Ish-sportistët e dështuar, çfarë politikanësh bëhen?
Nga Prof. Dr. Ylli Pango Një pjesë e politikanëve, por sidomos drejtuesit politikë të partive, përdorin shpesh në fjalime a biseda, krahasi...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/ish-sportistet-e-deshtuar-cfare.html
Nga Prof. Dr. Ylli Pango
Një pjesë e politikanëve, por sidomos drejtuesit politikë të partive, përdorin shpesh në fjalime a biseda, krahasime, metafora,terminologji huazuar nga fusha e sportit. Kështu flitet për “skuadra” politike, shpirt gare politike, fitore me zero, luftë në ekip, grinta etj. Këto krahasime nga sporti veç faktit që përdoren për efekt në fjalimet e tyre, vënë në dukje një cytje a ngacmim të politikanit, në koshiencë a subkoshiencë, një shfaqje pa dashur të një dëshire të fshehtë të hershme, për t’u ndjerë si dikur, në një garë të madhe, sportist, kampion. Këtu del në pah se politikanët janë shpesh njerëz që kanë ëndërruar dikur të jenë të parët në një mjedis ku mijërat e spektatorëve duartrokasin a admirojnë heroin e fushës, fitimtarin, idhullin e tyre në futboll fjala vjen. E kush nuk e ka dëshiruar këtë lavdi kur ka qenë i vogël. Dikush më i realizuar si sportist e më vonë edhe si politikan, dikush më pak, dikush i dështuar në sport e së fundmi i dalë në dritë si politikan; në thelb shpirti i garës mbetet po ai. Synimi për kapjen e majës, për të qenë i pari, për të dalë mbi të tjerë, për t’u shquar, për të qenë njësh, mbetet klasik, i hershëm, njerëzor. Ky synim qoftë për t’u arritur a vetëplotësuar në formë si sportist, artist a politikan, mbetet një thelb i natyrës sonë, në lojën e madhe a garën e madhe të jetës njerëzore a në iluzionin e saj për një pavdekësi sado të parealizueshme a gënjeshtare të rezultojë ajo në të ardhmen.
Nuk është koincidencë që një pjesë e politikanëve, në moshë të re kanë tentuar të bëjnë karrierë edhe në sport dhe në pamundësi të këtij realizimi e kanë zhvendosur vektorin e motivacionit drejt fushash të tjera, ku natyrisht politika është ndër më interesantet apo konkurrueset. Kryetarë partish të mëdha, presidentë, kryetarë parlamentesh etj., edhe tek ne janë marrë me sport, madje jo si amatorë, por duke bërë pjesë në ekipe të njohura. Të tillë shembuj në botë ka më shumë, duke nisur nga më i freskëti në Itali, kryeministri Renzi, i cili ka luajtur futboll me ekip, Shvarzeneger kampion në body building e më vonë guvernator etj., etj. Në disa aspekte, gara në politikë është aq e ngjashme me atë në sport, sa të duket se janë dy variante të së njëjtës lojë: asaj të lavdisë, pushtetit, parasë, të qenët i pari. Në një pjesë të saj, sa i takon motiveve, vullnetit të hekurt tek më të mirët, emocioneve që të fal fitorja, tifozerisë (në politikë ajo ngjason aq shumë në disa raste me atë të sportit) ato identifikohen pothuaj krejt. Apo edhe në aspektin e “stërvitjes a punës së palodhur për të arritur rezultat”. Berisha në 1992 nuk pranonte as të hante e as të ndalonte për pushim midis dy takimeve-udhëtim elektorale. Madje kur i propozonin një pushim të vogël 15 minutash, mes “ndeshjeve elektorale”, përgjigjej “çfarë pushimi, 15 minuta është një takim elektoral”. Jeta e politikanëve (atyre të vërtetë a liderëve partiakë), sidomos në garat paraelektorale (tifozeria, brohoritjet, nxitjet,) ngjason aq shumë me atë të sportistëve.
Në një aspekt tjetër, meqenëse politikani ngjason me sportistin apo edhe vjen prej tij herë-herë, do të ishte interesante të shihej nëse ka ngjashmëri mishëruar nga këta njerëz, situata qeverisëse në tërësi me atë të sportit, madje edhe në zhvillimet e tyre ciklike. Dhe e lidhur ngushtë me qeverisjen, edhe situata në ekonomi e ajo në sport. A ka edhe mes tyre ndonjë lidhje a ngjashmëri me sportin? Apo mos vallë dështimet e njerëzve në këto fusha a suksesi i tyre në to, jo vetëm ngjasojnë por shpesh shkojnë në një korrelacion pozitiv a negativ me njëra-tjetrën? Bota njeh mjaft shembuj kur kjo është e vërtetë. Situata të zhvillimeve të suksesshme politike a ekonomike pas diktaturës a rënies së inkuizicionit në Spanjë, janë shoqëruar me suksese të mëdha botërore të ekipeve spanjolle të futbollit e sporteve të tjera në botë. Po kështu, individë të shquar në të gjitha këto fusha kanë ecur paralel a shpesh kanë kaluar nga njëra fushë tek tjetra. Po raporti i sportistit me politikanin tek i njëjti njeri tek ne, a ndikimi tek ne i qeverisjes së individëve që na drejtojnë mbi një lloj baze edhe të profilit të tyre të dikurshëm sportiv? Le të marrim shembullin e kryetarit të Kuvendit dhe të stilit të tij qeverisës të dikurshëm e atij të sotshëm. A ka ndikim profil i tij i dikurshëm si sportist i arteve marciale në qeverisjen a stilin e tij qeverisës? Apo, a ka ngjashmëri stili i një politikani dikur sportist, që vazhdimisht në ndeshje u binte duarve të kundërshtarit për të mos e lënë të shënonte e dilte jashtë me 5 personale me stilin që shfaqte a shfaqi ai në politikë? A u “binte” ai sërish “duarve që punonin” të kundërshtarit duke penguar a mohuar e hedhur poshtë çdo gjë që bënte apo mund të bënte kundërshtari e ekipi i tij politik, sot e në të shkuarën? Dhe kush mund ta nxjerrë atë me pesë personale nga politika? A ka nga ana tjetër, ndonjë lloj lidhjeje dembelizmi a hilja në sport me dembelizmin, hilen a ndonjë tipar tjetër të mëvonshëm në politikë? Nëse bazohemi në veçoritë karakteriale të individit, në thënien e famshme “l’home c’est le style”, (njeriu është stili), nuk ka asnjë çudi që ato që kemi parë a njohur si tipare të individit në sport, t’i shohim të reflektuara edhe në politikë. Por le të rikujtojmë shembullin e Spanjës, e le ta shohim problemin në një plan më të gjerë e të lidhur me ngjarje me rëndësi për vendin e për të gjithë ne. Në aspektin që lidh jo thjesht individin politikan e sportist njëherazi, por me gjerë në atë që lidh fushat e sportit e politikës. Ja një paralelizëm: A nuk dështuam ne disa herë në marrjen e statusit ashtu siç po dështojmë gjithnjë në kualifikime a parakualifikime për t’u bërë qoftë edhe një herë pjesë e një kampionati të vetëm botëror a europian? A nuk ka ndonjë lloj paralelizmi a së paku ngjashmërie këtu? Natyrisht duke mos u krahasuar as me të mëdhenjtë (Itali, Gjermani etj) e as me më të avancuarit e vegjël (Kroacia) në këto fusha. Por madje me më të vegjlit se ne e të përafërtit në statuse me ne. Me vende të tillë si Mali i zi, Maqedonia, Bosnja etj., që gjoja pretendojmë se ua kalojmë a herë-herë politikanët tanë çuditërisht i konsiderojnë diku poshtë nesh etj. Ndërkohë që ose nuk dinë ose nuk duan të dinë që këta kanë dhe kampionë europianë e botërorë të shumtë, madje dhe ekipe kampionë europianë (Mali i Zi, doli pak vite më parë, kampion europian në vaterpolo), kanë marrë pjesë në evenimente botërore madje edhe kanë organizuar të tillë si olimpiada (Bosnja), në vendet e tyre, kanë edhe shumë kualifikime në botëror e europian jo vetëm në futboll por në mjaft sporte, apo së paku kanë kaluar deri në play off, ndërkohë që ne s’kemi asnjë të tillë. Ne në këto aspekte jemi kërkund, si askush tjetër në Europë. Madje edhe Kosova e re ka gjasë të shfaqet shumë më lart se ne e shumë më shpejt edhe në këtë fushë, në sport, pasi të bëhet pjesë e OKB, e madje ka goxha argument se tashmë dihet se janë lojtarët e vet, kontributori kryesor i njëfarë suksesi (nëse mund të quhet i tillë), të ekipit tonë të futbollit në arenën ndërkombëtare.
Por vendet më të vogla se ne, që përmendëm më sipër si Mali i Zi e Maqedonia, janë njëherazi edhe kandidatë për në BE e së shpejti, shumë më së shpejti se ne, edhe anëtarë të këtij Komuniteti. Por jo më kot. Ashtu si dhe në politikë, në cilin nga këto vende, më të vegjël se ne, një trajner a drejtues sporti vazhdon të mbetet në drejtim pas dështimeve konsekutive bindëse? Cili president? Po t’i referohemi paralelizmit, po në politikë kush vazhdon të komandojë për një kohë të gjatë, edhe pse me rezultate a katastrofa të panumërta? Cila parti do të mbetej në pushtet? Vetëm tek ne ndodh kjo deri aty ku nuk mban më ujë e ndryshimet ndodhin në mënyrë drastike. Ne jemi kaq të mbërthyer në nepotizmin, familjaritetin tonë të fshatit të madh, varfërinë, shitjen për një hiçgjë e meskinitetin e interesave, sa nuk arrijmë as të themi hapur si në politikë, ashtu edhe në një fushë kaq elitare si sporti se ku jemi në të vërtetë e të vëmë pikat mbi i. Ndonëse sporti fjala vjen është aq i lidhur dekadat e fundit me progresin shkencor e teknologjik, e ka kohë që aty ka nevojë për njerëz e stafe krejt të tjera, të reja, me njerëz të ditur të përgatitur në Perëndim, me kulturë të gjerë e horizont, ne nuk ndryshojmë asgjë veç ndonjë trajner të importuar një herë në 4 apo 8 vjet që na bën të shpresojmë se do jetë ai shpëtimtari e së fundmi me të do realizohet shpresa për të “rraf botën”. Dhe vazhdojmë të mbetemi në dorë e shpresë të njerëzve e stafeve të vjetra që nuk kanë asnjë perspektivë por as edhe mundësi për shkak të sklerotizimit, as të mësojnë e as të përpiqen të mësojnë se si e me kë punon bota e përparuar në këtë fushë. Këto pastaj natyrshëm shkojnë sinkron me ekonominë e politikën në aspektin e mentalitetit, që lejon të vazhdojë të drejtojë e të sundojë i paafti. Kësisoj si komb mbetemi kurdoherë të fundit në Europë në sport, politikë, ekonomi (vendi më i varfër në Europë). Profili politik i liderit e ai i ish-sportistit të pasuksesshëm, përputhen e kryqëzohen nga lindja e deri në muzgun e mossuksesit të tyre. Kështu mund të thuhet se kur politikën e dështuar e drejtojnë ish-sportistë të dështuar, nuk mund të pritet progres. Në të kundërtën, në vendet me demokraci të zhvilluar, ka mjaft ish-sportistë të suksesshëm që kanë drejtuar me sukses shtete a province të gjera. Kampionatet tona vazhdojnë me njëmijë e një probleme, me ekipe që falimentojnë, a zhduken nga arena pas dhjetëra vitesh tradite, a rishfaqen krejt papritur e katapultohen jo natyrshëm me lloj-lloj manipulimesh, me skandale në stadiume e rrahje arbitrash, lojtarësh, me shitblerje ndeshjesh, e tifozeri gjithnjë e më të paktë e përgjithësisht nivelesh të ulëta. Të shëmbëllejnë me po ato tablo e rezultate të politikës në garat elektorale a më pas në takimet formale të drejtuesve partiakë ku asgjë nuk zgjidhet e asgjë nuk shihet, përveç show-t mediatik a publik.
E nëse po kështu, si në dështim-kualifikimet në sport, nuk marrim statusin e kandidatit përsëri, do të jetë për të disatën herë një situatë paralele negative. Ndërkohë që në botë të zhvilluar, ai që është i suksesshëm në sport, kur qëllon të zgjidhet a të jetë në krye në politikë a në ekzekutiv, ia del mbanë edhe aty, sepse ka jo vetëm grintën, talentin por edhe psikologjinë e fitores, energjitë që e bëjnë të zgjidhë edhe problemet e njerëzve në katastrofë, situatat në krizë etj. Më e keqja është se ne nuk vëmë mend e as nxjerrim kurrë mësime. Kështu situata përsëritet. Si në politikë edhe në sport. Kështu lojtarët e komentatorët tanë, analistët a trajnerët, sa herë që zënë fill ndeshjet kualifikuese për evenimentet botërore a europiane, flasin herë për ndoca ekipe tonat që po bëjnë bujë, e herë për ca lojtarë të mëdhenj tanët superyje, për suksese e shpresa të papara…deri sa vjen për të njëqindtën herë momenti kur për të njëqindtën herë skualifikohemi, klasifikohemi të fundit në grup, shfryhemi e së fundmi u hyjmë analizave të cekëta, të shpejta, formale, pse humbëm etj. Kurrë nuk e themi me plot gojën se mbetëm të fundit e të fundmëve” e duhet t’i thërrasim mendjes ç’duhet të bëjmë së fundmi për të dalë nga kjo gjendje. Dhe po kështu në politikë: pas fishekzjarrëve të fitoreve të mëdha, arritjeve që nuk i ka parë bota, dështojmë e plandosemi, rikthehemi tek reputacioni ynë negativ në Europë, vlerësohemi si të pandreqshëm, e gjejmë lloj-lloj arsyesh për dështimet. Shpesh themi se nuk ka para, nuk ka mundësi, do kohë etj., etj. Si në ekonomi, politikë, e po kështu në sport. Vini re pra se sa pika të ngjashme ka sërish mes politikës e sportit, tek ne e në botë. Këtu në sensin negativ e atje në atë pozitiv. Sepse qëndrimet e politikanëve e njerëzve që drejtojnë sportin tek ne i kanë rrënjët thellë në të njëjtën psikikë, në të njëjtin mentalitet. Në atë të humbësit, inferiorit, të paaftit, por edhe të atij që nuk e ka të rrënjosur thellë në ndërgjegje e mentalitet se edhe mund të fitohet. Një aspekt tjetër, ai emocional e i këndvështrimit panoramik të ngjarjeve, situatave, vetë jetës.
Tek ne edhe humbja e fitorja në politikë a në sport, përjetohen si vdekje a si jetë. Ndjehemi keq kur humbasim ndonëse gjithnjë humbasim, (pas gjithë atyre shpresave të ngritura kot e pa marrë parasysh se ne jemi shumë poshtë në raport me të tjerët e ka shkaqe bazale që humbasim e gjithnjë do humbasim po vazhduam kështu). Dhe reagimet tona emocionale pas humbjeve, si fillim, por vetëm si fillim, janë shumë të forta. (Pastaj marrim veten e sërish fillojmë e fryhemi nga e para, për një tjetër cikël humbës të përsëritur po thuaj pikë për pike, për të dhjetën herë, njëqindtën, të kushedisatën herë.) Ngjason deri diku me atë që ndodhi në PD në 2013, që kur humbi betejën pas 8 vjet pushtet, e ndjeu kaq thellë atë humbje a thua se u përmbysën qiejt e se ishte paracaktuar se do të ishte e destinuar të fitonte gjithnjë. Humbja ashtu si fitorja, janë pjesë e jetës dhe duhen përjetuar natyrshëm si një cikël që përsëritet në njëfarë mase. Problemi është të gjenden shkaqet e humbjeve, për të shkuar sërish tek fitorja dhe të mos mendohet fitorja si monopol vetëm i dikujt, por as edhe humbja si “monopol” (në rastin e sportit tek ne), me pretekste tashmë pa peshë si populisa e vogël, fati apo arsye e mosarsyesh të tjera. Ne jemi kësisoj ende në një fazë regresive, foshnjarake, të pazhvilluar, edhe të zhvillimit emocional, të cilin nuk dimë ta trajtojmë a ta edukojmë në mënyrën e duhur, dhe kjo sjell reagime naive a joadekuate e as që japin perspektivë ndryshimi, ashtu si edhe në raportet tona të përditshme.
…Kur ishim të vegjël ziheshim a grindeshim shpesh kush ishte lojtari më i mirë, ai yni, jo ai i ekipit tjetër, a kush është ekipi më i mirë, ai i yni, a ai tjetri, dhe pastaj në varësi të asaj a fitonim a humbisnim në debatet tona, mërziteshim, gëzoheshim, përjetonim thellë emocionalisht. Por kjo ishte veç një fazë kalimtare e jetës apo e pjekjes së ndjeshmërisë a sensibiliteteve të njerëzve. Kur u rritëm, kuptuam se jeta vazhdon, pavarësisht faktit se cili ekip fiton, kush është lojtari më i mirë a kush dilte kampion, a kush binte nga kategoria etj. Natyrisht do të na vinte keq që do të duheshin apo u deshën 20 vjet fjala vjen, që ekipi ynë i zemrës të dilte sërish kampion ose që të vinin sërish lojtarë të mirë edhe tek ekipi ynë i zemrës. Por këta janë veçse pak momente të jetës të cilët kalohen, përjashto rastet e njerëzve me probleme të rënda emocionale që kalojnë deri në trauma, pushim zemre a vetëvrasje (ka ndodhur ndonëse rrallë edhe në sport). Njerëzit gjithsesi mbijetojnë…Ashtu si dhe në politikë kur humbet ekipi a partia “e zemrës”. Problemi është se ata vetë, njerëzit, i zgjedhin politikanët që do t’i përfaqësojnë në parlament, në qeveri, dhe po ashtu paguajnë për të parë sportistët që admirojnë a kanë zgjedhur të bëjnë tifo, futbollistët në veçanti. Për rrjedhojë ata nuk i meritojnë por edhe i meritojnë problemet që vinë syresh, ato çka përjetojnë nga lidhja shpirtërore por edhe materiale me ta. Përtej kësaj, ata, politika, sporti, ndofta edhe fusha të tjera të aktivitetit njerëzor, janë mbi të gjitha reflektimi ynë, i vetes tonë, i asaj çka mund të bëjmë, a çka nuk mund të bëjmë ne, si popull. Dhe në këtë pikë, njerëzit si në sport edhe në politikë, sidomos në vendet si i yni, me demokraci të pazhvilluar, janë të paaftë jo më të gjejnë zgjidhje kur shumë gjëra nuk ecin mirë si në politikë ashtu edhe në sport, si me politikanët ashtu edhe me sportistët e ekipit që kanë zgjedhur për zemër, por madje as të marrin pjesë në vendimmarrje a të japin ndonjë mendim për ta. Madje as për probleme të thjeshta, por ngushtë të lidhura me ato që quhen apo paraqiten si probleme shumë komplekse. Ndërkohë si në politikën e vendeve të zhvilluara, ashtu edhe në sport, bota ka ndërtuar një sistem ku pjesëmarrja e njerëzve është e gjerë dhe ndërhyrja e vazhdueshme apo edhe efikase. Në politikë, nëpërmjet forumeve të hapura, pjesëmarrjes së qytetarit në vendimmarrje, në këshilla bashkiakë me mbledhje të hapura, protestave efikase të fuqishme e në sport nëpërmjet pjesëmarrjes në klube, me debate, me aksione (pjesëmarrje aksionare) të masave të gjera të tifozëve dhe ndërhyrjes së tyre edhe decizive në disa raste. Paralelizmi mes sportit e politikës, edhe këtu pra siç shihet, nuk mungon. Tek ne negativ, e në botë pozitiv.