI! Pak më larg dëgjohen zëra të tjerë të fëmijëve të asaj moshe që i brohorisin PDSH-së
Xhabir AHMETI

Dëgjohet zhurmë. Krisma lëndësh plasëse. Përmbi lagjen e Shuto Orizares qielli zbukurohet me gjithfarë larash e ngjyrash të fishekzjarrëve. Ky ishte lajmi i parë i rezultateve të zgjedhjeve: Hamdi Bajrami ka fituar edhe një herë. Pastaj veturat vijnë e shkojnë varg rrugëve rreth ndërtesës ku jetoj. Gjithandej valëvite flamuj të ndryshëm partiakë e kombëtarë. Duket edhe flamuri ynë kombëtar. Fituam! Fituam! Pastaj këngë, tekstin e të cilave nuk mund ta di. Zakonisht, në bazë të melodisë, janë këngë që i këndojnë Ilir Shaqiri dhe Shkurte Fejza. Deri vonë shpërndahet jehona e këngëve. Kush ka fituar vallë që po feston kështu? Në fillim të gjithë thoshin se janë fitues, si në krahun maqedonas, ashtu edhe në atë shqiptar. Më vonë doli se fitues absolut ishte Nikolla me partinë e tij. Të gjithë të tjerët, maqedonas e shqiptarë janë humbës. Thanë se Nikolla i ka fituar 63 deputetë. Po s’e kuptoja dot pse gjithë ky gëzim i humbësve, kur çelësat e të ardhmes sonë brenda katër vjetëve ishin në duart e kryeministrit të vjetër e tash, sërish të ri, për kushedi të satën herë?
Të nesërmen dal, si zakonisht, pas punëve të përditshme që i bëjmë nëpër korridoret dhe nëpër sportelet kafkiane. Nuk është më ajo tollovi e mbrëmshme. Njerëzit shkojnë pas punëve të veta. Dikush me duar në xhepa shkon drejt kafenesë, më drejt kah çajtorja, dikush tjetër vrapon pas autobusit, ndërsa fëmijët e vegjël të moshës parashkollore të lagjes bërtasin BDI! BDI! Pak më larg dëgjohen zëra të tjerë të fëmijëve të asaj moshe që i brohorisin PDSH-së. Kërshëria më shtyn t’i shoh fëmijët nga afër. Simpatikë, të dashur janë ata. Por kur e them emrin e partisë që ata nuk e brohorasin, ata më drejtohen me bërtima dhe, madje-madje, edhe me hidhërim. “E mbrojnë partinë e tyre”. O Zot i madh, pse i ngarkojmë kështu fëmijët me punë partish?! Si s’na vjen fare keq dhe si s’na shkon mendja që i helmojmë kështu me politikë fanse, të nivelit të turmave. Pse nuk i lëmë të rriten me ëndrrat e tyre fëmijërore? Pse s’kujdesemi si prindër, si arsimtarë, si politikanë që ta lëmë të lirë shtegun e rritës së fëmijëve tonë? Pse nuk u krijojmë kushte që mos të rëndohen me probleme që nuk janë të tyre?!
Një ditë tjetër, në “skenën tonë qendrore” të politikës ditore e që njëherësh është edhe “byroja për informacione politike”, në çajtore pra, njerëzit janë mbledhur pranë tavolinave. Shumica flasin me zjarr. I gëzohen fitores. Ndonjëri syresh rri vetëm në një kënd. Sigurisht e pret shoqërinë e tij, e cila do të jetë me interesime të veçanta, me qëndrime të veçanta për këtë jetë të çuditshme që e bëjmë. Në tavolinën tjetër dëgjohen cingërimat e telefonave celularë, pastaj dikush shkruan mesazhe, tjetri flet. “Ej, mos me ta marrë mendja, nuk na dul hesapi… Na theu n’kurriz VMRO-ja… Edhe na nuk jemi keç me nanmdhetë, po kshyr kha xhashdhetë e nja ka aj daja, a po merr vesh? P, po, e di…”, thotë, “Po s’i dihet munet me i marrë ata ‘tradhtart’ tonë me xhasht a shtatë deputetë, sa kanë… Ti thue s’munet, po ta dish se munet. S’lodhet për ne. Aj tash i ka katër asa n’dorë”…
Pas një kohe vrapojnë kamerierët midis tavolinave. I ngrehin disa tela, disa kabllo dhe i çojnë drejt televizorit që është vendosur mbi një tavolinë të vogël që është vënë mbi një tavolinë të madh për të pasur mundësi ta shohin të gjithë ekranin më lehtë. “Çka po ndodh”? pyet njëri. “Çka janë kta tela”. “Feridja”!… “Aha, a fillon Feridja, a”? “Po”. “Epo s’kam pa film ma t’mirë se Feridja”… Dhe, së shpejti fillon seriali turk. Të gjithë burrat e angazhuar politikisht, të gjithë fansat e BDI-së e të PDSH-së i pushton heshtja e thellë. Luan “Ferideja”… E thithin duhanin thellë dhe të duket se edhe ata janë futur brenda në ekran, se janë bërë pjesë e ngjarjes që flet për fatin e një Ferideje nga viset e Anadollit. Dy orë e sa dëgjohet vetëm ndonjë cingërimë e lugëve të çajit dhe ndonjë koment: “A e pave se çka i bani”? ose dikush me pëshpërimë ia tregon ngjarjen ndonjë miku i cili e ka humbur fijen sepse s’ka pasur mundësi ta shohë episodin e kaluar. Njeriu që ishte vetëm pranë tavolinës, në një skaj të çajtores, ka harruar ta pijë çajin i habitur pas Feridesë.
Kur mbaron Ferideja, përsëri gumëzhin kafeneja nga muhabeti, nga “analizat”: si do të bëhet e çka do të bëhet. “Ej”, thotë njëri, “u ba si u ba kjo punë, po si kem me ia ba për djalin e vllahut tim… E di… çi patëm folë atë ditë”… “Po bre, qysh s’e ditkam?! E di, e di!… Si t’bahet me met na n’qeveri, diçka kem me ba… Unë e kam muhabetin e fortë me N. N. Kam une lidhje edhe n’nivele ma t’nalta… Hiç mos u mërzit. Kam me u thanë me t’shti n’listë, manej kollaj ja bajmë… Veç le t’bahet ni herë, se… Se ata kundërshtarët tonë janë tu i dhanë zor me hi n’qeveri. N’i marrtë Nikolla ata, atëherë s’di se shka t’tham”… “Nejse, nejse, po si ia bajmë me atë punë… Me cilën punë, vlla”? Me atë tenderin… e di çi patëm folë”… Prit bre le t’bahet ni herë, se manej kollaj ja bajmë”…
Ditët që pasojnë hetohet tensioni, një zabullimë, një ufëm, një zagushi… Jo prej vape, po prej dilemave: kush do të bëhet pjesë e qeverisë nga partitë shqiptare. Askush nuk e analizon pse LSDM-ja i ka kthyer mandatet, çfarë leverdie të përgjithshme mund të kemi nëse e mbështetim këtë ide: që t’u bashkohemi atyre. Të gjithë e kanë mendjen vetëm te pushteti dhe vetvetiu të shkon mendja kah e prapa dhe e pyet veten: mos e kanë mendjen te materializimi i majmë i votave të shqiptarëve të këputur materialisht? Të trishtojnë ethet që i kanë pushtuar njerëzit e afërt me partinë, që të gjithë – nga ai që ka pasur detyrë të ngjitin pllakate e foto të mëdha të kandidatëve për deputetë deri te ata që synojnë kolltukun, sekretareshën e shoferin. Ethet janë nga dëshira e pritja që e kanë pasur ata gjahtarët e perëndimit të egër pas minierave të arit dhe kërkimit të El Dorados, kurse frika vjen mos po ua hedh Nikolla duke e marrë kundërshtarin politik. Këto ndjenja i kanë të dy palët e atyre që e kanë hedhur votën me shpresë të madhe se do të fitojë partia e tyre. O zot sa pretendentë ka për gjithfarë detyrash, për gjithfarë postesh ka! Cilin do që ta pyesësh se a do të pranonte të bëhet ministër, do të pranonte me dy duar. Natyrisht, përveç atyre që e kanë kaluar jetën mbi libra.
Pastaj vjen pritja. Pritja e fjalës së Nikollës. Pritja në çajtore se kujt do t’ia hapë dyert e qeverisë, BDI-së apo PDSH-së. Një pritje që i ngjan asaj të njerëzve që u ka prirë Mojseu në Sinaj (hazreti Musa në Turi Sina) e të cilët i kanë pritur urdhrat e Perëndisë për të dalë ngadhënjimtarë në udhën drejt tokës së premtuar. Pritje… Pritje… Pritje e mëshirës që vjen nga Nikolla. Më në fund vjen lajmi: Nikolla u përcaktua për BDI-në. Zëdhënësi I BDI-së doli me një qëndrim triumfalisti në TV. Tha se u konfirmua ajo që e ka pohuar partia e tij se qeveri do të formojnë fituesit e palës maqedonase dhe fituesit e palës shqiptare në zgjedhje (Nuk tregoi se diçka e tillë nuk është e shkruar askund dhe se Nikolla kë do ka të drejtë ta marrë). Kështu tha, por nuk ishte i qartë për qëndrimin e tyre rreth kryetarit të shtetit, kryetarit që u zgjodh e që nuk është konsensual. E kuptuam mirë kur tha se kryetari qenka legal e nuk qenka legjitim, ndonëse e dimë sa përmbajtje të afërta semantike kanë këto fjalë, sa mos të themi se janë thuajse sinonime. Nejse. Me rëndësi ishte fitorja. Kemi fituar, tha, dhe BDI-ja do t’i realizojë të gjitha premtimet. Ndërkaq njerëzit që shikonin TV në çajtore e mbanin kryet lëvarur. Nuk ishin të kënaqur me marrëveshjen që u mundua ta shpjegojë zëdhënësi. Nuk janë që nuk kuptojnë gjithaq këta njerëz që e japin votën. E dinë njerëzit tonë sa është sahati kur e marrin vesh se asnjë post kyç shtetëror nuk e kanë marrë shqiptarët. Këtë do ta ketë ditur zëdhënësi kur shtoi se qenkan marrë vesh me Nikollën që në gjashtë muajt e ardhshëm VMRO-ja e ka pranuar kërkesën e BDI-së që prioritet i koalicionit do të jenë integrimet në NATO dhe në BE. “Aferim, aferim”, bëri njëri dukshëm i pakënaqur. “Po hiqma bre këtë skeç!… Punë e madhe na koka ba! Pallavra: NATO, BE, pa i nreç na punët ktu! Se jemi ne aq…”, pastaj e ktheu kokën e pshtyu poshtë. “Hej, ça u ba bre me PDSH-në? Po a pat thanë kryetari i tyne se ka me hi n’qeveri edhe me nji deputet”. “Jo nuk hi n’qeveri, po ka me e mshtet qeverinë e Nikollës”. “Qysh, qysh”? qeshi njëri… N’opozitë e paska me e mshtet qeverinë. Po çfarë opozite qenka kjo. Kjo paska me qenë opozitë veç e BDI-së. Paska me vazhdue fesati shqiptar me shqiptar”!.. Kështu pritja nuk solli gëzim, po dëshpërim.
Pas marrëveshjes “historike” të fituesve të zgjedhjeve të të dy palëve vijnë lajme se ministrat e përhershëm të BDI-së do ta vazhdojnë përhershmërinë dhe pazëvendësueshmerinë e tyre. Do të shpërblehen për amatorizmin e tyre dhe për dështimet e vazhdueshme. Dhe, do të vazhdojnë “përpjekjet” e tyre për inkuadrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE. Se, thua ti që ne shqiptarët këtu nuk paskemi halle më të mëdha se kjo punë. “Na bukë s’kemi, ai na e tregon NATO-n e BE-në… Na ni emën rruge, ni emën shkolle s’na lanë me e nrrue, ai na e kallxojka NATO-n!”, bërtiti njëri. Interesant, si nuk u shkon mendja politikanëve tonë që zakonisht i sjell rasti në kolltuk, si nuk u shkon mendja të pyesin: me çka e merituam këtë respekt prej këtij populli të dërmuar ekonomikisht dhe të fyer pse do ta mbrojë gjuhën dhe qenien e vet kombëtare si shqiptar? Pse nuk e shohin veten sa janë tjetërsuar kur nga rëndomësia e anonimitetit kanë hipur në kalin e pushtetit?
Pas kësaj farse të zgjedhjeve të parakohshme që doli se janë mbajtur për t’ia forcuar pozitat dhe për t’ia zgjatur mandatin VMRO-së, njerëzit tonë vazhdojnë t’i analizojnë këto ngjarje duke pyetur: “Si asht e munme, vlla?… Na me ua dhanë votën tue menue se ka me nryshue dishka, ata mahiten me ne tue na thanë: jo NATO, jo BE”…

Related

Opinione 6957966368661701617

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item