EKONOMI / Transformimi tekno-politik

Klaus Schwab Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror Eshtë pak të themi se bota po pëson ndryshime të shpejtë dhe gjithëp...

Klaus Schwab
Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror

Eshtë pak të themi se bota po pëson ndryshime të shpejtë dhe gjithëpërfshirës. Ekonomia globale, panorama gjeopolitike, mjedisi dhe teknologjia u nënshtrohen kushteve që ndryshojnë në mënyrë konstante, e që forcojnë dhe transformojnë njëri-tjetrin në një rrjet ndërveprimesh shumë kompleksë. Në një sfond të tillë të paparashikueshëm dhe plot ndërlidhje, lidershipi i efektshëm duhet të jetë i bazuar mbi një botëkuptim radikal, mbi aftësi shumëplanëshe, si dhe një kuptim dhe zotërim të mirë i teknologjisë dhe talentit.
Tendencat që po i japin formë botës së shekullit 21 bartin shpresa dhe rreziqe. Globalizimi, për shembull, ka nxjerrë nga varfëria qindra-miliona njerëz, ndërkohë që ka kontribuar për një fragmentim social si dhe një rritje të madhe të pabarazisë, për të mos përmendur dëmet mjedisorë. Po kështu, i ashtuquajturi “big data” (sistemi i akumulimit në masë të informacionit) ka sjellë dobi të paimagjinueshme për kompanitë dhe konsumatorët, por nga ana tjetër paraqet një rrezik real për privatësinë dhe lirinë personale.
Një dikotomi të ngjashme e gjen edhe në çështje të tjera shumë të rëndësishme, duke përfshirë përshtatjen ndaj ndryshimit të klimës, përpjekjet për përmirësimin e menaxhimit të burimeve, urbanizimin dhe rritjen e megaqyteteve, rritjen e lëvizshmërisë së forcës punëtore, dhe ekspansionin e kapitalit njerëzor.
Përmasa dhe kompleksiteti i sfidave që kemi përpara janë padyshim të frikshme. Por, ndryshimi i shpejtë dhe gjithëpërfshirës mund të sjellë edhe mundësi të mëdha. Për t’i shfrytëzuar në maksimum, bota ka nevojë për udhëheqës që e zotërojnë teknologjinë – le t’i quajmë “tekno-politikanë” – të cilët kanë nuhatjen për të kuptuar se si t’i japin formë progresit, në këtë mjedis të ri dhe të paparashikueshëm.
Brenda kuadrit të tekno-politikës, rritja ekonomike dhe inovacioni teknologjik janë dy faktorët më të rëndësishëm që ndikojnë në pranoramën globale. Mënyra si përshtatemi dhe adaptojmë trajektoret e tyre, do të jetë përcaktuese për të ardhmen tonë të përbashkët.
Në terma ekonomikë, bota po hyn në një epokë me pritshmëri të zvogëluara. Nëse, siç parashikohet, në të ardhmen e afërt rritja e GDP do të jetë mesatarisht 3%, atëherë ekonomisë botërore do i duhen 25 vite për t’u dyfishuar në madhësi – dhjetë vjet më shumë nga sa i duhej përpara krizës ekonomike, kur rritja mesatare e GDP ishte 5%. Nuk do të jetë e lehtë të mësohemi të jetojmë me një rritje ekonomike më të ulët.
Duke qenë se konsumit të mbështetur prej borxheve i ka ardhur fundi, fitimet nga produktiviteti do të bëhen gjithnjë e më shumë një prej nxitësve kryesorë të rritjes ekonomike. Por, në një kohë kur rritja e pabarazisë po dëmton kohezionin social, nuk është aspak e sigurtë që mund të krijohen kushtet e nevojshëm për të arritur këta fitime – pra, kushte të tillë si përmirësimi i sistemit arsimor, apo një nxitje më e madhe e inovacionit.
Eshtë shpresëdhënës fakti që, edhe në një kohë kur ka një ngadalësim të rritjes ekonomike, ndryshimi teknologjik vazhdon me një ritëm marramendës, duke ngritur pyetje të mëdha për impaktin e tij mbi ekonominë globale. Pyetje për të cilat duket sikur nuk i kemi përgjigjet. Ndërkohë që disa paralajmërojnë se progresi teknologjik do të lërë disa pa punë, të tjerë mbeten të bindur se këta do të gjejnë punë të reja që ende nuk ekzistojnë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. E vetmja gjë e sigurtë është se teknologjia dhe inovacioni janë duke prekur çdo aspekt të jetës.
Si mund të përshtatemi me një botë të tillë? Mbi çfarë mund të ngrihet suksesi, në këtë mjedis të ri dhe sfidues?
Në teknopolitikë, dy faktorë të ndërlidhur mes tyre janë shumë të rëndësishëm: talenti dhe inovacioni. Talenti është tashmë faktori kyç që nxit konkurueshmërinë (ose mungesën e saj) për kompani dhe për shtete. Në fakt, “talentizmi” do të jetë kredoja ekonomike mbizotëruese, pasi kapitali human dhe intelektual do të jetë aseti më i vlefshëm, por edhe më i vështiri për t’u siguruar dhe ruajtur.
Inovacioni, i nxitur prej talentit do të jetë faktor përcaktues për suksesin. Në të ardhmen, nuk do të ketë më rëndësi dallimi mes vendeve me të ardhura të larta dhe të ardhura të ulëta, apo mes tregjeve në zhvillim dhe atyre të zhvilluar. Pyetja do të jetë, a mundet apo jo që një ekonomi të shfrytëzojë inovacionin.
Tekno-politika pranon gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të bashkëpunimit, mendimit strategjik dhe përshtatjes. Sfidat më të mëdha të kohëve të sotme janë të një natyre globale, dhe si pasojë mund të përballohen vetëm duke angazhuar vendim-marrës dhe grupe interesi nga sfera të ndryshme. Duhen krijuar partneritete të rinj, edhe mes atyre aktorëve që në dukje kanë interesa të ndryshëm. Ata që luftojnë për të përballuar ndryshimin duhen mbështetur, dhe jo përbuzur.
Por, për të menduar zgjidhje afatgjata, teknopolitikanët duhet të shkojnë përtej “zjarrfikjes”. Ata duhet të jenë në gjendje t’u përgjigjen zhvillimeve të rinj pa vonesë, duke eksperimentuar vazhdimisht me ide dhe procese të rinj. Po kështu, duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të veprojnë njëkohësisht ndaj realiteteve të ndryshëm.
Roli i tekno-politikës është të shtyjë botën drejt rezultateve pozitivë. Kjo do të kërkojë që vendim-marrësit të përdorin zemrën dhe mendjen. Por, edhe do t’u testojë nervat. (Project Syndicate)/bota.al

Related

Top Lajm 3042755673651145110

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item