INTERVISTA/ Blushi: Liderët shqiptarë adhurojnë autokratin e Turqisë, jo Turqinë

Nga monopolet e krijuara politike dhe ekonomike shumë shpejt do të kemi një sistem oligarkik në Kosovë dhe Shqipëri dhe shanset për të pasur...


Nga monopolet e krijuara politike dhe ekonomike shumë shpejt do të kemi një sistem oligarkik në Kosovë dhe Shqipëri dhe shanset për të pasur një sistem demokratik janë shumë larg
Bisedoi: Arbana Xharra, Zëri
Shqiptarët nuk janë të varfër, ata kanë qeverisje të keqe e cila po krijon një shoqëri shumë të polarizuar dhe të paarsimuar që nuk zbaton ligjin, duke krijuar monopolet politike dhe pastaj edhe ato ekonomike, kështu që në një të ardhme të afërt këto të dyja do të bashkohen për të krijuar një sistem oligarkik dhe shanset për të pasur një sistem demokratik janë shumë larg.
Ky është shqetësimi që shpreh në detaje shkrimtari dhe politikani, Ben Blushi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”. Ai është i bindur se me këtë mentalitet qeverisës që kanë të dy shtetet shqiptare që reflektojnë model të ngjashëm të keqqeverisjes, duke ia servuar përditë e më tepër terrenin partive me karakter fetar.
Sipas tij, do jetë pothuajse e pamundur nëse një pjesë e madhe e popullsisë do të fillojë të bindet se bindjet fetare janë një shpëtim, për shkak se fetë kanë akoma magjepsjen për t’u folur njerëzve në emër të shpresës, në emër të barazisë, të moralshmes, terren të cilin partitë politike janë duke e humbur përditë.
“Shtuar kësaj edhe sponzorizimet e caktuara që vijnë kryesisht nga Arabia, i bëjnë organizimet fetare shumë të forta, të cilat krijojnë struktura të qëndrueshme çdo ditë, duke u kapilarizuar nëpër fshatra dhe provinca, aty ku ka më shumë papunësi, më shumë polarizim ku ka më pak shpresë për jetë më të mirë”, ka thënë gjatë intervistës Blushi.
Zëri: Libri juaj i fundit “Hëna e Shqipërisë” nuk parasheh ndonjë të ardhme shumë të mirë për shqiptarët, çfarë ju shtyri që të ndani me lexuesit tuaj këtë pesimizëm, i cili reflekton qartë në esenë tuaj?
Blushi: Besoj që duke e parë të shkuarën e Shqipërisë dhe të Kosovës, pra të shqiptarëve në përgjithësi, mënyrën se si ata kanë ecur në histori dhe sa shumë janë vonuar, dhe janë vonuar më shumë se gjithë popujt e tjerë të rajonit, kanë vuajtur më shumë, janë coptuar më shumë, duke e pasur parasysh të tashmen, pra faktikisht që nuk po afrohemi me Evropën edhe aq shpejt sa do të duhej, sa mundeshim. Këto gjëra më kanë shtyrë të mendoj se cila do të jetë e nesërmja. Pra duke e pasur parasysh të shkuarën dhe të tashmen dhe kam arritur në konkluzionin se edhe e nesërmja do të jetë relativisht e vështirë dhe e vonuar.
Zëri: Ditë më parë ishit në Prishtinë, në promovimin e librit tuaj përmendët se shqiptarët kanë pasur fatin të jenë gjeografikisht mes dy civilizimeve, pse mbetën shqiptarët kaq të vonuar, sipas jush?
Blushi: Unë kam përshtypjen se më shumë i bëmë keq vetes sesa që na bënë të tjerët. Ne kemi qenë mes dy civilizimeve më të iluminuara të njerëzimit, atij Helen dhe Latin. Ashtu si ne edhe popujt tjerë në rajon, janë pushtuar nga perandori të mëdha, qofshin ato romake, bizantine apo otomane, ose nga komunizmi. Komunizmi shkoi deri në Poloni, mbajti gjysmën e Evropës. Mbajti Serbinë, Bullgarinë, Rumaninë, Sllovakinë, Slloveninë, Kroacinë, Hungarinë, të gjitha këto vende janë në BE sot. Ne jemi të paktën 10 vjet prapa të gjithëve. Dhe pyetja është: si ka mundësi – na bënë më shumë dëm të tjerët apo i bëmë më shumë dëm vetes? Duke e parë të tashmen e Shqipërisë, një vend i pavarur, i lirë dhe demokratik prej 20 vitesh dhe nuk sundohet prej ndonjë ideologjie të caktuar, ka mundësi që të ketë zgjedhje të lira, të ketë shtyp të lirë, të ketë konkurrencë në treg. Kosova po ashtu prej disa vitesh është shtet i pavarur. Pra për sa kohë nuk sundohemi nga të tjetër dhe prapë jemi vonë, do të thotë se sot në kushte të tjera më shumë i kemi bërë dëm vetes sesa që na bënë të tjerët.
Unë besoj se është për shkak të mënyrës se si qeverisemi, për shkak të cilësisë së ulët të atyre që zgjedhim, për shkak të cilësisë shumë të ulët në arsim që po mediokrizohet nga dita në ditë, për shkak të pamundësisë për të gjeneruar të ardhura të mjaftueshme ekonomike dhe për të shfrytëzuar maksimalisht dhe me efikasitet pasuritë tona natyrore dhe njerëzore. Dhe në dy-tre dekadat e ardhshme, Shqipëria do të vazhdojë të vuajë pasojat që po krijon sot. Sepse sot Kosova edhe Shqipëria po krijojnë shumë fenomene të cilat do të duhen shumë vjet për t’i eliminuar, që nga lidhja e politikës me krimin, korrupsioni, injoranca në arsim, monopolet etj.
Zëri: Keni përmendur edhe në librin tuaj të fundit se shqiptarët tash 100 vjet u keqqeverisën, por edhe sot po vazhdojmë me modele qeverisëse të degraduara. Pse nuk po arrijmë të dalim nga ky mentalitet qeverisës larg modelit evropian?
Blushi: Gjeneratat e reja kanë përballë dy modele mbi të cilat mund të vlerësojnë karrierat e tyre dhe pikëpamjet e tyre, dy modelet janë :ose modeli shqiptar i ditës, ose modeli evropian. Nëse ato duan të bëjnë karrierë duke imituar politikanët e ditës, të cilët bëjnë pasuri shpejt, bëjnë karrierë shpejt, ata rrinë këtu dhe ndjekin këtë model, por nëse ndjekin modelin evropian duke ikur, është prapë keq sepse shton imigracionin dhe Shqipëria dhe Kosova humbin siç kanë humbur shumë burime njerëzore. Por ende jemi larg ditës, kur gjeneratat e reja të vijnë me pikëpamje të ndryshme të kërkojnë një ndryshim total të mënyrës se si qeverisemi duke e marrë modelin evropian dhe duke e implementuar në Shqipëri edhe në Kosovë. Por, edhe në ato raste kur disa parti e kanë këtë synim, shumë shpejt po kthehen si parti të vjetra duke e hequr shpresën se gjenerata të reja mund të japin progres më të lartë në kohë më të shpejtë.
Zëri: Shpeshherë harrojmë ta shikojmë veten me sy, ashtu siç na shohin të tjerët. Për çfarë paragjykohet shoqëria shqiptare më së shumti? Çfarë kontribuon më së shumti në prishjen e imazhit tonë?
Blushi: Është një pyetje që e kanë shumë popuj sot, nëse demokracia rrjedh përmes ekonomisë, apo e kundërta një ekonomi e begatë rrjedh përmes demokracisë. Unë besoj që e dyta është e vërtetë. Pra nëse kemi një vend demokratik kemi shanse shumë më të mëdha për të pasur një ekonomi më të mirë dhe më shumë begati për popullin. Pra premisa është demokracia dhe zbatimi i ligjit. Mund të jesh një vend shumë i pasur, por nuk je demokratik, siç janë shumë vende të botës arabe, bile deri në Azi. Kanë shumë pasuri natyrore, të cilat nuk i garantojnë mirëqenie popullit, nuk garantojnë demokraci…
Ne nuk duhet të ankohemi se jemi vend i varfër, ne kemi qeverisjen e keqe, nuk na mungojnë burimet natyrore, sidomos ato bazike që janë: uji, mineralet, dielli dhe toka. Pra nuk kemi arsye që të ankohemi. Unë them se popujt tanë në Shqipëri dhe Kosove duhet që përmes demokracisë të arrijmë te begatia. Në të kundërtën do të vazhdojmë të kemi një shoqëri të polarizuar, e cila nuk është demokratike. Një shoqëri shumë e polarizuar dhe e paarsimuar nuk e zbaton ligjin. Dhe një shoqëri e tillë vazhdimisht shkon për të krijuar monopole. Në fillim krijon monopolet politike dhe pastaj edhe ekonomike dhe në një të ardhme të shkurtër këto të dyja do të bashkohen. Dhe kjo ditë që për mua është afër, që monopoli politik me monopolet ekonomike të bëhen një, krijohet një sistem oligarkik dhe shanset për të pasur një sistem demokratik janë shumë larg. Ky është shqetësimi që mendoj se Evropa na paragjykon. Unë nuk mendoj që na paragjykon për arsye fetare, por për shkak të paaftësisë tonë për ta zbatuar ligjin.
Evropa ka pasur paragjykime historike për Shqipërinë, rreth 100 vjet më parë kur Shqipëria synonte të bëhej shtet i pavarur dhe u bë shteti i fundit i pavarur në Ballkan, pas grekëve, pas serbëve, pas bullgarëve ne fituam pavarësinë të fundit. Një nga arsyet ishte që shumë fuqi evropiane mendonin se me krijimin e Shqipërisë së madhe po krijonin në fakt një Turqi të vogël në Ballkan. Ky ishte një paragjykim që na ka shoqëruar për disa vjet. Sot besoj se ky paragjykim ka ndryshuar, nuk është më aq i konsiderueshëm. Paragjykimi kryesor është se shqiptarët nuk kanë aftësi ligjzbatuese. Dhe të gjitha kritikat evropiane dhe vonesat në procesin e integrimit janë këto arsye: lufta ndaj korrupsionit, forcimi i institucioneve, gjykatave dhe prokurorisë, të gjitha që kanë nevojë për më shumë ligjshmëri.
Zëri: Në kohën kur zyrtarisht të dy shtetet mbajnë në dorë kartën e Evropës dhe kërkojnë integrim, vërejmë tendenca të adhurimit të fshehtë të Turqisë. Në Kosovë dy asete shumë të vlefshme i janë dhënë kompanisë së afërt me Erdoganin?
Blushi: Unë besoj se të kesh një raport të mirë me Turqinë nuk është gabim, përkundrazi është e dobishme, çdo shtet e ka të domosdoshme që të ketë sa më shumë aleatë dhe sa më shumë miq jo vetëm përreth fqinj, por edhe më larg. Dhe shumë shqiptarë për shkak të historisë kanë arsye dhe janë të mirëkuptuar në sentimentin që mund të kenë ndaj Turqisë – janë lidhje 500-vjeçare që nuk mund të shkëputen dot. Problemi është nëse shqiptarët do të shfrytëzojnë modelin turk të qeverisjes, i cili sot është një model më i komprometuar në rajonin ku jetojmë, pas atij të Rusisë. Turqia ka qeverisje shumë autokratike të dyshimtë, antikushtetuese në disa raste, cenon liritë dhe të drejtat e njeriut, ka rrëzuar çdo parim të transparencës, dhe në vazhdimësi ka ndërtuar pushtet aty ku nuk i takon. Nëse politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës e adaptojnë këtë model në një të ardhme të afërt dhe të largët, ky do të ishte një gabim fatal.
Zëri: Erdogani tregon gjithherë gatishmërinë të vijë në mbështetje të politikanëve në pushtet. Patëm rastin t’i shohim vitin e kaluar tre kryeministrat Erdoganin, Thaçin dhe Ramën në Kosovë…
Blushi: Turqia është një vend që ka pasur rritje të madhe ekonomike, ndoshta edhe më të lartë se Kina, prej 7 deri në 8 për qind mesatarisht. Për shkak të fuqizimit ekonomik, pra të lidhjeve që ka pasur me këtë pjesë të Ballkanit historikisht, kërkon të ruajë interesin e vet ekonomik në rajon. Dhe deri këtu nuk ka asnjë gjë të keqe, derisa Turqia nuk shikon për të eksportuar ideologji fetare dhe politike, ky është kufi të cilin nuk duhet ta lejojmë ta kalojë. Unë nuk dua të hyj në problemet e ditës së politikës së Kosovës, por jam i bindur që Erdogani i para dy-tre viteve nuk është ai Erdogani i sotëm, sepse edhe liderët politikë ndryshojnë. Sidomos në gjashtë muajt e fundit qeverisja e Erdoganit është vënë shumë në pikëpyetje. Dhe në një të ardhme, jam i bindur se populli turk nuk mund të mos reagojë ndaj një qeverisje kaq jodemokratike.
Zëri: Keni trajtuar edhe në librin tuaj rrezikun nga islami politik, Kosova si një vend me tendenca më të mëdha të fetarizimit, por edhe rrezikun që e ka Shqipëria nga ky fenomen?
Blushi: Një pjesë të konsiderueshme të librit tim ia kam kushtuar këtij fenomeni, besoj që ne shqiptarët përpara 20 vjetësh ishim më pak fetarë sesa sot, para 10 vjetësh më pak fetarë sesa sot, pyetja është: pse sot jemi më fetarë sesa para 10 apo 20 vjetësh? Janë dy arsye: e para humbja e shpresës së popullit për shkak të ndryshimeve të ndryshme të klasave politike që nuk kanë garantuar shumë progres dhe shpresë në Shqipëri, kjo është shumë evidente. Pesimizmi çon popujt të kërkojnë rrugë të tjera shpëtimi, drejt feve kryesisht. Vërshimi i shumë shqiptarëve drejt Sirisë, mobilizimi i tyre nga disa klerikë aktivë dhe të dukshëm, dhe të popullarizuar në një kuptim në Kosovë dhe në Shqipëri, paaftësia e shtetit për t’i parandaluar dhe në disa raste ortakëria mes shtetit, apo mes partive politike, apo segmenteve të caktuara të shtetit dhe këtyre segmenteve fetare, të cilat në një kuptim apo në një tjetër, shprehin të dyja bashkë në të njëjtin drejtim.
Do të thotë tendenca për fetarizim, apo për të pruar një islam politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e theksoi për shkak të humbjes së pozitave dominuese të partive politike. Do ta shohim në zgjedhjet e reja në Kosovë, dikush do të fitojë në zgjedhjet në Kosovë, por të gjitha partitë kanë më pak votues se që kanë pasur dhe i gjithë ky numër abstenuesish apo indiferentësh të ngopur nga partitë politike në përgjithësi do të shohin për një opsion tjetër. Meqë ne jemi popull me dominancë myslimane natyrisht se kjo tendencë është më e theksuar në këtë drejtim dhe nuk është çudi siç ka ndodhur në Kosovë, ku janë formuar parti me karakter më të theksuar fetar, edhe në Shqipëri, më shpejt se që presim mund të ketë një frymëzim fetar të disa partive politike. Dhe nëse kufiri i shtetit laik kapërcehet, siç ka ndodhur në Turqi, partia me karakter të theksuar fetar ajo e Erdoganit që dominon prej 10 vjetësh, atëherë do të duhen periudhë 10, 20, 30 vjeçare për ta çrrënjosur.
Do jetë pothuajse e pamundur nëse një pjesë e madhe popullsie do të fillojë të bindet se ky është një shpëtim, për shkak se fetë kanë akoma magjepsjen për t’u folur njerëzve në emër të shpresës, në emër të barazisë, të moralshmes… terren të cilin partitë politike janë duke e humbur përditë, shtuar kësaj edhe sponzorizimet e caktuara që vijnë kryesisht nga Arabia, i bëjnë organizimet fetare shumë të forta të cilat krijojnë struktura të qëndrueshme çdo ditë, duke u kapilarizuar nëpër fshatra edhe provinca, aty ku ka më shumë papunësi, më shumë polarizim, ku ka më pak shpresë për jetë më të mirë.
Zëri: Çfarë mund t’i shpëtojë shqiptarët nga stagnimi?
Blushi: Nëse luftojmë korrupsionin, rrisim cilësinë e shkollave, përmirësojmë qeverisjen, largojmë politikën nga krimi ekonomik, sigurisht hapim tregun e lirë, rrisim investimet e huaja, rrisim shtresën e mesme, forcojmë shoqërinë civile, kualifikojmë shtresat e punonjësve, pra punëtorët në përgjithësi, forcojmë gjykatat dhe shtetin ligjor, jam i sigurt se paragjykimet për neve do të ndryshojnë. Nëse shteti forcohet bashkë edhe me partitë politike kanë sukses, ato parti me karakter fetar dobësohen, pra duke i shkuar kësaj rruge, besoj se çdo proces integrimi do ta kemi më të lehtë.

Related

Top Lajm 6235286050797531266

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item