MË TEPËR SE NJERI, POET!

Nga Razi Brahimi Për vëllimin poetik “Orë akulli” të Demir Gjergjit Përkundër formave dhe normave, Përballë vërshimeve, qëllimeve, Po vij at...


Nga Razi Brahimi

Për vëllimin poetik “Orë akulli” të Demir Gjergjit
Përkundër formave dhe normave,
Përballë vërshimeve, qëllimeve,
Po vij aty ku rëndoj më shumë se mbi planet:
Përtej sendeve pa hije, përtej akujve në shkrirje,
Po mbërrij, yjësia ime në formim!
(Është çasti…) 




Këtu e dyzet vjet të shkuara, më 1974, u shfaq për herë te parë i mirëpritur në hapësirën e poezisë shqiptare, Demir Gjergji, me përmbledhjen poetike “Ngjyra e tokës”, për të vazhduar qetësisht, ngaherë e në ngjitje, deri te vëllimi “Orë akulli”, botuar në vitin 2012, që meriton të radhitet ndër pikat kulmore të ndjesisë e mjeshtërisë artistike bashkëkohore.
Por kurdoherë ka një fillim krijimtarie dhe vlerësime që, jo domosdoshmërisht, janë përbashkues në rrugën drejt “yllësisë në formim” dhe vlerave që do të spikaten. Më pas ndryshon mosha, ngrihet niveli kulturor, pasurohet dora-dorës përvoja krijuese, shtohen kërkesat ndaj vetvetes e, po ashtu, ambiciet artistike. Ndryshojnë kohët dhe, sidomos, në periudha ashpërsimesh të mëdha të luftës, vihen në provë dhe shfaqen shumë më dukshëm cilësitë e qëndrueshme të njerëzve në përgjithësi, po sidomos të veprimtarëve, mendimtarëve e artistëve sikurse zhvillohet më shpërfillshëm çka mund të jetë mbajtur fshehur, mbledhur si qelbi në plagë...
Demir Gjergji, kur botoi librin e parë ka qenë punëtor në minierën e Manzës dhe sapo kishte marrë “Dëftesën e pjekurisë”, kurse në vitin 1980, doli nga shtypi vëllimi i tij i dytë: “Në sytë e mi”, kohë që përkon me mbarimin e universitetit për gjuhë dhe letërsi shqipe. Pra, ka qenë në moshën kur të gjithëve u këndon zemra dhe në kohën, kur në poezi, më shumë se vetveten, poetët sillnin vrulle jete dhe ideale kolektiviteti, perspektiva dhe optimizmin historik, përfituar sa prej një mendësie, po aq edhe prej ideologjisë sunduese të kohës. Ajo që shquante më së shumti poetët e asaj kohe dhe që do të mbetet vlerë edhe tani e më pas, ka qenë sinqeriteti, prirja për ta parë jetën me sytë e vet (jeta “në sytë e mi”) dhe mjeshtëria e shkrirjes në një të vetvetes si “unë”, me heroin lirik si semantikë e “ne-së”, domosdo, në kontekst dhe me veçori stili dhe nivele mjeshtërie.
Në këtë rrethana e ka nisur krijimtarinë poetike Demir Gjergji. i cili, në vazhdim, ka pasuruar e përsosur cilësi që janë dukur në embrion që në vjershat e tij të para, me gjithë ndryshimet ideologjike të vërejtura në krijimtari pas viteve 90-ë, të përfshira në vëllimet “Mërgimi i bukurisë”(1997), “Vera në ikonë” (2000), “Digjet ylli i ikur” (2002), “Ishujt e mbrëmjes” (2005), “Vetëm (V)era vjen” (2006) “Bibla e Buzëve” (2010). Edhe pse poeti i vitit 2012 nuk është më djalosh entuziast i fillimeve dhe një prej këngëtarëve të epokës socialiste, as vjershëtori i vërtetësishëm i dukurive të prekshme të asaj kohe e të jetës, në përgjithësi, prapëseprapë, që në moshë të rinisë ai ka zgjuar interesin me çiltërsinë e ndjenjës, shmangien prej deklarativizmit dhe retorizmit politik, përqendrimit në strukturën e vjershës së shkurtër, e fjalës me ngarkesë shprehëse e emocionale, përdorimit të gjuhës metaforike në kontekst të qartë logjik e rrethanor dhe vetëpërmbajtjes e të qëndrimit larg shpërthimeve të zhurmshme si dhe vërshimit marramendës të figurave stilistike. Me kohë, nisur nga këto cilësi, sprovuar në labirintin e jetës, përjetues si njeri e si poet realitetit të dy sistemeve të kundërt shoqëror e politik, formuar e lartësuar në shkollën e rrymave letrare të traditës e të modernizmit dhe mjeshtëruar në punën joshëse, të mundimshme e fisnike të aftësimit poetik, Demir Gjergji është realizuar ky që na paraqitet në “Orë akulli”, në këtë shembull përsosmërie artistike të një poezie elitare, thellësisht njerëzore.
Njerëzore gjer në dhembje. Gjer në asht, por edhe gjer në paanësi e në paprekshmëri. Për të mbërritur te kjo gjendje ideoartistike ndershmërisht vetjake sa edhe mbarënjerëzore, poetit i është dashur mënjënaësimi, ajo largësi kohore, konceptuale, ideore e ndjenjësore prej përditshmërisë dhe mbresave lehtësisht të rrokshme prej andrallave të rrjedhave të jetës dhe ndjenjash e mendimesh shoqërore e politike përftuar prej tyre, parë si një rinisje për diku... “ku se çojnë qëllimet, por shtigjet...përkundër formave dhe normave”.
Rinisje për të mbërritur te “yjësia ime në formim” dhe për tu ndjerë “më tepër se njeri, poet” d.m.th, sundimtar i vërtetë i kurorës që quhet poezi, sogjetar kundrimi vetëtimash e stuhirash, dritëhijesh, rrjedhash trazimesh të jetës që nga largësia e lartësia e poezisë, e femrës si sublimim, por edhe si kapërcim i rëndomësisë e monotonisë të shtegtimit njerëzor mijëravjeçar ciklik.
Ka në këtë mes diçka që të sjell ndërmend “kullën e fildishtë” kthyer në “kullë akulli”, diçka prej sqimës së përsosmërisë dhe rrekjeve për art tej kohërave, me gjithë këto, thuajse asnjë shenjë domethënëse shmangieje drejt formalizmit të partizanëve “të artit për art” apo drejt një të ashtuquajturi “art mbinjerëzor”.
Në këtë drejtim, Demir Gjergji, sado personalitet më vete, me cilësi e vlera bukur mirë të dallueshme e kontribuuese, nuk është një përjashtim. Mënjanimi (thënë ndryshe: distancimi) kohor e ideor në poezinë e sotme shqiptare është një prej strukturave tipike, qoftë në përqasje me rrjedhat poetike të poezisë së përbotshme (kulti i Elitotit, Paundit, Trastrëmerit etj) po, sidomos si përthyerje në ndërgjegjen artistike të kthesës dramatike në jetën e vendit e të botë, nisur në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 20-të me bjerrje iluzionesh, zhvleftësim idealesh, rrekje kinse çideologjizuese çpolitizuese, mjegullim i perspektivave dhe, në mosrënie, anim drejt fatalizmit e misticizmit.
Kjo “arratisje” prej përditshmërisë, prej problematikës së nxehtë, dhe avanguardizmi e tribunalizmi shoqëror-politik, si një prej prirjeve në poezinë e fillimshekullit të ri, i ka shtyrë poetët, ndër ta, edhe Demir Gjergjin, tu shmangen motiveve të aktualitetit, mbresave e përjetimeve konkrete dhe, përgjithësisht, çështjeve ekzistenciale, në përpjekje për të rrokur metafizikën e jetës e të qenies njerëzore, sikurse dhe të çdo dukurie të njëmendtë të ditës, ndër të cilat, kreun e vendit e zë dashuria, parë sintetikisht, në rrafshin psikologjik dhe filozofik, për të mos thënë, edhe kozmik.
Te “Orë akulli” në dinamikën metafizike (perifrazim i “Metafizikës dinamike” të Karl Poperit) afrohen largësi nga Big Beng-u te Apokalipsi, virtualizohet konkretja dhe konkretizohen abstraksione përmes harmonizimesh dhe përqasjesh, vendoset gjer në pasjetë dhe ngujohet në çaste e gjendje të vërtetësishme, u jepet hapësirë e pamasë mendimit e ndjenjës dhe, po me këtë hapësirë, mbetesh me përshtypjen e ngushtësisë, ndrydhjes e të mbylljes asfiksuese. Bota, respektivisht, shpirti i poetit jepen “të ngrira” në një orë e shtresë akulli, nën të cilën gjallojnë rrjedhat e nënujshme të një jete të shndërruar në kujtim e në shkas evokimesh përgjithësisht të trishta, përsiatjeve për qenien e mosqenien, afërsish që mërgohen e largësish që afrohen dhe pikëllimi për një jetë, në të cilën vijmë pa vullnetin tonë e jetojmë jo si çdo të dëshironim dhe e mbarojmë njëlloj: me enigma të kthjellëta e të errëta, me trëndafila me rremba e gjemba, si në ditët e moçme dhe në motet e sotme.
Kjo ndjenjë dhe kjo formë, thuajse pesimiste, të shpërfaqura gjer në fjalor, dmth, gjer në çdo qelizë e çdo ind poezie, sa çështë pasqyrim e pasojë një lëngate kalimtare, po të shihen hollë-hollë, jo vetëm nuk janë rrjedhojë gjendjesh rënieje vetjake të autorit apo snobizëm shkrimtarësh që ia kthejnë krahët jetës, mbytur në përlotje sentimentale, por tërthorazi, janë kundërshtim, deri në mospranim të realitetit ekzistues, kur qielli ngjan qeli dhe lirinë e kemi në asht dhe e mbajmë në grusht, me laitmotiv çastin sa të përjetshëm aq edhe aktual:
“Frymë e fatit fryn furtunë…
Na tund e na shkund me dhunë!
Shpirtin prapëseprapë se mund!”
Në vëllimin “Orë akulli” shtegtojmë nga cikli në cikël (janë shtatë cikle si 7 ditë e javës apo si shtata të tjera...) dhe, nga vjersha në vjershë, një UNË dhe një TI, një “Unë” që është poeti i identifikuar me heroin lirik, po jemi edhe ne, kushdo nga ne. Një “ti” personifikimi i të dashurës në trajtë aq të përgjithësuar artistikisht, sa mund ti shkojë për shtat emri i njërës prej të dashurave që kemi në mendje e në zemër, sipas përjetimesh, ku lirika e ku dramatika, ku lule dhe ku plagë, ka mjaltë e ku zeher, ku njëmendësi e ku kujtim, ku prani e ku mungesë...por nuk është kjo përmbajtja, megjithëse të 120 vjershat e vëllimit (dhe pse të quajtura poema, mund të merren si cikle) vërtiten rreth të njëjtës temë, dalluar prej njëra-tjetrës prej veçanësish mahnitëse si krijime të një mjeshtri të vërtetë, që ka çtë thotë, di të vetëpërmbahet për të mos përsëritur, siç di edhe ti japë trajtën e duhur çdo vjershe. Në këtë kuptim, po të huazohet një term nga muzikologjia. “Orë akulli”, si tërësi, i ngjan një teme me variacione, në të cilën, rendet përpara, ka shtrirje në gjerësi, zbritje në thellësi, në një bazë të pandërprerë kalimesh pasuruese, në një përbashkim pa bujë, po të mirëmenduar të të brendshmes me përjashtësi, siç ka thënë dikur Lasgushi, të kalimtares me përjetësi, të të vërtetësishmes me abstragime po aq poetike, sa edhe thellësitë. I këndohet dashurisë si përjetim, por edhe si ndjenjë që i tejkalon përjetimet, si afeksion sensual, por edhe si themel jete e si bosht ideo-tematik, dhe si tërësi, me të cilën, përmes ngjasimesh e kontrastesh, poeti është prirë të përfshijë motive të tëra filozofike të jetës si qenie, mosqenie dhe ekzistencë kalimtare, fatalisht dramatike, në një botë që zhgënjimi e ka bërë të duket e ftohtë dhe e huaj, deri aty sa jepet shkas për pyetjen:
“Ne çtë bëjmë me dashurinë tonë?”
Pra, është dashuria, jo vetëm në kontekstin shoqëror, sado e lakmuar si sine qua non ekzistencial dhe e sublimuar si ndjenjë në vargjet e Demir Gjergji, parë në tejdukshmërinë e akullit, të distancës (si e djeshme, si e mërguar, si mospërkim apo e tradhtuar) mban ngaherë theksa e ngjyrime aksiomatike, aq sa të ndërmend Framçesko da Rimini e Dante Aligerit, që dora-dorës, me Paolo Malatestën fluturojnë në shtjellat e një pasioni të skëterrshëm, që është më shumë vuajtje se sa gëzim, por pa mundur të shuajë ndjenjën në vlim, sepse, në rastin tonë, edhe dashuria si laitmotiv i të gjitha krijimeve, të përfshira në vëllim, është parë në orë akulli, kur pasionet janë fashitur dhe poeti, pothuajse duke mos u kredhur më në to, ka kthyer në objekt meditimi e vlerësimi përmes një poezie larg përflakjesh ekzotike e anakronike, një poezie që të shtyn të mendosh trishtueshëm dhe të dëshmosh që gjërat të qenë ndryshe.
Nuk mungojnë vjershat, ku dashuria pasion-kujtim-brengë-liri-skllavërim i dëshiruar, i është kënduar me melodi e kadenca zanore, në rastet kur motivi është konkret dhe ndihet përjetimi i çastit në njëmendësi e si nostalgji, mall a “shpresë ushqyer me gënjeshtra”. Muzikë e gjallë janë vjersha të tilla si: “Semaforë të kuq”, “Më prit”, “Dy net”, “Shko”, në të cilat tonalitet zotërues është lirizmi përshkëndritës prej rrembi dramatik të kudogjendur në “Orë akulli”.
Dy shembuj:
Ma jep frymën, shkrije brymën,
Më rindiz pas fikjes-ikjes.
Ditët që në vjeshtë u mbytën,
Ndizi prapë në qiejt e pritjes!

…Ish një dashuri e gjatë:
Zjarre-dallgë-dëshira-shira.
Sa një qind beteja bashkë,
Me një mijë marrëzira!

(Më prit)
Ndërsa frikshëm dal prej vetes,
Hyj symbyllur në vetmi,
Shqisat më rrëfejnë sekretet,
Se Ti sje më vetëm Ti.

Shqyhet befas rrobë e dritës,
Prej figurës tënde gri!
Tjetërkush të pret pas pritës,
Tjetër zjarr të ngroh tani!
(Shko!)

Pra, nëse dot të bëhej përpjekje për një renditje të shkallëzuar ideo-artistike të vjershave, do të vërehej, se si autori kalon nga konceptime lirike e dramatike këndvështrimesh, përshkruar me ngrohtësi ndjenje drejt theksimesh të temave dramatike e tragjike, deri sa në disa krijime shkohet gjer në pesimizëm, sa herë ndjenja dhe aspirata dashurore dalin të mundura, të pashpresa e të kota në një botë armiqësore ndaj tyre, që i jep shkas poetit t i kthejë zemërak e përçmues ose të bjerë në nihilizëm, sidomos në atë krijime që e kalojnë qerthullin ideoartistik të dashurisë.
Në një apoteozë dashurie të ndërprerë prej vdekjes, në sytë e poetit zhvlerësohet, rrëzohet dhe humbet kuptim e qëllim; gjithçka:
Gjithçka si në harrim zvogëlohet,
Qytete, shtete, dete, stinë,
Kufijtë, udhët, akujt, honet,
Nën mua shtrihen si shkretim.

S’më ngrohin më zjarret e tokës,
S’më mardhin më shirat dhe era,
S’më prekin më ngjarjet e botës,
S’më trembin më hijet e egra!
(Qiejt e mallit)
Kjo zymtësi vjen e thellohet, kur poeti ose duke vënë në qendër egon dhe dashurinë, ose në orëvatje për të nënvizuar mendimin e kotësisë së jetës që mbaron në vdekje e në apokalips, zotërohet prej ndjenjës së vanitetit asocial, në kuptimin ekzistencialist dhe i duket e kotë çdo rropatje njerëzore përtej “shpirtrave tanë” e nga që dihet se, sigurisht nga Big Beng-u gjithësia shkon drejt apokalipsit:
… Askund, asgjë!
Veç shpirtrave tanë,
Pa strehë, tashmë!

Dhe fiks,
Në vitin iks
Gjithçka u mpiks
Në apokalips!
Në këtë kontekst jeta kundrohet e mbërthyer në ngërçin mes fundit të shpejtë dhe qëllimesh të paarritshme në “horizontin varr” (Një hap... dhe më pak udhë për larg! Një mund dhe më shumë udha po zgjat!)
Në këtë metaforizim jete e historie mbarojnë iluzionet (Mbaroi dhe xhungla, ku fshihnim zjarret) nuk mbetet gjurmë të rrugës së përshkuar (Më asnjë shenjë, për të na rrëfyer sa ecëm) dhe asnjë vlerë “për të na thënë se si e tretëm jetën”.
Kalohet kështu nga dashuria problematike e aspiruar, e njëmendësuar dramatikisht e humbur dhe në përpëlitje për tu përtërirë në trishtim e në dëshpërim dhe nga dëshpërimi vetjak në pesimizëm me kahje dekadente, me referime fare të pakta kushtëzimi realist në aludime mërgimi, paqëndrueshmërie, pabesie e vdekjeje. Dhe kësisoj, “yjësia” e poetit përqendrohet si lënda e kondensuar e vrimave të zeza kozmike përthithëse, në kundrimin subjektivist të botës e të jetës, duke iu shmangur përmbajtjes dhe misionit shoqëror të poezisë në kuptimin frymëzues përparimtar të saj, siç vërehet, jo vetëm te Demir Gjergji, por edhe në poetë të tjerë të deziluzionuar prej zhvillimeve historike të kohës sonë.. Pra, parë në rrënjë ky subjektivizëm pesimist, i shfaqur apo i pashfaqur shprehimisht, burimin e ka në armiqësimin e njeriut në kushtet e rrethanat tragjike të epokës, në ndjenjën e pafuqisë për të ndryshuar për mirë këto kushte e rrethana, prandaj dhe në orëvatje iluzore, për të mbrojtur esencën e vet njerëzore i mbyllur në vetvete, në lirinë e brendshme, në dashuri dhe në poezi.
Ky është një problem i madh i kohës, një ngërç, të cilit, duket se nuk i shpëtojmë dot, sepse nuk është vetëm çështje poetësh e poezie. Madje, fakti që ky ngërç reflektohet kryesisht në krijimtarinë e poetëve më të talentuar, edhe pse ngjan nyje e pazgjidhshme, përmban në vetvete premisat e kapërcimit parvajtës, nëqoftëse dëshpërimi shndërrohet në protestë, realiteti shoqëror-politik, do të japë shkas frymëzues e poetik, se artistët, në përgjithësi, do të ndërgjegjësohen që indiferentizmi i yshtur prej politikanësh të sotëm të kaq partive dhe poezisë qëllimin, kurse vajtimi dhe ankimi kanë për të qenë çarmatim.
Me këtë pohim të përgjithshëm, nuk më duket se po i largohemi analizës dhe vlerësimit të librit “Orë akulli”. Përkundarzi; është talenti i autorit të këtij vëllimi, mjeshtëria e tij dhe vlerat e dukshme artistike e të gjitha krijimeve që përbëjnë këtë yjësi të Demir Gjergjit dhe që japin dorë sa për shqyrtim e vlerësim, aq edhe për përgjithësime e përvijime prirjesh zhvillimi të mëtejshëm të poezisë sonë kombëtare, sepse nuk do të ishte teprim po të thuhej që krijimet e përfshira në botimin në fjalë (dhe jo vetëm këtu) janë perla ndjeshmërie poetike dhe mjeshtërie artistike, shembuj të shkrirjes emocionuese të ndjenjës e të mendimit në objektivizime të prekshme e prekëse të thellësive të unit poetik njerëzor, modele pune e përkushtimi për përsosjen e artit të fjalës dhe të vjershërimit, të muzikalitetit të vargut dhe të ngjyrimeve e procedimeve stilistike. Në të gjitha këto drejtime ndeshim një përdorim të mahnitshëm të fjalës si mjet sendërtimi si të kuptimeve bazike, edhe të nuancave kuptimore, të asosacioneve; si material ndërtimi figurash stilistike: krahasimesh dhe metaforash të larmishme origjinale dhe, shpesh, befasuese; si tingull muzikor, si në përzgjedhje me sqimë, edhe si efekt melodik, ritmik dhe aliteracionesh të shumta; si mënyrë përcjelljeje ideoemocionale të ngërthimit konciz në pak fjalë të përmasave të mëdha të imazheve dhe të thellësive të ndjenjës e të mendimit; si përzgjedhje rimuese rimash të brendshme që ndërthuren me elementët e tjerë metrikë, prozodik e stilistik, na bëjnë të ndjejmë kënaqësinë si para një partiture dhe të na vijë dëshira për ti lexuar vjershat me zë.
Të gjitha këto mjete, mënyra, figurësi dhe mundësi në ligjërimin poetik të Demir Gjergjit, i cili i ngjan një monologu me ndërprerje, alternime dhe kapërcime, janë harmonizuar bukur si plotësim të njëra-tjetrës dhe si kurorë e blertë në lulëzim të një trungu të bëshëm me rrënjë në thellësi të shpirtit e mendjes, aq sa lexuesi, edhe pse, mund të kërkonte më shumë dritë shprese, forcë qëndrese dhe vezullim perspektive, mbetet “dëshpërimisht” i mahnitur. Do të kishte qenë e dëshirueshme që Liria si ndjenjë, mendim, aspiratë e vetëndjerë të rendte si heshtë dhe, përplasur për qiell, të mos binte si mjellmë e ftohtë përtokë, gjersa është “e lidhur pas ashtit tim” dhe “foleza prej degësh” sështë më qeli për të”.
Gjithsesi, ndonëse dëshirat e tjetërkujt nuk mund të jenë kriter gjykimi e vlerësimi, siç nuk mund të jenë të këtilla as mëtimet e poetëve, poezia e Demir Gjergjit, si reflektim i botës, ku ndihemi të huaj “së bashku bosh,/ të vetëm plot”dhe mospajtues se dita me mesnatën, si djalli me faltoren, si maja me greminën, si kënga me vajtimin, si ëndrra me zhgënjimin”, prapëseprapë e përmbush në vetvete tharmin e ngadhënjimit, sepse “fara flakën fsheh nën dhe” e, megjithëse”ecim zbathur nëpër brymë” prapë do të na duhet të “ngrihemi përmbi gremina” dhe të mos reshtim së ëndërruari një agim të ri. Përmbi mohime kumbojnë vargjet: “Zëri më ngrinte lart e më lart,/kënga më çonte larg e më larg.”

Shkurt, 2014

Related

Letërsi 8107274928304323875

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item