KOMENT / Spiunazhi, një vijë e hollë e ndan tradhëtarin nga patrioti
Allan Massie The Telegraph Spiunët e Kembrixhit na magjepsin edhe sot e kësaj dite, pjesërisht sepse i përkisnin klasës qeverisëse, ndonëse ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/koment-spiunazhi-nje-vije-e-holle-e.html
Allan Massie
The Telegraph
Spiunët e Kembrixhit na magjepsin edhe sot e kësaj dite, pjesërisht sepse i përkisnin klasës qeverisëse, ndonëse ishin pjesëtarë periferikë të saj. Eshtë një prej arsyeve përse dramaturgu Alan Bennett i ka “pikë të dobët”. “Më pëlqen ideja që ata tradhëtuan klasën e tyre”, ka deklaruar ai në një intervistë kohët e fundit. Megjithatë, ai shkon edhe më tej: “Spiunazhi është i justifikueshëm, sepse ata mendonin që po e bënin për t’i përmirësuar gjërat, besonin se moralisht ishin në anën e duhur. Asnjëri nuk e bëri për para”.
Ka një farë të vërtete kjo deklaratë. Ishin të rinj kur u rekrutuan nga Moska në kohën e ndarjes më të thellë ideologjike të historisë moderne të Europës. Nëse ishe antifashist apo antinazist, ishte e mundur që të rekrutoheshe prej komunizmit, si dhe ta shihje Bashkimin Sovjetik tamam siç e quajtën Fabians Beatrice dhe Sidney Webb: “Një shoqëri e re”. Ishte e mundur madje edhe të “verboheshe” përballë tmerreve të stalinizmit.
Megjithatë nga të pestë spiunët, vetëm Donald Maclean, babai i të cilit ishte për një kohë të shkurtër kryetar i Partisë Liberale, si dhe John Cairncross duket se kanë patur njohuri ideologjike të Marksizmit, apo kanë qenë të përkushtuar ndaj idesë së komunizmit sovjetik. Cairncross nuk i përkiste sërës së lartë, por ishte biri i një tregtari hekurishtesh nga Glasgou. Sipas Tom Bowerit, nxitësi kryesor që e çoi drejt tradhëtisë ishte “urrejtja e madhe për establishmentin britanik”. Nga të tjerët, Guy Burgess ishte një njeri që thjesht vriste kohën, Anthony Blunt ishte njëdandy plot çrregullime, ndërsa Kim Philby mbetet një mister. Motivet e tij kanë qenë në dukje personalë.
Tradhëtia është diçka e zakonshme në kohëra ndarjesh ideologjike, dhe tradhëtarët mund të jenë burra trima dhe të nderuar, si për shembull priftërinjtë katolikë dhe besimtarët e thjeshtë që u ekzekutuan gjatë kohës së mbretërimit të Elisabetës I. Eshtë çështje perceptimi: ne i gjykojmë të tjerët duke u nisur nga këndvështrimi ynë. Tradhëtia, siç e thotë dhe epigrami, “nuk të çon përpara asnjëherë. Arsyeja? Sepse po ta bëjë, askush nuk guxon ta quajë tradhëti”. Në vitet tridhjetë dhe përgjatë gjithë Luftës së Ftohtë, kishte tradhëtarë në të dy krahët. Ne duartrokasim rusë si Oleg Gordievsky, oficeri i KGB-së që spiunoi për ne, dhe më pas dezertoi duke ardhur në Perëndim. Por, ai e tradhëtoi vendin e tij, pikërisht ashtu sikurse spiunët e Kembrixhit tradhëtuan Britaninë. Dallimi është që ne mendojmë se ai veproi drejt.
Po kështu, në miratojmë veprimet e atyre gjermanëve që kanë qenë antinazistë dhe u hodhën kundër asaj që Klaus Manni e ka quajtur “murtaja bojë kafe”. Gjatë luftës, ai shërbeu në ushtrinë amerikane. Ndonëse i ishte hequr nënshtetësia gjermane, ai dhe të tjerë u konsideruan tradhëtarë nga gjermanët që ishin besnikë të regjimit. Në Francë, udhëheqësit e regjimit të Vichy-së, Marshalli Petain dhe Pierre Laval, u quajtën fajtorë për bashkëpunim me armikun. Ata të dy e shihnin veten si francezë patriotë, të cilët në rrethana të vështira kishin bërë atë që mendonin se ishte më e mira për vendin e tyre. Në vitin 1940, Vichy e kishte quajtur Gjeneralin De Gaulle një tradhëtar.
Kjo është një temë shumë delikate. E kuptoj Alan Bennettin që përmenda në fillim të arikullit dhe ndiej një farë simpatie për të, ndonëse ndryshe nga ai, unë mendoj se spiunët e Kembrixhit u bënë dëm interesave të Britanisë dhe tradhëtia e Philbyt shkaktoi vdekjen e shumë personave që i rezistuan pushtimit sovjetik në vendet e tyre.
Kam dyshime që Alan Bennetti mund të bjerë dakord me liberalin nga Kembrixhi, E.M.Foster, i cili ka thënë që më mirë të tradhëtojë vendin e tij, se sa një mik. Mund ta vlerësosh shumë lart miqësinë, por përgjigjen më të mirë për këtë e ka dhënë George Orwelli. Ai ka thënë se kur tradhëton vendin tënd dhe i shkakton dëme atij, është e sigurtë që ke tradhëtuar edhe shumë prej miqve të tu.
Kjo ka ndodhur edhe në rastin e spiunëve të Kembrixhit. Nuk ka dyshim që tradhëtia e tyre shkatërroi jetët e shumë njerëzve të nderuar, që kishin punuar me ta dhe u kishin besuar, dhe që u bënë të dyshuar pikërisht për shkak të miqësisë me ta./bota.al