KOMENT / Ku është Amerika, kur bota ka më shumë nevojë?

Nicholas Burns Profesor i diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare në Kennedy School of Government në Harvard Fushata e Vladimir Putinit për ...

Nicholas Burns

Profesor i diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare në Kennedy School of Government në Harvard
Fushata e Vladimir Putinit për të ndarë, destabilizuar dhe shpërbërë Ukrainën ka arritur një fazë të re me përkeqësimin e situatës këtë javë në portin e Odesës në Detin e Zi. Teksa banda me rusë etnikë të armatosur luftojnë kundër forcave qeveritare në qytete të vegjël e të mëdhenj në Ukrainën lindore, po bëhet gjithnjë e më e qartë se çfarë është në lojë për Perëndimin.
Putini ka një plan – të prishë zgjedhjet e 25 majit në Ukrainë me qëllim që të delegjitimojë qeverinë e përkohshme në Kiev. Më pas, Moska mund të marrë kontrollin e të ardhmes së Ukrainës. Përgjigja amerikane dhe europiane – e dobët, jo e bashkuar dhe jo efektive – nuk ka qenë dhe aq mbresëlënëse. Të gjithë këto kanë rëndësi sepse ajo që ndodh në Ukrainë ndikon shumë në interesat e Amerikës në Europë. Ja tre arsye përse.
Së pari, suksesi i Putinit në Ukrainë ka një jehonë ogurzezë në Europën qendrore – pra në vendet që dikur kanë qenë të burgosur të Paktit të Varshavës dhe, në rastin e tre shteteve balltike, në vetë ish Bashkimin Sovjetik. Nëse ai ia hedh paq me shkatërrimin e një shteti të madh si Ukraina, çfarë do ta ndalonte që të destabilizonte një Moldavi edhe më të dobët? A do të mund të tundohej që të destabilizonte edhe vetë NATO-n? Duke nisur fushata të maskuara për të nxitur popullsitë e mëdha etnike ruse brenda shteteve të NATO-s si Estonia dhe Letonia, Putini mund t’i japë një goditje të fortë besueshmërisë së NATO-s, për sa i përket aftësisë së saj për të garantuar sigurinë e anëtarëve. Nëse NATO nuk i kundërvihet Putinit me sanksione më të fortë dhe një forcë tradicionale të besueshme në shtetet balltike, ai mund të llogarisë që mund t’ia hedhë.
Së dyti, ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka shkaktuar një ngrirje të thellë të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Administrata Obama është përpjekur të punojë me një Moskë të vështirë për të frenuar programin bërthamor të Iranit, të sigurojë armët kimike të Sirisë, të rifurnizojë ushtrinë amerikane në Afganistan dhe të ndalë terroristët islamikë. Nuk është aspak e sigurtë që Putini do të vazhdojë të bashkëpunojë në këto çështje delikate. Si rezultat, ndërkohë që SHBA dhe Rusia mund të mos jenë duke përjetuar një tjetër Luftë të Ftohtë, ata kanë rinisur një betejë afatgjatë për kontrollin në Europë. Si dikush, vitet e parë të të cilit në Shërbimin e Jashtëm Amerikan përkuan me betejën ndaj influencës sovjetike në Lindjen e Mesme dhe Europë, unë mendoj që është surreale të shikosh një rikthim në një variant modern të “betejës së gjatë të muzgut”, për të cilën fliste presidenti Kennedy.
Së treti, dhe më e rëndësishmja, agresioni i Putinit sfidon të gjithë arkitekturën e rendit të pas Luftës së Ftohtë – Europën “të tërë, të lirë dhe në paqe” që shpallte presidenti George H.W.Bush kur u shemb Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. Më pas, Europa gëzoi një paqe historike teksa shtetet ish satelitë të BS nxituan të hyjnë në NATO dhe BE, të vetëdijshëm se herët a vonë, një nacionalist i madh rus do të rikthehej për të pretenduar fqinjësinë e Moskës. Ai person është Putini. Teksa Rusia ndërton mure të rinj në Europë, Obama duhet ta rivendosë kontinentin e vjetër në qendër të strategjisë globale.
Udhëheqësit europianë dhe amerikanë nuk janë në një linjë. Obama dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk arritën të bien dakord për sanksione më të fortë kundër Rusisë, kur u takuan në Uashington javën që kaloi. Ndihma ekonomike amerikane dhe europiane për Kievin është e pamjaftueshme. Dhe NATO as mundet të bjerë dakord se si të mbrojë Poloninë dhe shtetet balltike. Rezultati është një seri masash të dobëta, të marra me gjysmë zemre që nuk kanë arritur të ndryshojnë sjelljen e Putinit në mënyrë të dukshme.
Obama gjendet përballë krizës më të rëndë ndërkombëtare të presidencës së tij. Kryeartikulli i The Economist këtë javë thoshte: “Obama e nisi presidencën e tij me botën që pyeste si të zbuste Amerikën. Ai dhe vendi i tij duhet ta kuptojnë që pyetja ka ndryshuar”.
Në të vërtetë, kam dëgjuar një refren shumë të ngjashëm gjatë vizitave të fundit në Holandë, Hong Kong dhe Brazil. Një numër i madh njerëzish të mirëinformuar, të gjithë miq të Amerikës, janë të habitur përse Uashingtoni nuk po udhëheq më me ambicien dhe vetëbesimin që e ka karakterizuar gjithmonë. Ata duket sikur pyesin: “Ku është fuqia dhe lidershipi i Amerikës, kur i nevojitet më shumë botës?”/bota.al

Related

Top Lajm 7172486313278924847

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item