Mirela Ruçi, të pushtosh Greqinë me tinguj
Flora Nikolla Mirela Ruçi, thotë me bindje të plotë se mbas kaq vitesh, nuk e kupton dot jetën pa violonçelin. Profesor Gjergj Antoniu i dha...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/mirela-ruci-te-pushtosh-greqine-me.html
Flora Nikolla
Mirela Ruçi, thotë me bindje të plotë se mbas kaq vitesh, nuk e kupton dot jetën pa violonçelin. Profesor Gjergj Antoniu i dha notën më të lartë të dijes në veglën e violonçelit, ndaj dhe thotë në këtë interviste që i dedikohet shumë. Ishte për të profesori që e bëri ta shikonte violonçelin me shumë seriozitet dhe e vuri në punë aktive . Ai vetë ishte i dashuruar me violonçelin dhe këtë mundohej ta transmetonte tek studentët që kishte, tregon ajo në këtë intervistë. Ishte vërtet e vështirë të niste punë në orkestrën e Athinës por kur e do diçka lufton shumë që ta arrish. Mbas një viti që erdhi në Greqi dha një konkurs në këtë orkestër dhe mbas shumë orësh përgatitje dhe ditë agonie, fitoi një vend si orkestrante. Dy vjet më vonë dha një konkurs për violonçeliste e parë spala dhe e fitoi. Të gjitha këto donin shumë sakrifica dhe punë, por sot është e lumtur që ja arriti dhe eci përpara. Kënaqësi të veçantë i jep mësimdhënia. I pëlqen atë që di ta japë tek muzikantët e rinj. Jep mësim në dy shkolla muzike në Athinë dhe ka diplomuar shumë nxënës. Kompozitorët që i kanë pëlqyer që kur ishte studente janë, Thoma Gaqi, por i pëlqen dhe Tonin Harapi dhe Pjetër Gaci, kompozitorë që kanë shkruar për violonçel. Në Shqipëri deri para tre vjetësh vinin shumë shpesh pothuajse katër herë në vit dhe kalonin këndshëm se ishin me njerëzit që i duan. Që kur humbi babain e saj nuk kishte ardhur më se ndihej keq.
Pjesëmarrëse në aktivitetet që u zhvilluan në Fier në kuadër të “Dje dhe Sot në Fier“, Mirela, ishte një nga protagonistet e mbrëmjes Gala, ku interpretoi mjeshtërisht për publikun që kishte mbushur sallën. E duartrokitur nga qytetarët e saj dhe jo vetëm, e mallëngjyer, ajo interpretoi edhe për babain e saj, i cili kishte patur gjithnjë dëshirë që Mirela, të interpretonte një herë edhe në qytetin e saj , gjë që ajo e përmbushi më pjesëmarrjen e saj të jashtëzakonshme në këtë mbrëmje Gala, e cila do jetojë gjatë në memorien e qytetit të Fierit.
Si e kujtoni fëmijërinë tuaj në Fier?
Jam rritur në një familje me shumë dashuri dhe kujdes nga prindërit e mi. Në krahasim me moshatarët e mi ndihesha me shumë privilegje,e vetmja gjë që më kërkohej nga prindërit e mi ishte studimi në violonçel,gjë që e adhuroja vetë.
Pse dhe kur nisët të studioni violonçel?
Violonçelin e nisa në moshën 6 vjeçare e shtyrë nga dëshira për t`u futur në shkollën e muzikës. Në fakt, babai im ishte arsyeja që unë zgjodha violonçelin e nisur nga dëshira që ishte viti i parë që hapej kjo degë në Fier.
Pas kaq vitesh çfarë është violonçeli për ju?
Mund të them me bindje të plotë që mbas kaq vitesh nuk e kuptoj dot jetën e përditshme pa violonçelin, aktiviteti i përditshëm, puna, studimi janë pjesë e jetës time.
Ju keni studiuar me Prof Gjergj Antoniun …
Profesor Gjergji me dha notën më të lartë të dijes time në veglën e violoncelit, i dedikohem shumë. Ishte për mua profesori që më bëri ta shikoja violonçelin me shumë seriozitet dhe më vuri në punë aktive. Ai vetë ishte i dashuruar me violonçelin dhe këtë mundohej ta transmetonte tek çdo student që kishte.
Sa e vështirë ishte për ju të nisnit punë në orkestrën e Athinës
Ishte vërtet shumë e vështirë të filloja punë në orkestrën e Athinës por kur e do diçka shumë lufton që ta arrish. Mbas një viti që erdha në Greqi dhashë konkurs në këtë orkestër mbas shumë orësh përgatitjeje dhe ditë agonie, fitova një vend si orkestrante. Dy vjet më vonë dhashë konkurs për violonçeliste e parë spala dhe e fitova. Të gjitha këto donin shumë sakrifica dhe punë, jam e lumtur që ia arrita dhe eci përpara.
Cila është harta e koncerteve tuaja si dhe emrat me të cilët keni bashkëpunuar?
Koncertet në orkestër janë të përjavshme dhe unë kam bashkëpunuar pothuajse me të gjithë kompozitorët dhe dirigjentët grek si dhe me shumë emra të njohur europianë. Kujtime të bukura më ka lënë koncerti me Vanesa Maie dhe Andrea Bocelin.
Ju keni 15 vite që jeni pedagoge në 2 shkolla muzike shtetërore?
Kënaqësi të veçantë më jep mësimdhënia. Më pëlqen atë që unë kam marrë ta jap tek muzikantët e rinj. Jap mësim në dy shkolla muzike në Athinë dhe kam nxjerrë shumë nxënës me diploma.
Cilët janë kompozitorët shqiptarë që keni më shumë për zemër
Kompozitori që më ka pëlqyer që studente më shumë ka qenë Thoma Gaqi, por me pëlqen dhe Tonin Harapi dhe Pjetër Gaci të cilët janë kompozitorë që kanë shkruar për violonçel.
Ku e mbështesni ju suksesin e artistëve shqiptarë në botë, në shkollën shqiptare apo në vullnetin shqiptar?
Artistët shqiptarë kanë ecur kudo në botë për arsye të bazës së fortë që ne kemi marrë në shkollat tona artistike. Sistemi shkollor që ishte ngritur të impononte vullnet dhe punë,por dhe shkollat tona ishin të një cilësie shumë të lartë.
Sa e lidhur është familja juaj me Shqipërinë, Si e shihni sot Shqipërinë?
Në Shqipëri deri para tre vjetësh vinim shumë shpesh pothuajse katër herë në vit dhe kalonim këndshëm se ishim me njerëzit që i duam dhe na duan. Që kur humba babain tim nuk kam ardhur më se ndihem keq. Shqipërinë e shikoj me shumë adhurim dhe do të doja ta shikoja të përparonte kudo. Njerëzit janë shumë të zgjuar dhe shikoj që rinia ka një zell për ngritje intelektuale dhe kjo më pëlqen shumë.
Po Fierin … çfarë do të donit të ndryshonit në të?
Fieri është qyteti që unë kam më shumë dobësi dhe e kam të vështirë të nxjerr difekte. Po një gjë do më pëlqente ta shikoja të ndryshonte nëpër lagjet e tij. Rregulli dhe pastërtia është gjëja që do doja të kishte. Sido që të jetë,për mua ngelet qyteti më i bukur.
Cili është opinion juaj për Albanian Excellence?
Më pëlqen që ka njerëz në Shqipëri që marrin iniciativa të tilla. Çdo gjë e shikoj me optimizëm. Traditat tona kulturore dhe artistike jam e mendimit që duhen ngritur dhe juve e luani ekselent këtë rol.