Kohët moderne, të pasurit kanë më pak kohë të lirë…
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, njerëzit e pasur kanë shijuar më shumë kohë të lirë. Në “Downton Abbey”, një dramë në lidhje ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/kohet-moderne-te-pasurit-kane-me-pak.html
Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, njerëzit e pasur kanë shijuar më shumë kohë të lirë. Në “Downton Abbey”, një dramë në lidhje me shtresat e larta britanike në fillim të shekullit të 20, një aristokrat indiferent nuk kishte dëgjuar kurrë për termin “fundjavë”: për të, çdo ditë ishte e lirë. Në anën tjetër, të varfrit punonin pa pushim. Hans-Joachim Voth, një historian ekonomik në Universitetin e Zyrihut, tregon se në vitin 1800, punëtorët anglezë punonin mesatarisht 64 orë në javë. “Në shekullin e 19 ju mund të përcaktonit se sa i varfër ishte dikush duke u nisur nga orët e punës”, – thotë z. Voth.
Në ekonomitë e zhvilluara të ditëve të sotme, gjërat shfaqen ndryshe, shkruan The Economist. Orët e përgjithshme të punës janë reduktuar gjatë shekullit të kaluar. Por të pasurit kanë filluar të punojnë me orë më të zgjatura se sa të varfrit. Në vitin 1965 personat e diplomuar, të cilët kanë tendencë të jenë më të pasur, kishin pak më shumë kohë të lirë se personat që kishin përfunduar vetëm shkollën e mesme. Por në vitin 2005 personat me arsim të lartë kishin në dispozicion tetë orë më pak në javë se sa të diplomuarit me arsim të mesëm.
Shifrat nga anketa amerikane “American Use Time Survey”, të publikuara vitin e kaluar, tregojnë se amerikanët me një diplomë universiteti ose më shumë punojnë dy orë më shumë çdo ditë se sa personat e padiplomuar. Kërkime të tjera tregojnë se amerikanët e diplomuar punonin rregullisht më shumë se 50 orë në javë, rritur nga shifra prej 24% në vitin 1979 në 28% në vitin 2006, por orët e punës kishin rënë për studentët që kishin braktisur studimet.
Ka shumë shpjegime. Njëri ka të bëjë me atë që ekonomistët e quajnë “efekti i zëvendësimit”. Pagat më të larta e shtrenjtojnë kohën e lirë: në qoftë se njerëzit marrin kohë të lirë ata shpenzojnë më shumë para. Që nga viti 1980, pagat e drejtuesve janë rritur ndjeshëm, ndërsa ato nën mesataren kanë ngelur në vend ose kanë rënë. Kështu rritja e pabarazisë inkurajon të pasurit të punojnë më shumë dhe të varfrit më pak.
Natyra e ekonomive moderne, “fituesi i merr të gjitha” ka gjasa të amplifikojë efektin e zëvendësimit. Shkalla e tregut global nënkupton se bizneset që sjellin ndryshime priren të korrin fitime të mëdha (kujtoni këtu YouTube, Apple dhe Goldman Sachs). Të ardhurat për të mposhtur konkurrentët tuaj mund të jenë tepër të mëdha.
Studimi nga Peter Kuhn i Universitetit të Kalifornisë, Santa Barbara dhe Fernando Lozano i Pomona College tregon se e njëjta gjë vlen edhe për punonjësit e kualifikuar. Edhe pse ata nuk sigurojnë menjëherë pagesë për orët e punës jashtë orarit, punonjësit më të suksesshëm, shpesh ata që punojnë më shumë orë, ka gjasa të korrin fitime nga tregjet e fituesit që i merr të gjitha.
Ndërsa në fillim të viteve 1980 një person që punonte 55 orë në javë fitonte 11% më shumë se një person që punonte 40 orë në të njëjtin vend pune, hendeku është rritur në 25% në fillim të mijëvjeçarit.
Ekonomistët kanë tendencë të supozojnë se efekti i zëvendësimit duhet në një fazë të neutralizohet nga “efekti i të ardhurave”: teksa pagat më të larta u mundësojnë njerëzve të plotësojnë më shumë nevojat e tyre materiale, ata heqin dorë nga orët shtesë të punës dhe në vend të kësaj zgjedhin më shumë kohë të lirë. Një miliarder që ka mundësi ta përballojë pa problem jetën e tij ka më pak shtysë për të punuar orë shtesë. Por zakone të reja sociale ka të ngjarë t’i kenë “kujtuar” efektin e të ardhurave.
Statusi i punës dhe kohës së lirë në botën e pasur ka ndryshuar që nga ditët e “Downton Abbey”. Në vitin 1899, Thorstein Veblen, një ekonomist amerikan, i cili ishte tepër i interesuar në sociologji, ofroi qasjen e tij. Ai argumentoi se koha e lirë ishte një “simbol i nderit”. Njerëzit e pasur kishin potencialin të vinin të tjerët të bënin punët e pista e të përsëritura – që Veblen e quajti “industri”. Megjithatë shtresa e kohës së lirë e Veblen nuk ishte e pavlerë dhe të “rrinte me duar në xhepa”. Në vend të kësaj, ata angazhoheshin në “shfrytëzim”: të veprimtarive sfiduese dhe krijuese të tilla si shkrimi, filantropia dhe debati.
Teoria e Veblen ka nevojë për përditësim, sipas një studimi të fundit nga hulumtuesit në Universitetin e Oksfordit. Puna në vendet e zhvilluara kërkon njohuri më intensive dhe intelektuale. Ka më pak punë vërtet të “dobëta”, si operator ashensori dhe më shumë joshëse, si dizajnimi i modës. Kjo tregon se më shumë njerëz se kurrë mund të gëzojnë “shfrytëzimin” në zyrë. Puna ka arritur të ofrojë llojin e kënaqësitë që njerëzit e pasur kërkonin në kohën e tyre të lirë. Në anën tjetër të medaljes, koha e lirë nuk është më tregues i forcës së shoqërisë. Tanimë simbolizon mungesën e dobishmërisë dhe papunësinë.
Dëshmitë mbështesin teorinë sociologjike. Profesionet në të cilat njerëzit janë më pak të lumtur janë punët fizike dhe shërbimeve që kërkojnë aftësi të kufizuara. Kënaqësia e punës ka tendencë të rritet me prestigjin e profesionit. Hulumtimet nga Arlie Russell Hochschild i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley, tregon se teksa puna bëhet më stimuluese në nivel intelektual, njerëzit fillojnë ta pëlqejnë më shumë se jeta shtëpiake.
“Unë vij në punë për t’u çlodhur”, tregon një i intervistuar për zonjën Hochschild. Dhe njerëzit e pasur shpesh mendojnë se qëndrimi i vazhdueshëm në shtëpi është një humbje kohe.
Një studim i vitit 2006 tregoi se amerikanët me të ardhura familjare prej më shumë se 100,000 dollarë përfshiheshin 40% më pak pas kënaqësive të “kohës së lirë pasive” (si p.sh. të shihnin TV) se ata që fitonin më pak se 20,000 dollarë.
I dënuar për t’u çlodhur
Po në lidhje me punëtorët më pak të arsimuar? Rritja e kohës së lirë ndoshta pasqyron një lloj përkeqësimi në të ardhmen e tyre të punësimit, teksa punët që kërkojnë pak aftësi dhe punët fizike janë “tkurrur”. Që nga viti 1980, braktisjet e shkollës së mesme kanë proceduar keq në tregun e punës. Në vitin 1965, norma e papunësisë së të diplomuarve amerikanë të shkollave të mesme ishte 2.9 pikë përqindjeje më e lartë se sa për ata me një diplomë bachelor ose më shumë. Sot ajo është 8.4 pikë më e lartë. “Njerëzit më pak të arsimuar nuk nevojitet domosdoshmërisht ta ‘blejnë’ kohën e tyre të lirë’”.
“Një pjesë e kohës jashtë punës mund të jetë e pavullnetshme. ‘Ka gjasa të ketë ndryshim në efektin e të ardhurave për punonjësit me rroga të ulëta. Teknologjia e informacionit, duke hapur një botë të gjerë të cilësisë së lartë dhe të lirë të argëtimit në shtëpi, nënkupton se personat me të ardhura të pakta nuk kanë nevojë të punojnë aq gjatë për të shijuar një kohë të lirë të këndshme dhe me një kosto të përballueshme./standard