O NËNË - Poezi nga Ibrahim Kodra (1918-2006)
Ibrahim Kodra (1918-2006) Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet, o nënë. Ku je fshehur? Nuk e s...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/o-nene-poezi-nga-ibrahim-kodra-1918-2006.html
Ibrahim Kodra (1918-2006) |
Nuk i ndiej më ledhatimet e tua të ëmbla
ashtu si era e prillit që përkëdhel lulet,
o nënë.
Ku je fshehur?
Nuk e shoh më buzëqeshjen tënde,
sytë e tu, sytë e tu gjithë vëmendje,
që asnjëherë nuk lodheshin
së ndjekuri ecjen time të pasigurt.
Ishe gjithçka për mua.
Fytyra jote: më e bukura
mes muzave.
Dhe flokët e tu
të gjatë e të zinj
mbulonin faqet e gëzueshme,
kur gjoksi ngjallte ngrohtësinë
nëpër venat fëminore.
Tani ku je fshehur?
E freskët në kujtesën time,
rikthehu, o nënë,
të përkëdhelësh fytyrën time të lodhur.
E përktheu nga italishtja
Eda Agaj Zhiti
Kodra është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të pikturës shqiptare të shekullit të kaluar. Mjeshtri Kodra, i cili u largua nga Shqipëria në moshën 18-vjeçare për të studiuar në Akademinë e Arteve Figurative të Breras pranë Milanos, vdiq po atje në moshën 88-vjeçare. Trupi i tij tashmë prehet në kodrën e Ishmit, vetëm disa qindra larg fshatit Likmetaj, ku lindi më 22 prill të vitit 1918.