Do ta mbaj dashurinë tënde siç mbahet….

Rod McKuen I përkthyer nga Meri Lalaj, një cikël me poezi nga libri “Qytetet e braktisura” të Rod McKuen, i cili ndan kohën e vet midis Shte...

Rod McKuen

I përkthyer nga Meri Lalaj, një cikël me poezi nga libri “Qytetet e braktisura” të Rod McKuen, i cili ndan kohën e vet midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ku jep shfaqje në salla të mëdha koncertesh, klube nate dhe vijon të shkruajë këngë e poezi. Ka shkruar dy skenarë filmash Përsosja e Miss Xhin Brodit dhe Xhoana, ka nxjerrë në shitje më shumë se tridhjetë e pesë albume me këngë të tij. Më shumë se nëntëqind kompozime të tij për artistët e tjerë janë shitur deri në 50 milionë disqe

   Njeriu i vetmuar

Jetoj vetëm
asnjëherë nuk është e lehtë
të jesh i vetmuar.
Hera-herës natën muret bisedojnë me mua
duket sikur thonë se e djeshmja ish më e mirë.

Gjithnjë i vetëm
në shtëpi a midis turmës
i hedhur tej mbi një re
kapur pas një bote që pak e kuptojnë,
jam e çfarë jam, një i vetmuar.

Njëherë e një kohë
nuk e mbaj mend kur
shtëpia ish përplot me dashuri
por edhe atëhere ka qenë
përfytyrimi për të ndihmuar të vetmuarin.

            Kurrë nuk do të jem vetëm

Me krahët e tu do bëj një mur
e kurrë nuk do të jem vetëm
se krahët e tu do më mbështjellin
kur të bjerë nata.

Me buzëqeshjen tënde do ngre një mur
më të madhin mur që ka parë njeriu.
E do të fshihem prapa tij
dhe kurrë nuk do të jem vetëm.

Pastaj ngadalë do shkojmë në pyll
e çdo gjë që do të bëjmë për njëri-tjetrin
do të jetë e ngrohtë dhe e mirë.

Do ta mbaj dashurinë tënde siç mbahet
një kurorë dafinash përmbi flokë
e po të jesh ti aty
unë kurrë nuk do të jem vetëm.

Qytetet e braktisura

Ka ende disa qytete të braktisura
që do të dëshiroja t`i shikoja
derisa dehja e sorollatjes
nuk më është fashitur akoma.

Ka shumë gra të bukura
që do dëshiroja t`i njihja,
dua t`u bie lumenjve më të prerë
e të mbjell një dorë tërshërë.

Ndoshta kur të gjitha t`i kem mbaruar
të kem parë gjithë ç`mund të shoh,
vërtet kam për ta kuptuar
se nga vetja ime nuk ik dot.

Por ashtu si trenat që nuk ndalin trokun
trazim në shpirt gjithnjë do kem
se janë disa qytete të braktisura
në të cilët patjetër dua të jem.

              Samërset

Çdo ditë ishte e diel
e çdo muaj ishte maj
dhe çdo vajzë që kalonte
të dukej se ish për ty.
Kur ndodhi, sa vite më parë
dhjetë, pesëmbëdhjetë a më tepër
shumë kohë më parë
kur jetonim në Samërset?

Shumë kohë para se të rriteshim
para se të ishim kaq të mëdhenj.
Para se të na hapeshin sytë
e ta shihnim botën tej e tej.
Kur ndodhi, sa vite më parë
duket kaq e largët
kur jetonim në Samërset
dhe vështronim verën tek ikte.

Po fryn një erë e ftohtë
këtë mund të të them unë.
Fryn fort përmbi kujtimet
e kohërave që u deshëm shumë.

Kur jetuam në Samërset
një jetë të tërë e më përtej
e çdo ditë ishte e diel
dhe çdo muaj ishte maj.
Kur ndodhi sa vite më parë
dhjetë, pesëmbëdhjetë a më tepër
shumë kohë më parë kur jetonim në Samërset
dhe vështronim verën tek ikte.

E kam ruajtur verën

E kam ruajtur verën
dhe do të ta jap të gjithën ty
ta mbash në mëgjesin dimëror
kur të bjerë bora e parë.

Kam ruajtur ca dritë dielli
po të të duhet ndonjëherë
një vend larg errësirës
ku të mund të ëndërrosh.

Për vete kam mbajtur buzëqeshjen tënde
kur ishe nëntëmbëdhjetë
se si je tani as që dua t`ia di.

Nuk di si të të përgjigjem
të të vij pas dëshirës
fjalët më janë fshehur diku
në një qoshe të ditës.

Po në se të duhet dashuria ime
ta jap me gjithë zemrën
le të të ndihmojë udhës
të gjesh dashurinë tënde.

Ku jemi ne tani?

Njëherë për ditëlindje më solle jargavanë
që do të më mjaftonin, por nganjëherë burrat
kërkojnë edhe më shumë se një kthim i kokës,
e buzëqeshjes të njohur në shtrat.

Që të të tregoj se kujdesem për ty
unë të blej varëse që ti kurrë nuk i ve
mund të të kisha sjellë tufa ajri të hollë,
sepse rruazat kristal nuk plotësojnë dëshirat e gruas.

Po ku jemi ne tani, ku jemi ne?
Një mijë milje larg të ndarë,
çfarë kemi ne tani, çfarë kemi ne?
As pakëz dashuri për të hyrë në zemrat e njëri-tjetrit.

A nuk mund të ketë kthim në rrugën e humbur
që na solli në këtë fund pa krye
marrim prej shoshokut veç një puthje prej të vdekuri
buzëqeshjet tona të ngrysura na largojnë edhe më tutje.

Ja përsëri vjen nata e mbulon ditën
dhe zhduk tej fytyrën tënde të mirë
nga i tërë mundimi i jetës sonë
nuk mbetet asgjë në mugëtirë.

Po ku jemi ne tani, ku jemi ne?
Një mijë milje larg të ndarë.
Çfarë kemi ne tani, çfarë kemi ne?
As pakëz dashuri për të hyrë në zemrat e njëri-tjetrit.
                       Fjala para Mirupafshim

Në fund të fundit ç`është pranvera?
Vetëm ana tjetër e vjeshtës.
Oh, sikur të ish e mundur
të bëja për ty një qiell diellor.
Tungjatjeta, është fjala para Mirupafshim.
Nganjëherë bie shi, nganjëherë shkëlqen,
por gjëja që unë dua kaq rrallë më vjen.

Edhe sa vera do jetojmë
para se të mplakemi?
Ne të dy pasqyrës nuk i besojmë
Tungjatjeta është fjala para Mirupafshim.
Nganjëherë errësirë, nganjëherë shndrin,
por natën kur vij në shtëpi
askush nuk pipëtin.

Ndoshta era tjetër që do fryjë
do të të sjellë përsëri tek unë.
Deri atëhere më vjen të bërtas:
Tungjatjeta është fjala para Mirupafshim.
Hera herës ti fiton, hera herës ti humbet,
por nuk e harroj dot kam qenë
nën pushtetin tënd krejt.

                    Bie shi

Bie shi
dhe fëmijët llapashiten nëpër baltë
të moshuarit vështrojnë hyrje-daljet
të dashuruarit nën çadra
as e përfillin shiun.
Bie shi
pa shiko si fluturojnë gjethet në dritare
ne rrimë brenda e nuk bëjmë asgjë
do ishte mirë ta prekim lehtë-lehtë
njëri tjetrin.

Bie shi
pikojnë lot engjëjsh nën dritare
po të presim me siguri do dalë ylberi
unë jam këtu mos u tremb nga bubullima
asnjëherë.

Bie shi
nuk po i dëgjoj bulkthat të këndojnë
kushedi mos janë mbytur nëpër ullukë
e mendoj se ti nuk më do më

Dhe bie shi.

Duke u ndryshkur nën shi

Porta e vjetër po ndryshket nën shi
dhe fëmijët që vijnë nga shkolla në shtëpi
nuk i prekin guralecët e tyre
tek limani i vjetër i qytetit
atje ku bërryli i lumit formon një pellg.
Dhe ne të gjithë plakemi nga pak
pa eja shihni se ku kemi qenë
përjashta duke u ndryshkur nën shi.

Shtëpia e vjetër kërkëllin nën shi
të dashuruarit që zbresin poshtë kodrës
nuk kanë nge të ndalen
tek druri i vjetër i rrëzuar
që po e shpien për ta sharruar.
Dhe ne të gjithë plakemi nga pak
pa eja shihni se ku kemi qenë
përjashta duke u ndryshkur nën shi.

Bota e vjetër duke vdekur nën shi
Dhe vera që do vijë si nga vit
nuk do të ketë nge të habitet
por do vazhdojë nëpër rrugën e saj
sikur askush të mos kish jetuar këtu.
Dhe ne të gjithë plakemi nga pak
pa eja shihni se ku kemi qenë
përjashta duke u ndryshkur nën shi.

                 Duke kapërcyer Atlantikun

Kam hequr dorë nga lutjet në aeroplan.
Kam bredhur nëpër lokale e plazhe të verdhë.
Kam shkruar këngë që të jetojë familja ime vite të tërë.
Kam pasur gra që i pëlqeja e prej tyre kam mësuar
gjëra që nuk i dija.

Kafshët e mia mund të jetojnë në luks
ato më dhimbsen më fort sesa do t`ju dhimbsesha,
po për to ka kush kujdeset.
Po të kujdeseshin për mua si për Dogun
nuk do të desha më shumë.
Do të kisha mbaruar çdo pikturë
që fillova ta hedh në pëlhurë.

Kam parë disa palë sy që do të doja
t`i mbaja në kujtesë.
Por në fund të fundit kuptova se bëja dot pa ta
kështu nuk falem më në aeroplan.

Ka vite që Zoti nuk më frikëson
ashtu siç më trembi herën e parë
kur unë vrapova nëpër fushat e Tij.
Ne kemi luajtur në qiell së bashku
megjithëse nuk ishim në kushte të barabarta
e respektonim njëri tjetrin.

Pastaj ti erdhe vrap në jetën time…
E unë u zgjata dy gishta.
Dhe tani duke ardhur për tek ti
lutem gjer të heq brezin e shpëtimit
e lutem përsëri.

Zot, lërmë të jetoj edhe një ditë
të të shoh të bukur tek dera
edhe një mëngjes.

Mos më ndodhtë që në fluturim
kur ngutshëm vështroj vdekjen
pa dashje të harroj ngjyrën e syve të tu.

*Rod McKuen u lind në Oklend të Kalifornisë në vitin 1933, u rrit në Kaliforni, Nevada, Uashington dhe Oregon. Ka punuar si punëtor, aktor kinemaje, dublant për rolet e rrezikshme, folës në radio për garat me kuaj, gazetar dhe skenarist psikolog gjatë Luftës së Koresë, para se të bëhej një autor librash shumë të shitur, kompozitor dhe njeri që jep pritje. Me botimin e “Rruga Stanjan e pikëllime të tjera” në 1966 dhe “Mba vesh si më vlon gjaku” një vit më vonë, Rod McKuen u bë poeti më i shitur në Amerikë. Ka punuar për një roman dhe ka shkruar një skenar për dy librat e tij të parë me poezi.  /standard

Related

Poezi 3166721082139079566

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item