“Objektivi modernizim” – Intervistë me Salman Rushdie

Salman Rushdie “Ata që u lëshuan nga Kullat, donin të shkatërronin jetën e sotme për ta zëvendësuar me një tjetër model”. Çështja e “Tërbimi...

Salman Rushdie

“Ata që u lëshuan nga Kullat, donin të shkatërronin jetën e sotme për ta zëvendësuar me një tjetër model”. Çështja e “Tërbimi”-tromani që ka dalë në qarkullim në 11 shtator 2001. Më parë e më pas, me shumë saktësime.
Pra, ç’ndodh nëse një shkrimtar indian, me kulturë angleze, por me rrënjë familjare myslimane, shkruan një roman për Nju Jorkun që mban titullin “Tërbimi” dhe që del pikërisht në datën 11 shtator 2001?
Dhe nëse romani bën fjalë për një intelektual indian që jep mësim në Britaninë e Madhe, dhe braktis familjen për të jetuar në Mollën e Madhe, ku bie në dashuri me një modele të mrekullueshme? Dhe nëse ky shkrimtar për më tepër, të jetë Salman Ruzhdi? Ndodh një ngatërresë e vërtetë letrare. Sepse shumica sheh pasqyrimin e ndodhive personale të Ruzhdisë dhe ia nisin muhabetit për “romanin e parë amerikan” të autorit, një herë e një kohë i mallkuar e mëpastaj i falur, për “Vargjet satanike”, sikur Ruzhdi të paskësh ndërruar jetë. Por ja tek vijnë terroristët, rrënohen Kullat dhe “Tërbimi”, i sapobotuar, shndërrohet në një dokument historik, me atë Nju Jork frenetik e të shpërfytyruar, të pasur e të zhvoshkur, shënjestër e gjithë zilive të të gjithë popujve të botës.

Mund të jetë dhe “romani i parë amerikan” i juaji, por gjithsesi është një roman që vetëm një evropian mund ta shkruante. A jeni i një mendjeje?
“Po, sigurisht”, përgjigjet Salman Ruzhdi; “maniera, ndjeshmëria është e gjitha evropiane. Ose më mirë: evropiane nën petka të rreme. Nga ana tjetër, është gjithë ajo traditë e romaneve evropiane si ky, këtu kam parasysh Musil, Roth, si dhe Kafkën. Po kështu, Nju Jorku është edhe një qytet që ndikohet shumë nga kultura evropiane, me grupe etnike evropiane të shpërhapur kudo. Vetë mënyra e Nju Jorkut nuk është amerikane, po në të njëjtën mënyrë që arrin të jetë edhe një qytet i Botës së Tretë”.

Për “Tërbimin” dhe tabanin e mundshëm letrar, ju keni cituar pikërisht dhe Balzakun. E vërtetë?
“Po, mendojeni pak mirë. I keni parasysh ato romanet franceze në të cilët autori fillon duke folur për Parisin, pastaj për njëfarë lagjeje, pastaj për një rruginë të veçantë, më tyutje për një pallta, dhe që në këtë pallat për njëfarë apartamenti, ku jeton ky personazhi… një mënyrë për t’i dhënë lexuesit gjithçka që shërben para se të fillojë ngjarja. Ja pra, kështu arsyetova dhe unë nga pak”.

Afeksioni juaj për Nju Jorkun, që na shfaqet përpara në çdo faqe të librit, ndoshta ka po të njëjtën origjinë të asaj të Neela-s, protagonistes së mrekullueshme. E cila, shkruani ju, “kishte rënë në dashuri me Nju Jorkun si të gjithë ata që kanë nevojë për një shtëpi larg shtëpisë”?
“Kam pasur shumë shtëpi në shumë qytete për të provuar poende ndjesi të tilla. Përveç kësaj, qëkur jam larguar nga india, Nju Jorku është vendi që më ngjan më shumë se askund me Bombein, qytetin tim. Të paktën, fizikisht: zona e qendrës e Bombeit ndodhet mbi një gadishull që ngjan fort me Manhatanin. Pastaj ka dhe qytete kozmopolite që shtrihen vetëm në tokë për t’u shndërruar në megalopole, kanë një dasi të madhe mes të varfërve dhe të pasurve, tregojnë një finesë e trashësi të ngjizur pandashëm, janë tepër të kritikuara nga vetë vendet respektive… Pastaj, nga qytetet mua më pëlqen pikërisht ajo që të tjerëve ua shpif apo i bën ta urrejnë: zhurma, konfuzioni, përzierja e racave. Gjithmonë kam menduar se fshati është bërë vetëm për lopët”.

“Tërbimi” para dhe pas 11 shtatorit 2001. Si thoni?
“Them që, për sa paradoksale e mizore mund të duket, tmerri i atentateve e ka ndihmuar librin. Para se të ndodhte tragjedia, kam bërë nja pesë a gjashtë lexime publike në Nju Jork dhe në qytete të tjera të SHBA-së, dhe njerëzit reagonin ashtu si duhej: qeshnin sa më mirë të mundnin, kur nuk mund të qeshë me diçka a dikë, por qesh sespe identifikohet në diçka. Pastaj, me atentatet, kjo u bë e pamundur. Por ka një tjetër aspekt: para 11 shtatorit, shumë njerëz përqendroheshin në anët autobiografike a pseudobiografike të romanit, thuajse duke e shndërruar atë në gossip. Sikur të na qenkësh ndonjë risi që shkrimtarët përdorkan dhe vetë jetën e tyre për të shkruar, sikur të na duhet akoma të shjegojmë se Stiven Dedalus nuk është Xhojsi, Marseli nuk është Prusti dhe Jozef K. nuk është Kafka. Ngjarjet e Nju Jorkut dhe Uashingtonit i bënë të gjithë t’i vënë gishtin kokës e të mendojnë dhe lexuesit filluan të përqendrohen mbi anët thelbësore të librit, mbi vizionet e jetës që ai kërkon të shprehë”.

A është e mundur sot që të shkruhet një roman i tillë si “Tërbimi”?
“Jo, dhe kjo për një arsye të thjeshtë: Nju Jorku nuk është i njëjti qytet. Por ama jam mjaft krenar që e kam shkruar në atë kohë, sepse me të arrita të kap një çast të papërsëritshëm, shkrepa fotografinë e atij Nju Jorku që nuk jetonte akoma me ndjenjën e katastrofës”.

Ju thatë që sulmi i terroristëve nuk ishte drejtuar kundër Amerikës, por kundër mënyrës së jetesës perëndimore. A është kështu?
“Kështu është. Ata që u lëshuan nga Kullat, donin të shkatërronin jetën e sotme për ta zëvendësuar me një tjetër model, që mund ta quajmë talibanizimi. Modernizimi është armiku i tyre, i kuptuar si i tillë: jo vetëm Amerika, por qiejgërvishtësit, aeroplanët, demokracia, liria seksuale, kartat e kreditit. Dhe për ta bërë këtë, terroristëve iu desh të ripërkufizonin veprimin e tyre: aq më tepër që Islami dhe Kurani janë tepër të rreptë me vetëvrasjet, riquajtën veprimin e tyre Xhihad, domethënë, diçka që u krye në emër të Zotit, pra, që përmban në vetvete dinjitet”.


Toka nën këmbët e saj


Salman Rushdie është fitues i shumë çmimeve letrare, si dhe një nga shkrimtarët më të respektuar të dhjetëvjeçarëve të fundit. Në 1981 iu dha çmimi prestigjioz i
Commonwealth-it Britanik, Booker për Fëmijët e mesnatës, libër që në vitin 1993 mori
Çmimin “Booker of Bookers”. Rushdie ka shkruar shumë romane, midisë të cilëve: Vargjet Satanike dhe Psherëtima e fundit e Maurit, një përmbledhje me tregime, një libër reportazhesh, dy vëllime me ese dhe një vepër për kritikën kinematografike.
Një prej romaneve të tij që ka dalë në mars të vitit 2000, Toka nën këmbët e saj, fillon ngjarjet në ditën e Shën Valentinit, 1989, në ditën e mbrame të jetës së Vina Asparas.
Fjalëpërfjalshëm, asaj i rrëshqet vërtet toka përnën këmbë, dhe vdes në një tërmet të tmerrshëm. 14 shkurt 1989 qëlloi gjithashtu dita kur Ayatollah Khomeini shpalli fatvën që dënonte Rushdie-në me vdekje. Dhe prapë, Rushdie ripunoi mitin mbi Orfeun dhe Euridikën, të zhvendosur tashmë në Postmodernizëm, një univers paralel ku arma e Lee Harvey Oswald-it u përplas dhe Carly Simon e Guinevere Garfunkel këndonin “Ura mbi ujrat e trazuar”. Kjo dashuri epike shtrihet për dekada të tëra, nga Bombeji ekzotik dhe kozmopolitan në vitet ’50 të Rrugës Carnaby në Londër, në Nju Jorkun e çmendur të viteve ’80 e ’90. Vina është Euridika për Orfreun Ormus Cama, dhe historia e tyre e lavdisë, fatit dhe tragjedisë rrëfehet në një mënyrë intime nga miku i tyre (dhe ndonjëherë, edhe dashnori i Vinës) Rai, që është një fotograf me nam botëror. Ky është, me gjasë, romani më pranueshëm i Rushdie-së, por asnjëherë i zënë në grackë nga ngjyrat e shumta tradicionale dhe humori cimbitës.

Përktheu: Elvana Zaimi/fjalarewiev

Related

Kultura 9040122436130340538

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item