KOMENT / Problemi me politikën e jashtme të Obamës
Nga Fareed Zakaria Në politikën e jashtme, ka një rrugë të shpejtë për të hyrë në librat e historisë: bëj një gabim të madh. Lyndon Johnson ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/koment-problemi-me-politiken-e-jashtme.html
Nga Fareed Zakaria
Në politikën e jashtme, ka një rrugë të shpejtë për të hyrë në librat e historisë: bëj një gabim të madh. Lyndon Johnson dhe George W. Bush mund të jenë të sigurtë që, pavarësisht se çfarë thuhet për ta, vendimet që kanë marrë për t’u futur në luftëra do të diskutohen gjatë. Rruga e dytë – një sukses i madh – është më pak e sigurtë. Hapja e Richard Nixonit me Kinën u pa menjëherë si një ngjarje historike. Por vendimet e guximshëm të Harry Trumanit – frenimi, NATO, Plani Marshall – nuk u përshëndetën si të tillë në atë kohë.
Presidenti Obama nuk ka bërë një gabim të madh. Ai ka bërë një punë shumë të mirë në nxjerrjen e SHBA nga ujërat e ndotur që trashëgoi – Iraku, Afganistani – dhe i rezistoi futjes së vendit në një tjetër konfikt madhor. Por Obama ka qenë më pak i aftë në aspektet konstruktivë të politikës së jashtme, të ndërtimit të nje “ngrehine” me arritje. Ka ende kohë për ta ndrequr.
Kritikët pretendojnë se bota tani është në rrëmujë dhe që gjeopolitika është rikthyer me hakmarrje – shikoni Ukrainën. Por realiteti është, siç ka theksuar disa herë profesori i Princeton John Ikenberry, që rendi botëror i udhëhequr nga Amerika dhe që u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore, vazhdon të qëndrojë edhe shtatë dekada pas krijimit të tij. Ai ka përballuar dhe u ka mbijetuar sfidave si Rusia sovjetike, Kina maoiste dhe, më së fundi, Islami radikal. The Economist këtë javë ka renditur 150 vendet më të mëdhenj. 99 prej tyre anojnë nga SHBA. 21 janë kundër. Uashingtoni ka afro 60 aleatë të lidhur me traktate. Kina ka një. Rusia nuk është një fuqi në rritje që po kërkon të përmbysë rendin botëror liberal. Ajo është një fuqi në rënie, e tmerruar që shtetet që e rrethojnë janë duke iu larguar.
Një pjesë e problemit të Obamës është se ai ka bërë deklarata të mëdha për çështje ku ai nuk mund të përdorte forcën e Amerikës, ku shembujt më të qartë janë Siria dhe pranvera arabe. Fjalimet u bënë zëvendësues të veprimit, prandaj erdhi dhe akuza për kotësinë. Dhe për çështje ku SHBA janë angazhuar – Ukraina, Azia – deklaratat e tij kanë qenë çuditërisht të heshtura. Në fjalimin e tij drejtuar liderëve europianë për Ukrainën, Obama u ra notave të duhura, por edhe bëri paralajmërime për të mos vepruar ushtarakisht. Eshtë e vështirë të udhëheqësh botën në veprim, dhe ta bësh të ndjekë SHBA, nëse presidenti të tregon atë që nuk do të bëjë, në vend të asaj që do të bëjë.
Por problemi më i madh është se kritikët duan kënaqësinë morale dhe politike të një lufte të madhe globale. Ne të gjithë akuzojmë Vladimir Putinin për nostalgji të Luftës së Ftohtë, por elitat e Uashingtonit – politikanët dhe intelektualët – janë edhe ata nostalgjikë për kohët e vjetra. Ata i ka marrë malli për një botë ku SHBA dominonte mbi miqtë e vet, ku armiqtë duheshin mposhtur tërësisht dhe ku sfidat ishin të forta, morale dhe jetike. Bota e sotme është e rrëmujshme dhe e ndërlikuar. Kina është një prej partnerëve tanë tregtarë më të mëdhenj, dhe njëkohësisht një rival gjeopolitike që po forcohet. Rusia është një grindavec i nxehur, por ajo ka një klasë të mesme të globalizuar dhe ka krijuar lidhje në Europë. Aktorë të rinj rajonalë si Turqia dhe Brazili nuk do të tërhiqen kollaj për hunde.
Neve na nevojiten një seri strategjish të sofistikuara për të forcuar sistemin global ekzistues, por edhe të mbajmë fuqitë e mëdha brenda tij. Me Ukrainën, është jetike që Obama të bëjë bashkë botën kundër shkeljes nga Rusia të kufijve dhe normave. E megjithatë, zgjidhja afatgjatë për Ukrainën duhet të përfshijë Rusinë. Pa angazhimin e Moskës, Ukraina nuk mund të jetë stabël dhe e suksesshme – siç po duket qartë. (Vendi ka nevojë për 17 miliardë dollarë për të dalë nga kriza e tanishme. A nuk do të kish kuptim që kjo faturë të ndahej me Moskën?) Strategjia e Obamës për t’i bërë presion Moskës, duke përdorur sanksione me objektiva dhe siguruar mbështetjen e Europës është e duhura – dhe shumë shpejt mund të japë dhe shenja suksesi.
Po kështu, me Kinën sfida është që të ofrohen garancitë që kërkojnë vendet e tjerë aziatike, por edhe për të siguruar që “timoni” drejt Azise, të mos shndërrohet në një strategji frenimi kundër fuqisë së dytë më të madhe ekonomike dhe ushtarake në botë. Kjo do të sillte një Luftë të Ftohtë në Azi, që asnjë vend aziatik nuk e dëshiron dhe që nuk do i shërbente aspak interesave të Amerikës.
Vetëpërmbajtja i ka shërbyer Obamës në shmangien e gabimeve. Por ajo ka prodhuar edhe një qasje minimaliste ndaj politikës së tij të jashtme. Nga “timoni” i kthyer drejt Azisë, tek marrëveshjet e reja tregtare dhe sanksionet ndaj Rusisë, Obama ka parashtruar një axhendë që është ambicioze dhe e rëndësishme, por ai i qaset asaj me kujdes, më shumë i tërhequr prej ngjarjeve, se sa një “farkëtues” i tyre./bota.al