Mosbesimi ndaj Europës, në pritje të zgjedhjeve
Marc Lazar Zgjedhjet europiane të 25 majit i trembin elitat e Bashkimit Europian, por lënë indiferentë popujt. Të frikësuar nga një numër i ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/mosbesimi-ndaj-europes-ne-pritje-te.html
Marc Lazar
Zgjedhjet europiane të 25 majit i trembin elitat e Bashkimit Europian, por lënë indiferentë popujt. Të frikësuar nga një numër i lartë i mospjesëmarrjes dhe nga suksesi i lëvizjeve dhe partive të quajtura populiste, udhëheqësit europianë po bëjnë një përpjekje të fundit për të mobilizuar zgjedhësit, duke stigmatizuar euroskeptikët dhe lëvduar Europën sa herë u jepet rasti. Por për momentin pa shumë sukses, po të gjykosh nga mungesa e vazhdueshme e interesit të europianëve: sipas një sondazhi të fundit, 60 përqind e të investuarve pranon se nuk e di mirë çfarë përfaqëson dhe cili është kuptimi i këtij votimi. Si kemi mbërritur në një situatë të tillë? Mbi të gjitha rëndon, siç duket qartë, kriza ekonomike me politikat e kursimit dhe vuajtjet sociale që ato shkaktojnë. Për shumë europianë (me ndonjë përjashtim si Gjermania), prej dekadash Europa është sinonim i ritmeve të ulët të rritjes ekonomike, rritjes së papunësisë, pabarazive sociale dhe varfërisë, sakrificave të dhimbshme dhe ndjesisë së të mos paturit një të ardhme. Të gjithë këto ia zbehin forcën projektit europian. 64 vjet pas fjalimit me të cilin në 9 maj 1954, Robert Schumani shpallte planin që mban emrin e tij – një prej bazave të BE – për përbashkëzimin e burimeve të qymyrit dhe çelikut, ideja europiane ngjan e rraskapitur dhe e vjetëruar. Kjo ide mbështetej mbi paqen, prosperitetin dhe mbrojtjen. E para është pak a shumë e garantuar, por tashmë merret kaq e mirëqenë, saqë nënvlerësohet rëndësia e saj historike, mbi të gjitha tek brezat e rinj. Sa për prosperitetin dhe mbrojtjen, sot janë të plasaritur – edhe pse jemi në avantazh krahasuar me fuqitë e tjera (për shembull Amerika dhe Kina). Megjithëkëtë, duke huazuar shprehjen e famshme të Enrico Berlinguerit për revolucionin bolshevik, sot mund të themi se motorri shtytës i Europës është ndalur. Arsyeja kryesore është politike. Mbi të gjitha, siç është thënë dhe përsëritur mijëra herë, për arsye që lidhen me arkitekturën europiane: mungesa e një politike të përbashkët, që ka si shkak mes të tjerash divergjencat mes shteteve anëtarë për institucionet dhe funksionimin e BE-së; modalitetet e zgjerimit (kalimi nga 15 në 28 vende anëtarë); përshtypja për një farë paqartësie në proceset vendim-marrës etj. Rezultati është që Europa, siç ka shkruajtur politologu Yves Meny “ngjan pak me një flutur të mbyllur në një kavanoz”. Por ka patur dhe një faktor jo më pak destabilizues, me origjinë jo në BE, por tek mutacionet më të përgjithshëm që prekin demokracitë europiane dhe që pasojat i ndien vazhdimisht Unioni. Në pothuajse të gjithë vendet tanë i është hapur rrugë një mosbesimi në rritje ndaj elitës së çfarëdolloj natyre, dhe mbi të gjitha politikanëve. Por udhëheqësit europianë japin prova për një shurdhëri shqetësuese. Për shembull, ka qenë gabim i madh paraqitja e shumë kandidaturave, me qëllimin parësor që “të hiqen qafe nga skena politike kombëtare”. Për më tepër, në një kohë të teknologjive moderne, institucionet e demokracisë përfaqësuese vuajnë pothuajse kudo nga një defiçit legjitimiteti dhe tërheqjeje. Në mënyrë të veçantë, parlamentet nuk tërheqin më vëmendjen. Aq më pak e tërheq Parlamenti Europian. Forcimi i kompetencave të tij nuk iu shpjegua me qartësi të mjaftueshme zgjedhësve. Për të rindezur interesin e tyre nuk do të mjaftojnë telekamerat e instaluara në sallën e madhe. Do të duhet të imagjinohen mjete të tjerë: edhe sepse, në të njëjtën kohë shfaqet gjithnjë e më shumë një nevojë për transparencë dhe pjesëmarrje. Qytetarët duan që të dëgjohen gjithmonë, dhe jo vetëm në momentin e zgjedhjeve. Në këtë kuptim, në nivel Unioni gjithçka është për t’u ribërë. Në fund, jeta politika është gjithnjë e më mediatizuar dhe personalizuar, dhe kjo gjë shpjegon suksesin e komunikuesve dhe liderëve karizmatikë si Tony Blair, Silvio Berlusconi, Nicolas Sarkozy apo Matteo Renzi. Zgjedhja për të kandiduar për presidencën e komisionit krerët e familjeve politike – Martin Schulz për të majtën reformiste, Jean-Claude Juncker për të djathtën, Guy Verhofstadt për liberalët, José Bové dhe Ska Keller për ekologjistët, Alexis Tsipras për të majtën radikale – përbën një risi, që megjithatë për momentin nuk duket se ka një impakt të madh popullor. Mbetet për të shpresuar që në 25 maj mesazhi i zgjedhësve – që rrezikon të jetë traumatik, për shkak të mospjesëmarrjes dhe orientimeve të votës – do të dëgjohet nga liderët europianë, dhe do të shërbejë si elektroshok për t’i dhënë një tjetër frymëmarrje Unionit. * Profesor, Drejtor i Shkollës së Doktoraturës në Institutin e Studimeve Politike në Paris. Pergatiti E.Gjini-bota.al/