Giovanni Sartori: Të vërtetat e mia, për Amerikën dhe Italinë

Kujtime dhe gjykime të politologut, në prag të ditëlindjes së nëntëdhjetë. “Presidenti më i mirë? Nixoni. Shumë i keq ishte Carteri. Reagani...


Kujtime dhe gjykime të politologut, në prag të ditëlindjes së nëntëdhjetë. “Presidenti më i mirë? Nixoni. Shumë i keq ishte Carteri. Reagani e mposhti BRSS-në me një bllof”. Studiuesi fiorentin rrëfehet: miqësia me Spadolinin, Oriana Fallacin dhe avokatin Anjeli. Përvoja e gjatë në SHBA. Një vështrim i shqetësuar mbi Italinë: “Kemi një sistem të tmerrshëm të rekrutimit të klasës drejtuese”
“Kur je i ri në moshë nuk mendon. Pastaj arrin të shtatëdhjetat dhe dalëngadalë të lind dyshimi që nuk je i pavdekshëm. Mua më ka ecur mirë. Po i mbush vërtetë nëntëdhjetë vite. Por tani shëndeti fillon e lëshon. Dhe nëse trupi nuk është i shëndetshëm, gjithçka nis të shkojë keq”. Shtëpia romane e Giovanni Sartorit dhe bashkëshortes së tij, Isabella Gherardi, prapa sheshit Farnese është e mbushur me diell, dhe me hedhje-pritjet e vazhdueshme të dy bashkëshortëve. Një spektakël i vërtetë, i përshtatur prej librave të tij dhe operave të saj, të shndërritshme ashtu si qielli mbi kupolat baroke.
Përse thoni që gjithçka fillon të shkojë për keq? Po t’ju shohësh ju, nuk e beson.
Tensioni i ulët më pengon të punoj me ritmin e përhershëm, siç kam bërë për një jetë të tërë. Dhe kjo më nervozon.
Një jetë e jetuar me energji, ironi, inteligjencë dhe sukses. Ku janë rrënjët? Në karakter, në ADN?
Disa vite më parë kam shkruajtur një libër të shkurtër që tani shoqëron ribërjen e biografisë sime: “Rastësia, fati këmbëngulja”. Celësi është tek ai titull.
Sa rëndësi ka patur fakti që keni lindur në Firence?
Shumë. Roma kryeqytet, deri në vitin 1900 ka qenë një kullotë e madhe për bagëtitë që vinin e kullosnin në sheshin Navona. Ndërsa unë kam lindur dhe jam rritur duke thithur ajrin e Prezzolinit, të Papinit.
Eshtë banale ta thuash, por është i njëjti ajër i mikut tuaj, Giovanni Spadolini.
Jemi rritur bashkë, edhe pse Spadolini ishte një vit më i ri. Duke qenë fillestar dhe grafoman, kishte bashkëpunuar që në rini tek “Italia dhe qytetërimi” i Giovanni Gentiles. Më takoi mua, pas shembjes së fashizmit (atëherë isha president i organizatës studentore) që ta mbroja nga ata që donin ta spastronin. U thashë: ai shkruante kundërkohë jo sepse ishte fashist, por sepse ishte më i mirë se ne. Më dhanë të drejtë dhe Spadolinin nuk e prekën. U gjendëm me një universitet gjysmë të boshatisur, me të gjithë profesorët që ishin nën hetim për shkak se dyshoheshin për lidhje me fashizmin. Në vitin 1950, Giuseppe Maranini, në atë kohë president i fakultetit të shkencave politike “Cesare Alfieri”, ndjeu nevojën që të rekrutonte profesorë të rinj. Gjatë një takimi të këshillit të fakultetit, ai tha: “Kam zbuluar një gjeni, ai quhet Giovanni Spadolini”. Dhe miku-rivali i tij, Pompeo Biondi, që jepte leksione të Doktrinës së Shtetit, ia preu: “Edhe unë kam zbuluar një gjeni, Giovanni Sartori!” Dhe kështu u bëmë të dy profesorë. Mua më dhanë katedrën e Historisë së filozofisë sepse, gjatë qëndrimit për gjashtë muaj në klandestinitet i mbyllur në një dhomë, kisha përpirë Kantin, të gjithë veprat e Croce-së dhe Hegelit. Që atëherë, unë dhe Giovanni u bëmë miq për jetë.
Një karakteristikë e atij njeriu?
Aftësia, për shembull në vitet e Senatit, që të fliste në telefon, të shkruante dhe të diskutonte me të tjerët në të njëjtin moment. Të bënte të mendoje se ishte një njëmijë-këmbësh.
Në karrierën tuaj të gjatë, një kapitull të madh e zë Amerika. Sa presidentë të SHBA keni njohur?
Nixon, Carter, Reagan dhe Bush.
Cili prej tyre ishte më antipatiku?
Carter. Më kujtohet një takim i Tripalëshes në Tokio. Ai nuk ishte bërë ende president. Por mbaj mend një njeri që ishte gjithmonë gati t’ia fillonte të jepte leksione. Gjë që e bënte antipatik për të gjithë. Në hotel, kur hanin mëngjesin, të gjithë i bënin bisht. Ishte edhe pak inteligjent, siç e tregoi edhe dështimi i operacionit për lirimin e 52 pengjeve amerikanë në ambasadën e SHBA në Teheran. “Nuk dua asnjë të vdekur”, tha atëherë. Po si mund të imagjinohet një operacion i tillë pa dhimbje?
Po më i përgatituri dhe më inteligjenti?
Nixon. Vuante nga komplekse të mëdhenj. Dhe kishte një mani paranojake të persekutimit, që e çoi tek skandali i “Watergate”. Por ishte inteligjent, i përgatitur, i shpejtë në analiza. Kishte dhe sensin e shtetit. Gjatë investigimeve të viteve 1960 u duk se Nixoni po fitonte, sipas sondazheve. Por Joseph Kennedy, babai i John Kennedy, i telefonoi mikut të tij kryebashkiak të Chicagos, Richard J. Daley, i cili i siguroi votat e nevojshme. Nixoni e dinte. Por nuk donte që të zbulonte një skandal. Pranoi në heshtje një humbje të pamerituar.
Po për Ronald Reaganin, aktorin-president?
Në Californinë e tij ishte i pamposhtur, dominonte edhe debatet me studentët progresistë të Stanfordit. Por humbiste, kam thënë atëherë, sapo hynte në Nevada. Më duket se ka qenë pakëz arterio-sklerotik, këtë konkluzion e kam nxjerrë pasi e kam takuar shpesh në Institutin Hoover të Stanfordit. E megjithatë e fitoi garën për Shtëpinë e Bardhë dhe qëndroi dy mandate. Reagani ishte gjithashtu presidenti që fitoi në tavolinë luftën e ftohtë, duke i besuar tezës së luftërave yjore të Edward Tellerit, babait te bombës termo-bërthamore. Reagani i dha të drejtë dhe urdhëroi nisjen e riarmatimit. Bashkimi Sovjetik bëri llogaritë e veta dhe kuptoi që teknologjikisht nuk mund të qëndronte në garë. Por në të vërtetë luftërat yjore ishin një shpikje e Tellerit! Ma ka thënë ai vetë. Sigurisht, në mirëbesim.
Eshtë e vërtetë që Nancy Reagan konsultohej shpesh me fallxhorë?
Po, por nuk është e vërtetë që takimet e saj me ta ndikonin tek presidenti. Sepse Reagani kishte një nuhatje të sigurtë.
Ekziston një legjendë për një takim tuajin me Jacqueline Kennedy…
Asnjë legjendë. Ajo ishte vejushë prej pak kohësh. U gjendëm të dy duke shëtitur në vilën Marlia në Lucca, si mysafirë të konteshës Pecci Blunt. Iu afrova dhe luajta kartën e ironisë: “Ju duhet të jeni zonjusha Livingstone”. Ishte për të theksuar famën e saj, faktin që ishte e njohur. Ajo më hodhi një vështrim e habitur, nuk kuptoi, dhe u largua me shpejtësi. Ai reagim më la pa fjalë.
Ju jeni shumë mik me Kissingerin. Cfarë personi është, nga këndvështrimi njerëzor?
Njerëzor? Për ta ditur duhet të shkatërrosh koracën e tij. Jemi njohur në Harvard, kur pati detyrën e parë në SHBA. Theksi i tij i fortë gjerman të bënte për të qeshur. Dhe ai e ka ruajtur për gjithë jetën. Në çdo intervistë televizive i përgjigjej çdo pyetjeje: “This is a big problem” me atë intonimin gjermanik… Pasi përfundoi presidenca Nixon, u tërhoq në heshtje. Ishta unë që e riktheva në vitin 1977, kur organizova në Uashington, bashkë me American Enterprise Institute, një takim të madh për të diskutuar mbi eurokomunizmin. Pranoi ftesën time, foli përpara një salle të tejmbushur. Që atëherë, nuk u ndal më.
Deri këtu kemi folur për amerikanë të mëdhenj. Kthehemi në Itali. E pashmangshme të kujtojmë Gianni Agnellin, italianin më të famshëm në botë për dekada të tëra.
Jemi njohur që në moshë të re në Forte dei Marmi, në vilën e madhe të Agnellit dhe që atëherë mbetëm miq të ngushtë. Kishte një prani të jashtëzakonshme, një zotësi të madhe diplomatike dhe mbi të gjitha ishte një zotëri i vërtetë, këtë zanat e kishte përvetësuar shumë mirë. Në SHBA e respektonin shumë. Bëri vetëm një gabim të madh: që largoi Ghidellan, që hoqi dorë nga projektimi i automobilëve, nga modelet inovativë. Për fat, shoh që tani Fiati po rifillon shumë mirë.
Edhe këtu: një karakteristikë e atij njeriu?
Të dëgjonte me vëmendje për jo më shumë se tre minuta. Më tej, mund t’i flisje edhe për fundin e botës, por ai pushonte së dëgjuari.
Në fund, Oriana Fallaci. Një tjetër bijë e madhe e Firences.
Edhe në këtë rast ishim njohur që të rinj. Ishte e bukur. Një gazetare e jashtëzakonshme. Do të mjaftonte intervista e saj me presidentin e Qipros, Makarios për të hyrë në histori, jo vetëm në atë të gazetarisë. Nga lufta e saj kundër kancerit kam kujtuar shpesh shumë detaje të dhimbshëm. U përpoqa ta ndihmoj, por më kot. E tillë ishte ajo. Ndoshta jam i vetmi person me të cilin Oriana Fallaci nuk është grindur asnjëherë. Sepse ajo grindej me të gjithë.
A shihni talente politikë në Italinë e sotme?
Fatkeqësisht jo. Ka patur një politikë që ka riprodhuar gjithmonë vetveten dhe që ka lejuar infiltrimin e mafias. E njoh mirë Europën perëndimore dhe mund të them që kemi metodën më të keqe të rekrutimit të klasës politike në të gjithë kontinentin.
Pendesa? Llogari të pambyllura? Shanse të humbur?
Nuk di të përgjigjem. Nuk e kam pyetur asnjëherë veten. (corriere della sera)bota.al

Related

Kultura 9003316013794057568

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item