Di se ç’verë do pi sa shoh fuçinë - Dy poezi nga François Villon (1431-1463) në përkthimin e Romeo Çollakut

Letër miqve Mëshirë, mëshirë për mua, Fransuanë, dëftoni, o vëllezër, shokë besnikë, ditët i shkoj i mbyllur në hapsanë e jo në ekskursione ...




Letër miqve

Mëshirë, mëshirë për mua, Fransuanë,
dëftoni, o vëllezër, shokë besnikë,
ditët i shkoj i mbyllur në hapsanë
e jo në ekskursione dhe piknikë,
në këtë gropë më zbritën me çikrikë,
ndaj kush nga ju pret paret me gërshërë,
shpejtoni, kush vërtet është zemërgjërë,
fëmijë, vashëz, plak apo djalosh,
aktorë, valltarë e dijetarë, të tërë,
do ta lini Vijonë këtu përposh?

Dhe ju, psaltë që dot s’ia dilni mbanë
detyrës me ata zëra aq komikë,
dhe ju, rrugaçë të grindur me paranë,
dhe ju, o muzikantë me harmonikë,
mos vononi, se vajti dëm kam frikë.
Dhe ju, poetë që, botën kur të lërë,
do t’ia qëndisni vjershat me gjilpërë,
një copë herë pasi e zvarritën osh,
e hodhën, po ju them, mu në një vërë,
do ta lini Vijonë këtu përposh?

Ngutuni ta shikoni fukaranë,
ju, njerëz të mëshirshëm dhe fisnikë,
që mbretëreshat lindur nuk ju kanë,
por jeni bij të Zotit, edhe pikë!
Nuk po i sillen mirë as dhe njëçikë,
masella mos më keq i është shpërbërë,
ngaqë s’i japin bukë, por tërshërë
dhe, që të mos qëndrojë me barkun bosh,
pi vetëm ujë të ndenjur, të pëgërë,
do ta lini Vijonë këtu përposh?

Princa të lartë, përvishni ato llërë
dhe bëni gjithë sa keni për të bërë,
lidhur në litar hidhmëni një kosh,
se edhe derrat rendin sërë-sërë
ndonjë derr hungërimën po të zërë,
do ta lini Vijonë këtu përposh?



Balada e imtësive të përditshme

Di mizën ta shquaj në një gotë,
di prej petkut të vlerësoj njerinë,
di kur pritet diell e kur shqotë,
di nga ngjyra e mollës ëmbëlsinë,
di ata që dinë, ata që s’dinë,
di se kush punon, kush sodit retë,
di se ç’veshtull duhet për pusinë,
di çdo gjë, nuk di se kush jam vetë.

Di priftin ta njoh nën redingotë,
di murgeshën dhe nën pelerinë,
di të veçoj skllevër nga despotë,
di të vërej mes gjërash ngjashmërinë,
di se ç’shtron gjithkush në tavolinë,
di ta çmoj nga jaka çdo xhaketë,
di se ç’verë do pi sa shoh fuçinë,
di çdo gjë, nuk di se kush jam vetë.

Di që Romës asnjë vend në botë,
di që dot s’i qaset për fuqinë,
di se ç’është e mundur, ç’është e kotë,
di të dalloj Evën nga Marinë,
di deri sa mban një kalë në shpinë,
di cila është grerëz, cila bletë,
di të shkoqis zhgjëndrrën nga shajninë,
di çdo gjë, nuk di se kush jam vetë.

Princ, s’e kam të pakët diturinë,
di sesa peshon gjithçka në jetë,
di gjer dhe të vdekjes babëzinë,
di çdo gjë, nuk di se kush jam vetë.

Related

Poezi 3232026616879161580

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item